2017-12-05

Albanologu István Schütz, Hungari: Konvertimi i Shqiptarëve dhe Prejardhja e Shqipes


Në studimin tonë kemi ndër mend të shqyrtojmë dy vepra, të ndryshme nga pikëpamja e vlerës së tyre, por me një trajtë të përbashkët kryesore: të dyja merren me prejardhjen e gjuhës shqipe. Këto dy botime janë monografia e historianit-gjuhëtar gjerman Gottfried Schramm, Anfänge des albanischen Christentums – Die frühe Bekehrung der Bessen und ihre langen Folgen, Freiburg 1994, dhe vëllimi postum i epigrafistit-historian rumun Ion I. Russu, Obârs ia tracica a românilors i albanezilor – Der thrakische Ursprung der Rumänen und Albanesen, Cluj-Napoca 1995. Domethënë monografia e shkencëtarit gjerman dhe studimet e hulumtuesit rumun na paraqesin hipotezën që shqipja, gjoja, do të kishte një prejardhje trakase. Mirëpo Schrammi kërkon zanafillën e shqipes dhe të shqiptarëve te një fis trakas bessi (latinisht) ose bessoi ( greqisht ), i cili kishte banuar në zonat malore të Bullgarisë së sotme, kurse Russu sheh stërgjyshërit e shqiptarëve në një fis dakas nga pjesa veriore e Karpateve, te carpi ( latinisht ) ose karpoi ( greqisht ).

Para së gjithash, duhet theksuar fakti se gjatë këtij gjysëmshekulli të fundit – përveç veprës monumentale së albanologut shqiptar Eqrem Çabej – nuk është botuar asnjë studim më i rëndësishëm mbi prejardhjen e shqipes. Është një arsye më tepër kjo për t’u kushtuar një vëmendje të posaçme të dy vëllimeve të përmendura. Bile monografia e Schrammit me 266 faqe ( ! ) është fruti i hulumtimeve shumë të gjera dhe të gjata, dhe nga disa pikëpamje ajo është një vepër e mrekullueshme me gjithë përfundimet e gabuara të autorit. Për fat të keq, pjesa e vlefshme e veprës nuk ka asnjë lidhje me lindjen dhe prejardhjen e shqipes.
Mbas një “shoshitjeje” të hollësishme topografike dhe etimologjike të trevave të banuara sot nga shqiptarët, historiani gjerman arrin te përfundimi që vetëm në trevat e brendshme të gadishullit na ka mbetur një zonë ku mund të vendosim djepin e lashtë të shqipes dhe të shqiptarëve. Pastaj monografia na paraqet hollësisht personin dhe veprimtarinë e peshkopit Niceta nga qyteti i Remesiana-s (sot Bela Palanka e Jugosllavisë), i cili në shek. IV (sipas dy poemave panegjirike të kohës), ka konvertuar në fenë e krishterë një fis malësor trakas (bessi ose bessoi). Peshkopi i Remesianas ka bërë dy vizita në qytetin e Nolas (Itali) te miku i tij Paulinus, kryetar i një komuniteti fetar, i cili në çdo rast e kishte përshëndetur me një poemë të gjatë duke nënvizuar meritat e Nicetas: krijimin e një shkrimi të posaçëm për gjuhën trakase, përkthimin e teksteve të domosdoshme liturgjike në këtë gjuhë dhe me ndihmën e disa murgjve trakas themelimin e disa monasterëve në viset malore e popullit të tij.Gurra e të dhënave mbi jetën dhe veprimtarinë e Nicetas janë këto dy poema latinisht, kurse veprimtarinë e tij si misionar e njohim nga një seri predikimesh të tij latinisht, të mbajtura njerëzve, të cilët kishin paraqitur dëshirën që të konvertoheshin. Sipas Schrammit, krijimi i një gjuhe të re kishtare – e trakishtes së shkruar dhe të përdorur për përkthimin e disa veprave dhe këngëve liturgjike – gjoja e kishte shpëtuar trakishten nga shuarja e saj për gjithmonë, duke rritur një filiz të ri vigan, shqipen e sotme! Fisi trakas, i konvertuar në fenë e krishterë, gjoja, ka krijuar një jetë pjellore fetare në malet e Ballkanit deri në shek. IX, kur për shkak të përndjekjeve mizore të kanëve paganë bullgarë, shumica e tyre e kishin braktisur atdheun e lashtë duke kërkuar strehim te perandori bizantin dhe duke u vendosur mbrapa Dyrrachionit, afërsisht në kufitë e Arbanonit të mëvonshëm. Në këtë atdhe të ri krishterët trakas vazhdonin liturgjinë e tyre në gjuhën amtare, duke mbrojtur njëkohësisht interesat e Bizantit kundër armiqve, të cilët kishin kërcënuar pronat e tij nga lindja, dmth. nga pjesa e brendshme e gadishullit! Kështu, deri në tragjedinë kombëtare të vitit 1203, kur atdheu i tyre i ri është prerë më dysh, duke i ndarë edhe arbërit në dy pjesë, në gegë e në toskë, të mbetur këndej e tutje pa asnjë lidhje tjetër midis tyre, përveç gjuhës amtare të përbashkët! Ja ky është në thelbin e tij përfundimi i hulumtimeve të Schrammit.

