Ai erdhi për të sjellë paqe. Dhe tani edhe Barack Obama hyn në luftë. Por presidenti amerikan nuk ka rrugë tjetër, mendon Miodrag Soric.
Presidenti i SHBA Obama u zgjodh, sepse u premtoi amerikanëve se do t'i japë fund "luftës së çmendur në Irak" dhe do t'i kthejë ushtarët në shtëpi nga Afganistani. Në fushatën elektorale në vitin 2008 Obama u foli nga zemra bashkëatdhetarëve në tij duke vënë në pikëpyetje kuptimin e luftës.
Por të gjitha këto lihen tani mënjanë në Uashington. Politikanët, aktualisht në fushatë, mbajnë kudo në vend fjalime patriotike: "Shteti Islamik" duhet të shkatërrohet. CNN, Fox News dhe të gjitha "kanalet e lajmeve" - në të vërtetë vetëm modele biznesi - krenohen për Amerikën si "fuqia më e madhe, që ka parë ndonjëherë historia e njerëzimit". Kapitenët e avionëve përshëndesin ushtarakët me shumë përzemërsi para nisjes. "Bartësit e uniformës", siç quhen, lejohen të hyjnë në avion të parët, së bashku personat me aftësi të kufizuara dhe gratë dhe fëmijët e vegjël.
Një komb në shenjën e luftës
Por vala patriotike duket se nuk po i përfshin me të vërtetë Shtetet e Bashkuara. Por amerikanët janë të lodhur nga lufta, edhe pse aktualisht shumica e mbështet operacionin në rajonin kufitar ndërmjet Irakut dhe Sirisë. Në rast se operacioni do të zgjasë, opinioni rrezikon të ndryshojë.
Miodrag Soric
Ndërkohë e marrin fjalën politikanët e parë, që e konsiderojnë tërheqjen nga Afganistani të gabuar, si senatori McCain. Grupet e ekspertëve në institutet e studimeve në Uashington diskutojnë, nëse aleatët si Gjermania, apo shtetet e tjera të NATO-s, nuk do të ishin të gatshëm të dërgonin trupa ushtarake në Afganistan edhe pas vitit 2014. Fundja Al Kaida është dobësuar, por nuk është mundur akoma, as në Pakistan fqinj. Dhe pastaj janë islamistët në Jemen, që duhen mbajtur po ashtu nën kontroll, thonë këshilltarët e politikës. Për të mos harruar Somalinë, e cila ka nevojë pikërisht tani për mbështjetjen e perëndimit.
Gjenerali në pension i Forcave Ajrore Charles Wald, që drejtoi goditjet ajrore kundër talibanëve në Afganistan në vitin 2001, e tha qartë para ca kohësh: Amerika ndodhet para një periudhë të luftërave të pafund. Gjeneralë të tjerë janë dakord me të: Amerikanët që jetojnë tani, nuk do të jetojë më një paqe të vërtetë.
Të mbajmë distancë: po - të qëndrojmë fare jashtë: e pamundur
A ishte kjo, ajo që terroristi Bin Laden donte të arrinte në fund? A i kanë humbur të gjitha betejat islamistët, pavarësisht se me çfarë emri prezantohen në opinionin botëror, por në fund të fundit kanë fituar luftën kundër perëndimit? Asnjë vend, as superfuqia SHBA, nuk mund dhe nuk dëshiron të jetojë pa nderprerë në luftë. Dikur betejat të lodhin, të drobitin, të stërmundojnë.
Presidenti Obama duket se e kupton një gjë të tillë. Në fjalimin e fundit drejtuar kombi ai theksoi se çfarë e dallon operacionin kundër "Shtetit Islamik" nga luftërat në Irak dhe Afganistan: se nuk do të dërgohen trupa tokësore amerikane. Por çfarë do të ndodhë, sikur IS të jetë më rezistent nga ç'pritej? Sikur sulmet ajrore të amerikanëve dhe trupat tokësore të kurdëve dhe irakianëve të mos mjaftojnë për të mundur "Shtetin Islamik"? Do të heqin dorë SHBA? Zor se do të heqin dorë. A do të jetë i detyruar në fund Uashingtoni, që të dërgojë trupa luftarake amerikane në zonën e krizës? Këtë vendim nuk do ta marrë më presidenti Obama, por pasardhësi i tij në Shtëpinë e Bardhë. Ose pasardhësi i tij.