2018-03-05

Mesazhet e shpirtit të gruas në një roman shqiptar

Image result for fatmir minguli
Fatmir Minguli



( Mbi romanin "Unikale" të shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj, botim i Sh.B.Nacional, Tiranë, 2015)

Për lexuesin e nderuar !

Jashtë Tirane është dhe një Zonjë e Madhe e Letërsisë Shqiptare, e cila është
Vilhelme Vranari Haxhiraj, “Mjeshtre e Madhe e penës”

F.M

“Unikale është një roman i zonjës Vrana, që jep portretin e gruas së vërtetë, etalonin që duhet ta shohin e ta imitojnë shumë gra…”

F.Minguli

“ Atje një dritë llambe drithëron,
Dhomën e sime Zonje ajo ndriçon,
Përse vallë shkëlqen dhoma e hyinisë,
Në këtë orë mesnate të vetmisë?


Baladë e vjetër skoceze

Image result for vilheme vranari

Në librin e fundit të Ismail Kadaresë, " Mëngjeset në kafe Rostand", shkrimtari i kushton një kapitull disa shkrimtareve, kapitull që titullohet "Zonjat e vogla të letërsisë shqiptare". Pa aluduar aspak për kontekstin e këtij titulli, mendoja se jashtë Tirane është dhe një zonjë e madhe e letërsisë shqiptare e cila është Vilhelme Vranari Haxhiraj.



Pa folur për krijimtarinë e kësaj gruaje shkrimtare, mjafton të përmend se krijimtarisë së saj i takojnë të paktën njëzet romane dhe dhjetra libra të tjerë me zhanre nga më të ndryshmit. Romani i fundit i botuar është ai i titulluar lakonisht " Unikale", roman që prek problemet më themelore të jetës së shqiptarëve, jo vetëm në të kaluarën por edhe për ditët e sotme.

Drama e romanit bazohet në jetën e një gruaje shqiptare jo nga kryeqyteti, një gruaje me botë të madhe që krahas burrit, dy vajzave dhe të afërmit, dashuron dhe artin e të shkruarit. Në faqet e kësaj drame, ajo është duke shkruar romanin e tretë.

Subjekti i librit të Vilhelme Vranari Haxhiraj, është i thjeshtë por plot komplikime psikologjike dhe jetësore ku protagonisten e vendos në epiqendër duke shpalosur shpirtin e dlirë të një femre dinjitoze.
Duhet theksuar se Vilhelme Vranari Haxhiraj është larg subjekteve me shumë dashurira e me shumë tradhëtira bashkëshortore, siç ndodh në shumë romane të kohëve të sotme, madje shkruar edhe nga shkrimtare femra. Në romanin “Unikale” njihesh me familjen e ndershme shqiptare, familje që trashëgon virtutet më të mira të shqiptarëve të sjella nga shekujt e largët.

Romani hapet me një monolog ekzistencialist të autores, një monlog meditues me bazament filozofik, një kombinim perfekt i ideve që ajo do të shpalosë gjatë gjithë romanit duke kërkuar t’i japë përgjigje pyetjes që ajo bën: “…se cila është dashuria më e madhe në univers”.

Duke ndjekur narracionin e rrjedhshëm të këtij romani mësojmë se protagonistja ka probleme shëndetësore të cilat me kalimin e kohës përkeqësohen deri sa në fund të romanit ajo nuk jeton më. Eshtë një rast i dhimbshëm për lexuesin i cili ndjen një simpati të natyrshme për këtë grua e cila qëndron si një gur shkëlqyes në faqet e romanit dhe që emeton dashurinë universale të femrës.

Vilhelme Vranari Haxhiraj në këtë roman përcjell mesazhe të rëndësishme për popullin shqiptar, pra del jashtë kornizave të një romani të zakonshëm. Narracioni i saj i ndërtuar me dialogjet psiko-analitike jo vetëm me redaktoren e shtëpisë botuese, Valbonën, njëkohësisht shoqe e saj, por dhe me të shoqin Edionin, e me nënën e saj, nuk përbëjnë vetëm rrjedhën e jetës por tek- tuk duket shqetësimi për të të ardhme të pakuptueshme. E sotmja duket e sigurtë, po e nesërmja…?

Kjo shoqërohet me kapërcimin në kohë të ngjarjeve, çka i jep romanit vlerat e një narracioni modern në ndërtimin e subjektit, ku autorja ruan një ekuilibër të madh në raportet e meditimeve filozofike dhe ngjarjeve konkrete. Ajo konkludon me shumë mprehtësi konkluzione të tilla si.

“ Duke u nisur nga të gjitha kundërshtitë mes njeriut dhe fasadës së tij, ku, mes formimit të tij intelektual dhe dukurisë së jashtme, që nuk puqen me njera tjetrën, mendoj se ana sipërfaqësore pa asnjë lloj personaliteti, vjen si rezultat i nivelit të ulët kulturor që trashëgon nga familja apo mosevluimi individual.”

Më bukur s’ka se si thuhet për sa shohim e dëgjojmë nëpër Shqipëri. Por kur protagonistja bën këto konstatime asaj i dhemb shpirti dhe mua më kujtohen fjalët e Niçes “Më pëlqen njeriu që ka shpirtin më të thellë se plagën e tij”.

Romani brenda monologjeve dhe meditimeve, brenda dialogjeve, na jep të kuptojmë se në thellësi ndjehet një lloj autobiografi e vetë autore Vilhelme Vranari Haxhiraj. Eshtë vendi këtu të them se te trupi i saj jetojnë dy gra, gruaja e vërtetë shqiptare plot shpirt dhe dashuri njerëzore dhe gruaja shkrimtare.

Mesazhet e shkrimtares Vilhelme janë të shumta. Një nga këto mesazhe është patjetër ai me rëndësi sociale, shumë delikat, mesazhi që flet për humbjet e vazhdueshme të trashëgiminisë të familjes së fisme shqiptare. Autorja pasi e bën skanerin e të dy kohëve që kaluam, atë të monizmit dhe këtë të demokracisë së sotme, me shumë të drejtë shkruan:” Sepse humbën si sëpata pa bisht pikërisht të gjithë ata shqiptarë të mirë që ishin të padëshirueshëm për sistemin komunist.”

Dhe komentet në roman nuk mungojnë për të shprehur në gojën e personazheve shprehje të tilla që pasqyrojnë ato që ndodhin sot e kësaj dite:

“ Duhet ta pranojmë me dhëmbje se lëvizja demografike e pakontrolluar nga fshati drejt qytetit, ka sjellë regres në kulturë dhe në qytetari e shoqëruar me vrazhdësi në të folurën e përditshme si dhe në mënyrën e të jetuarit, e të menduarit dhe perceptimit të jetës.”

Ndonëse janë të shprehur në një roman, artistikisht, ato në të vërtetë qëndrojnë dhe autorja ngulmon me shpirt të lënduar për të bërë diçka, për të dhënë një piskamë për çfarë po ndodh.

Ky mesazh reflektohet në disa pjesë të romanit, me shëtitjet që Ardita, protagonistja e romanit, bën me Edionin në Voskopojë duke evokuar historitë e lavdishme të saj, në malin e Dajtit duke paralelizuar pastërtinë e ajrit me dashurinë e tyre dhe me dëlirësinë e shpirtit. Ky mesazh jepet bukur edhe në tregimet që i shoqi bën për të kaluarën intelektuale të prindërve të tij, për një fis dinjitoz shqiptar të qytetit të Elbasanit, e kështu me radhë jepen pasazhe nga liqeni I Ohrit etj.

Por vizita në Egjipt, në piramidet e saj, kulmon haptazi për një rate të trashëguar nga shumë popuj e që për fat të keq, në Shqipëri as që ndihen fare këto regëtime të së kaluarës njerëzore. Këto pasazhe përbëjnë parabola të fuqishme dhe therëse për gjë!ndjen e tanishme të rate s sonë, një moskulturë e përhapur si amebë e pakufishme.

Mesazhi tjetër që ka të bëjë me shpirtin e gruas është patjetër dhe sëmundja e Arditës. Kjo sëmundje është një paralele me jetën sociale të shqiptarëve, është një iktus letrar që autorja e përdor me shumë art, duke e vendosur sëmundjen te gruaja dhe rate burri sepse gruaja është vazhdueshmëria e jetës. Ajo, autorja di të manovrojë dhe të ndërtojë ekuilibra të narracionit duke I dhënë ngjyra optimiste edhe rastit të Arditës. Ajo humbi jetën rate jetë doli romani I saj I tretë dhe ajo që trondit lexuesin është porosia për Valbonën që të martohet me Edionin, një veprim që ndodh vetëm te rate me shpirt të madh.

