2018-03-21

“Ora e gjyshit” dëshmi e një përvoje të gjatë krijuese


Image result for dan ibrahimi

Shkruan: DAN IBRAHIMI


“Ora e gjyshit” dëshmi e një përvoje të gjatë krijuese

Abdullah Troshupa tashmë nuk është emër i panjohur sidomos në letërsinë tonë të re për fëmijë. Ai tashmë ka një përvojë krijuese të vlefshme e cila shpërfaqet me ngritje cilësore nga libri në libër. Duke lexuar librin në dorëshkrim, “Ora e gjyshit”, autori e konsideron si një libër për fëmijë dhe të rinj. Pa modesti mund të them që kjo përmbledhje shënon jo vetëm një numër sasior në botimet e Troshupës, por edhe një ngritje cilësore në pikëpamje të ndërtimit të stilit që ka si veçanti jo vetëm figurat stilistike, gjuhën e pastër pa barbarizma, por edhe tematikat përkatëse me qëllim të formimit të shëndoshë të gjeneratave të reja.
Autori i ka ikur klasicizmit poetik duke na ofruar një përmbledhje poetike që plotësisht mund të përfshihet në kuadër të letërsisë moderne për fëmijë.
Vihet re që vargu i lirë pa rimë në shumicën e poezive të Troshupës ka një melodi të brendshme, një thellësi mendimi preokupues dhe një mjeshtri ndërtimi që u përshtatet atyre që u dedikohet, fëmijëve dhe të rinjve. Unë do të thosha, hiq pjesën e parafundit që është për fëmijë, libri mund të lexohet këndshëm edhe nga moshat e tjera, madje edhe nga ata që kanë kritere të larta leximi.
Libri “Ora e gjyshit” është i ndarë në pesë cikle: ”Udha e baltosur”, “Në vesh më foli era”, “Harta e hapur”, “Ora e gjyshit” dhe “Plagët e shpirtit”, sipas motiveve përkatëse. Cikli i parë është ndërtuar kryesisht mbi tematikën e dhembjes së plagëve kombëtare siç është tragjedia e shqiptarëve në sanxhakun e Nishit, që vazhdon të ndjehet edhe sot sidomos te pinjollët e të ashtuquajturve “muhaxhir”. Në këtë cikël posaçërisht do ta veçoja poezinë “Trishtim vjeshte” në të cilin tema e trajtuar zhvillohet në tipin e rrëfimit të tragjedive të antikitetit. Megjithëse është thënë që poezia nuk e duron formën rrëfimtare, unë mendoj që në poezinë e Abdullah Troshupës na vjen e këndshme dhe emocionuese.
Nëse në ciklin e parë autori na vjen përmes dhembjes kombëtare mbi tragjeditë nga pushtimet dhe shfarosjet e trojeve tona, në ciklet “Në vesh më foli era” dhe “Harta e hapur”, përmes lirikave shohim autorin, dromcat e ndjesive të tija rinore sa të bukura po aq edhe të sinqerta. Aty kuptojmë që edhe ai si gjithë të tjerët i kishte dhe i ka adhurimet, dështimet, realizimet dhe kujtimet mbi to.
Cikli “Ora e gjyshit”, titull që i është vënë edhe librit me plotë të drejtë, vë në spikamë autorin si një njohës të shkëlqyer të botës së fëmijëve. Ai më së miri i di kërkesat e fëmijëve sa i përket poezisë. Si një mësimdhënës me përvojë të ndritshme, dhe si një krijues po ashtu me një bagazh të rëndësishëm, Abdullah Troshupa di si ta ngjallë kërshërinë dhe imagjinatën e fëmijës.
Cikli përmbyllës i librit “Plagët e shpirtit”, një cikël që më shumë u përshtatet të rinjve dhe gjeneratave të tjera, sërish na e shpërfaqë botën e ndjesive të bukura te vet autori.
Fare në fund do të thosha që autori i dramës të suksesshme, “Cigareshitësja” së fundi me përmbledhjen poetike “Ora e gjyshit” na e zgjon kërshërinë edhe në fushën e poezisë, sidomos me stilin unik të tij.
Dan Ibrahimi,

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...