Po flitet aq shumë për “Mini-Shengenin” Ballkanik, për të cilin, pothuajse, në një mendje për rregulla të reja ndërshtetërore janë bërë tri shtete: Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa Kosova është jashtë tyre. Edhe sikur të dojë Kosova të ishte, apo të jetë palë, Serbia nuk e pranon si të tillë, sepse ajo nuk e njeh si shtet, dhe s’ka si ta njoh si palë.
Pse, Serbia është përfituesi i vetëm?
Si fillimi, mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, vizat janë liberalizuar që në vitin 2008, dhe këtë e di kushdo që udhëton drejt vendeve respektive. Për vizitorët e të dy anëve nuk ka më asnjë pengesë. Gjithçka ecën normalisht. Edhe mes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, me marrëveshje apo pa marrëveshje, nuk ka pengesa në lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të mallrave të tyre.
Duke se problemi është lëvizja mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe serbëve të Serbisë. Dhe këtë problem po përpiqet që të zgjidh Aleksandër Vuçiç, për të cilin askush nuk mund të besojë se i plasi zemra e iu dogj shpirti për shqiptarët. Gjithkush e di se atij as i shkon ndërmend të punojë në të mirë të shqiptarëve, sepse po të kishte këtë mendje, do të largohej përfundimisht nga kursi antishqiptar ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe menjëherë do të njihte pavarësinë e saj, duke i dhënë fund një konflikti të vjetër dhe të rrezikshëm jo vetëm për Ballkanin. Por, jo, lepuri fle te mallrat dhe tregu. Nuk bëhet fjalë thjesht për lëvizje njerëzish, turistësh, por për lëvizje të krahut të punës dhe të mallrave.
Sot, gjithë lufta në botë; diplomatike, tregtare dhe ushtarake, bëhet vetëm për tregje. Edhe atëherë, kur kishte luftëra klasike dhe pushtime klasike të vendeve të tjera, të gjitha bëheshin vetëm për tregje pune dhe tregje mallrash. Pra, gjithmonë, lufta është bërë për para dhe influencën që sjell para. Dhe parat vijnë vetëm nëpërmjet tregut të punës dhe nëpërmjet tregjeve të mallrave.
Nëse një vendi, me influencën dhe ndërhyrjet e ndryshme ia shkatërron ekonominë, dhe prodhimin industrial (industrinë në tërësi) e bujqësor, atë vend, de facto, e ke pushtuar. Nuk ka më nevojë të dërgosh ushtri e armatim, se do të ishin përpjekje e kot dhe shpenzim i kot. Shqipërisë së mjerë i shkatërruan ekonominë; i shkatërruan industrinë, i shkatërruan bujqësinë, i shkatërruan të gjithë prodhimin bujqësor e industrial, i shkatërruan tregun, e bënë rrip e degë dhe tani, pasi e kanë kthyer në një treg të madh për të tjerët, duke e hequr për veshi nga t’ua dojë qejfi. Edhe koloni, në kuptimin klasik të ishim, nuk do të katandiseshim kaq keq, se vendi që na kishte kolonizuar nuk do t’i linte të tjerët.
Pasi kanë shpartalluar në rrënjë ekonominë e Shqipërisë, duke blerë politikën, djemtë e saj i kanë kthyer në skllevër të botës. Djemtë shqiptarë dhe fuqia shqiptare e krahut të punës, brenda dhe jashtë vendit, punojnë për botën dhe i shërbejnë botës. Edhe ato dy lekë që i fitojnë me “gjaca mullës”, kur i thonë, i sjellin përkohësisht në Shqipëri, pasi ato prapë kthehen nga kanë origjinën, nga kanë ardhur, se të gjithë parat e fituara harxhohen për të blerë prodhimet e të tjerëve, shkojnë te padronët e këtyre prodhimeve, qofshin këto bujqësore, industriale apo të artikujve të përditshëm dhe riciklohen prapë te padronët punëdhënës. Edhe ato pak para që qarkullojnë nga puna dhe rrogat e shqiptarëve, që jetojnë brenda vendit, jashtë shkojnë nëpërmjet bankave të huaja, të cilat nuk kontrollohen e nuk detyrohen nga shteti shqiptar, se ku do t’i shpenzojnë apo investojnë parat e grumbulluara të shqiptarëve.
E parë në këtë prizëm, Shqipërisë nuk i intereson asnjë treg i huaj, se nuk ka as çfarë prodhon e as çfarë tregton.
Edhe Maqedonia e Veriut nuk ka prodhim të fuqishëm e as ka nevojë për tregje të reja. Tregtia e saj e jashtme nuk mendojmë se mund të prishte tregjet e brendshme në Shqipëri, aq më pak në Serbi. Por, forcimi i marrëdhënieve, edhe tregtare Serbi-Shqipëri, do të mund të dëmtonte marrëdhëniet dhe raportet Shqipëri-Maqedoni e Veriut.
Ndryshe është puna me Serbinë.
Serbia ka industria të zhvilluar, bujqësi super të zhvilluar, ekonomi të fortë dhe shtet të konsoliduar. Ajo ka nevojë për tregje. Mallrat dhe prodhimet e saj insiston që të gjejë vend për t’i shitur. Aq më shumë tani, kur i janë prishur raportet me tregun në Kosovë, kur Kosova nuk është më vendi i zbarkimit të mallrave të shumta serbe, pasi Kosova, me të drejtë ka kërkuar reciprocitet dhe në fushën e ekonomisë dhe të tregtisë me Serbinë, gjë që Serbia nuk do ta pranojë.
Atëherë, cilin treg kërkon Serbia ta shtijë me patjetër në dorë? Tregun e Shqipërisë, ndërsa Maqedonia e Veriut ka pak resurse natyrore dhe për aq konsumatorë që ka, “kaferdiset” me të veten, me prodhimin e vet të brendshëm. Ndërkohë që, së pari, Serbia duhet të rregullojë një orë e më parë marrëdhëniet me Kosovën dhe të vendosë ekuilibrat e prishur tregtar me të, mbi bazën e reciprocitetit të ndërsjellë.
Është e çuditshme se si njërin vëlla ta kesh armik e tjetrin vëlla ta kesh mik.
Si është e mundur që Kosova dhe Shqipëria të mos jenë në sinkron në politikën e jashtme, pastaj në atë tregtare dhe ekonomike?! Si mund të pretendohet se po na çahet barku për Kosovën, kur nga mëngjesi në darkë ulemi me ata që punojnë natë e ditë kundër interesave të Kosovës?! A s’ do të ishte mirë që, përpara angazhimit në nisma të tilla, të zgjidheshin në themel problemet Kosovë-Shqipëri dhe pastaj të mendohej për marrëdhëniet me shtetet e tjera Ballkanike?!
Vetëm kështu, Shqipëria dhe Kosova do të ishin një zë i vetëm dhe një zë i fuqishëm.
Po, ku të lënë!…