Ja porosia e gruas së madhe që ajo jep në fund të romanit:

“E di që ato( vajzat e saj ) janë të bindura se si nëna nuk ka. E ndiejnë se nëna qëndron mbi të gjithë, sepse është unikale. Vetëm nga një nënë lind jeta e çdo fëmije. Sa shumë kam dashur që t’ua provoja këtë gjë me dashurinë, përkëdhelitë dhe me vetëmohimin tim, por fati im tashmë është vendosur…”
Duhet të theksoj se shkrimtarja Vilhelme Vranari Haxhiraj përdor një stil të veçantë në romanin e saj. Të kujton Robert Musilin përsa i përket perceptimeve psikologjike, në rastin e saj në mardhëniet e gruas me gjithçka që e rethon, nëpërmjet kthimeve në kohë, ajo ndërton një roman me narracion të veçantë, ku çdo kthim mbrapa në kohë është në unison me të tanishmen.

Pjesmarrja e pak personazheve në romanin “Unikale” është veti e romaneve të mëdhenj.

Me këtë roman, Vilhelme Vranari Haxhiraj zë një vend të posaçëm në letërsinë shqiptare, aq më tepër që është shkruar nga shpirti i një gruaje të fuqishme e të papërkulur nga dallgët e jetës. Eshtë një roman që jep portretin e gruas së vërtetë, etalonin që duhet ta shohin e ta imitojnë shumë gra…
Eshtë romani që i thur himne gruas dhe shpirtit të saj dhe për këtë jehona e tij do të jetë shumë e gjatë dhe do të mbesë e pashlyeshme në mendjet e shqiptarëve. Letërsia shqipe e kishte të nevojshme një temë të tillë të shprehur kaq artistikisht në”Unikalen” shqiptare.

Durrës 3 mars 2018


*****


Vilhelmja lindi në Kaninë më 08.12.1944. U arsimua me shumë vështirësi. Në vitin 1966 i ndalohet diplomimi vetëm për tri (3) lëndë. Internohet përsëri me familjen Vrana dhe i mohojnë ushtrimin e profesionit.Rifitoi të drejtën e studimeve, në degën Hisori-Gjeografi, ku u diplomua me rezultate maksimale më 1975, por pa të drejtën e ushtrimit të mësuesisë . Punoi 25 vjet punëtore e vetëm më 1990-të rifilloi punë në arsim dhe u muarr me publicistikë. Më 1997, e rinxjerrin jashtë radhëve të arsimit dhe vazhdon pa punë si demokrate Pas viteve 1990 ka punuar për emancipimin e gruas dhe demokratizimin e shoqërisë shqiptare. Vlen të përmëndet si një veprimtare e shquar. Është formuluese e të drejtave dhe lirive të gruas në demokraci me peticion drejtuar Parlamentit (22/4/1992)

Është një nga 4-5 femrat e para që u ngritën kundër diktaturës. Ka qenë themeluese dheKryetare e L. D. të Gruas -dega Vlorë, 1991-98, si dhe Anëtare e K.K. të L.D.G. Sh.dhe të P.D.Sh.Kjo i dha mundësinë të gjejë vetveten.

Në moshën 52 vjeçe u realizua ëndrra e saj. U botua vëllimi i parë poetik. Më pas provoi prozën e shkurtër (skicë, tregim, novelë), fabulën, përrallën, romanin. Kujtojmë se merret me studime historike.

Në 17 vite karealizuar 35 vepër letrare, si dhe 3 ribotime. Ka gati për botim 2 romane, një poezi, ese publicistikë, një me prozë të zgjedhur, vëll.” Letra nga burgu”, një studim filozofik etje. Gjinia letrare, ku autorja gjen veten të plotësuar, është romani. Deri tani ka botuar 18 romane, ku spikat personazhi femër dhe problemet sociale që tjetërsuan njerinë si rezultat i varfërisë ekonomike, shpirtërore dhe mendore, që shqetësojnë shoqërinë shqiptare dje dhe sot. Tejet e suksesshme është: Trilogjia“Vështroni Meduzën”( 3 vol), ku në mbi 1100 fq. përshkruhet realiteti shqiptar, që nis nga shek. i XV-të dhe deri në rënien e diktaturës. Në romanin“Rrëfim në të perënduar”, ngrihet me forcë kundër dhunës ndaj femrës. Te romani “Unaza e Prangosur”e njeh lexuesin me dashurinë e dy të rinjëve, që sfidon diktaturën, e cila ngrihet mbi ndarjet e shtresave shoqërore. Është e para dhe e vetmja autore që solli Babanë e Kombit, Ismail Bej Vlorën të gjallë pas 100 vitesh, si personazh. Ndaj edhe Dr. Fatmir Terziu -Londër dhe Prof.Dr.Eshref Ymeri në ShBA, e kanë quajtur romanin e saj"Rikthim i Ismail Qemalit" "E Munguara në Letërisnë Shqipe". Ose shkrimtari Bedri Çoku kur flet për vlerën e këtij romani bashkëkohor, thekson:" Shkrimtarja e kombit ngriti Babanë e Kombit nga varri shekullor që t'i rrëfehej, se s'kishte tjetër se kujt t'i qahej..." Aktualisht krahas letërsisë artistike dhe punës studimore, vazhdon publicistikën në disa gazeta me rëndësi në Tiranë, Kosovë, SHBA, Londër,Kanada, Bukuresht, Itali, Zvicër ,Austri, Gjermani, Suedi etje…dhe për disa vite ka qenë Kr/redaktore e Gazetës “Kanina”.

Puna e saj është vlerësuar nga kritika profesionale, si:Kallulli, Grillo, Laço, Spahiu, F.Sina, Bubani,Terziu, Prençi, C.I.Fortino, M.Antonesku, Qelaru, V. Muça, O.Gargano,F. Minguli, si dhe shumë analistë, shkrimtarë dhe lexues. E vlerësuar me mbi 20 çmime prestigjioze kombëtare dhe ndërkombëtare, krijimtaria e saj është përfshirë në 18 antologji në disa shtete. Edhe pse është në moshën 70 vjeç, e pranon sfidën me krijimtarinë e saj autentike, filozofike, psiko-sociale dhe shpresëdhënëse, duke u ballafaquar me krijimet e letërsisë shqipe. Ka botuar tek ShB "Toena" dhe tani boton te ShB"Nacional"

Shkrimtarja Vilheleme Vranari Haxhiraj, pasardhëse e familjes më të lashtë të Kaninës,të Princit Gjergj Arianiti, të cilën sot pa frikë e quajnë “ Herta Muleri Shqiptare”.

Shkrimtarja Vilhelme Vranari (Haxhiraj) ka lëvruar disa gjini letrare : poezi, skicë, novelë, tregim, roman dhe pjesë teatrale(skenarë) për fëmijë.

Si publiciste në mediat brenda dhe jashtë vendit, është paraqitur me analiza, opinione, histori, politikë, kulturë, përshkrime dhe intervista. Publicistika e saj botohet në Shqipëri, Kosovë, Angli, Itali, Arbreshët e Italisë, Bukuresht, Francë, Suedi, Gjermani, Austri, Zvicër, ShBA, Kanada etje…

Ka përkthyer 3 libra nga gjuha italiane.

E vetmja ai utore shqiptare që futet në Antologjinë italiane(2010-2012) mes 100 autorëve fitues nga e gjithë bota.

Është e para autore femër, brenda trojeve shqiptare, që u përkthye në gjuhën rumune.

Duke i dhuruar lexuesit 36 vepra brenda 17 viteve, mjaft publicistikë në mediat e vendit dhe të huaja, bija e Kaninës së lashtë nga kritika profesionale dhe nga lexuesi, renditet mes emrave më të shquar të letërsisë shqipe.

Asnjë shkrimtar tjetër i ndaluar nga regjimi komunist, nuk ka mundur të imponohet me kaq dinjitet njerëzor dhe letrar sa Vilhelme Haxhiraj.

Ajo i bëri disa shërbime të rëndësishme letërsisë shqipe.

Së pari prishi hierarkinë e emrave letrarë të vendosur në mënyrë të pandershme dhe shpesh mediokre nga kritika e oientuar politikisht.

Së dyti solli një një pasuri të pafundme origjinale të stilit , frazës, gjuhës, duke prishur uniformitetin e një letërsie standarte gati 50 vjeçare.

