Autorë: Danil GAZULLI dhe Fritz RADOVANI
76 VJET PA POETIN
KOMBTAR
AT GJERGJ FISHTA O.F.M. (Grafikë nga F.Radovani)
23 TETOR 1870 - 30 DHJETOR 1940
Në çdo fushë ku veproi At Fishta, tregoi se ishte gjeniu i
pakrahasueshëm, prandaj edhe mundi t’u dilte mbanë sa ndërmarrjeve nga ma të
vështirat: prej artit, tek publiçistika, prej gjuhësisë, tek arkitektura, prej
arësimit tek muzika, prej humorit tek politika...
Tashma në
qytetin e lashtë të kontrasteve të thella, nga dita në ditë konturohej figura
shumëplanëshe e fratit 30-vjeçar. Qysh në penelatat e para u duk qartë se
veprat e Tij nuk do të ishin përvijime të lëmueta e aq ma pak laramanime
orientale, por gjithçka do të ishte e ashpër, diçka dritë hije rembrandiane me
tone të forta. Gëte dhe Manxoni, Shën Françesku dhe Da Vinçi, e kishin po
fisniknue fytyrën e fratit të ri, por landa mbet ajo që ishte: Shkamb i gjallë
hedhë prej vullkanit fuqishëm e të pashuem të shpirtit Shqiptar. Ishin
nevojat historike të Atdheut që i diktuen At Fishtës drejtimin e gjithë
veprimtarisë së Tij artistike, pedagogjike, publiçistike ashtu edhe në
impenjimin e Tij politik.
Lahuta ka
në themele shkambij ciklopikë, në dukje pak të pagdhenun, herë-herë arkaikë,
por aq të harmonishëm e të natyrëshem, sa të duket se nuk patën nevojë për
daltë, por arkitekti e hartoi drejtpërdrejt në masivet e Alpeve, sa të
papërsëritshme, aq edhe brilante.
I gjithë universi
intelektual i At Fishtës ka pasë si yll polar interesat e Atdheut dhe vetëm
interesat e Atdheut, pse në shpirtin e Tij ideja Atdhe ishte ba ideal suprem.
“Petrarka, thotë Ai, …fshan e kjan
bihude ndër kangë përnjimend të mrekullueshme, por për Italinë, pak e aspak,
megjithëse do të kishte për çka me kja.”
Ja
pra, pse At Fishta nuk zgjodhi vargun e lëmuet, po ate të ashprin, vargun e lahutës, që ata të shkonin drejtpërdrejt në zemrat e
atdhetarëve të etun për liri e t’i ndezte flakë me guxim për luftën e këputjes
së prangave shekullore, për luften për dije e përparim kombëtar. Kanga e Tij asht një britmë deri në dëshprim, e sa e
sa Herojëve që nisen në luftë u thotë:
S’
kan shka bajn? Po a thue të desin?
T’desin
pra, nuk kan shka presin!
Apo:
P’r ‘i grusht eshtna, pashi Zotin,
t’mos korisim Gjergj Kastriotin,
t’mos korisim na sot Hotin…
E ban
këte, jo për mëni ndaj sllavëve, por, sepse, siç e ka thanë në një intervistë,
po të ndodhte e të rihumbëte lirinë Shqipnia, “kishin me plasë dhime sa janë bjeshkët tona.”
Si mund
të quhet shovenist Poeti i një kombi 12 shekuj nën robni sllave e osmane pse
lëshon anatemën ndaj arijëve të bardhë të ardhun prej stepave ruse e
që ende guxojnë e na e quejnë sot e kësaj dite Kosovën Martire Serbi e
vjetër?!...
Atyne po,
u thotë:
T’i mësojnë fëmijtë mbas sotit
mos t’ lakmojnë tokës s’ Kastriotit,
se u bjen shtrejt, qe besa e Zotit!
At Fishta
nuk ngurron t’ i lëshojë namen as Europës në London, në Versajë, pse e la këte
dhé të coptuem, prandaj:
Me gjith këta, por larg nuk shkon
e me i vra ka rr’feja e Zotit
t’ shtat mbledhë si
janë n’London.
Gjuha e
Tij asht thellësisht popullore, pse ishte i vetëdijshëm se po shkruente një
vepër që do të ishte universitet atdhetarie për Malet tona ku mungonin edhe
shkollat fillore, sa me shumë vend thotë Profesor Zekiria Cana: “Shqiptarët në Jugosllavi, duke mësuar
përmendsh “Lahuten e Malcisë”, përvetësuen arësimin kombëtar, kur ky mungonte.”
Por që të
gjykosh Lahuten, duhet të rijetosh historinë me dhimbje, siç e jetoi Poeti.
Në këto
rrethana, aty nga viti 1904, zu e lëshoi akordet e para Lahuta e Tij ngjethëse,
tue u ngjeshë për parzem të malësorit.
At Fishta
vetë ishte një shembull i shkëlqyeshëm i mbylljes së tragjedisë së gjakmarrjes,
një vepër e pandërpreme e Françeskanëve Shqiptarë, sa kur i vranë të vëllanë,
Çupin, jo vetëm e fali vrasësin, po edhe lëshoi thirrjen:
Ndalnju,
burra! Ku veni!
