2017-12-02

Regjimi komunist i Enver Hoxhës ndryshoi afatet e qëndrimeve në ushtri


CIA ka treguar detaje se përse regjimi komunist në vitin 1956 vendosi që të ndryshonte kohëzgjatjen e shërbimit ushtarak nga qytetarët. Nga ana tjetër, tregohen dhe përplasjet e Mehmet Shehut me deputetët pasi atij ju refuzuan dy herë kresat në Parlament.

Dhjetor 1956

Shërbimi i rekrutimit

Kohët e fundit janë përhapur fjalë se shërbimi ushtarak në këmbësori do të reduktohet në 18 muaj, ndërsa për rojet kufitare dhe forcat detare do të shkurtohet në 2 vjet. Ushtria dhe siguria kanë nisur njëfarë reduktimi në Shqipëri. Shtatë mijë oficerë dhe ushtarë të ushtrisë dhe forcave të sigurisë janë liruar nga detyra në maj 1956. Motivi për lëvizjen ishte lehtësim i ekonomisë së vendit dhe rritje e krahut të punës. Largimet e fundit nuk kanë lidhje me veprimin e ngjashëm të një viti më parë, kur u liruan rreth 9000 njerëz nga aparati i mbrojtjes.

Zyrat e rekrutimit

Çdo qendër rajonale ka zyrën e rekrutimit ushtarak, nën juridiksionin e së cilës është e gjithë zona e prefekturës. Deri në mars 1956, Shqipëri kishte 11 qendra rajonale rekrutimi (një për çdo prefekturë). Ndërsa pas ndarjes së re administrative që u bë në mars, numri i prefekturave u bë katër (Korçë, Gjirokastër, Tiranë, Elbasan) që u shoqërua me qendrat respektive të rekrutimit. Përveç zyrës së rekrutimit të prefekturës, pika të tilla ka dhe në qendrat e rretheve, të cilat varen nga qendra e prefekturës. Zyra ushtarake e Bilishtit ka 2 oficerë dhe 2 nëpunës, ndërsa ajo e Cërrikut ka vetëm 2 oficerë. Të thirrurit për shërbimin ushtarak njoftohen 4-5 muaj para datës së regjistrimit në zyrë. Zyra e rekrutimit njofton policinë dhe këshillat e zonave, ndërsa të thirrurit paraqiten në pikat pranë tyre. Më parë të thirrurit në zonën e Cërrikut raportonin në zyrën e atjeshme, por prej majit 1956 të thirrurit duhet të raportojnë në zyrën qendrore të Elbasanit. Pas ekzaminimit nga komisioni i rekrutimit rekrutët e rinj marrin dy dokumente, njërin të nënshkruar nga doktori dhe tjetri nga kryetari i komisionit. Në to personat njoftohen për përgjegjësitë e tyre gjatë shërbimit ushtarak dhe ato që duhet të kenë me vete. Rreth tre javë para datës së nisjes së shërbimit, rekrutët thirren në zyrën ushtarake për të qethur flokët dhe për t’i kujtuar ato që lejohet të marrin me vete, që zakonisht janë një palë rroba të pastra dhe ushqim për tre ditë. Më pas rekrutëve u thuhet të kthehen në shtëpi, ku nga ai moment janë të detyruar të qëndrojnë aty çdo natë deri në ditën e pranimit.

Fusha ajrore e Beratit

Aerodromi i Beratit është i rrethuar me tela me gjemba. Ai ndodhet pranë rrugës automobilistike. Nga ura e Hasan Beut drejt Beratit. Informatori ynë, i cili ka punuar në aerodromin në fjalë thotë se pista dhe ndërtesat janë ende në ndërtim. Pista ajrore është në drejtim paralel me rrugën nga Berati drejt urës së Hasan Beut dhe është rreth 40 metra e gjerë. Fshatrat rreth zonës së aerodromit janë zbrazur. Informatori thotë se ka dëgjuar nga disa inxhinierë se pista pritet të përfundojë në vitin 1956. Për sa kohë që ai ka punuar aty, janë ndërtuar vetëm bazat e pistës dhe një ndërtesë e vogël me strehë. Gjatë kësaj periudhe ka pasur rreth 1000 të burgosur nga burgjet e Korçës e Durrësit që punonin në ndërtimin e pistës, si dhe rreth 15 teknikë shqiptarë dhe 4 inxhinierë ajrorë sovjetikë.

