2016-12-22

NGA: DR. RRUSTEM BERISHA : Rrëfimet me fantazi të dy vajzave

Kopertina e librit Fatmire Duraku: Tregime për fëmijë, “Dea dhe kërriçi i vetmuar”


Ky libër i shkruar me stilin e qartë narrativ paraqet botën e fëmijëve në shtrirje të zbulimit të fshehtësive, duke u mbështetur në mundësitë e gjera të fantazisë brenda rrethit ku shkollohen dhe jetojnë ata. Fatmire Duraku autore e një numri të konsiderueshëm veprash, e ka treguar përvojën krijuese dhe dhuntinë e saj që u japin këtyre dy rrëfimeve cilësi kualitative të artit.

Dy rrëfime janë pak, por janë befasuese për kah ngjarjet që përshkruajnë dhe me rolin që marrin vajzat për të vepruar si shpëtimtare dhe humaniste në ambientet ku jetojnë bimë, shtazë, shpezë. Ato veprojnë në reliev interesant malor e ujor mbi të cilin ushtron ndikimin e tij kozmosi me kohën e bukur dhe me rrebeshet e ashpra.

Të gjitha këto e bëjnë një skenë që na rri para sysh gjatë leximit të librit.

Përshkrimet e këtyre pamjeve bëhen të afërta me dnjenjat e pastra të të rejave të padjallëzuara, Doruntinës dhe Deas. Ato edhe pse të vogla e me pak fuqi, veprat e shpëtimit i kryejnë me sukses, qofshin si shpëtimtare të vërteta apo vetëm ëndërrimtare.

Autorja krijon rrjedhën logjike të tregimeve në mënyrë spontane, pa pompozitet, dhe i bën bashkë lexues e protagonistë me përjetime, në çastet e disponimit të mirë apo edhe në momentet që duken të vështira.

Autorja me rrëfimet e saj dëfton se kah e deri ku arrijnë kureshtjet dhe dëshirat e fëmijëve, çka mund të bëjnë ata për t’ i dalë zot punës së tyre në mbrojtjen e të dobëtëve, të nëpërkëmburve. Kështu këta tipa të fëmijëve na paraqiten me karakter të fortë, të qëndrueshëm dhe të gatshëm për sakrifica.

Për fëmijët tema tërheqëse janë përrallat, ëndrrat, dhe hapësirat e natyrës ose protagonistët e formuar me fantazi, që mbajnë një superioritet krahas atyre që njohim e dimë siç janë: forca, aftësia, fuqia, pamja më e zmadhuar, pra të paraqiturit ndryshe nga ato që janë reale. Fëmijët me këto mundësi të të menduarit bëhen pjesë dhe krijues të historive të tregimeve të ndryshme, të cilat u bëjnë shoqëri për këtë moshë, deri kur futën në radhën e të rriturve.

Ata konstruktojnë ngjarje, i ndryshojnë gjerat sipas mënyrës së tyre të të menduarit apo me anë të fantazisë dhe, nuk u vejnë kufizime paraqitjeve dhe veprimeve edhe kur i trajtojnë në shkallë të pamundur, paskajshmërisht. Ata nuk mërziten për zmadhime, teprime e zvogëlime. Bota e tyre e të menduarit dhe e ndjeshmërisë është e veçantë dhe e pacenueshme.

Natyra për fëmijët është njëra ndër objektet që u jep kënaqësi dhe ua nxit të fantazuarit.

Ata krijojnë vetë qenie të çuditshme, pamje të çuditshme, mundësi e forcë të pakufizuar kur u duhet për të zgjedhur situata të vështira. Në këtë drejtim, fëmijët janë luftarakë dhe me çdo kusht duan t’ i mposhtin armiqtë dhe pengesat. Ata nuk i duan as kufizimet që ua imponojnë të rriturit, sidomos gjyshërit dhe prindërit. Fëmijët kanë unin dhe botën e tyre të mëvetësishme.

Autorja këto i ka shkruar në tregimet e saj, në dy tërësi të mira artistike: në “Fshehtësitë e pyllit” dhe “Dea dhe kërriçi i vetmuar.”

Në “Fshehtësitë e pyllit” takojmë Tinën (Doruntinën) duke lozur me qenin e saj. Aty afër ka një pyll, por porosia e gjyshes që të mos futet brenda tij se në të banon gruaja keqbërëse ia shtojnë kureshtjen dhe e vejnë në dilemë. Derisa po e lodhte loja me qenin, atë e zë gjumi. Tabunë e gjyshes për pyllin e then me ëndërr. Natyrisht, as ëndrra nuk i del e lehtë, por pasi tejkalon përipetitë dhe bashkërisht me banorët e malit dalin fitues, e ndien kënaqësinë si shpërblim.

Në pyll takohet me zogj, lepuj, drenusha, hutina, pëllumba dhe në kuvendin që mbajnë i rrëfen secili brengat e tij, por tregojnë se aty mbahen dhunshëm dhe duan liri. Lirinë mund ta sigurojnë me tri kokrra gështenje që si të vetme i jep në vit një gështenjë në pyll. Ato si mrekullibërëse mund t’ u sjellin fatin e mirë këtyre banorëve, sidomos hutini që i ishte bërë padrejtësi. Vendosen t’i gjejnë gështenjat, por ato mbante në dorë gruaja shpirtligë.

Zana e spërkati me ujë që bën çudira atë grua të ligë. Drenusha e shtyri e hodhi në ujë dhe ajo u bë grua e mire sa s’ ka. Hutini më i diskriminuari, u shndërrua në princ kalorësiak, madje mori Tinën për krahu që t’ udhëtonin së bashku me kalë.