Historiani gjerman pranon edhe në të dy veprat e tij të mëparshme që ai vetë nuk është albanolog, dhe për këtë arsye të dhënat dhe dëshmitë e shqipes ua merr albanologëve të ndryshëm. Kjo modesti është e lavdueshme, por s’e shpëton dot autorin nga gabimet e kuptueshme, të cilat rrjedhin në një mënyrë të pashmangshme nga mosnjohja e shqipes, e historisë së gjuhës shqipe, e zakoneve të lashta të shqiptarit etj., etj. Në të dyja monografitë e tij të rëndësishme – Eroberer und Eingesessene. Geographische Lehnnahmen als Zeugen der Geschichte Südosteuropas im ersten Jahrtausend n. Christ, Stuttgart 1981. dhe Frühe Schicksale der Rumänen. Acht Thesen zur Lokalisierung der lateinischen Kontinuität in Südosteuropa, in “Zeitschrift für Balkanologie” XXI/2 (1985) S.223-241ˇ XXII/1 (1986) S. 104-125ˇ XXIII/1 (1987) S. 78-94.(kjo e fundit, me disa ndreqje në bazë të kritikave të shfaqura, është botuar edhe në vëllimin Ein Damm bricht. Die römische Donaugrenze und die Invasionen des 5.-7. Jahrhunderts in Lichte von Namen und Wörtern, München 1997, S. 275-344), takojmë po këto gabime etimologjike dhe filologjike. Edhe autori ynë i shkon pas vazhdës së gjuhëtarëve të huaj, të cilët kanë kërkuar dhe vazhdojnë të kërkojnë gurrën e shqipes dhe djepin e shqiptarëve duke harruar krejtësisht mundësinë që ndofta duhen kërkuar dy gurra. Kështu p.sh., ata që anojnë nga prejardhja trakase e shqipes përmendin midis provave të tyre edhe emrin e qytetit të Shkodrës duke nënvizuar që, sipas ligjeve fonetike të shqipes, grupi nistor indoevropian sk– ka dhënë h– në shqipe. Po kështu edhe Schrammi, por më tutje (në faqen 158) vë re që shqipja paska një emër të lashtë autokton të një bime me grupin nistor bashkëtingëlloresh sk– > shk– : shkozë (Carpinus betulus). Në këtë rast ai pranon mundësinë e një huazimi të vjetër nga popullsia vendase po ashtu indoevropiane me rastin e mërgimit të fisit trakas të krishterë në vendbanimin e tyre të ri. Mirëpo fjalësi i shqipes është plot me “çrregullime ” të tilla fonetike-historike, fjala bie të tipit * sreu– > shtre-bë (Acarus siro) dhe * sreu– > gjar-pën (Serpens). Po ashtu nuk mund të pranohet as pohimi që stërgjyshërit e shqiptarëve (d.m.th., trakasit e konvertuar në fenë e krishterë), gjoja e kishin harruar edhe bujqësinë edhe terminologjinë e tyre të lashtë bujqësore duke mësuar sërish këtë zanat të lashtë, bashkë me fjalësin e tij, nga romakët ose nga sllavët! Në një recension të Tezave të Schrammit kemi dhënë me dhjetra prova të vazhdimësisë së pandërprerë të terminologjisë bujqësore të shqipes. Për sa u përket huazimeve latine, shumë gjuhëtarë harrojnë kronologjinë e këtyre huazimeve; në vendin e parë mund të përmendet fakti më i rëndësishëm që shtresa e parë e këtyre huazimeve kishte hyrë në shqipen para shekullit IV, në kohën kur latinishtja kishte pasur edhe gjininë asnjanëse dhe huazimet latine asnjanëse shqipja i ka ruajtur si emra asnjanës: lat. iudicium > shqip gjyqtë, lat. caelum > shqip qielltë, për të përmendur vetëm disa fjalë nga fjalësi fetar i shqipes. Në gjysmën e dytë të shekullit IV, në kohën e konvertimit të fisit të peshkopit Niceta, këto fjalë latine nuk do të kishin dhënë më emra asnjanës në gjuhën trakase, sepse kishte kohë që latinishtja, duke u thjeshtuar, kishte humbur asnjanësin! Për sa i përket “konkurrimit” midis dy fjalëve me prejardhje latine dhe dy autoktone – fe < lat. fidem dhe besë (me kuptimin `fe’) nga njëra anë, dhe uroj < lat.orare dhe lus, lutem, nga ana tjetër, nuk besojmë që këta dy paralelizma të kenë ekzistuar në gjuhën shqipe. Fjala autoktone shqipe besë kishte pasur një kuptim të kufizuar, konkret në shoqërinë fisnore të shqiptarëve, kurse fjala besim është një formim më i vonë i gjuhës. Për sa i përket paralelizmit tjetër, huazimi latin uroj ka pasur më mirë kuptimin `bekoj, i jap uratën’ dhe më vonë `i shpreh dikujt një urim, e përgëzoj dikë me një rast’.Edhe përpara konvertimit të tyre në fenë e krishterë, stërgjyshërit e shqiptarëve u ishin luturhyjnive të tyre pagane dhe kështu as nuk u lypsej një huazim nga latinishtja për të zëvëndësuar fjalët e lashta autoktone lus, lutem, lutje, fjalë me karakter fetar të fjalësit të tyre shqip.