Batalioni i punës në Elbasan

Prej fillimit të gushtit deri në tetor 1952, kur informatori ynë ka shërbyer me batalionin në fjalë si teknik, për arsye të mungesës së stafit, njësia ishte e stacionuar në Elbasan. Njerëzit e batalionit të punës nuk mbanin armë pasi nuk konsiderohen të besueshëm nga regjimi. Batalioni nuk kishte mjete transporti të tijat, por i dërgoheshin sa herë kishte nevojë. Batalioni i punës kishte zyrën e administrative ku qëndronte komandanti, dy gra daktilografiste, dhe një oficer të Sigurimit me rroba civile. Komandanti i tij ishte Myslym Keta nga Tirana.

Policia dhe sigurimi në Cërrik

Posta e policisë në Cërrik ka dy oficerë dhe rreth 30 policë. Në të njëjtën ndërtesë ka dhe një zyrë të Sigurimit ku rrinë dy oficerë. Rafineria e naftës në Cërrik ka pasur një postë të veçantë policie me rreth 15 njerëz, por prej 10 majit policët u zëvendësuan me njësi të rojeve kufitare. Prej prillit deri në fund të majit 1956 kur dhe u liruan një numër i madh policësh e ushtarakësh, u shkurtuan dhe shumë poste policie dhe zjarrfikësish. Në zonat juglindore postet e zbrazura janë zëvendësuar ne roje kufitare. Reforma administrative e prillit 1956 që reduktoi prefekturat dhe punonjësit e rendit, i ka kursyer shtetit të paktën 2500 krahë punë sipas shtypit vendas, ndërsa një numër i madh punonjësish të administratës gjithashtu janë transferuar në qendra prodhimi. Në çdo qendër rajonale ose prefektura, ka një gjykatë civile dhe një gjykatë ushtarake. Në çdo fshat ose qendra prodhimi ka një gjykatës të popullit. Ky i fundit zëvendësohet çdo vit, sipas rekomandimit të organizatës bazë të partisë. Gjykatësi bën vlerësimet paraprake të çështjeve serioze para se ato të shkojnë në gjykatën e popullit, dhe gjithashtu përpiqet të mbyllë çështjet e vogla. Në çdo fshat ose qendër prodhimi ka gjithashtu atë që quhet “gjyqi shoqëror”, ku zgjidhen shkeljet e vogla të disiplinës ose debatet ekonomike. Sistemi i mbështetjes sociale në Shqipëri drejtohet nga Bashkimet Profesionale. Stafi i tyre merr rrogë dhe zgjidhet nga prefektura. Në çdo qendër pune ka një komision të Bashkimeve Profesionale. Të gjithë punëtorët janë anëtarë të bashkimeve profesionale, për të cilët paguajnë 1% të rrogës së tyre

Morali i popullit ndaj Greqisë

Në fillim të majit 1956, gjashtë kinematë e Tiranës luajtën një film sovjetik ku kishte skena nga një ekzibicion në Selanik, i cili po vizitohej nga mbreti i Greqisë dhe nga ambasadori sovjetik. Por për faktin se filmi kishte skena nga Greqia në kinematë kishte shumë njerëz dhe nuk mund të gjeje vend. Biletat për filmin nga 10-15 lekë u ngritën në 25-30 lekë. Rreth 60 familje greke që punojnë në fermën e Cërrikut, vijnë nga zona e Delvinës. Familjet qëndruan në kampin e internimit të Cërrikut deri në 1952. Kur ky kamp u mbyll, familjet nuk u lejuan të ktheheshin në fshatrat e tyre, por u vendosën në fermën e Cërrikut. Kjo masë u mor pasi komunistët nuk kishin besim te këta njerëz për t’i lënë të jetonin pranë kufirit. Me mbylljen e kampit të internimit të Cërrikut disa familje u liruan, ndërsa të tjera u transferuan në kampe të tjera. Në fillim të vitit 1952 nisi ndërtimi i rafinerisë së naftës në Cërrik. Bashkë me punëtorët e pavarur, teknikët shqiptarë e sovjetikë, dhe brigadat e vullnetarëve, forca totale e punës arrinte në 3000 njerëz. Autoritetet ndalojnë diskutimin e detajeve si kapaciteti i uzinës apo proceset e punës, por sipas fjalëve rafineria do të prodhojë naftë, vajguri, graso dhe lubrifikantë të tjerë. Makineritë e saj dhe pajisjet mekanike vijnë nga Bashkimi Sovjetik.