Së treti ajo shndërroi në letërsi vuajtjen e një kombi nën regjimin komunist, duke tronditur nga themelet piramidën letrare dhe psikologjinë që e prodhoi dhe e mbrojti atë

Proza e saj ka përmasat e një drame globale. Përmes saj ajo ka ribërë shpirtin e humbur të njeriut dhe të kombit.
Image result for vilheme vranari unikale
“Nëse vepra e Vilhelme Vranari (Haxhiraj) do të ishte përkthyer në gjuhët kryesore ndërkombëtare, atëherë bota do të njihte letërsinë dhe artin e saj tronditës. Veç pa frikë mund të them se proza e saj është e një niveli europian dhe botëror.

Image result for vilheme vranari unikale

Unë mund ta vlerësoj shkrimtaren shqiptare V. Vranari si Herta Mulerin, e cila fitoi çmimin Nobël për letërsinë 2009. Të dyja këto shkrimtare që e kaluan jetën në “Perandorinë e së Keqes”, siç ka deklaruar Presidenti Regan, kanë të përbashkët jo vetëm persekutimin e gjatë komunist, përndjekjet, burgosjet dhe internimet, por edhe artin e të shkruarit, tematikat dhe personazhet.

Image result for vilheme vranari unikale

Dallimi ekziston vetëm në faktin se Herta shkruan në një gjuhë të madhe si gjermanishtja dhe ka pas vetes një shtet si Gjermania. Ndërsa Vranari dallon se vuajtjet e saj janë të tmerrshme, të vazhdueshme dhe rrënuese. Vranarit nuk iu lejua nga regjimi komunist të ushtronte profesionin dhe as të botonte asgjë deri në rënien e tij në dhjetor 1990.

Mujo Buçpapa

Botime të autores:


1 Poezi
2 Prozë e shkurtër
3 Romane
4 Trilogji
5 Ese-publicistikë
6 Letërsi për fëmijë

Poezi

Loti nuk ka faj, 1996
Të pres, 2000
Rãdãcinile-Rrënjët, shqip/rumanisht, 2009.
Prozë e shkurtër
Mamaja, novelë 2000
Kush e vrau Kaftanazin (skica, tregime, novela, (2001)
Rrugë pa kthim (skica, tregime, novela, 2009.
Mamaja, novelë Rumanisht, 2011
Çmimi i Dualizmit, novelë, 2012 ShB Nacional
Një mall i pashuar, novelë, 2014, ShB Nacional
Romane
Dhembje nëne, 1998
Jetë në udhëkryq, 2001
Ringjallur si Krishti, 2002
Amanti i Arbërisë, 2003
Rrëfim në të perënduar, 2007
Unaza e Prangosur, 2008
Zonja me karafila të bardhë, 2009
Dritëhijet e medaljes… enigmë, 2010- ShB Nacional
Vonë tejet vonë, 2011- ShB Nacional -
Ankthi i së Vërtetës, botoi -2011- botoi LULU-USA-2011
"Pa Titull" Ese-publicistikë9 ShB Nacional-2011—Rikthim i Ismail Qemalit, botoi Lulu-USA-2012
Bashkë në dashuri dhe atdhetari-studim-Bukuresht 2012
Rikthim i Ismail Qemalit-botimi i II- Sh.B.Nacional-2012
Ankthi i së Vërtetës, botoi - botimi i dytë, ShBNacional-2013
Bashkë në dashuri dhe atdhetari –botim i dytë- Bukuresht 2014
Loja e Mëkatit- Sh.B.Nacinal- 2015
Unikale - Sh.B.Nacinal- 2015
Trilogji
Prolog Jete, roman I, 2007
Vështroni Meduzën, roman II, 2005
Dilema e së Nesërmes, roman III, 2006.
Ese-publicistikë
"Pa Titull", 2011
Letërsi për fëmijë
10 Fabula, 2000
Bëmat e Dhelprës fabula, 2002
Ne jemi lulet e jetës fabula, 2003
Vogëlushja Bianka dhe kafshët e saj, përralla, 2008
E dini se ç’emër kam?! fabula e gjëegjëza , 2009
Përrallat e vendit Blu/cikël me përralla:
Kuçedra dhe Dragoi -libri i I- përralla, ShB Nacional-2010
Xhuxhi dhe Gjiganti -libri i II-përralla, ShB Nacional 2011
Shoku im arushi-përralla - ShB Nacional -2013
Krijimtaria e Vranarit përfshirë në 22 antologji. Veç atyre me autorë shqiptarë, është përfshirë në antologji italiane, arbëreshe, Mal i Zi, Kosovë, Vushtrri, Rumune e shqiptaro-rumune, Angli, Suedi, Greqi, etje, që janë në shqip apo gjuhët e vendeve përkatëse

Vlerësime Letrare dhe Mirënjohje:

Shkrimtarja Vilhelme Vranari Haxhiraj është vlerësuar me mbi 20 çmime letrare kombëtare dhe ndërkombëtare,si:

Çmimi “Petro Marko” për romanin “Dilema e së nesërmes”, nga Bashkia Vlorë dhe Lidhja e Shkrimtarëve Vlorë (2006).
Çmimi për “Poezinë e mirëinterpretuar”, Lidhja e Shkrimtarëve (2007).
Çmimi “Protagonist i vitit 2008” për romanin “Unaza e Prangosur”
Çmimi internacional Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, Torino (Itali), çmim që vjen për herë të parë në Shqipëri (2009).
Çmimi “Mirënjohje e Lidhjes së Prizrenit” (Kosovë, 2009).
Çmimi “Personazh i Vitit 2009” Sondazh i mediave-2009
Çmimi “Mirënjohje e Kaninës” (Kaninë, 2010).
Çmimi “Mirënjohje e Klubit Drita” (Athinë, 2010)
Çmimi “Mirënjohje e Vlorës” me Medalie Argjendi (2010)
Çmimi i “Karrierës” konkursi letrar në Prozë (2010)
“Çmimi i parë” Mal i Zi” -2011
Çmimi i tretë në prozë -2011
Çmimi "Mirënjohje e Arsimit Shqiptar" -7 mars 2012 (për 100 vjet Pavarësi)
Vlerësohet me Urdhrin "Mjeshtre e Madhe e Penës" dhe Medalje Ari nga Presidenti i Republikës Prof.Dr. Bamir Topi ,më 27-6-2012 (në 100 vjetorin e Pavarësisë kombëtare)
Çmimi "Mirënjohje e Bukureshtit” për 100 vjetorin e Pavarësisë (28 nëntor 2012)
Shpallet "Personalitet i Shquar i Qarkut Vlorë" në 100 vjetorin e Pavarësisë.
Fituese e çmimit “Premio internazionale di Poezia “Firence- Italia -2013. E vetmja autore shqiptare mes 100 autorëve nga e gjithë bota që përfshihet në antologjinë Italiane të 3 viteve (2010-2012)
Çmimi “Pena e Kristaltë”dhe “Çmimin e Dytë” në Suedi-14 Mars 2014
Merr titullin “Personalitet i Shquar i Labërisë”nga Shoqata Atdhetare kulturore Mbarëkombëtare Labëria.
“Çmimin e Parë Internacional”-Suedi-28 mars 2015
Dy fragmente nga analizat e romanint “Loja e mëkatit “ të shkrimtares shumëdimensionale, tashmë e mirënjohur dhe e vlerësuar si brenda dhe jashtë vendit, Vilhelme Vrana Haxhiraj:

“ ...“Loja e Mëkatit” i Mjeshtres së Madhe Vranari, një roman modern me stilin e Xhejms Xhois, nis me një narrativ linear, të tendosur, me një stigmë që kapërcen det, tokë, dritë, ajër, bunker dhe izolim, madje shterpëzon konceptin njeri në itinerarin jetë-vdekje, liri-bunkerizim…, duke sfumuar në këtë gjysëmterr fate njerëzish, madje edhe të një foshnjeje të braktisur që bëhet më pas ulërimë e kontekstit. Narrativi i strukturuar bukur e thjesht, në një formë sa të kapshme e po aq të pastër dhe të pasur në gjuhë e lexim..., pasi plagët që shëron Vranari, kanë qenë, janë dhe do të mbeten debat i kudogjendshëm. Vranari, vazhdon të provojë me punë dhe me talent se është femra shkrimtare më prodhimtare, cilësore dhe më e ndjeshme e problematikave shqiptare në dekadat e fundit...”

Dr.FatmirTerziu- Londër kritik, studiues, poet,shkrimtar, kineast, botues dhe publicist i shquar.



