2018-03-07

KRIJUESIT DHE TRASHËGIMIA JONË KULTURORE


Begzad Baliu.jpg


Prof.Dr.Begzad BALIU

Sa rëndësi po i kushtojnë krijuesit tanë në Kosovë lëvrimit të veprave autobiografike dhe përse paraqesin kaq pak interes veprat e tilla? Kjo është pyetja që më ka bërë gazetari i përkushtuar i së përditshmes më të lexuar në Kosovë “Kosova sot”, z. Isa Vatovci.

Ai në të vërtetë e ka kufizuar pyetjen për një numër qytetarësh, pra vetëm për krijuesit, por për mua krijues janë të gjithë ata që shkruajnë cilëndo prej temave të mëdha a të vogla jetësore, cilëndo prej gjinive a llojeve letrare. Madje ai thotë se ka “pak interesim nga krijuesit”, e unë nuk mendoj se ka pak interesim, por problemi qëndron të disa anë të tjera të kulturës së krijuesve, përkatësisht të atyre që shkruajnë.

Duke përcjellë botimet vendore dhe ato të huaja, jo njëherë më ka rastisur t’ia bëjë këtë pyetje vetvetes dhe jo njëherë i kam dhënë përgjigje. Pse personalitetet tona politike, kulturore, shkencore, artistike dhe mendore nuk kanë vepra autobiografike, biografike, ditarë, memoare, vëllime me kujtime, dokumente etj., të shkruara për të gjallë a të lëna për botim pas vdekjes?

Nga të gjitha pyetjet që i kam bërë vetes, po e zgjedh njërën prej tyre: pse disa nga bartësit e zhvillimeve nuk kanë botuar as edhe një faqe të vetme kujtimi (nëse jo edhe dokumente), për disa nga kthesat e mëdha të jetës sonë dhe a ndjejnë ata paqe shpirtërore për këtë? Ndërsa nga përgjigjet që kam marrë, po e përzgjedh vetëm njërën prej tyre të marrë në kontekst.

Duke e pyetur njërin prej akademikëve tanë për disa materiale që kishin të bënin me një sistuatë shumë të rëndësishme në jetën e tij shkencore, pata marrë këtë përgjigje prej tij: shënime nuk kam mbajtur për takimin e asaj mbledhje të rëndësishme historike, ndërsa dokumentet që më kanë mbetur në dorë një kohë e di se kanë qenë në garazhin e veturës, e pastaj…!

Ajo që dua të them në këtë rast ka rëndësi për botuesit. Sot interesimi i lexuesve për autobiografitë, për memoaret, për kujtimet etj., është i madh dhe kjo veç të tjerash mund të shpjegohet prej numrit të madh të ekzemplarëve të vëllimeve të shitura në Shqipëri dhe prej faqeve të shumta që jua kushton shtypi shqiptar sidomos në Tiranë. Shikoni kujtimet e Minavere Shuteriqit për historianin e madh të letërsisë shqipe Dhimitër S. Shuteriqin, kujtimet për Petro Markon dhe autobiografinë letrare të tij, autobiografinë romanore të shkrimtarit të shquar Sylejman Krasniqi, kujtimet e Helena Kadaresë për jetën e saj me Kadarenë, fejtonet e shumta dhe dëshmitë e pjesëmarrësve të kohës së Enver Hoxhës dhe gjyqet e tij e të pushtetit të tij në gjysmën e dytë të shekullit XX. Lexoni kujtimet për ndarjen me Bashkimin Sovjetik, me Kinën dhe me Jugosllavinë dhe nuk është vështirë të shihet se personalitetet e kohës kanë pasur vetëdije historike për ato procese dhe kanë mbajtur shënime të rastit, ditarë etj., prandaj kanë shkruar memoare me synim për ta thënë të vërtetën për ato periudha dhe për ato ngjarje a individë që e kanë shquar atë kohë.