Maj 1956

Tentativat diplomatike jugosllave

Disa ndryshime qëndrimesh te zyrtarët jugosllavë në lidhje me politikat shqiptare dhe kritikat e tërthorta ndaj kryeministrit Shehu, sinjalizojnë një rritje të interesit të Beogradit në Shqipëri. Aktualisht, zhvillimet në kongresin e tretë të partisë shqiptare japin sinjalizime për kursin e ardhshëm që marrëdhëniet mes dy fqinjëve mund të marrin. Më 4 maj ambasadori jugosllav në Shqipëri, Predrag Ajtiç, u zëvendësua nga Arso Milatoviç, i cili raportohet se ka bashkëpunuar me liderin shqiptar Hoxha gjatë ditëve të luftës partizane. Ajtiç njihej që preferonte shoqërinë e kolegëve të tij perëndimorë, dhe Beogradi mund të ketë menduar se ai nuk do të ishte i dobishëm për planet e së ardhmes në përmirësimin e marrëdhënieve me Tiranën. Ajtiç i njeh mirë çështjet shqiptaro-jugosllave dhe tani po luan një rol të rëndësishëm në rajonin e Kosovës, i cili banohet nga një shumicë shqiptarësh etnikë, duke ndryshuar qeverisjen lokale dhe rajonale.

Pozita e Shehut

Një gazetë jugosllave e Maqedonisë pretendonte më 14 maj se një ligj i fundit i sponsorizuar nga kryeministri Shehu ishte refuzuar dy herë nga shumica e parlamentit shqiptar. Kur Shehu kërkoi votimin e tretë, raportohet se atij i thanë se megjithëse ishte kryeministër nuk mund të kërkonte një votë të tretë. Lajmi duket se është fabrikacion dhe mund të jetë hapja e një fushate publike jugosllave për diskreditimin e Shehut dhe nxitjen e shkarkimit të tij. Sipas ministrisë së Jashtme italiane, një nga zyrtarët e legatës së saj në Tiranë ishte prezent gjatë sesionit parlamentar në fjalë dhe pa se ligji kaloi me votën e zakonshme unanime. Italianët kanë aspiratat e tyre në Shqipëri dhe e konsiderojnë Shehun si barrierën më të mirë për të reduktuar influencën e Beogradit, për arsye të armiqësisë së tij të thellë ndaj Jugosllavisë. Ambasadori italian në Tiranë beson se kongresi i partisë shqiptare do ta konsiderojë Shehun si të dobët politikisht dhe BRSS do të përpiqet me çdo mënyrë për ta larguar, dhe ta zëvendësojë me dikë më miqësor ndaj Jugosllavisë. Ndërkohë Shqipëria nuk po bën asgjë në lidhje me fushatën e përgjithshme evropiano-lindore për të joshur Titon, me shumë gjasa prej frikës së stimulimit të rivendosjes së influencës së saj në vend, që do ta kthente Tiranën në një nën-satelit, në fillim të Beogradit e më pas të BRSS. Një zhvillim i tillë do të ishte skenari më i papreferuar i udhëheqjes shqiptare. Gjithashtu, largimi i Shehut ose Hoxhës, të cilët janë përgjegjës për ekzekutimin e titistit Koçi Xoxe në 1949, do të interpretohej në rrethet politike shqiptare si përulje ndaj presionit jugosllav. Në fakt Beogradi i përçmon të dy liderët shqiptarë, por ndoshta do të quante të kënaqshme një marrëveshje të arritur me Hoxhën, nëse Shehu largohet nga pushteti. Shehu kishte marrë pozita anti-jugosllave që para krizës diplomatike të 1948. BRSS mund të mendojë se ndonjë gjest ndaj Shqipërisë është i nevojshëm para vizitës së bujshme të Titos në Moskë. Tito atje mund të ngrejë çështjen e mendësisë armiqësore të Shqipërisë, duke e ilustruar me vrasjen e Koçi Xoxes, i cili ishte njeriu kryesor i Titos në Shqipëri para vitit 1948. Aktualisht Xoxe mbetet i vetmi titist i vrarë, figura e të cilit nuk është rehabilituar në Evropën Lindore. Beogradi e ka kritikuar dhe më parë këtë, si dhe artikujt e shumtë të Tiranës ku Xoxe quhet armik i partisë. Aktualisht Tito mund të kënaqet dhe vetëm me uljen në detyrë të Shehut, si gjesti i parë i hapjes.

Biznismeni dhe investitori Elon Musk parsheh reduktimin e rrezikut të zhdukjeve të njerëzimit duke bërë jetën multi-planetare" duke i vendosur -koloni njerëzore në planetin Mars.

    Kërko brenda në imazh                                                           Nga Flori Bruqi ,PHD Elon Reeve Musk ( 28 qershor, 1971)...