Balada-Kujtim për dëshmorin Ismet Qorraj
Vrapon dritë e shekujve e ndalet në sytë e djaloshit,
Dritë nëpër gjëmime, dhimbje, lindje e deka që pa,
Në parzmën e ballit ku ndrin krenari e besë e burrit,
Dritën e ndritshme të shekujve djaloshit Ismet Qorraj ia dha.
Vrapojnë luftëtarët e shekujve e ndalin në dashurinë e djalit,
Luftëtarë që zbrapsën ushtri, hasëm e tundën Perandori,
S’e ndalon ardhacak a diktaturë atdhedashurinë në zemër me e ndry,
Se Njizetë e një shekujt shqiptarë mbi shpinë i ka ai.
E andrra e lirisë u bë fytyrë e bukur djaloshare,
21 vjeçare në jetë të jetëve fytyra e djalit, trojeve do të mbesë,
Do të shkojnë e vijnë brezat, e malet do të thinjën nga motet,
Ismet Qorraj në rini të tij të ardhmen do të presë.
Nëpër odat e Deçanit gjithmonë do të kuvendojnë burrëria,
Djelmëria e lirisë do ta ndrijë fytyrën e tyre në çdo mot,
Ismet Qorraj bukur i ka lidhë kohët e trimave në 21 vite jetë,
Është bërë istikam, asnjë pushtues nuk e mposht dot.
Nëpër çdo stinë bëhet diell lirie rinia e djaloshit,
Thinjë në flokët e nanave, dhimbë tek motrat e Deçanit,
Si gurët e zgjedhur për kullën po mblidhen kangët, kujtimet,
N’fjalë e besë burrërie me ia pa jetën luftëtarit.
Sa t’jetë jeta yll i mëngjeseve në dritaret e Deçanit,
Sa t’jetë liria n’karvanin e trimërisë ai prijatarë,
Sa t’ketë shqipe në bjeshkët e Kosovës e shqiptarisë,
Ismet Qorraj n’rreze drite petkat e shtatit i ka varë…
Është e bukur rini e përjetshme, pa rudhë në ballë e flokë thinjë,
Vetëm nënëmadhja liri këto djem e vajza mund t’i lindë,
Siç don atdheu forcë e vrullë djaloshare me u mbajtë në këmbë,
Dhe karvanet e historisë me luftëtarë, në udhë don rininë.
Tiranë, më 23.03.2015