Por, ajo që dua t’i them lexuesit është zhgënjyese dhe fillon me trashëgiminë e atyre, prej të cilëve kërkojmë të shkruajnë autobiografinë e tyre në Kosovë. Prej teksteve të gjertanishme të botuara në shtypin ditor apo të përkohshëm dhe prej veprave të botuara gjer më tani, nuk është vështirë të theksojmë se Kosova ka trashëguar disa breza politikanësh, shtetarësh, intelektualësh, shkencëtarësh dhe më në fund disa breza krijuesish, prej shumicës së të cilëve as nuk është pritur as nuk pritet ndonjë vepër e kësaj natyre.
Pse mund të thuhet kështu?

Kosova, përkatësisht hapësira shqiptare në ish-Jugosllavi, gjatë shekullit XX ka bërë tri herë pastrimin e aristrokracisë së saj duke likuiduar mizorisht atë pak inteligjencë që kishte dhe atë pak aristokraci familjare që kishte krijuar. Në fillim të shekullit XX, kur është ndarë nga Perandoria Osmane, pjesa më e madhe e Familjeve të Mëdha u shpërngul në Turqi, ndërsa në gjysmën e dytë të shekullit XX, kur gjatë Luftës së Dytë Botërore qe formuar një brez i vogël intelektualësh, pas ripushtimit nga Jugosllavia, në fund të Luftës së Dytë Botërore, pjesa më e madhe e tyre u likuidua mizorisht. Kjo është edhe arsyeja pse në këtë periudhë ne nuk kemi trashëguar pothujase asnjë vepër me vlerë relevante në letrat shqipe në këto lloje a zhanre letrare.

Krijuesit, prej të cilëve ne sot kërkojmë memoare, autobiografi a kujtime janë formuar kryesisht pas Luftës së Dytë Botërore, me një biografi kryesisht të varfër materiale dhe shpirtërore. Me prindër e familje analfabete, me numër simbolik të bashkëkohësve që dinin të lexonin në gjuhën kuranore apo me alfabetin cirilik, me vepra familjare që mund të numëroheshin me gishtat e një dore, pa dosja familjare, pa arkiva familjare, pa traditën e ruajtjes së letërkëmbimit me bashkëkohësit, me koncepte filozofike të komunikimit që shkojnë deri te një përrallë, një anekdotë, një komunikim me rrotulla apo kallëzim bestytësh.

Përveç varfërisë familjare dhe shoqërore më në fund, krijuesit tanë kanë bërë jetën kryesisht në fshatra a qytete me një varfëri materiale, ndërtimore dhe kulturore ndër shekuj, të cilët shumë shumë mund të kujtohen prej ndonjë burimi uji (Kroni Hajdukit), çerdhe shqiponje (Lisi Orlit), mulliri të lagjes (te Mullini Malokve), kasabaje me dy a tri referenca zejtarësh (Ura mas Katarit, Furra Alibegit, Sokaki Hodumve etj.), por pak, tepër pak monumenteve arkeologjike a shtëpie familjesh të mëdha, si dhe ndonjë teqeje dhe ndonjë bejteje të kujtuar nga dy a tre individë të pasionuar pas gjysmëkëndimit. Kjo ndërkaq nuk e arsyeton në asnjë mënyrë shterpësinë arkivore të tyre. Nëse në familjet tona nuk mund të shkruheshin tekste politike, nuk kishte pse të mos shkruheshin edhe ruheshin në trajtën e shkruar tekstet letrare të traditës popullore. Përkundrazi, kjo vetëm e dëshmonë përmasën orale të komunikimit të tyre, po jo arsyen e mungesës së traditës letrare të shkrimtarisë së tyre.

Krijuesit, prej të cilëve ne sot kërkojmë memoare, autobiografi, kujtime, janë formuar kryesisht pas Luftës së Dytë Botërore, janë formuar në qendra të ndryshme të ish-Jugollavisë, pa ndonjë përgjegjësi të madhe në jetën shoqërore dhe pa hapësirën e duhur për të krijuar atë komoditet të theksuar për ruajtjen e dokumenteve dhe përmbledhjen e kujtimeve a memoareve për brezat e tjerë.