Me romanin” Loja e mëkatit” e Vilhelme Haxhiraj, jam“ngopur”me një sëri refleksionesh të cilat më trazojnë shijet estetike, si në një bahçe ku kultivohet me nikoqirllëk një prozë e vërtetë moderne... Gjatë leximit, burgo-vilat marrin përmasat e“Kështjellës” Kafkiane, por me një ndryshim esencial, se aty gjallon një jetë me lakuriqsinë e saj të pështirë, e cila mbytet në një apokalips shoqëror. Kjo përngjan me atë shkallën e fundit të Ferrit Dantesk, ku Ugolinë surealë shqyejnë mëndjet dhe shpirtërat njerëzor. Autorja me mjeshtërinë e penës i kapërcen kufijët e sureales, duke milituar në një kohë substanciale të re, në gjurmët e lëna nga mjeshtërit e mëdhenj Aragon, Brekart, Borges, Eko, duke stiluar me një koncept të ri në natyralitetin bio-shqiptar një dramacitet linear. Gjithçka zhvillohet si në një teatër të stilit tragjik Shekspirian, me çështjet e diskutueshme që mbartin e mbarështrojnë një produkt letrar sa moderrn aq dhe autokton. Nga një ngarkesë e tillë estetike, mëkati në romanin “Loja Mëkatit” ka marrë përmasat e universialitetit nga pena mjeshtërore e Vilhelmes si: mëkat moral, shoqëror, ekonomik, ndërshtetëror e institutcional.

Vladimir Muça- shkrimtar-studiues-kritik


******

Image result for fatmir minguli

Fatmir Minguli ka lindur më 27 shkurt 1946 në Tiranë. Ka përfunduar studimet për inxhinieri elektrike, ka qenë kryeinxhinier në ish-uzinën mekanike bujqësore në Shkozet, kryetar i ish-komitetit ekzekutiv të këshillit popullor të rrethit Durrësit (ku përfshihej dhe Kavaja deri në Rrogozhinë), deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Ka bërë punë të rëndomta për sigurimin e jetesës, por njëkohësisht ka drejtuar dhe kurse dhe projekte formimi profesional. Ka botuar libra teknikë-profesionalë (“Boshtet kardanike në makinat bujqësore”, “Makinat me zgarë aktive në përpunimin e tokës”, “Panelet diellore për ngrohjen e ujit”) deri dhe gastronomik (“Erëza, pikante dhe salca”). Është pedagog në UAMD, Fakulteti i Studimeve të Integruara me Praktikën. Fatmiri ka një pasion të jashtëzakonshëm për letërsinë dhe historinë, duke shkruar me dhjetëra studime të botuar në të përditshmet kombëtare shqiptare dhe që kanë ngjallur interes për origjinalitetin, si dhe tregime. Gjithçka i ka përmbledhur në librat “Tjetërlloj – Ese dhe kritika letrare”, “Poezia moderne dhe Moikom Zeqo”, “Kanuni i përkitur”. Si edhe librin i tij me bashkautor studiuesin e njohur shijakas Halim Maloku “Lexikon: krijues të Durrësit: histori, arkeologji, letërsi”.


