Konferencë shkencore për Pjetër Budin, nismëtarin e vjershërimit shqip

Pjetër Budi, kjo figurë e shquar e letrave shqipe, u përkujtua në 450 vjetorin e lindjes. Ishte Qendra Shqiptare e Studimeve Letrare “Pjetër Budi”, që në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar organizuan një Konferencë Shkencore me këtë rast.

Vetëm pak ditë më parë Presidenti Nishani vlerësoi Pjetër Budin (pas vdekjes) këtë martirir të kombit dhe të kulturës me dekoratën ”Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Konferencën Shkencore “450-vjetori i Pjetër Budit” e hapi akademik Gjovalin Shkurtaj, i cili më pas do të mbante dhe një fjalim të rëndësishëm rreth rolit të Budit në letrat shqipe.

Më pas drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Melsi Labi mbajti një fjalë ku tha se është në nderin tonë që në sallën UNESCO të Muzeut të flitet për Pjetër Budin. “Ndihem me fat t’u uroj mirëseardhjen në jubileun e 450-vjetorit të lindjes të këtij humanisti të madh. Ndaj kësaj figure ne mbetemi përherë të obliguar pasi ishte pikërisht vepra madhështore e tij që rrënjosi një botëkuptim laik për çështjen kombëtare shqiptare. Pjetër Budi mbetet një nga figurat më të shquara të botës shqiptare.

Ai u përket atyre klerikëve, që u dalluan për një veprimtari të dendur atdhetare dhe po ashtu ai ka ngulmuar që gjuha shqipe të futej mirë në praktikën fetare. Ndaj kjo na bën të jemi të vetëdijëshëm se vazhdojmë të kemi detyrim për të ndriçuar këto rrënjë të thella të ekzistencës sonë. Edhe pse jetoi pak, ai pati një veprimtari të ngjeshur. Ndaj Pjetër Budi bën pjesë tek shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë së vjetër shqipe, duke qenë nga autorët më autentik dhe më origjinalë të saj”, tha Melsi Labi në fjalën e tij.

Fjalimet do të vijonin me studiues të njohur si Behar Gjoka, Anton Nik Berisha, Valter Memishaj, Zeqirja Neziri e Merita Sauku Bruci, por dhe Dorian Koçi, Tonin Çobani, etj.
Pjetër Budi është një nga figurat më të shquara të botës shqiptare për kohën kur jetoi. Ai u përket atyre klerikëve, që u dalluan për një veprimtari të dendur atdhetare. Ishte organizator dhe udhëheqës i masave popullore në luftën për çlirim nga zgjedha osmane, përkthyes dhe krijues origjinal në fushën e letrave shqipe për të mbrojtur identitetin etnik e kulturor të popullit tonë. Budi gjatë shërbimit nëpër viset shqiptare u njoh me jetën e vështirë të popullit. Krahas karakterit njerëzor dhe pastoral në shërbim të grigjës së tij, Budi u brumos si njeri kryengritës dhe rebel.

Më 1622 Budi grumbulloi gjithë meshtarët vendas të Zadrimës, Shkodrës dhe Lezhës në një lidhje ku u vendos: – Të mos pranonin meshtarë të huaj nëpër tokat shqiptare, të cilët krahas shërbimeve fetare kryenin edhe punë të tjera në dobi të interesave të vendeve të tyre. Budi ka lënë pas 23 vjersha me mbi 2.300 vargje, prandaj me të drejtë ai mund të quhet nismëtari i parë i vjershërimit shqip. Pjetër Budi lindi në Guri i Bardhë më 1566, por kur ishte në moshën 56-vjeçare, në vitin 1622 e mbytën duke kaluar në lumin Drin.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)