Presidenti Hashim Thaçi në një konferencë për media ka thënë se është i zhgënjyer nga se institucionet kanë dështuar të përmbushin të drejtat që i sigurohen çdo qytetari pa marrë parasysh nga është ai, transmeton albinfo.ch.
“Jam duke marrë informacione për këtë deportim, kam pranuar një raport të hollësishëm për ngjarjen. Sipas këtij raporti arsye e vetme është se ata kanë bërë veprime të paligjshme në Kosovë”, ka thënë ai.
Presidenti ka thënë se detajet duhet të shpjegohen deri në fund dhe përgjegjësit të marrin dënimin e merituar. “Deri sa hetimet nuk përfundojnë, duhet të kemi kujdes se si sillemi me organet që janë përgjegjëse për sigurinë kombëtare”, theksoi ai.
Thaçi e ka quajtur rast të izoluar dëbimin e qytetarëve turq. “Kosova do të mbrojë me çdo kusht vlerat e saj kushtetuese. Askush nuk guxon të persekutohet e deportohet vetëm pse ka një ideologji ndryshe”, përfundoi ai.
Ndërsa duke iu përgjigjur akuzave të Liderit të VV-së, Albin Kurti, presidenti ka bërë pyetje duke thënë se ai duhet të përgjigjet se kush ia financon Kurtit trajnimet e drejtuesve të partisë së tij për çdo javë në Turqi.