NGA: MILAZIM F. KADRIU : Libër që ofron mundësi të mëdha interpretimi të kategorive stilistike postmoderne


Kopertina e libritMr. Fatmir Halimi ”Prej modernes kah postmodernia” , botoi Shtëpia botuese "ProkultPress", Prishtinw,2016

Sado të jenë të veçanta rrjedhat letrare, ato kanë në vete edhe diçka nga e kaluara, e largët ose e afërt. Ato nuk janë objekte që të mund t’i matësh me saktësi, siç ndodh kur mat një objekt me mjetet matëse. Asnjë rrymë letrare nuk është shfaqur e pastër dhe nuk është shfaqur në të njëjtën mënyrë në letërsi të ndryshme. Në shumë raste nuk është shfaqur e njëjtë as brenda një letërsie e as brenda krijimtarisë së një shkrimtari.

Nw librin më të ri kritiku letrar Fatmir Halimi “Prej modernes kah postmodernia” thotë se mendimi mbi letërsinë postmoderne është shumë më i vonë, se sa praktika e shkrimit të letërsisë që është shumë më e hershme. Sipas tij, autor pinjoll i letërsisë postmoderne është Borhesi me tregimet e tij të botuara në vitet e 60 – ta, ndërkaq si romansier i letërsisë botërore postmoderne është shkrimtari italian Umberto Eko me romanin “ Emri i trëndafilit “ , 1980. E kur është fjala për postmodernen në letërsinë shqipe ndër shkrimtarët kryesor, Halimi përmend shkrimtarët Zejnullah Rrahmani, Anton Pashku, Rexhep Qosja, ndërsa në Shqipëri Aurel Plasari e ndonjë tjetër.

Halimi në shqyrtimin e tij merr vepra të autorëve shqiptarë, vepra këto që si thotë ai i kalojnë kufijtë e letërsisë moderne dhe i takojnë asaj postmoderne.

Libri është rezultat i komunikimit të tij të vazhdueshëm me lexuesin për gati një decenie, duke filluar nga viti 2008 e deri më sot. Në këtë libër janë të përmbledhura idetë dhe studimet e tij shkencore të botuara nëpër revistat kulturore, gazetat tona periodike e ditore si dhe në portalet e ndryshme që dalin sot në trevat tona.
"Prej modernes kah postmodernia" është e ndarë në dy pjesë modernia dhe postmodernia.

Pjesa e parë modernia, lëndë trajtimi ka periudhën moderne, format modelet dhe gjinitë letrare që u zhvilluan, kurse për model ka shkrimtarët Gjergj Fishtën, Migjenin dhe Lasgush Poradecin e model të shkrimit të tyre ka marrë “Lahutën e Malcis”, “Vargjet e lira” dhe “Vallja e Yjeve”. Të gjitha këto të shtjelluara në pjesën e parë.
Kurse pjesa e dytë, postmodernia trajton mendimet e para rreth këtij diskursi kritik, kohën kur filloi të përdoret për herë të parë termi postmodern, mendimet e kritikëve të huaj dhe të atyre shqiptarë që janë duke u marrë me këtë fushë të re të kritikës së letërsisë. Model të shkrimtarit postmodern tek ne ka marrë për interpretim doajeni e letërsisë sonë Zejnullah Rrahmanin, kurse për trajtim veprën "Sheshi i Unazës", që edhe nga të tjerët është cilësuar si kryevepra e autorit. Po për këtë model të shkrimit postmodern kam trajtuar edhe romanin "Dashuri e Humbur" të autores së re në letrat shqipe Behare Rexhepi. Prandaj sipas autorit këto dy vepra na ofrojnë mundësi të mëdha interpretimi të kategorive stilistike postmoderne.

Halimi në librin e tij “Prej Modernes kah Postmodernia’ sjell një analizë bindëse për veprat e autorëve që ka marrë në shqyrtim për të cilat mendon se i takojnë postmodernizmit ngase e tejkalojnë atë që deri tani konsiderohej si letërsi moderne. Pra shkojnë përtej kufijve të letërsisë moderne dhe pikërisht për këtë autori thotë se janë vepra postmoderne.

Halimi në këtë studim merr në shqyrtim edhe veprën Epi kombëtar i shqiptarëve “Lahuta e Malcis” që ai e cilëson si vepër monumentale, ku mbi bazën e këtyre janë krijuar shumë vepra të tjera arti, e sidomos të artit letrar, ku kësaj kategorie i bashkëngjiten veprat si, Kanuni i Lekë Dukagjinit, Historia e Skënderbeut , etj. Këto vepra quhen monumentale pasi që nga ato mund të krijohen , apo të dalin edhe shumë vepra të tjera të artit

Ndërkaq për veprat “Vallja e Yjeve” të Lazgush Porodecit dhe “Vargjet e lira” të Migjenit thotë se këto dy vepra për shumë çka janë të veçanta në poezinë moderne shqipe, pasi që sjellin risi të paparë deri atëherë në letërsinë tonë. Këtë ai e mbështet tek tiparet veçuese të veprës

Halimi të gjitha veprat që ka marr në shqyrtim dhe na i sjell në librin e tij u ka bërë një analizë të thellë dhe bindëse ku lexuesit i argumenton se ato e kalojnë atë që quhet letërsi moderne, pra shkojnë më tej dhe i takojnë letërsisë postmoderne.

Mendojmë se ky libër i Fatmir Halimit do ta pasuroj kritiken tonë letrare shqipe dhe do të shërbej për studime të më tejme në fushën e diskursit kritik nga gjeneratat e ardhshme.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)

Legjenda e Mujit dhe Halilit