Shikoni biografinë e shtetarëve të dalë nga aradhat partizane dhe të ngritur në politikanë nga shkollat politike të natës, dhe mos prisni që ata të kenë ruajtur trashëgiminë dokumentare të përvojës së tyre, dhe për më tej, të kenë patur vetëdijen historike për përgjegjësinë e tyre për pasardhësit e sotëm.

Të kthehemi në retrospektivë biografike (në të vërtetë fëmijërinë, prejardhjen qytetare të pjesës më të madhe të shkencëtarëve tanë) e le të ndalemi e të mendojmë për përmbajtjen shkencore të shkollave, vlerave dhe përgjithësisht trashëgiminë materiale dhe shpirtërore të tyre. Shikoni sa gjatë, tepër gjatë, kanë bartur titujt më të lartë akademikë me vepra modeste, e sidomos me vepra të varfëra, madje jo vetëm për mendimin shkencor, i cili nuk është këtu objekt studimi, por për vëllimin e faqeve të shkruara në to.

Shikoni biografitë e poetëve, prozatorëve, dramaturgëve dhe në mënyrë të veçantë bibliografinë e teksteve të shkruara jashtë asaj që quhet letërsi artistike. Lexoni intervistat e tyre në shtypin letrar nëse kanë dhe mendimet e shprehura në to. Lexoni mendimet e tyre për letërsinë dhe përpiquni të kuptoni artikulimin e tyre për jetën personale, shoqërore dhe konceptet e tyre qytetare. Lexoni dhe mundohuni të përzgjidhni disa nga fjalët a termat që ata kanë përdorur dhe mënyrën se si ata e kanë artikuluar idenë e tyre për krijimtarinë letrare dhe shkencore, dhe do të shihni se për t’i kuptuar disa nga ata nuk mjafton të jesh filolog, duhesh të jesh pak më shumë: tekstolog a etimolog.

Përpiquni të shihni jetën e tyre jashtë vëllimeve të vogla me poezi a proza dhe do të shihni se hapësira e lëvizjes së tyre shkon nga fshati në kryeqytet, ku për pjesën më të madhe të tyre pika më e largët e globit ku kanë pirë ndonjë kafe ka qenë ajo ku ata kanë pasur fatin të kryejnë shërbimin ushtarak në ish-Jugosllavi. Në trashëgimin e tyre biografike, përveç me ndonjë gaf politik, ata nuk shquhen as me ndonjë aspekt jete dekadente, me të cilën shquhen krijuesit, që në botën letrare të rajonit apo Europës, e quajnë veten poet të lirë fizikisht, intelektualisht dhe moralisht.

Nëse qëllimi juaj nuk është shumë i përkushtuar në zbulimin e përmasës kulturore të atyre prej të cilëve do të kërkonit të shkruajnë autobiografitë e tyre, veprat me kujtime apo memoaret, bëni një anketë të vogël me disa nga ata më të zgjedhurit dhe pyetni sa dosje ngjarjesh historike (kongrese, konferenca, takime historike etj), sa vëllime (dorëshkrime të pabotuara), sa fletore (ditarë periudhash të veçanta), sa letra (komunikimi me bashkëkohësit apo personalitetet e veçanta në botë), sa fotografi (takimesh me personalitete politike, historike, shkencore e kulturore) kanë ruajtur ata në shtëpitë e tyre, të cilat nesër mund të bëhen referenca autobiografike të tyre, pjesë të ditarëve të tyre, apo pasuri e memoareve të tyre. Dhe, do ta shini se ato janë të varfëra dhe të shpërfillshme.

