nga Msc. Albert HABAZAJ
Dy fjalë për tingëllimën. Tingëllima ose soneti nuk praktikohet shumë nga poetët e sotëm shqiptarë. Është fjala për poezinë lirike me katër strofa, prej të cilave dy të parat kanë nga katër vargje e dy të dytat nga tre apo dy vargje, zakonisht njëmbëdhjetërrokëshe e me sistem rimash të ndryshme. Botërisht njihen dy modele shkrimore të poezisë lirike të tingëllimës, sonetet e Petrarkës dhe ato të Shekspirit.
Njeriu, mësuesi dhe poeti lirik i qytetit me dy dete. Hiqmet Mehmetaj është një poet lirik i Vlorës që thur tingëllima të bukura. Mendojmë se ia vlen të theksojmë dhe dy fjalë jetëshkruese për këtë mik të mirë të letrave në Vlorë, edhe pse mund të mërzitet kur ta marrë vesh, se diçka bëra për promovimin e emrit të tij tutje Vlorës e Shqipërisë. Ndjej detyrim tri herë të shkruaj për Meton: sepse është mik i babait tim të paharrimtë, mësuesit dritëror Rexhep Abazi. Po ashtu është edhe miku im i dinjitetshëm. Gjithashtu jemi edhe shumë afër me shtëpi, të dy në Ujë të Ftohtë, sepse edhe ai shtëpinë e ka shtatë pëllëmbë mbi buzëdetin vlonjat… Miqësinë me babain tim e ka të hershme. Ua lidhi mësuesia, që kur ishin në Shkollën e Mesme Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në Elbasan (në vitet 1963-’67). Miqësinë me mua e ka qysh me fillimin e erës së re demokratike, (vitet 1990 - ) lidhur nga shkrimtaria dhe atdhetaria, që ruan aromën e stafetës së miqësisë së vjetër. Ai është njeri model, që urren të dukurit, fasadën dhe hipokrizinë. Ai është familjar shëmbullor, mësues dritan, veprimtar atdhetar, poet i dashur që qëndis lirika të këndshme, shumica të ëmbla. Hiqmet Sulo Mehmetaj, lindur në Drashovicë të Vlorës, më 22 mars 1943, i përket atij brezi fatlum, (për vete dhe për stafetën e brezave që morën mësim nga të tillë mësues të lartë), arsimuar në Normalen e famshme të Elbasanit, e cila, për kohën, ishte për shqiptarët universitet mbi universitete. Edhe në shkollën e lartë Hiqmeti i shërbeu fatit që e ndoqi, sepse e nisi dhe e përfundoi në Shkodër (1972-1975), ku përvetësoi mjeshtërinë e edukimit, pedagogjisë dhe psikologjisë në shkollë. 40 vjet dha mësim nxënësve dhe kolegëve, që edhe kur e drejtoi nuk e humbi thjeshtësinë, komunikimin etik dhe punën në grup. Hiqmetin nuk mund ta shikosh një ditë pa veshjen e tij karakteristike, klasike-aristokrate, mbajtur pastër e për merak: me kostum, kollaro, këpucë të zeza që shkëlqejnë, po ashtu i rruar për ditë. Nga ana tjetër, ai urren fort shfaqjen tullumbacore të njerëzve që kërcasin si kokoshkat në zjarr; urren “poetërinë me kollaro” mbi tavolinë, “Belulët” në biseda, diskutime, promovime etj., që s’i lë hunda e gjatë e mendjemadhësisë boshe të shikojnë më tutje, se i pengon “Pinoku” etj. Hiqmeti ka ushtruar profesionin fisnik të mësuesit të Gjuhës shqipe dhe i Letërsisë. Ndërkohë, përveçse poet i lindur (gjenezën poetike e trashëgon nga nëna), ai fatmirësisht njohu dhe mësoi mirë teorinë e letërsisë, çka i dha ndihmesë për poezinë e kultivuar.