Në këtë çast gjyshja e thirri Tinën. Ajo u zgjua. Ëndrra përfundoi, por kishte realizuar diçka të këndshme në shpirtin e Tinës.

Tregimi i dytë: “Dea dhe kërriçi i vetmuar” ka zhvillim më ndryshe. Këtu thurjen e tregimit, pjesën reale dhe pjesën e fantazuar i krijon vetë Dea pa ndihmën e ëndrrës.

E bën ajo një histori të një dite në të kthyer nga shkolla me të cilën e bën të çuditet e ëma.

Madje, aq shumë e larg bredh me fantazi sa e ëma dron se të bijës i ka ndodhur ndonjë e keqe apo është e sëmurë.

Dea vjen nga shkolla dhe hyn në shtëpi me gjysmë fryme. Nënës, e cila nxiton ta mësojë lodhjen e saj, ia thotë një histori që e kishte krijuar vetë plot me befasi e ndodhi të pabesueshme. Një zë i vjen në vesh, kërkon nga ajo që të niset në një udhëtim deri te një lis i madh mbi kurorën e të cilit rrinë qielli. Atje ka vijë ujë që rrjedh pastër kristal.

Rrënjët e lisit janë burimi i ujit. Ndonjë rrënjë të madhe e ka të zbuluar, ndërkaq brendia e tij është një pallat i vërtetë. Aty zhvillohet historia e kërriçit. Aty shfaqen bukuritë e livadhit me lule, këngët e vijës së ujit, zukama e bletëve, paraqitja e Hutinit pikalosh. Dukej tërë një botë e krijuar për njëmijë kënaqësi. Të gjithë flasin me gjuhën e Deas.

Edhe gurët e Çmuar flasin me vajzën. Më së keqi ndihej kërriçi, të cilin këtu e kishin strehuar pas një rrebeshe shiu. Kishte ikur e tretur shumë herë, por kësaj radhe prej frikës së njerëzve që i kishin vra e marrë shpezë e bagëti dhe dërguar te kasapi ishte dhënë pas një apatie të frikshme. Kërriçi me lotët bënte t’ i dhimbej, si thotë populli, gurit e drurit. Dea, me pëlqimin e banorëve të atjeshëm, e merr kërriçin e sjell në shtëpi. Nëna e beson këtë histori vetëm kur të del me të bijën në oborr dhe e sheh shtazën e vogël.

Është për t’ u besuar se kjo histori u trillua nga Dea me qëllim që të arsyetohej pse e solli kërriçin në shtëpi. Asaj i duhej një arsyetim. Mendja e saj udhëtoi me një barkë fantazie, po themi, dhe përfundoi aty kur duhej të tregohej mëshira për kërriçin.

Protagonistet Tina e Dea janë ndërtuar nga autorja si dy vajza të urta, por shumë energjike në realizimin e qëllimit të tyre për t’ u dhënë ndihmën atyre që rrojnë në pikëllim e mjerim. Ato kështu janë dy protagoniste që autorja i shquan me trimëri në veprimet që ndërmarrin. I shquan zemërgjera e bamirëse, madje të guximshme në shkallë sakrifice.
Leximi i këtyre tregimeve, pa dyshim, do të ndikojë në ndjenjat dhe mendjet e moshatarëve, do të ndikojë të ecin pas shembullit të bamirëseve, të shprehin dashuri për rrethin e njerëzit që kanë afër. Më në fund, shpresojmë me arsye, do të ndikohet të krijohet nga këta shembuj një brez shembullor fëmijësh e të rinjsh.

Përshkrimet që u bën autorja livadheve, maleve, ylberit, ujërave (vija- lumenj apo liqene), lojërave e valleve, janë dekore që do ngelin në kujtesën e fëmijëve. Stili narrative i pasur, me rrjedhë të prajshme e me figura të bukura shpërndan kënaqësi të posaçme. Sidomos është personifikimi ajo figurë, e cila tërë natyrën dhe pasuritë e saj, si edhe kozmosin, t’i bën të afërme dhe të dashura me të folur e me sjellje të njeriut. Ato janë një shesh i madh ku bredhin kujtimet e përkushtimit dhe punës së Fatmire Durakut.

Njerëzit e të gjitha moshave ëndërrojnë dhe fantazojnë, por këto dy procese ndikojnë tek fëmijët ashtu si ndikon diçka që është reale, konkrete. Këto dy procese i bartin fëmijët në udhëtime të pabesueshme, u qesin përpara pengesa apo i shpien në çaste gëzime e hareje, i shpien në botën që është e panjohur dhe e stolisur me mrekulli etj. Dhe, vetëm fëmijët me fantazinë e tyre bëhen zotërues të asaj bote.

Fatmire Duraku, sikurse kanë bërë shumë shkrimtarë, duke krijuar Lizat e tyre me botën e çuditshme, Kësulëkuqet simpatike, i ka zgjedhur dy protagoniste dhe i ka vendosur

në barkën e fantazisë që t’i bien anë e skaj një hapësire relievore të vendit tonë, për t’ u sjellë moshatarëve të tyre tregime me kujtime të këndshme, për t’ u folur të vegjëlve e të rinjve për fenomene, bukuri, prova të rënda të veprimeve që, fundin e kanë gëzim.

No comments:

Post a Comment

Gazetari Prishtinas Baton Haxhiu

Zotri  Baton Haxhiu ka bërë një deklaratë të bujshme gjatë një debati televiziv, ku ka pohuar se Partia Socialiste (PS) ka kontribuar për...