Do ta shihni se prej kësaj varfërie materiale dhe shpirtërore nuk mund të priten autobiografi të pasura krijuesish, për vepra kujtimesh të vëllimshme dhe për memoare të dokumentuara me interes për historinë. Do të shihni se periudha “e pasur” e fëmijërisë së tyre është fëmijëri e formuar me shkop pranë dhive dhe deleve, fëmijëri e formuar prej një “grusht përrallash” të dëgjuara nga bariu me një dhëmb, por jo edhe të lexuara; do të shihni se rinia e tyre e hershme është formuar prej kallëzimesh kanunore a historike odash për vrasjen e xhanar Stevës, për vdekjen e mistershme të djalit të Avdisë te Prroni Tek u “Hipin” Pelave, për Shqipninë e mretit dhe çain e rusit dhe prej kallëzimeve të tjera në gjysmëterrin e odës së gjyshërve të tyre.

Këtë konstatim tepër të zymtë për autobiografitë e krijuesve tanë, e mbështes jo vetëm në gjendjen materiale e shpirtërore, të cilën unë e formulova pak më lart, por, më së shumti e arsyetoj edhe prej gjendjes së ditarëve të paktë, e gjithashtu të varfër, që kemi trashëguar më parë (shih ditarin e Fadil Hoxhës për Luftën e Dytë Botërore, memoaret e përgatitura nga Veton Surroi dhe memoaret e Ismet Shaqirit, kujtimet e Sinan Hasanit etj.) apo vetëm ditarët e dekadës së fundit për Luftën e Kosovës, dhe do të shihni se në shoqërinë tonë ende mungon sinqeriteti dhe guximi qytetar për të artikuluar të vërtetën, qoftë edhe pas një gjysmë shekulli. Për disa nga ata, sikur janë Hivzi Sulejmani (mos më thoni se e ka thënë përmes letërsisë së tij), Esad Mekuli, Mark Krasniqi, Ali Hadri, Fehmi Agani, Ukshin Hoti, Hasan Mekuli, Anton Çetta, Zekeria Cana, Ymer Pula, Ymer Jaka, Ibrahim Rugova, Azem Shkreli, Ali Podrimja dhe pjesërisht Bekim Fehmiu etj., tashmë i jep të drejtë vetës plotësisht.

A do të më japin të drejtë për këtë Akademikët Idriz Ajeti e Rexhep Qosja, Adem Demaçi, Hydajet Hyseni e Ali Lajçi, Hakif Bajrami e Sabile Keçmezi-Basha, Azem Vllasi, Shkëlzen Maliqi e Veton Surroi, Jusuf Buxhovi, Rexhep Ismajli e Milazim Krasniqi, e të tjerë e të tjerë! A do të më japin të drejtë për këtë bardët e zhvillimeve politike të dekadës së fundit: Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Bujar Bukoshi, Ramë Buja, Edita Tahiri dhe sidomos një mal i madh këshilltarësh politikë të dekadës së fundit, të cilët jo njëherë i kam parë duke mbajtur tabakët e fjalimeve të shefave të tyre, por kurrë nuk i kam parë duke mbajtur shënime për fjalët e shefave të tyre në takime të hapura!

Po theksoj vetëm një shembull: Luftën e Kosovës! Përjashto veprën e Rexhep Qosjes “Tronditja e shekullit”, në dy vëllime, sot është vështirë të gjesh një vepër, e cila në mënyrë relevante dëshmon për ditët tronditëse të përndjekjes masive të popullit shqiptar nga Kosova dhe fatin e tyre jashtë saj.
Sa keq! Sa mirë! Trishtueshëm!

Historia jonë do të vazhdojë të tregohet në formë orale; pasardhësit tanë nuk do të ndjehen të skuqur prej bëmave të paraardhësve të tyre; historinë moderne të vendit tonë e të identitetit tonë do të vazhdojmë ta ndërtojmë me mite pellazgjike, se ato ilire na janë shpenzuar!
Do të jetë autobiografia jonë, autobiografi e popullit në vargje!

