Shkruan: ALI ALIDEMAJ
POEZI TË FRYMËZUARA NGA JETA
Abdullah Troshupa, “ORA E GJYSHIT”PRISHTINË, 2017
Poeti përmbledhjen e vargjeve e fillon me poezinë “Jeta në vargje” faqe 7 , e cila u paraprinë cikleve të këtij vëllimi, autori shfaq pikëpamjet e veta për krijimtarinë në veçanti dhe për poezinë në përgjithësi.
Troshupa i përmbahet me besnikëri thënies së Ali Asllanit që vjershën s`e bën ritmika, por zemra, pra edhe poezitë e Troshupës dalin nga zemra , shpirti. Poezitë e këtij libri për poetin janë mburojë kundër sulmeve, të jetës dhe pasqyrojnë të vërtetën në art dhe në jetë, prandaj kanë vlera estetike.
Poezisë së Troshupës do t`i qasemi nga aspekti tematik-kështu që kemi të bëjmë me poezi biografike për fëmijë, rini, gjyshin, gjyshen, babain, vëllain dhe për shokët krijues Rifat Kukajn, Agim Deven e Arif Demollin pa e harruar edhe Gani Xhafollin.
Poezia ka vlera të theksuar, siç janë ato për atdheun sidomos poezia për Hasan Prishtinën dhe Shpërnguljen e llugaxhiasve nga Toplica në vitin e largët 1878.
Ndonëse ka pak poezi me motive dashurie , mendoj se ato mjaftojnë për ta pasqyruar talentin e poetit në trajtimin e problematikës intime. Poeti me tone elegjiake i këndon dashurisë së humbur e cila edhe në këtë moshë ruhet nëpër kujtime-dashurie vjen, pranvera e rrit, vjen vera e ngroh, vjen vjeshta s`e venit, vjen dimri nuk e ftohë.
Besoj ndihmesë për të arritur këtë sukses kanë dhënë redaktori i librit, poeti i shquar Avdush Canaj dhe recensenti i lartpërmendur në libër Dan Ibrahimi.
Abdullah Troshupës i dëshirojmë sukses në fushën e krijimtarisë dhe besojmë se pena e tij do të lëvrohet si nga fëmija ashtu edhe nga të rriturit.
Në fund të këtij vështrimi po e citoj thënien latine “Jeta është e shkurtër e drita është e gjatë”
Prishtinë 6.10. 2017 Mr.sc.Ali Alidemaj