****

Loja e mëkatit

Vilhelme Vrana Haxhiraj

fragment nga romani


Mikpritja dhe bujaria e Enkelit me Vjollcën, si dhe takimi me të birin, e kishin bërë me krahë atë femër të harruar nga njerëzit e një mishi, e një gjaku e një geni me të. Ishte e drejta e saj që të vetëquhej si njeri pa njeri, pasi asnjë nuk e kishte vënë ujin në zjarrë për të, askush nuk e kishte kërkuar në gjithë kto vite mungese. Ishte kohë e shkurtër, vetëm dy ditë që Kaltra kishte dalë nga llomia ku ishte zhytur dhe i dukej se në horizont shihte një dritë jeshile. “Shpresa për të nesërmen, të cilën deri dje nuk e përfytyroja dot, tani nuk më duket ende dilemë. Një dorë e ngrohtë, një fjalë e sinqertë, njerëz të thjeshtë , por bujarë, pa elozhe, pa petkun e një shkëlqimi të rremë, por të drejtëpërdrejtë dhe të vërtetë si drita e diellit, po më kthejnë në realitet. Çudi tani nuk kam më frikë ta shoh të vërtetën e hidhur në sy. Nuk e kisha vënë re se botës së pëgërë nuk i mungokan edhe njerëzit e mirë. Fal tyre sot kam rilindur, jam ngritur nga varri ku më kishin kallur për së gjalli dhe ndiej jetën të më lëvrijë në gjithë qenien time...Faleminderit, Zot!”- mendonte Kaltra duke shijuar si kurrë ndonjë herë atë pragdite të re që asaj i dukej si një gonxhe luleje në shpërthim të petaleve. E si padashur ndjeu e nuhati aromën e lules në imagjinatë, që s’ishte gjë tjetër veçse aromë jete në liri. “Po, po sot jam e lirë. Por nuk duhet harruar se edhe mendimi për konceptin “Liri”e jo më ta fitosh atë, kushtuaka shumë shtrenjtë. Kjo natë e pagjumtë që dikur do të më dukej shekull, sonte m’u duk si një ëndërr e bukur nga e cila kam frikë të zgjohem. Ende nuk jam çmallur me atë që dua më shumë se jetën. Më fal Zot, se kurrë nuke kam ditur që e doja kaq shumë tim bir. Përse ia bëra këtë padrejtësi, këtë krim,përse vallë?!”-ndërmendi ajo me shikim të vagëlluar. “Mos qaj! Është mëkat të qash mbi kokën fëmijës, se ai është engjëll i pafajshëm!”- dëgjoi një pëshpërimë. Vështroi rretherrotull, por asgjë s’pipëtinte veç frymëmarrjes së Jonidit. Me siguri ishte zëri i ndërgjegjes që e kujtonte se, “çfarë të mbjellë atë do të korrë”. Fshiu lotët e një buzëqeshje, edhe pse disi e stepur, ia ndriçoi fytyrën. Me shikime të ëmbla nisi ta ledhatonte të birin që flinte i qetë në gjirin e nënës.
Për të gjithë anëtarët e asaj familje mikpritëse, dukej sikur kishte rilindur një jetë. Bashkimin e të birit me nënën e shikonin si një mrekulli.
Mbasdite pasi u kthyen nga puna Enkeli dhe Vjollca, bashkë me Jonidin, shkuan në spital që të vizitonin Arlindin. Pas tri ditësh ai doli nga spitali. Mjekimet i vazhdoi edhe në ditët që pasuan. Tani ndihej më mirë. Kishte kohë që jetonte në një apartament me një shok, me të cilin ndanin hapësirën dhe shpenzimet. Pasi bisedoi me të, mendoi që Kaltrën me djalin të mos ua linte barrë Enkelit dhe Vjollcës. Me mirëkuptimin e tyre, i mori të jetonin aty me që kishin më shumë hapësirë. Ata ishin vetëm dy persona, kurse familja e Enkelit përbëhej nga katër vetë. Edhe pse qëndrimi i tyre ishte i përkohshëm, atij dhe kujtdo i dukej një barrë e rëndë për ta, pasi ishin në punë dhe kishin dy fëmijë që kërkonin shumë kujdes.
Të dielën e dytë të lirisë së Kaltrës, Arlindi organizoi një piknik në pyll bashkë me familjen e Enkelit. Ishte një ditë e qetë. Qielli i kaltër pa asnjë hije trishtimi. Askund nuk dukej qoftë edhe një re e vetme. Dielli, sado që dukej si i trembur, gjithsesi i jepte një shkëlqim brilant dëborës në pyll. Kurse një tufë zogjsh bore doli në fluturim nga pylli. Arratisja e tyre ngjasonte me një skuadrilje avionësh që niset në fushëbetejën ajrore.
Ata zbritën nga makinat dhe i parkuan në të hyrë të pyllit. Të tre fëmijët vrapuan drejt brendësisë së drurëve të stolisur me shtëllunga të bardha bore. Ndërsa të rriturit kishin ngelur pa gojë para mrekullisë që u doli parasysh. Në mendjet e secilit gëlonin mendime që në heshtje plotësonin njëri-tjetrin...
“Qetësi... qetësi e brishtë si vetë bora,”- mendonte njëri.
“Qetësi parajse, e hajthme si pafajësia e dëborës së pashkelur,- pasoi tjetri...
“Një qetësi, që të josh, e cila të jep një lloj kënaqësie të paprovuar më parë.
Ndaj veshit s’i pëlqen të dëgjojë as tingull, as frymëmarrje, as melodi... Mendimi dhe qenia njerëzore, dy shokë përjetësisht të pandarë, të ngërthyer së toku në një qetësi të paparë...- nëpërmendi Kaltra.
-Nëse dikush e prish këtë harmoni, e magjishmja s’ekziston më, u duk sikur Enkeli plotësoi mendimet e tyre.
- Ej ..., - thirri Vjollca e ngazëllyer. -E dini se kur magjia prishet, humb kureshtja për të zbuluar apo për të parë misterin. Në këtë çast të pakrahasueshëm, e mistershmja s’ngelet më e tillë.
-Edhe nëse fillon lëvizja e ajrit pak me më shumë shpejtësi, magjia përsëri prishet.
-Çudi! Asgjë s’pipëtinë....
- Duket se gjithçka ka ngrirë, ka ngelur në vend... Ndoshta edhe Universi e ka ndalur lëvizjen e tij të përjetshme. Kështu më duket mua apo ndoshta kjo ndjesi i ndodh kujtdo që gjendet mes kësaj bardhësie,- mendonin të dyja gratë, secila më vete.
Me të vërtetë natyra dukej sikur të hipnotizonte dhe kësisoj të impononte për të gjetur përgjigjen se nga buronte gjithë ajo mrekulli. Atmosfera e përhimtë, mes mugëtirës dhe mjegullës së pyllit në ngjyrë gri, duket si e shndërruar në një masë inerte. Në mendje të gëlon një pyetje gjithë ankth:
“A ka jetë këtu?” Mendoj se s’ka, se duke dalë nga pylli, syri të kap hapësirë të bardhë... pa fund... Tek-tuk ndonjë dru i përgjumur ia ka frikën lëvizjes së ajrit për të mos ia prishur bukurinë heshtjes magjike. Edhe zërat janë të panevojshëm, të tepërt. Është vetmia me hijeshinë e saj që flet e flet pa pushim. Edhe pse e ngrirë dhe memece, ajo prapë e prapë… pa u lodhur, të fton të zbulosh misterin që ajo ruan në vetvete.
- Shikoni, shikoni atje tej...Një mur gjysmë i rrënuar...Një kamare, ku një kandil vaji rri ndezur, ndoshta ditë e natë... Kjo dritë e mekët, i vetmi ndriçim që të jep shpresë... E vetmja dëshmi e jetës, i asaj jete që nuk jeton më,- thirrii njëri prej tyre.
Pak më larg ata vunë re një pirg dheu, mbuluar nga dëbora...Prej motit të acart ka humbur formën, trajtën dhe emërtimin.
Papritur një erë e stuhishme rrëmbeu dëborën, që kishte zënë shtrat mbi degët e pemëve dhe zbuloi ngjyrën e gjelbër në të errët të të dy qiparisave hijerëndë, besnikë të përjetësisë...
Ndërsa pas pak si për çudinë tonë, një Lule Bore nxori kokën e nisi të lëkundë me përtesë petalet e saj të bardha...Midis luleborës dhe qiparisave u duk një pllakë varri...ku gjendej mbishkrimi:
“Vdiq poeti, i cili jetën përjetësoi...”
Këtu prehet një poet, i miri poet që me vargjet e tij, shpërndau errësirën dhe natës i dha dritë... njerëzimit i tregoi rrugën në të cilën duhet të ecë... kurse jetës së pajetuar, me penën e tij i ka dhënë jetë...e ka bërë të jetojë tej reales. Cilido që do të kalojë aty, do të sjellë ndërmend një përjetësi... “-...”- lexoi Kaltra e ligështuar. Pastaj belbëzoi -Jo më kot poetët, shkrimtarët, dramaturgët, piktorët dhe skulptorët quhen hyjnitë që shënjtërojnë shpirtrat njerëzorë.
-Sa bukur i përkufizove vlerat e artistëve?!
Me mendime të tilla brilante, ku flet vetëm gjuha e shpirtit, të cilat i përsos në shkallë sipërore ndërgjegjja, të gjithë kishin ndaluar në heshtje para atij varri pa emër. Kur flet Nevetja, e pandikuar nga asnjë faktorë natyror apo humane, flet vetëm e vërteta. Kurse Kaltra, u përkul në gjunjë dhe ia largoi dëborën me dorë duke e zbuluar atë pllakë të heshtur, ku heshtja fliste më shumë se mijëra ligjërata. Mes drithërimash lotët rrokulliseshin të qetë, por tejet të lodhur mbi faqet e saj të sedefta. E ledhatoi me dhembshuri atë pllakë varri, sikur të ishte njeriu i saj i afërt. Pastaj me dorën e dridhur këputi dy dega bredhi bashkë me degëzën ku hijeshonte Lulebora e çelur dhe i vendosi te epitafi i atij të panjohuri. “Kushedi si e ka pasur fatin? Mos ndoshta ka qenë një i pafat si dhe unë?! Ku i dihet?!”- belbëzoi dridhshëm e gjithë dhembje. Me mundim gërmoi tokën nën dëborë dhe e çvendosi Luleborën me gjithë rrënjë në krye të atij varri si shenjë përjetësie.
-I kujt është ai varr, mami?- pyeti Jonidi gjithë kureshtje.
-I dikujt që mami nuk e njeh, zemra ime e vogël.
-Po përse kujdesesh për të atëherë?
-Sepse aty prehet një jetë që ka punuar për njerëzimin. A nuk është bukur kur tregon pak kujdes dhe nderim për një njeri, edhe pse i panjohur, ka pasur vlera dhe ka lënë pas diçka të mirë? Duke e lënë varrin në vetminë e tij, vazhduan rrugën më tej në brendësi të pyllit.
Më pas bimët nisën të rrallohen dhe ata u gjendën në një fushë të bardhë bore që ngjasonte me një pistë skijatorësh. Jonidi dhe dy fëmijët e çiftit mikpritës nisën të luajnë me topa bore. Loja u ndez kur ata nisën të gjuajnë prindërit.Pas pak të gjithë u përfshinë në atë lojë zbavitëse.
-Sot kujtova fëmijërinë, pasi unë jam rritur me borën...,- nënzëriti Kaltra. Në fytyrë iu ravijëzua një buzëqeshje e drojtur dhe e hidhur malli.
Teksa ktheheshin për të ngrënë drekë në një Mec Donald, takuan Aldon.
-Urime zonjë! Kërkoj ndjesë që nuk kam mundur të shprehem më parë pasi isha i zënë. Me këë rast ju përgëzoj. Ju me vajzat e tjera u treguat të vendosura dhe shumë të zonjat. E keni ndihmuar shumë policinë. Për këtë gjest ju vlerësoj jo vetëm unë, por edhe opinioni. Me guximin tuaj që vutë në rrezik edhe, meritoni vëmendje dhe ...
Ndoshta ndonjë ditë dalim për një kafe apo për një drekë ...Si thoni, Arlind?
-Natyrisht. Nuk ua kam mohuar ndonjëherë, apo?
-E kisha fjalën bashkë me zonjën Kaltra dhe djalin, se ia vlen të festojmë.
-As unë nuk kam kundërshtim, por kam frikë se mos marr dokumentat dhe më duhet të largohem.
-Nga dita që do të pajisesh me lejë qarkullimi, ke të drejtë të qëndrosh tre muaj me një vizë pune që mendoj se do të ta siguroj unë.
- Zoti Aldo, ju faleminderit për ftesën, por kjo nuk varet nga unë...
-Me këtë gjë do të merrem qysh nesër Me shërbimin që i bëre shtetit tonë, kjo është më e pakta që mund të bëjnë për ty.
U ndanë si miq me njëri-tjetrin, duke marrë tre drejtime të ndryshme.