(Begzad Baliu u lind më 20. 11. 1966 në katundin Makresh i Poshtëm, komuna e Gjilanit. Pesë vjetët e para të shkollimit i kreu në shkollën fillore «Skënderbeu» në Makresh të Poshtëm, ndërsa tri të fundit në shkollën fillore «Liria» në Marec, komuna e Prishtinës. Shkollën e mesme, drejtimi: Bashkëpunëtor Teknik i Matematikës, e mbaroi në Gjimnazin «Zenel Hajdini» në Gjilan. Fakultetin e Filologjisë - Dega e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe e kreu në Universitetin e Prishtinës. Po këtu, në Degën e Gjuhës, mbaroi edhe studimet pasuniversitare. Nga viti 1996 punon në Institutin Albanologjik të Prishtinës, Dega e Gjuhësisë - Sektori i Onomastikës. Po në këtë institucion ka mbrojtur tezën e magjistraturës (2000) dhe tezën e doktoratës (2003). Nga viti 2004 është ligjërues në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Edukimit, dhe ka thirrjen: Prof. ass. dr. Ka qenë kryeredaktor i revistës për art, shkencë dhe kulturë «Shenjëzat»(1998-2000) dhe drejtues i po të njëjtës shtëpi botuese; gjithashtu, edhe redaktor i kulturës në të përjavshmen «Pasqyra» (Prishtinë). Në vitin 1994 ka themeluar Qerthullin e të Rinjve të Onomastikës «Eqrem Çabej» në kuadër të Shoqatës së të rinjve «Pjetër Bogdani» të Prishtinës. Nga viti 2001 është drejtor i shtëpisë botuese «Era» dhe i OJQ-ës «Qendra e Ndërlidhjes Arsimore dhe Shkencore» në Prishtinë. Është nënkryetar i Institutit Alb-Shkenca (Prishtinë) dhe udhëheqës i Seksionit të Albanologjisë në nivel ndërkombëtar. Prej vitit 1992 ka qenë pjesëmarrës, bashkorganizator, organizator dhe drejtues i disa aktiviteteve kulturore, letrare dhe shkencore në Prishtinë, Tiranë, Tetovë, Shkodër, Turun etj. Deri më tash është paraqitur në shtypin ditor dhe shkencor më me shumë se 200 artikuj nga fusha e kulturës, e gjuhësisë, e letërsisë, e folklorit dhe e historisë.

Vepra të autorit

Gustav Majer dhe albanologjia, Prishtinë, 2000; Tiranë, 2001.

Gjendja e toponimisë shqiptare në Ballkan, Prishtinë, 2004.

Vepra bibliografike e Profesor Jup Kastratit (monografi) Prishtinë, 2005.

Demitizimi dhe standardizimi i onomastikës së Kosovës, Tiranë, 2006.

Regjistri i standardizuar i emërvendeve të Kosovës, (bashk.), Prishtinë, 2005.

Çështje të studimit të onomastikës në veprën e Eqrem Çabejt (teza e magj.), 2000, Prishtinë.

Onomastika e Gallapit (teza e diser.), 2004.

Çabej 1: (Bibliografi e studimit të veprës së Çabejt në Kosovë) Prishtinë, 2006.

Mbi autorësinë e bibliografisë së Skënderbeut, Prishtinë, 2005.

Profesor Jup Kastrati për Kosovën, (bashk.) Prishtinë, 2004.

Gjaku i lirisë (1981-1995), I-IV, (bashk.), Prishtinë, 1996-2000.

Kafeneja ballkanike, (dramë), Prishtinë, 1996; Shkodër, 2000; Prishtinë, 2005.

Grua e dashuruar, (poezi) Prishtinë, 1996.

Flamuri vjen nga Kosova, (dramë) Prishtinë, 1994.

Koncepte gjuhësore, Prishtinë, 2007.

Refernca albanologjike, Prishtinë, 2007

Toponimi dhe identitet, Prishtinë, 2007 )

No comments:

Post a Comment

Presidenti amerikan Donald Trump : “Do t’i jap fund konfliktit në Ukrainë për 24 orë”

Kërko brenda në imazh                       Shkruan Flori Bruqi  Trump i rikthehet premtimit të tij: – Kam ende gjysmë dite kohë President...