Pashi
Zotin, lëshoni hutat,
se
mjaft gjak asht derdhë!…
Në prag
të ditës së madhe të 28 Nandorit Ai tashma naltohej si lis vigan me rrajë
thellë në truellin arbnor e degë që piqeshin me bjeshkët. Penës së Tij, veç
kangëve të para të Lahutës, i përkisnin sa vepra të tjera, ato “Pika vese” që
dridheshin mbi petale, “Anzat”, vepër satirike e pashoqe deri më sot në
letërsinë shqipe, bash ato anza të lëshueme rrugëve të Shkodrës e të mbarë
Shqipnisë, ku tue përqeshë me humorin e hollë shkodranë, here tue thumbue keq e
jo rrallë tue fishkullue pa mëshirë. Penës së Tij i përkisnin veprat e para
dramatike, origjinale, të përshtatuna a të përkthyeme, ndër të cilat “Shqiptari i qytetnuem”, vu në skenë prej
Atij vetë më 1909, sidhe plot libra për shkollat tona Shqipe.
Por edhe
28 Nandori la shumë vepra mangut. Përgjysë andërrat, përgjysë shpresat,
përgjysë vetë Atdheu e që Ai e vajtoi... me “LOT GJAKU”. E gati si tue lëshue piskamën, porositë:
Edhe
me u thanë anmiqve e t’ tanë njerëzimit:
“Unë
këtu sundoj! N’ këtë shkamb mue m’ vuni Zoti,
E
këndej nuk luej, pa u shue stina e moti”!?
Fati i
vendit do të vazhdonte të ishte i trazuem edhe pothuej për një 10 – vjeçar.
Filloi me rrethimin malazez të Shkodrës, e vazhdoi me trazime të pafund deri në
Korçë, Gjirokastër e ma përtej...
As në ato
ditë të vështira At Fishta nuk u step. Ishte në ballë të luftës për mbrojtjen e
Shkodrës prej knjazit të Cetinës, atëherë kur botoi të parën revistë shprese
mbrenda Atdheut e që e quejti “Hylli i
Dritës”, bashkë me Gurakuqin, Mjedjën, Logorecin, tue themelue “Komisinë
letrare”, e në fund të Luftës së Madhe, që trandi botën, po bashkë me Gurakuqin
e Bumçin shkuen t’i dilnin zot Atdheut coptuem në Versajën hijerandë. Ai
kapërceu edhe Atllantikun, deri në Amerikë, për të shpëtue ç’mund të shpëtohej
nga e shumëvuejtuna dhe e nëpërkambuna
Shqiptari.
Në proçesverbalin e
mbledhjes të Komisisë thuhet: “U vendue me themelue një drejtshkrim sa ma
tepër të përbashkët për të dy dialektet”, ishte ai parim mbi të cilin
punohej për Bashkim, parim që u shkel me te dy
kamët në Kongresin famëkeq të vitit 1972 e që nuk po ndreqet as sot!
Frati me
zhgun nuk i la asgja mangut detyrës ndaj Atdheut, Nëse la mangut diku, i la
pikërisht detyrës së Tij si “klerik”. Por, do të thotë ndokush, si arrijti
atëherë aq nalt edhe në hierarkinë ekleziastike?
...Asht
rast i rrallë, ndoshta i vetëm, që pikërisht vepra letrare dhe atdhetaria e
ngritën edhe në hierarkinë fetare, që për nevoja të Atdheut i ishte dashtë ta
linte shpesh mënjëanë. Sa Shqiptar ishte Ai dhe sa klerik, e shprehin qartë
vargjet e maposhtëme, ku, mbasi andërron me çelë një shkollë të naltë në
Shkodër, thotë:
Por
n’Shqipni pse nji meshtar
Posë
se prift do t’jetë Shqiptar,
Shqiptar,
po pa dredha.
Unë
rektor e profesorë
Sakristan
e baçeva
T’gjithë
shqiptarë i zgjodha.
Kur lufta
mbaroi dhe paqa mirë a keq u vendos, punët sërishmi nuk shkuen dhe aq mbarë.
Mehmurët që kishin heqë fesat dhe ishin veshë allafranga, mendonin si të banin
zap popullin e jo si ta udhëhiqnin atë. Këta “batalla fytyrë-fudullë, batakçij e me nji lasker kulturë, sa me mzi me
shkrue emnin e vet”, si i pikturon me mllef At Fishta, e ndjenin veten ma
shumë turq se shqiptarë, të gatshëm të bashkëpunonin me sllavin e me djallin,
mjaft qe të përmbushnin nepset e tyne prej lubishë të pangopuna. Shumë kohë ma
parë Poeti i kishte jetue këto mënxyra dhe kishte parandje zvarritjen e tyne të
lyrosun, sa kishte humbë durimin tue iu drejtue Zotit:
O
perendi, a ndjeve?