***

Mirënjohja e Kaltrës ndaj mirëbërsve të saj nuk kishte kufi. Bisedonin dhe ishin duke parë një film në ekran, ku trajtohej një temë trafikimi, e hidhur si jeta e saj. Arlindi vuri re shqetësim në qëndrimin e Kaltrës dhe ndërroi kanalin televiziv menjëherë.” E mjera grua! I duket vetja e tepërt dhe tejet borxhëlie. Kjo vihet re lehtësisht. Përherë na falenderon ne të dyve me që ajo me djalin banojnë në të njëjtën shtëpi me ne. Ose kurrë nuk harron ta përshëndesë familjen e Enkelit. Veçse rezervohet t’i ftojë ata për një kafe apo diçka më shumë, sepse thellë në ndërgjegje e vuan mendimi që e torturon, pasi e di se cila ishte dhe cili person fshihet pas emrit të saj. Kjo dukuri që reflektohet tek ajo është njëlloj inferioriteti që e torturon... Ndaj ajo duhet të shfrehet që të mos e vuaj të shkuarën e saj.”- mendoi Arlindi dhe u shpreh...www
-Mos e përsërit mirënjohjen gjithmonë, se pastaj duket sikur i bije vlera.
-Arlind, këtu në Itali kam dëgjuar të thuhet:” Kush më vjedh kuletën, më vjedh diçka pa rëndësi. Paratë që ishin të miat, u bënë të tjetrit. Jam e bindur se e kanë skllavëruar atë siç kanë skllavëruar e do të skllavërojnë shumë të tjerë. Por kush më mori nderin me mashtrim, më vodhi diçka të vyer, që atë nuk e pasuron, por mua më lë shumë të varfër.”- ndaj e vlerësoj mirësinë.www
-Ke zemër fisnike, sepse shoh që udhëhiqesh nga arsyeja. Paçka se si rrodhi jeta jote...ti duhet të hapesh me dikë. Duhet ta shprazësh helmin që të shkakton dhembje. Të lutem, nxirri nga qenia jote ato që të mundojnë. Të lutem bëje, në mos për vete, bëje për tët bir. Ndryshe do të ngelesh skllave e dhembjes. Nëse nuk arrin ta mposhtësh atë, do të jesh në ankth, gjë që do ta vuash gjithë jetën. Kurrë s’ke për të qenë e lirë, por gjithmonë do të jesh në vartësinë e dhembjes. Ti përsëri ke për të qenë skllave e qenies sate. Ç’kuptim ka që shpëtove nga... Mendoj se të është krijuar mundësia për ta arritur qëllimin e jetës.
-Shumë herë kam dashur t’ia rrëfej dikujt shkaqet që më detyruan të arrija këtu, por helmi im nuk duhet të hidhëroj shpirtëra të tjerë të pafajshëm
-Kaltra, kur ta ndjesh të arsyeshme dhe të jesh e gatshme për të hapur xhepat e shpirtit, bëje. Kërko brenda vetes, nëpër labirintet e errëta të qenies sate dhe do ta shohësh se do të zbulosh anën e padukshme tënde, e cila është më e bukur, sepse aty qëndron e vërteta.
-A do të mundem vallë, Arlind?
-Për hir të jetës së padrejtë, të asaj jete që ta mohuan barbarisht, yt bir ka nevojë të njohë nënën e tij të vërtetë, pa të fshehta, pa sekrete. Bëje, pasi të pathënat ta ndrydhin dëshirën për të jetuar e qetë, apo të jesh në paqe me vetëveten dhe me të tjerët. Jo sot, por një ditë që nuk është shumë larg ti ke nevojë për faljen e tij. Kush nuk njeh pendesën, nuk di të falë apo të kërkojë ndjesë.
-Nuk di se nga duhet t’ia nis.
-Fillo që aty..., nga çasti kur hodhe hapin e parë të gabuar.
-Jeta ime ka qenë e gjitha një gabim, që pasohej nga një gabim më i rëndë, derisa ato u shndërruan në faje.
-Kur ia njeh gabimet vetes, je në gjendje t’i riparosh. Mendoj se kjo thënia jote është një hap i rëndësishëm për ty.
- Faji u bë qyrk dhe doli në rrugë, por askush nuk e pranoi si të tijin. Ndaj shpesh herë thonë se faji ngelet jetim. Historia ka treguar se askush nuk i pranon fajet e veta. Nëse çdo individ do t’ia pohonte vetes gabimet dhe fajet, bota do të ishte ndryshe. Do të ishte më e mirë dhe më dashamirëse për njerëzit e veçanërisht për femrën që të shikonte drejt së nesërmes me më shumë besim tek vetja.
Ndërkohë ajo ishte në pritje të marrjes së dokumenteve. Por përherë vriste mendjen se ku do të shkonte me një fëmijë? Nuk kishte lidhje apo komunikim me asnjë njeri. Dukej sikur ishte njeri pa njeri, si dikush që kishte dalë nga guri. Nuk kishte shtëpi, nuk kishte punë, nuk kishte një profesion, me të cilin mund të mburrej... Duke nisur nga asgjëja, a do të mundej ta përballonte jetën?
-Kush mund të më përkrahë mua vallë? Sa herë të më shohin e veçanërisht ata që më njohin, do të ma këndojnë këngën:
“ Prostituta
Ajo…u end
dhe fjeti
në natën e pafjetur,
u dergj…
në shtratin e molepsur.
Natën
zhytur në ferr e batak,
ditën, oh ditën...
çelet si lulja në prill e maj,
veç në varr kërkon...
mëkatin të lajë!”
-Më kujtohet si tani. E si mund ta harroj? Ishte shqiptar ai... Pasi u josh teksa kërceja nudo në tub, më përzgjodhi mua. Atë kohë isha e re, paguhesha shumë dhe ai nuk u kursye, por dha edhe më shumë më tepër lireta se i kërkuan. Mënyra arrogante si këmbëngulte vetëm për mua, dukej sikur më njihte. Ndoshta ishte një lloj hakmarrjeje... Po me kë e kishte vallë? Unë nuk e njihja. E shihja për të parën herë. Pas një vrazhdësie anormale e me një sjellje prej kafshe, ai donte të tregonte se ishte burrë i fortë, i paepur. Pasi bëri seks me mua kafshërisht, madje edhe oral, qeshjet tallëse m’i përplasi në fytyrë. Dukej si shprazja e një mllefi që kërkonte të shfrynte ndaj meje. Në fund ndërsa vishej më citoi vargjet e mësipërme.
-Vëri vath në vesh dhe mbaji mend mirë këto vargje dhe...nëse një ditë do të fitosh lirinë tënde, ti përsëri nuk do të jesh asgjë tjetër, veçse një putanë. Vetëm po gjete ndonjë sylesh që t’i vësh brirë apo qylafin, edhe mundet. Ç’them edhe unë: Nuk thonë kot: “Qofsh e mirë dhe paç fatin e kurvës...”Ku i dihet ,edhe mund të ndodh. Bëj çfarë të duash ti, këtë patentë e ke të shkruar në ballë, në lëkurë dhe të ka hyrë në gjak...Por edhe ju të përdalat si kafshët jeni...”Ujku qimen ndërron, por zakonin s’e harron!” Më thuaj të drejtën, ndryshon dot ti, mund të bëhesh një grua me norma, nëse të paraqitet mundësia?
-Mbarove punë, largohu tani dhe mos më detyro të jap alarmin...
-E shikon? Ti e quajte punë këtë ndyrësi...dhe kë? Profesionin më të lashtë të njerëzimit. Ti kënaq burra të moshave, të ngjyrave, të racave dhe karaktereve të ndryshme...dhe e quan punë? Ha,ha,ha...Vetëm vdekja i lanë hesapet me ty dhe për ato që ia kanë dorëzuar shpirtin djallit!” -bëhem keq sa herë kujtoj atë skenë fyese, poshtëruese dhe lebetitëse. E qeshura e tij sarkastike, edhe pas kaq vitesh, ende më kumbon në vesh. “Mos vallë vdekja vërtet e shlyen mëkatin tim? Jo,jo. Tim bir kushedi sa herë do ta lëndojnë dhe poshtërojnë duke e quajtur” i biri i prostitutës”, apo “Kopili i putanës”. O Zot, jam nënë e keqe. Do futet djali në bela për një nënë të padenjë!- mendonte e lodhur. Ndaj ishte në gjendje të tillë apatie.
Ky mendim se e shkuara e saj do ta ndante atë përmes një humnere me jetën normale që duhej të bënte, e trondiste së tepërmi. Sa herë e mendonte një gjë të tillë trishtohej. Mendimi që e bënte të turbulltë e të paqartë të nesërmen, e cila për të ishte veçse një dilemë, e ndrydhte brenda vetes. Ai dhe ata pak njerëz që e rrethonin ia vinin re trishtimin në sy, druajtjen, mospjesmarrjen e saj në biseda.