Tingëllimat lirike të Hiqmet Mehmetit sipas modelit të Shekspirit. Edhe sot e kësaj dite, ai studion me kujdes teori letrare. Nuk nxiton të kërkojë motive, ato i vijnë vetë, nga natyra, nga njerëzit që njeh. Nuk mbytet në lumin e fjalëve, por noton dhe e zgjedh fjalën, e kursen përdorimin e saj të tepërt, se nuk do ta shpërdorojë të shenjtën e nënës. H. Mehmetaj është poet 100% lirik dhe ka botuar pesë vëllime poetike: “Shqipëri, pse s’të zë gjumi?” (poezi, 1996); “Ëndrrat e trëndafilit”, (poezi, 1999); “As dielli s’më përshëndet”, (poezi, 2001); “Nata e lofatës”, (poezi, 2008); “Vajza e ujëvarës”, (lirika, 2012), si dhe librin me poezi të zgjedhura me titullin e thjeshtë “Lirika”, 2014. Të pesë librat i ka botuar në Tiranë dhe ç’ka na bën përshtypje pozitive, në rrafshin e virtytit e besimit të autorit, redaktor ka patur qysh në fillimet e tij botuese prof.dr. Bardhosh Gaçe, “Mjeshtër i Madh”, të cilin nuk e ndërron me tjetër. Libri më i plotë tij është “Lirika”, Tiranë, Dudaj, 2014, në 152 faqe, ka një strukturë poetike ngritur mbi katër kate lirike. Katin e parë e ka quajtur “Lirika shoqërore” me 33 poezi; kati i dytë është “Lirika peizazhi” me 13 poezi”; i treti “Zambakët e dashurisë” me 6 poezi për frymëzimtarët e tij: Omar Khajamin, Robert Bërnsin, Eseninin, Lasgush Poradecin, Çajupin dhe xha Aliun, Ali Asllanin tonë. Katit të katërt të ndërtesës poetike “Lirika” i ka vënë emrin “Lirika dashurie”, ku përfshihen 71 poezi, të cilat hapen dhe mbyllen me çelësin magjik të poezisë, për të vijuar udhëtimin e ndjenjës pa nxitim, bukur, kënaqshëm e menduar. Me këtë natyrë burimore, pena e tij ka gjetur veten dhe ka krijuar profilin e autorit në poezitë e zakonshme dhe sidomos në tingëllima. Ndjenja dhe koherenca shkojnë bukur në harmoni në poezinë lirike të Mehmetajt, secila në vendin e vet hierarkik të llojit poetik të autorit. Veçoria e tij tematike është flora dhe fauna (bota bimore dhe bota shtazore e Lumit të Vlorës, krahinës së vendlindjes së tij e më gjerë). Së pari, ai shkruan se ndjen diçka që do ta shprehë me gjuhën e metaforës, do të kënaqë veten dhe miqtë e letrave. Pavarësisht nga natyra e tij tërësisht lirike e bujare, është shumë kritik ndaj krijimtarisë së tij. Poezia e tij, edhe pse ai nuk rend për ta reklamuar, ka tërhequr vëmendjen e miqve të poezisë, të studiuesve dhe të kritikëve të letërsisë. Dritëro Agolli ka shkruar për poetin vlonjat: “Lirikat e Hiqmet Mehmetajt janë të sinqerta dhe kanë thjeshtësinë e këngës. Ato nuk janë rritur në serrat e librave, por në livadhet e natyrës. Me këtë dua të them se autori e ka asimiluar pasurinë shpirtërore të popullit dhe si nektar e ka shpërndarë në vargjet e tij. Dhe ky nektar u ka dhënë çiltërsinë e natyrshme, jashtë skenave libreske”. Për t’u fokusuar sadopak tek soneti i tij, mund të themi se Hiqmet Mehmetaj, me ndjenjë, me kulturë, me durim ka realizuar një punë prej artisti në gjetjen e rimave e në ndërtimin e strofave, në kërkim të ritmeve dhe në kujdesin për të tërën dhe të mjeteve shprehëse. Vërehet vëmendja që ka për strukturën e tingëllimës dhe në stilin e tij nuk ka imitim të lëvruesve të sonetit nga autorë të huaj apo shqiptarë. Ka ndikim formësor nga Shekspiri në të 35 sonetet e shkruara deri më sot nëpër vëllimet poetikë që ka botuar, por ende jo në një vëllim më vete. Poezia e Hiqmet Mehmetaj ka karakter lirik romantik, po në mjaft tingëllima spikat prirja drejt realizmit, përmes trajtimit të motiveve shoqërore, qortimit të veseve dhe falënderimit poetik të virtyteve humane. Mehmetaj, sot për sot, ende është lëvruesi i vetëm i modelit poetik të sonetit lirik ndër autorët e Vlorës, por, mesa dimë edhe në qytetet e tjera nuk duket se soneti është në modë, ndoshta ngaqë këron një mjeshtëri me shije të hollë artistike dhe disiplinë të rreptë letrare të teknikave poetike. Pikërisht tipologjinë shkrimore të poezisë së Mehmetajt e dallojmë sidomos në tingëllimat e tij. Ato janë të tëra të bukura, ndërtuar sipas strukturës shekspiriane të soneteve: me tri strofa e gjysmë, domethënë, tri strofa njëmbëdhjetë rrokshe (quatrains) me rimën ABAB, CDCD dhe EFEF dhe dy vargjet e fundit (couplet) me rimë të puthur GG por, këtë prezantim të parë të tij me lexuesin, do të veçoja 11 sonete, nga të cilat: “Të kërkoj ndihmë”, “Brengë”, “Një ambiciozi”, “një pusht-etari”, “Lulishtari”, “Hëna e lajthive”, “Liria” janë lirika shoqërore; “Natë dimërore” - lirikë peizazhi; “Rrëfim rinor”, “Lustraxhiu” dhe “Në dasmën e putanës” - lirika dashurie. Mendoj se misioni im i thjeshtë si moderator i prezantimit tim në gazetë të tingëllimave të lirikut të Vlorës e mbyll këtu ciklin, për të vijuar me shijet artistike dhe estetike që do të shkaktojë tek lexuesi dashamirës i letërsisë së bukur. Udhëtim të mbarë, të këndshëm e të kënaqshëm Liriku ynë i tingëllimave, mësues dhe poet Hiqmet Mehmetaj!