Tradhëtarët
na lan pa Atdhe
e
ti rrin e gjuen n’errfe
lisat
n’per male kot.
Ishin kohë të turbullta, kur, si thotë
Poeti,
“tash qi u ba Shqipnia, duhen ba
Shiptarët.”
E për me ba Shqiptarët Ai ishte që:
Në vitin 1913, thëmeloi
dhe drejtoi deri sa vdiq revistën “Hylli
i Dritës.”
Në vitin 1916, themeloi e
drejtoi fletoren “Posta e Shqipnisë.”
Në vitin 1919 asht
sekretar i delegacionit Shqiptar në Konferencën e Parisit.
Në vitin 1921 asht zgjedhë
deputet i Shkodres në Parlamentin Shqiptar.
Në vitin 1921 asht edhe
nënkryetar i Parlamentit tonë.
Në vitin 1930 asht në
Athinë anëtar i delegacionit të Konferencës Ndërballkanike.
Në vitin 1931 asht ftue
për mbrojtjen e të drejtave të Shqipnisë dhe të Shqiptarëve në disa shtete, ku
ka spikatë fjala e Tij, në 1931 në Stamboll dhe 1932 në Bukuresht.
Në vitin 1931 asht ftue në
New York me përfaqsuesit e 60 shteteve të Botës ku u zgjodh anëtar i Bashkimit
Ndërkombëtar të Poetëve në Amerikë.
Me 6
qershor 1921, në zgjedhjet e para Parlamentare në historinë e Shqipnisë,
Shkodra e dërgon At Fishten përfaqësues të vetin bashkë me miqtë e Tij
Gurakuqin e Mjedën dhe Parlamenti e zgjedh Nënkryetar të Kuvendit Kombëtar. Ky
polemist i shkelqyeshëm në lamen e gazetarisë, me prodhimtari ma të madhe se
çdo gazetar profesionist, do të shfaqej në Parlament si një orator i pashoq,
një atdhetar i flaktë në akuzën kundër Serbisë për masakrat mbi vëllaznit
kosovarë; por edhe kompetent si ekonomist, gjeolog, pedagog e agronom, jurist e
diplomat “sa me pasë nder me e pasë çdo
parlament i Europës”, siç shkruente një gazetar i huej që ndiqte punimet.
Me fjalën e Tij të zjarrtë
i tregoi mbarë Europës se At Fishta ishte dhe mbetet Tribun i Popullit
Shqiptar, që luftoi pa i ba syni vek për të Drejtat e Shqiptarëve për
vetvendosje, tue demaskue haptas qellimet e fqinjëve grabitqarë të Tokave tona
përrreth, të cilët vepronin dhe mbroheshin nga Fuqitë mëdha.
Polemikës
së At Fishtës i jep shpirt satira, me ndihmën e së cilës realizoi pikturën estetike të së keqes. Ai godet me forcë të
gjitha llojet e devijimeve morale, sidomos ato të zyrtarëve ma të naltë. Këte
luftë e ban me guxim, pa pyetë se me cilin binte në kontraditë. Prandaj edhe asht
quejtë mbreti i polemikës Shqiptare. Nuk trajtoi në to asnjëherë çashtje
vetjake, pse si synim i polemikës së Tij të ashpër ishte lufta kundër pseodoatdhetarëve “me barkun kodër” dhe “xhepat e frymë”...
“Shka ka me dijtë me folë mbi politikë e mbi
organizmin e shtetit civil nji njeri malok, matrahul, qi me m’zi ndoshta ka
krye dy a tri klasë fillore e qi djerset kur i duhet me shkrue emnin e vet. Pse
asht edhe tradicjoni shpijak e edukata familjare, qi shumëkend ndër ta e ban
krejt të neveritshëm e ekcentrik. Ky babën gjaks, gjyshin katil, stergjyshin
mizuer, rritë me katila, me gjaksë, me mizorë, me intriganta, batakçij,
vagabonda, rrugaça, me njerëz hasëm të kulturës e të gjytetnisë, kah mund të
mendohet se ka me kenë i zoti me rregullue fatin e nji kombi ende primitiv? Pse
me sundue nji shtet nuk asht mjaft dhelpnija, dredhija, intriga, batakçilleku,
rrena, tradhëtija; duhet nder dhe urtì, burrnì: qe se shka duhet. Po, por dija,
urtija, ndera, burrnija u nxejshin në shkollë e, madje, me shumë mund e djersë,
e jo ndër kafeshantana t’Europës e mejhane paçaxhihane të Tiranës, tuj luejtë
“tavell” e “bigjoz” e tuj pi “mastikë”.
Një
portret i përkryem i “udhëheqësit” tonë të ardhshëm...
Shenim
nga FR: Ky material asht një pjesë e shkëputun nga libri: “AT GJERGJ
FISHTA O.F.M. ASHT MENDJA,
ZEMRA E
SHPIRTI I POPULLIT SHQIPTAR”
2010.
Punue nga bashkautorët Danil GAZULLI dhe
Fritz RADOVANI.
Melbourne,
Dhjetor 2016.
No comments:
Post a Comment