Këto janë gabime të cilat rrjedhin nga mosnjohja e historisë së shqipes, gabime të cilat pasqyrojnë gabimet e mëparëshme të grumbulluara në fushën e kërkimeve albanologjike jashtë Shqipërisë gjatë këtij gjysëmshekulli të fundit. Mirëpo kjo monografi e Schrammit na jep një histori të hollësishme të lindjes së disa kishave kombëtare dhe të gjuhëve përkatëse kombëtare, bashkë me krijimin e alfabetit të këtyre gjuhëve, midis të tjerave historinë e armenishtes, e gjeorgjianishtes, e sirianishtes së vjetër, e koptishtes etj. Dhe nga kjo histori nuk mungojnë provat bindëse, dëshmitë e qarta, duke nënvizuar që shkencëtari gjerman njeh më së miri parullën e drejtësisë të përdorur edhe në fushën e kërkimeve shkencore: unus testis – nullus testis. Kjo pjesë e monografisë nuk vuan nga asnjë e metë. Por, duke kaluar te hipoteza e tij e deklaruar qysh në titullin dhe nëntitullin e vëllimit, autori, me sa duket, i ka harruar të dy pyetjet e tij të drejtuara albanologut shqiptar Eqrem Çabej si një kritikë të ashpër të përfundimeve të kolegut të tij shqiptar. Le të përsërisim këtu këto dy pyetje (faqja 22) nga monografia e tij në fjalë: “Wie streng, wie sorgfältig wird hier argumentiert? Wie gewissenhaft wird das Gesicherte vom Wahrscheinlichen, das Wahrscheinliche vom bloß Möglichen geschieden?…” Po ja që duke filluar me mërgimin hipotetik të fisit trakas të peshkopit Niceta, deri te vendosjen e tyre në Shqipërinë e Mesme, te vazhdimi i liturgjisë së tyre “trakase” në Perandorinë bizantine dhe deri te ndarja më dysh e shqiptarëve në vitin 1203, ndarje në dy dialekte duke humbur të gjitha lidhjet midis këtyre dy pjesëve të popullit, përveç gjuhës së përbashkët, etj. – gjithë këtyre përfundimeve të profesorit Schramm, u mungojnë provat, dëshmitë historike, arkeologjike, gjuhësore etj. Në vend përfundimesh të mbështetura mbi themele të palëkundshme shkencore, gjejmë vetëm disa ide “me gjasë” (wahrscheinliche) ose edhe më pak: “të mundshme” (bloß mögliche) pa asnjë “ndarje të ndërgjegjshme” (gewissenhaft… geschieden) midis së vërtetës së provuar dhe midis pjelljeve të një imagjinate fluturuese. Pastaj, botimi i një teksti shqip të shkruar me alfabetin e Dhaskal Todrit (1730-1805) krahas me shkrimin koptik dhe me shkrimin gotisht, nuk do të kishte vend në një vepër me karakter shkencor! Dhaskal Todri dhe alfabeti i tij, nga fundi i shekullit XVIII, të përmendur bashkë me alfabete nga agimi i erës së mesme! Ky paralelizëm mund të na sugjerojë idenë se gjoja alfabeti i shpikur nga dhaskali iluminist voskopojar do t’ishte alfabeti i vjetër i peshkopit Niceta, alfabet i humbur në shekujt e parë të turbullt të mesjetës dhe i gjetur papritmas, si në një përrallë, në prag të Rilindjes shqiptare! Si është e mundur që trakasit-shqiptarë, të vendosur mbrapa Durrësit me qëllim që të mbronin fenë e tyre të re, duke braktisur atdheun e tyre të lashtë, të kenë humbur pa gjurmë shkrimin e tyre trakas, me gjithë që liturgjinë gjoja e kishin vazhduar edhe këtu trakisht? Dhe në kushte më të mira ekonomike, si në malet e larta të Ballkanit, në kushtet e një perandorie me një kulturë shumë të zhvilluar, në të cilën kopijimi i teksteve trakase nuk do të kishte hasur asnjë pengesë! Si është e mundur që humanisti shqiptar Marin Barleti, i cili në veprat e tij historike na flet për kronika të mesjetës, të shkruara në gjuhën e vendit (in vernacula lingua) të mos kishte dijeni për traditën e shkrimit shqip dhe mbi mërgimin e popullit të tij? Është pa themel fare që të thuash që ka gjoja popuj në botë të cilët nuk kanë shënuar asgjë nga e kaluara e tyre, bile e kanë edhe harruar këtë të kaluar brenda disa shekujve. Aq më tepër, kur flitet për shqiptarët, rapsodët anonimë të të cilëve u kishin kënduar edhe heronjve të përditshëm të popullit të tyre. Vallë, nuk na ka mbetur një burim i pashterueshëm historik në ciklin e gjatë e këngëve të kreshnikëve? Mirëpo tekste të tilla duhen lexuar me vemendje dhe pa ide dhe mendime të paraformuara, duke hequr veshoket. Këto këngë na informojnë mbi shtegtime të shekujve 10-12. duke na rruajtur bile edhe kujtimin e rrugës së kumanëve, përfaqësues të një etnosi turk mesjetar, gjurmët e të cilëve i gjejmë edhe sot në toponiminë e Shqipërisë dhe e Kosovës, edhe në Defter-i mufassal e parë të sanxhakut të Shkodrës.

