Tahiri, ka mohuar se ka qenë i njoftuar për ekstradimin e tyre ndonëse thotë ta ketë informuar ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj se ata kanë qëndruar në mënyrë të paligjshme në vendin tonë.
“Arrestimi i tyre nuk ndërlidhet absolutisht me punën time si ministër i Drejtësisë sepse unë nuk kam pasur kurrfarë shkrese këto ditë për ekstradim, por është çështje Agjencisë Turke të Inteligjencës, Policisë dhe e Ministrisë së Punëve të Brendshme, por nuk është diçka që lidhet me përgjegjësin time, nuk lidhet as me prokurori e as me gjykata por ashtu siç jam njoftuar nga ministri i Punëve të Brendshme ata kanë qenë duke qëndruar në territorin tonë paligjshëm dhe për këtë arsye janë depërtuar”, tha Tahiri për “Gazeta Blic”.
Ministria e Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës ka revokuar lejet e qëndrimit për shtetasit e Turqisë, drejtor dhe arsimtarë të shkollës “Mhemet Akif” në Kosovë të cilët u arrestuar gjatë ditës nga Policia e Kosovës.
“Duke iu referuar rasteve konkrete Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion ka vepruar në bazë të Ligjit për të Huaj dhe mandatit që ka për shqyrtimin dhe vendosjen e të gjitha kërkesave që kanë të bëjnë me leje qëndrim”.
“Kjo është një procedure ligjore e cila është aplikuar edhe në rastet e mëhershme, si për të huajt me leje qëndrim, gjithashtu edhe për të huajt që kanë fituar shtetësinë e Kosovës dhe u është revokuar për arsye të sigurisë, apo procedurave tjera të parapara me ligjin përkatës”, thuhet në komunikatën për media.
MPB bënë të ditur se gjatë administrimit të provave kanë konstatuar se për personat në fjalë, ka bazë të mjaftueshme ligjore që të merren masat për revokimin e leje qëndrimit të tyre në territorin e Republikës së Kosovës siç thuhet “për arsye të përcaktuara me ligjin për të huaj, konkretisht nenit 6 të ligjit ku flet për refuzimin apo revokimin e lejes së qëndrimit për rrethanat e sigurisë shtetërore”.
Pas revokimit të leje qëndrimit, sipas kësaj ministrie, qëndrimi i mëtejmë i këtyre qytetarëve konsiderohet i jashtëligjshëm. Ndërkohë, që palët kanë të drejtë ankese në gjykatën kompetente.
Policia e Kosovës të enjten arrestoi drejtorin e përgjithshëm të Shkollës “Mehmet Akif” në Kosovë Mustafa Erdem, zëvendësin e tij Yusuf Karabina, drejtorin e shkollës në Gjakovë, Kahraman Demirez dhe dy arsimtarë Djihen Ozkan dhe Hasan Gunakana.
Pas arrestimit, të njëjtit janë depërtuar në Turqi me aeroplan privat, të posaçëm të Agjencisë Turke të Inteligjencës.
Adem Vokshi, avokat i rastit, tha për Radion Evropa e Lirë se policia, deri më tash, ka ofruar pak informacione.
“Si duket i ka arrestuar policia kufitare dhe kjo neve na shqetësoj shumë mos po i depërtojnë pa u zhvilluar procedurë e rregullt gjyqësore. Ata janë arrestuar duke shkuar në punë. Ne ishim në polici dhe nuk na jepen asnjë informatë. Ata më dërguan në zyrën për mbajtjen dhe atje kontrolluan dhe thanë se aty nuk janë. Më vonë më informuan se policia kufitare i ka në qëndrim dhe nuk mund të kontaktojmë për të marr ndonjë informatë, deri sa të përfundon aksioni”, tha Vokshi.
Avokati Vokshi tha se e vetmja arsye për arrestimin e tyre mund të jetë mbyllja e shkollës dhe ekstradimi i tyre, kinse, siç thotë ai, “këta janë armiqtë e shtetit turk, por që për këtë nuk kanë asnjë provë”.
Ndërkohë, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) përmes një njoftimi për media ka kundërshtuar arrestimin e shtetasve turq në Kosovë.
“Autoritetet kosovare që synojnë të integrohen në demokracinë e përparuar, me këtë arrestim po e vënë në dyshim të skajshëm qëllimin dhe orientimin demokratik duke iu nënshtruar një kërkese autokratike dhe duke u rreshtuar në anën e përndjekësve politikë. Në këtë qërim hesapesh midis Erdoganit dhe Gylenit, Kosova duhet të mbajë qëndrim neutral duke respektuar standardet ndërkombëtare të drejtave të njeriut”, thuhet në një komunikatë të KMLDNJ-së.
Shkollat “Mehmet Akif” në Kosovë i përkasin Institucionit Arsimor Gylistan.
Ky i fundit ka kopshte, institucione parashkollore, shkolla fillore dhe të mesme në gjithë Kosovën.
Besohet se ato janë të frymëzuara nga Lëvizja Hizmet e Fethullah Gulenit, klerikut fetar turk, të cilin presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e fajëson për orkestrimin e përpjekjes për grushtshtet në Turqi, në vitin 2016.