Një ditë ata të tre, Kaltrën, Arlindin dhe djalin, i kishte ftuar Aldo për një kafe. Gjatë bisedave apo takimeve me të, Arlindi e kishte nuhatur se Aldos i pëlqente shumë Kaltra. Ai e simpatizonte jashtë mase atë dhe i kishte hyrë aq shumë në zemër, saqë nuk ishte çudi që për të mund të bënte shumë më tepër. Jo vetëm telefononte shpesh, por edhe shkonte herëpashere në shtëpi për t’i takuar e për të biseduar. Jo rrallë herë dilnin së bashku. Veçse ajo që i bënte përshtypje atij ishte se Aldo nuk kërkonte të abuzonte me të, edhe pse e njihte se nga vinte. Për këtë arsye Arlindi e vlerësonte shumë për qytetari. Duke u nisur nga pozitat e saj të deritanishme, kushdo mund ta përdorte atë, ta shfrytëzonte situatën e saj tejet delikate. Fati i Kaltrës tashmë i ngjante atij telit që përkulet lehtë dhe mund t’i jepet çfarëdo forme. Ose mund ta krahasoje me një fill të këputur, të cilin kushdo mund ta flakë tej me përçmim si të pavlerë. Kurse ai së paku me mënyrën e sjelljes ndaj saj, ishte brenda të gjitha normave. Ishte i kujdesshëm që ta respektonte atë dhe përpiqej që as pa dashje të mos e lëndonte kurrë. E trajtonte si çdo femër tjetër me dinjitet që ka nevojë për mbështetje, për përkrahje dhe për qetësi shpirtërore. Sjellja e tij dashamirëse do të ndikonte që asaj t’i rritej besimi në qenien e vet dhe tek të tjerët. Kujdesi i Aldos dhe i miqve të saj shqiptar ishte si një balsam që me kohë do të mbyllte plagët e saj. Ndryshe ai shpirt skajshmërisht i tronditur, nuk do të gjente paqe kurrë.
Një pasdite pasi telefonoi, papritur Aldo erdhi në shtëpi.
-Ç’e mirë të solli miku im?
-Mos vallë jam i padëshirueshëm, apo kam ardhur në kohë të papërshtatshme?
-Ju lutem, mos e thoni më! Në personin tuaj unë gjeta një mik. Ndaj ju tek unë jeni gjithmonë i mirëpritur.
-Problemi “Kaltra” është ai që më lidh me dy familjet shqiptare. Megjithëse me Enkelin tashmë jemi miq. Mendoj t’i jap një rrugëzgjidhje zonjës. Më lindi një ide, ndaj vrapova që ta parashtroj me ju. A do të pranojë Kaltra të fillojë një kurs estetike, në një sallon bukurie të klasit të parë? Mendoj se kështu do të jetë në gjendje të jetojë mirë. Me një diplomë në xhep mund të hapë aktivitetin e saj, këtu ose edhe atje në Shqipëri.
-Këtu?! Ju faleminderit, por është e pamundur. Do të ishte bukur, por a do të mundem vallë? A do të më lënë që të ecë përpara me këmbët e mia? Kam frikë nga ëndrrat e bukura.
-Ishin njerëz të thjeshtë ata që nisën të ndërtonin mure me baltë, kurse kështjellat i ndërtuan njerëzit e mëdhenj që zotëronin pushtet, kulturë dhe... Nuk duhet mohuar se këtë e arritën në bazë të përvojës së atyre të parëve,- ia priti Arlindi.
Ajo heshtëte, e heshtur, e mbyllur në vetminë e saj dhe të linte përshtypjen se ishte ende e pavendosur.
-A më dëgjove se ç’thashë? Për të mos krijuar një hendek ndarës mes tyre Aldo i drejtohej asaj në numrin njëjës, kurse ajo mbante distancë.
-Po. Po...ju dëgjova ...- u përmend ajo si e trembur. Në ato çaste që ndoshta e përfytyronte përballjen e jetës e vetme, i shkonin ndër mend shumë gjëra të papëlqyera. Ndaj dukej se fizikisht ishte aty, por me mendje kushedi se ku?!
-Mendoj se heshtja flet. Pra përgjigja juaj është “po”.
-Më falni pak se po pyes Arlindin. Më parë dua mendimin e tij.
-Patjetër...Arlindi për ju ka qenë dhe është si një familjar.
Atë çast ajo iu drejtua me përgjërim djaloshit që i ishte bërë mbështetje. Ai vuri re mënyrën se si e shikonte ajo Arlindin.
“Megjithëse është mirënjohëse, mua kurrë nuk më shikon në sy, kurse atij i përkushtohet me të gjitha shqisat...Sa keq më vjen!”- mendoi hidhur Aldo, por nuk hoqi dorë nga synimi i tij dhe po dëgjonte me vëmendje.
-Kam shumë besim tek fjala jote, sepse jo kushdo do ta bënte atë që bëre ti. Me shumë guxim e kurajo më nxore nga bataku ku kisha rënë dhe nga llomia ku isha zhytur, ndaj...,- iu drejtua ajo.
-Po të jepet mundësia, ndaj duhet ta shfrytëzosh, Kaltra, - iu përgjigj shkurt Arlindi.
-Atëherë këtë duhet ta festojmë. Si thoni sikur të shkojmë diku dhe më pas le të darkojmë bashkë?
-Pse nuk shkoni ju të dy, pasi unë i kam premtuar Jonidit që të vizitojmë kopshtin zoologjik. Nëse mbarojmë shpejt, ju gjejmë dhe bashkohemi me ju.
Arlindi me djalin ikën të parët. Pasi u vesh ajo, dolën edhe ata të dy. Gjatë rrugës edhe më pas në tavolinë, Kaltra vazhdonte të heshtëte.
-Kështu je vazhdimisht, kaq e heshtur?
-Sipas rastit...Për mua ka pasur një të djeshme të gënjeshtërt që më shkaktoi lëngatë shpirti dhe një të sotme të gjymtuar, së cilës i mungojnë dritat e shpresës. Kur nuk ke se ç’thua, “heshtja është mjaltë që shëron dhe ëmbëlson shpirtin”, apo e thënë ndryshe:”heshtja është flori!”.
-Askush nuk e ka të sigurt atë që jeton, zonjë. Nuk duhet ta lëmë të na iki çasti i bukur, por ta gëzojmë.
-E keni gabim. Për ju e tashmja është prezente, gjë që premton shumë për të nesërmen, kurse për mua...
-A zgjidh dot gjë heshtja? Nëse do të vazhdosh me heshtjen tënde, më mirë kthehu në shtëpi. Unë po dal me ty që ti të ambientohesh me realitetin jashtë kornizave të pakalueshme.
-Zoti Aldo, e keni parasysh një dhomë pa ajër, pa orendi, pa njerëz, pa ngjyra...? Kjo jam unë, jam si një shtëpi e zbrazët, apo si një orendi e padëshiruar nga askush.
-Përsa the, m’u rrit kureshtja që të mësoj më shumë për ty...sidomos me ngjarjet, prej të cilave rrodhi fati yt.
-E kam të qartë se doni të dini pse dhe si kam arritur deri këtu?! Është mëse e drejtë, sepse kur del me një njeri, duhet ta njohësh qysh nga rrënjët. Aq më tepër kur flitet për një femër me të cilën del mashkulli...
-Më vjen keq! Nuk e kisha aty ku mendon ti... Ti më ke krijuar përshtypje shumë të mira. Dikush, ose kushtet apo rrethanat ndoshta të ndryshuan fatin...Jam tejet i befasuar sepse tek ti shoh një njeri të mirë që meriton shumë më tepër nga jeta.
-Tani është dimër dhe mua më pëlqejnë rrugët e shkreta, pemët pa gjethe si pamja e rrugës që përshkuam kur erdhëm këtu.
-Kurse për shijet e mia janë vjeshta e ngjyrave dhe pranvera e luleve dhe e gjelbërimit.
-Fjalën e kisha gjetiu... e jo për stinën. Nuk dua të ndeshem me turma. Pasi ato më tmerrojnë.
-Ke të drejtë. Po ndoqe turmën, them se do të humbasësh rrugën. Porse unë do të këshilloja që ta harrosh të keqen që ke kaluar. Mos u lidh pas së shkuarës. Nëse do të mirën tënde dhe të djalit , shiko drejt së ardhmes.
-Kush më siguron se do ta kem një të tillë?
-Nëse ke vullnet, e ndërton jetën. Atëherë hidhërimi ngelet pas krahëve. Sa herë që do ta kthesh kokën pas, aq herë më shumë do të lëndohesh.Të provosh ta jetosh symbyllur realitetin që të kanë ofruar, kjo të bënë të vuash.