Prejardhja e shqipes, djepi i shqiptarëve duhen kërkuar me të vërtetë duke përdorur sintezën sa më e gjerë e përfundimeve të shkencave më të ndryshme. Mirëpo, pa njohuritë e domosdoshme në fushën e shqipes, e ligjeve të saj fonetike, të së drejtës zakonore, e mitologjisë dhe e poezisë popullore, e besimeve dhe e yshteve të lashta nuk mund të jemi në gjendje të formulojmë premisa të drejta dhe do të ndërtojmë vetëm silogjizma të rremë.

Një shembull i tillë, i cili na tregon ku mund të na çojë një premisë e padrejtë, arbitrare, është vëllimi i përmendur, postum, i epigrafistit-historian rumun Ion I. Russu, botuar rumanisht dhe gjermanisht mbas shëmbjes së diktaturës komuniste, me rastin e 10-vjetorit të autorit. Redaktori i vëllimit ka përmbledhur disa punime të pabotuara në jetën e autorit dhe i ka redaktuar në tetë kapituj. Prej këtyre vetëm kapitulli i parë dhe të dy kapitujt e fundit meritojnë një vëmendje të posaçme. Idetë e përfshira në kapitujt e tjerë të vëllimit njihen më së miri nga vëllimet e njëpasnjëshme të shkencëtarit rumun i cili gjurmonte palodhur përkimet leksikore shqiptaro-rumune, duke u përpjekur vazhdimisht të gjente edhe në këto një arsyetim të pëlqyshëm në mbështetje të vazhdimësisë gjeografike së gjuhës dhe së popullit rumun në Rumaninë e sotme, hipotezë e ngritur në shkallën e një dogme të rendit njëpartiak. Kapitulli i parë i vëllimit na habit papritmas qysh me fjalinë e parë, e cila na paraqit “katër nocione etno-linguistike e kulturore”, të domosdoshme “në gjuhësinë krahasuese indoevropiane, në hulumtimet në fushën e lashtësisë karpato-ballkanase dhe danubiane, si edhe në fushën e zanafillës etniko-shoqërore të rumunëve dhe të shqiptarëve”. Këto katër nocione qenkan dako-romakët dhe karpët, rumunët neolatinë dhe shqiptarët indoevropianë (Albanezii-Shkipetarii “indo-europeni” në tekstin rumun). Pas kësaj hyrjeje autori na paraqit hipotezën romantike të gjuhëtarit rumun të shekullit të kaluar Bogdan Petriceicu-HaS deu, i cili – pa asnjë provë bindëse gjuhësore ose historike – kishte deklaruar qysh më 1876 dhe me bindje të plotë – që rumunët dhe shqiptarët gjoja kanë një prejardhje të përbashkët trakase. Bile edhe më tepër: ky gjuhëtar-historian kishte caktuar me pëpikmëni edhe zanafillën e të dy dialekteve të shqipes. Sipas tij, fisi carpi do t’ishte gurra a gegëve, kurse fisi costoboci, gurra a toskëve. Hulumtuesi romantik na dhënka edhe etimologjinë e emrit tosk në të cilin ai kishte parë një metatezë të fjalës cost-oboci! Pastaj mësojmë edhe hipotezën e themeluesit të arkeologjisë rumune Vasile Pârvan, i cili në vitin 1906 i kishte shtyrë stërgjyshërit e shqiptarëve që të mërgonin shekuj me radhë për të arritur deri te Danubi i Poshtëm dhe kepi i Matapanit! Natyrisht, provat dhe dëshmitë bindëse mungojnë edhe te Pârvani. Trashëgimtari shpirtëror i këtyre shkencëtarëve rumunë, në kapitullin e shtatë të vëllimit që po shqyrtojmë, na jep edhe këtë provë, të gjetur te kolegu i tij arkeolog Gheorghe Bichir, i cili në vitin 1973 ka botuar një monografi prej 412 faqesh mbi kulturën e fisit trako-dakas carpi. Kjo monografi e gjerë na zgjidhka edhe problemin kyç të vazhdimësisë gjeografike-historike të rumunëve në Moldavi, krahinë e papushtuar nga Perandoria Romake. Mungon prania romake? Ja ku paska një prani dakase, sepse Bichiri, në bazë të gërmimeve të tij, arrin te përfundimi i çuditshëm që gjatë shekujve të parë pas lindjes së Krishtit, midis Karpateve të Lindjes dhe lumit Dnjestër, gjoja, kishte ekzistuar një mbretëri e madhe dhe e fortë, Karpia, një forcë e tmerrshme ushtarake edhe në sytë e romakëve. Sipas arkeologut rumun, është vetëm “mbrapshtia e historisë” fakti që nuk na kishte ruajtur, sëpaku një emër të ndonjë mbreti ose të ndonjë gjenerali të këtij populli të madh dhe trim. Si një provë ai na përmend vetëm emrin e “qytetit karpik” Zergidava, i cili njihet në histori, mirëpo si qendra e mbretit të madh getik Boirebistas ( Burebista ), i cili i kishte bashkuar për herë të parë fiset e ndryshme geto-dakase në gjysmën e dytë e shekullit të parë pas Krishtit. Kështu, në duart e Bichirit mbetet vetëm një provë thatanike: prania në varret e Moldavisë e një ene prej balte me vesh, e punuar jo me tajë, por me duar, si te dakasit e Transilvanisë. Bile Bichiri na sugjeron që mbretëria e tij karpike gjoja kishte pushtuar treva të gjera edhe matanë lumit Dnjestër, edhe matanë Karpateve..

Ja premisa e pasigurtë, ja ai unus testis, mbi të cilin epigrafisti rumun Ioan Russu ndërton silogjizmin e tij në vëllimin e tij të shqyrtuar. Premisat e tjera të nevojshme njihen mirë, ato janë të dhëna historike: mbas tërheqjes së ushtrive romake nga provinca Dacia Traiana, fisi trakas carpi kishte kërkuar autorizimin e kalimit të Danubit dhe të vendosjes së tyre në provincat matanë këtij lumi. Me autorizimin e Romës carpi, janë vendosur, të kolonizuar, në Mezi në vjetet e fundit e shekullit III, fillimi i shekullit IV, dhe në atdheun e tyre të ri ata kanë ruajtur gjuhën e tyre të vjetër pa u shmangur ndikimit të qytetërimit romak dhe të latinishtes. Kështu na sqaron I. I. Russu romanizimin e përciptë të trakishtes gjatë zhvillimit të saj për t’u bërë më vonë, mbas shekujve të gjatë, shqipja e sotme. Autori mendon që me këtë arsyetim të ri ai mund të hedhë poshtë më në fund teorinë e njohur dhe të pranuar nga ana e shumicës së albanologëve, të cilët pranojnë në të kaluarën e përbashkët të shqiptarëve dhe të rumunëve, një simbiozë prej disa shekujsh, një simbiozë në Gadishullin Ballkanik, duke shfaqur mendime të ndryshme vetëm në caktimin gjeografik të vendit të kësaj bashkëjetese. Kjo simbiozë sqaron përkimet e shumta gjuhësore midis shqipes dhe rumanishtes. Dhe jo vetëm ato mbi 120 fjalë të përbashkëta prej të cilave I. I. Russu ka pranuar vetëm dy të tretën, por edhe përkimet e rëndësishme morfologjike mbi të cilat hulumtuesi rumun mbante një heshtje në monografitë e tij të njëpasnjëshme. Këto përkime morfologjike kanë një rëndësi më të madhe se fjalësi i përbashkët, sepse ato nuk mund të sqarohen me huazime të thjeshta ( paradigmat morfologjike nuk huazohen ), por janë kushtëzuar nga një simbiozë, nga një dygjuhësi sëpaku te burrat e të dy etnosave e cila kishte qenë një gjë e përditshme te barinjtë shtegtarë shqiptarë dhe rumunë të bjeshkëve ballkanase, të cilët kullotnin shpesh kopetë e tyre afër njëri-tjetrit, bile po në atë bjeshkë! Gjatë këtyre 15 vjetve të fundit të kaluar nga fillimi i kurseve albanologjike dhe ballkanistike në Universitetin Lóránt Eötvös të Budapestit, kemi përmbledhur rreth 120 fjalë të përbashkëta dhe përveç këtyre edhe përkime të shumta morfologjike, në vend të parë në kategorinë e emrit dhe e përemrave. (Shënojmë vetëm ndër kllapa që vëllimi i fundit i albanologut rumun Grigore BrâncuS duke folur mbi depërtimin e fjalëve të përbashkëta në onomastikën rumune, na jep dëshmi të reja të gjurmëve të rrjedhores së shqipes në formimin e llagapeve te rumunët.)

Përveç premisës së rremë, hipoteza e re e hulumtuesit I. I. Russu vuan edhe nga një e metë e madhe, nga po ajo metë si edhe hipoteza e hulumtuesit gjerman G. Schramm: Asnjëri prej tyre nuk mban parasysh kriterin kronologjik dhe shtretëzimin e huazimeve latine të shqipes. Si do të kishte marrë “karpishtja”emrat latinë asnjanës në radhën e emrave të saj asnjanës para vendosjes së fisit trakas në jug të Danubit nga fundi i shekullit III, kur latinishtja kishte humbur qysh me kohë këtë gjini? Në trevat e Moldavisë historike, sipas Bichirit dhe I. I. Russut atdheu i madh i fisit carpi nuk kishte parë kurrë pushtim romak dhe të dy autorët pranojnë njëzëri se ndikimi latin mbi trakishten ka filluar vetëm në jug të Danubit dhe jo më herët se nga fundi i shekullit III. Kjo e vërtetë historike-gjuhësore është guma mbi të cilën shembet pashmangur çdo arsyetim i cili humb nga sytë shtretëzimin kronologjik të huazimeve latine. Rumanishtja, e lindur nga fundi i shekullit VII, nuk ka ruajtur, dhe as nuk kishte si të ruante, si të tillë asnjë emër asnjanës të latinishtes, kurse huazimet e para të shqipes datohen, sëpaku 5-6 shekuj më herët (ose qysh në shekujt e parë para lindjes së Krishtit).

Hulumtuesi rumun I.I. Russu ka gjetur mbështetje te një arkeolog hungarez, Gábor Vékony, i cili në vitin 1995, në mbrojtjen e tezës së tij të kandidaturës ka marrë dhe ka zgjeruar hipotezën e tij e botuar më parë në monografinë e tij mbi dakasit, romakët dhe rumunët. Sipas kësaj hipoteze të hedhur poshtë nga gjuhëtarët, shqiptarët gjoja janë pasardhës të fisit carpi. Mbështetja filologjike e kësaj teze na tregon ç’trillime mund të lindë mungesa e njohurive të domosdoshme filologjike. Ai deklaron që emri shqiptar s’është gjë tjetër si refleksi i fjalës greke skythés, me qenë se carpi të mërguar në Provincën e Mezisë kanë ardhur nga Skythia dhe banorët e vjetër e atdheut të tyre të ri gjoja për këtë arsye u kanë vënë këtë etnonim të ri! Autori ynë, si duket, nuk është informuar mbi faktin që etnonimi shqiptar ka lindur shumë më vonë (arbëreshët e mërguar në Itali gjatë shekujve 16-17. ende nuk njohin këtë fjalë, pa përmendur mungesat dhe hendeqet e arsyetimit fonetik për të provuar lidhjen midis të dy fjalëve). Dhe autorit nuk i mungojnë etimologjitë e tilla. Sipas mendimit të tij, emri i vjetër i lumit Iatrus gjoja ka marrë formën e tij të sotme fonike Jantra me ndërmjetësimin e shqipes. Si provë autori na jep fjalën shqipe mëndafsh < lat. metaxa, duke mos venë re një ndryshim vendimtar: nazalizimi në fjalën Iatrus është prodhuar në rrokjen me theks, kurse në fjalën metaxa në rrokjen përpara theksit! Po ky hullumtues flet për “mungesën e huazimeve nga greqishtja e vjetër në shqipen”, po ai mendon se fjala mokër mund të jetë një huazim nga greqishtja e vjetër nëpërmjet gjuhës së karpëve-trakas“.

Të dy veprat na tregojnë më së miri faktin e njohur që për shkak të mungesës së burimeve të shkruara të ilirishtes dhe të trakishtes, për shkak të heshtjes së gjatë të historianëve të së kaluarës, hulumtimi në shumicën e rasteve s’është gjë tjetër veç kërkimi i diçkaje të pasigurtë në një errësirë më pak ose më shumë të plotë. Pastaj numri i hulumtuesve sa vjen po zvogëlohet, sikurse brezat e rinj nuk do të kishin qejf që të marrin përsipër barrën e rëndë të studimeve të shumanshme dhe të domosdoshme paraprake në këtë fushë të gjuhësisë. Dhe ata pak shkencëtarë nëpër botë, të cilët kanë më pak ose më shumë një përgatitje të dëshirueshme, mbas një heshtjeje të gjatë, mendojnë nganjëherë që kanë gjetur ndonjë gjurmë ose monopat të ri për ta ndjekur duke u ngecur më në fund, pas shumë mundimesh, në një qorrsokak. Ose në mungesë të një gjurme, të një monopati të ri, imagjinata e tyre mund të prodhojë, bile edhe ndonjë shpikje, duke trilluar nocione të hamendshme, të padëgjuara më përpara, me shpresën që kështu do t’ia dalin punës me përfundime të reja. Ja disa hulumtues të rinj në universitetin e qytetit të Jashit në Rumani, na qenkan paraqitur me një nocion të tillë të ri, duke shpikur një gjuhë paleoballkanike, gurrë e përbashkët e rumanishtes dhe e shqipes! Ata bëjnë çmos që të na bindin se gjoja fjala rumune teafa r, `i shëndoshë e mirë’, e ka gurrën në fjalën gjermane Zauber `magji, magjepsje’, ose na sugjerojnë që emri i qytetit të sotëm të Transilvanisë Deva, hungarisht Déva, i dokumentuar qysh në vitin 1269, do t’ishte refleksi i fjalës dako-trakase * deva `vend i banuar i rrethuar me mure’ dhe farefis me emrin e qytetit të lashtë grek Thebai!

Për shkak të dëshmive të pakta për trakishten dhe ilirishten (pa përmendur fare dakishten), sipas mendimit tonë, duhen përdorur mjete të tjera, ndofta të lëna pas dore, më pak ose më tepër në fushën e hulumtimeve rreth etnogjenezës së shqipes dhe të rumanishtes. Mitologjia e ruajtur në besimet dhe në poezinë popullore, në zakonet e lashta, është një thesar i vërtetë për hulumtimet. Ajo na hap horizonte të reja dhe na lejon të këqyrim në të kaluarën e lashtë, duke ndriçuar në errësirën e kohëve parahistorike. Në kurset tona ne përdorim gjerësisht këtë gurrë për të provuar lashtësinë dhe njëkohësisht edhe shtratëzimin e shqipes. Një nga dëshmitë shprehëse e kemi gjetur në zakonin e lashtë të buzmit të Natës së Kërshëndellave, një zakon i trashëguar nga koha e dendrolatrisë. Shqiptari malësor i lutet buzmit bujar me shpresën që ky do t’i japë edhe në vitin e ardhshëm prodhime të bollshme. Dmth, shqiptari paska ruajtur edhe yshtin zanafillës! Edhe popuj të tjerë ruajnë zakonin e buzmit, e kërcurit të Natës së Kërshëndellave, mirëpo këta popuj e djegin kërcurin për t’u çliruar kështu nga demonët dhe nga shpirtërat e këqij. Zakoni ose besimi i këtyre popujve nuk ka asgjë të përbashkët me besimet e dendrolatrisë të ruajtura të gjalla vetëm në malësinë shqiptare. Popuj të tjerë i kanë sot vetëm kujtimet e zbehta të dendrolatrisë në disa zakone të zbrazura nga çdo përmbajtje konkrete, bile vetëm në disa fjalë të thjeshta të pashpjegueshme për shumicën e njerëzve. Duke dëgjuar fjalën yule-log (anglisht `kërcuri i djegur në Natën e Kërshëndellave’) ose jul(suedisht `Kërshëndella’) ose duke ngrënë tortën e famshme frënge buche (me kuptimin zanafillës `kërcu’), kush mendon sot vallë te një rit fetar i dendrolatrisë? Ne hungarezët, bashkë me fqinjët tanë rumunë ruajmë kujtimin e zakonit të lashtë shqiptar (natyrisht pa pasur kurrë edhe po këtë zakon!) në emrin përkatës të Kërshëndellave: hungarisht Karácsony, rumanisht Cra ciun, të cilën e kemi huazuar me ndërmjetësimin e misionarëve bizantinë të dërguar në Hungarinë e posalindur, misionarë të cilët flitnin edhe sllavisht, me qenë se stërgjyshërit tanë nuk kishin njohur fare greqishten!

Ose le të marrim kultin e lashtë të gjarpërit, ja simbol i pjellshmërisë në disa vise me popullsi shqiptare, ja simbol i stërgjyshërve (ose i shpirtërave të tyre) në vise të tjera. Hulumtuesi grek Mishel Sakellariu e lidh këtë kult me shtresën më të vjetër të mitologjisë greke, me mitin pelazgjik të krijimit të botës dhe të pelazgëve të parë. Ose le të marrim emrin e Tomorrit, të “malit të shenjtë të shqiptarëve”, si e quan i pavdekshmi Naim Frashëri. Ky emër nuk është shqip, as greqisht nuk mund të jetë, por gurra e tij indoevropiane është e padiskutueshme. Pëpara dyndjes së ilirëve dhe të grekëve, një popullsi tjetër indoevropiane i ka lënë gjurmët e saj të zbehta por të dukshme në Dalmaci dhe në Shqipërinë e jugut, derviopët ose – si quheshin në tekstet e vjetra greke – dryopët. Vallë mund të jetë një nga tekat e fatit që pikërisht shqiptarët e kanë ruajtur emrin e malit dhe jo ndonjë popull ose ndonjë gjuhë tjetër?. Ose gjurmët e sistemit vigjesimal, pse s’i ka ruajtur asnjë gjuhë tjetër ballkanase? Pse mungojnë ato nga greqishtja e vjetër?

Me qindra, me mijëra pyetje presin një përgjigje të bindshme, përgjigje të cilat kërkojnë sot dhe në të ardhmen një punë prej Sisifi, nga disa breza të njëpasnjëshme hulumtuesish në një fushë shumë më të gjerë kërkimesh sa gjer më sot. Sepse ne dhe pasardhësit tanë nuk duhet të harrojmë që po përpiqemi si thëneglla të përmbledhim copëzat e imta të një mozaiku të shpërbërë gjatë mijëvjeçarit të parë. Këto copëza janë shpërndarë në të katër anët, gjetja e secilës kërkon shumë punë dhe durim, dhe shpesh herë duhet vënë re që disa prej copëzave të gjetura nuk bëjnë pjesë nga mozaiku i kërkuar. Me gjithë këtë nuk duhet humbur shpresa, nuk duhet humbur durimi, sepse mozaiku do të jetë për një mend i mrekullueshëm dhe me gjithë që rikompozimi i tij është një sipërmarrje kolosale, – si e thotë shqiptari – barra e vlen qiranë!

Ndërrimi i motmoteve, ripërtëritje e dashurisë vëllazërore

                   Kërko brenda në imazh                 Nga :  FLORI BRUQI  Për të festuar Viti i Ri 2025 , ja disa urime që mund të ndani ...