-Zoti Aldo, e njëjta gjë ndodh edhe nëse ti nuk e pranon një realitet të ri, se përsëri të bënë të vuash. Këtë e kam nga përvoja ime e hidhur.
-Ti ke shumë nevojë të kultivosh lumturi. E që ta arrish këtë duhet të ecësh me rrymën, ndryshe mbytesh, jo nga rryma, por edhe me një pikë ujë.
-Nuk di në ç’mënyrë, se?
-E mira është që ta nxjerrësh jashtë vetes atë që të mundon.
-Ju kujtoni se kjo gjë më lehtëson. Sa ditë e javë kalova, ndoshta do të kalojnë muaj dhe vite, aq më shumë më thellohen plagët e shpirtit. Më duket sikur nuk do të gjej kurrë qetësi. Kam plot shqetësime që më angështojnë trup e shpirt.
-Është më keq kur helmin e ruan, kur padrejtësinë që të kanë bërë, e ndrydh brenda vetes. Nxirre jashtë. Edhe pse me shqetësime, jeta ka çaste të bukura që të japin gëzim. Nganjëherë edhe çikërrimave, grimcave të jetuara, që na duken fare pa rëndësi, duhet t’ u gëzohemi, sepse na bëjnë të lumtur. Ndaj çdo njeri ka nevojë të harrojë se cili është e ç’hall ka.
Ajo puliti qerpikët e gjatë e të dendur dhe një hije trishtimi i ra mbi fytyrën e saj të hijshme. Kjo gjendje u pasua nga lotë kristali, të cilët rrokulliseshin të lodhur mbi mollëzat e faqeve për t’u bashkuar në gropëzën e mjekrrës. Ai e vështronte me adhurim.
“Kjo grua e bukur, e pafate, ka vite që ka joshur dhe u ka dhënë kënaqësi sa e sa burrave të tjerë, por kurrë nuk u dashurua me asnjërin prej tyre. Ndoshta rrjedha e jetës së saj do të kishte ndryshuar nëse dikush do ta donte atë me pastërtinë e shpirtit. Nëse ajo do të kërkonte brenda qenies së saj dashurinë e vërtetë duke lënë mënjanë vesin, sot të dy bashkë do të kishin një jetë ndryshe. “- mendonte ai pa ia shqitur sytë. Për herë të parë po e shihte me një sy tjetër. “Sikur fati të na bashkonte, si do të ishte jeta jonë vallë?!”- ndërsa ai pyeste veten, erdhën Arlindi dhe Jonidi, i cili u hodh në krahët e s’ ëmës..
-U kënaqe shpirt?
-Mami, kam parë kafshët e xhunglës, ato të vërtetat. Ishin nëpër kafaze të mëdha dhe rreth tyre kishte shumë fëmijë që u hidhnin ushqim. Ne do të shkojmë përsëri atje bashkë me zotin Arlind.
-Të lumtë, bir! Herën tjetër do të vij edhe mami me ju. Si thua ?
-Ne u kënaqëm, po ju si e kaluat?- Arlindi vështronte herë Aldon e herë Kaltrën. -Mos ju ndërpremë gjë?
-Jo...thjesht po bisedonim. Madje mendoj ta vazhdojmë bisedën e nisur dhe ajo nisi të flasë ngadalë.
-Nuk dua të riparoj të shkuarën se atë e mori e djeshmja me vete, por mendoj se koha kokëforte ka harruar t’i kthejë sytë apo kokën pas për... Veçse tani dëshiroj me gjithë shpirt që mjerimin e përbaltjen t’ia lë të djeshmes. Por më shumë se gjithçka dua që mbi dhembjet që më kanë shkaktuar gabimet e së shkuarës, të mundohem ta ndërtoj të nesërmen që po troket. Mjerisht më duket sikur çasti po vonon dhe si duket nuk do të vijë kurrë për mua. Ditët e mira vijnë vetëm për cilindo që e meriton.
-Më dëgjo pak, të lutem! Kishe një dëshirë të ethshme që të takoje djalin. Sot e ke në krahët e tu, ndaj mos u anko...
-Keni të drejtë. Gjithsesi e kam mëse të qartë se koha ecën për të gjithë njëlloj dhe ndryshimet nuk ndodhin sa hap e mbyll sytë. Edhe me plagët e njëjta gjë ndpdh. Nëse nuk rrjedhin edhe pikën e fundit të vrerit, jo vetëm nuk mbyllen, por rrezikojnë të shndërrohen në gangrenë. Ndaj...,për të realizuar një synim dhe për të arritur në gjithçka të mundshme, nevojitet koha e mjaftueshme. I lumtur është ai që di se si ta përdorojë apo ta shpenzojë atë, kur e di që koha ikën dhe nuk vjen më. Mjerë kush nuk e çmon vlerën e saj. Por nuk ma ka fajin as koha dhe askush. Isha unë që humba udhën e Zotit. Rruga për mua kishte vetëm një drejtim e një kufi që përfundonte në shtëpi. Por kur arsyeja humbet rrugën, logjika ndotet në dinakërinë që gjendet e zhytur në llucën e lekaneve, apo në llominë e kanaleve të pëgëra. Do të doja që në jetën time të bashkëvepronte qëllimi me mundësinë. Dikur i kisha të dyja në dorë dhe nuk dita të bëj lidhjen logjike dhe atë praktike mes tyre.
-Për qëllime të mira, kurrë nuk është vonë.
-Ka të drejtë zoti Aldo.“Më mirë vonë se sa kurrë”- thuhet, apo e kam gabim?
-Pak a shumë, edhe ne italianët e përdorim këtë shprehje.
-Kurse tani koha më ka rezervuar tjetër qëllim, por nuk ekziston më mundësia, zotërinj.
-Besoj se mundësitë t’i ofron vetë koha. Unë do të ngre një dolli për jetën...
-Zoti Aldo, për jetën?! Për ju..,për mua..., hëhëhë...!-ajo qeshi hidhur nën zë.
-Zonjushë, pse të duket çudi? Jeta është dhurata më e vyer, më e bukur që i është bërë njeriut.
-Për ju të dy do ta pi me kënaqësi, kurse për jetën time nuk ia vlen të ngrihet dolli.
- Po për Jonidin? Shikoje sa po kënaqet me lojëra elektronike.
Meqë biseda mes tyre ishte paksa delikate dhe jo për veshët e djalit, e çuan të luante në kompjuter.
-Vetëm për të durova tmerret, llahtarin e përdhunimeve çnjerëzore, përherë me shpresë se një ditë do ta rigjeja tim bir. Por që të pi dollinë e ngritur për mua, më duket ironi.
-Ashtu të duket tani, por po ta mendosh thellë...
-Zoti Aldo, i gëzohet dikush që ka pasur një jetë të qetë, pa andralla e pa shqetësime, kurse jeta ime ka qenë...
-Nuk ka jetë pa shqetësime, pa probleme, pa të përpjeta dhe të tatpjeta... As ditët nuk i ngjajnë njëra-tjetrës. Kurrë nuk rrugëtojnë të qeta si vaji. Ndodh që duken të dashura, kur janë të qeshura e plot diell. Herë kanë ngarkesë negative për shkak të të ftohtit dhe janë të mbarsura me cingërimë shpirti, sa që nuk të lenë as të ngresh kokën. Ndonjëherë ato janë të vrenjtura e të trishta, kurse herë-herë janë me shira të stuhishme që shkatërrojnë atë çka njeriu e ka ndërtuar me mund dhe me djersë. E tillë, si natyra është edhe jeta...e dashur zonjusha Kaltra. O Zot, sa emër të bukur që ke...! Çeleste, emër hyjnor. E tillë duhet të ishte jeta jote.
-E thatë shumë bukur “duhej të ishte”...,por mjerisht...
Arlindi ndiqte bisedën e tyre dhe rrallë herë ndërhynte. Kurse ajo sa herë fliste si për aprovim, i drejtohej atij me një shikim të butë e mirënjohës.
“Si e shikon Arlindin, kurrë nuk ka për të më parë mua...Gjithsesi është e drejta e saj të zgjedhë, pas gjithë atyre traumave që ka kaluar.”- hamendësonte Aldo sepse nuk e njihte me detaje marrëdhënien mes tyre.
-Mos e humb shpresën. Atëherë kur mendon se gjithçka ka marrë fund, ku i dihet se nga ç’rrugëtim i harruar kthehet fati dhe troket në portën e shpirtit tënd.
-Oh, Arlind i dashur, ajo portë është mbyllur qysh kur...Nëse ju kujtohet kam kundërshtuar të dilja me ju të dy nëpër qytet e vende publike.
-Edhe pse e kam anashkaluar kundërshtinë tënde, tani dua ta di, përse?
-Sepse kam frikë nga vetja, zoti Aldo.
-Ke frikë nga vetja? Ti nuk je e tillë, nuk je e dobët, s’je frikacake. Gabove..., por kjo nuk do të thotë se do të vazhdosh atë rrugë. Kam pak kohë që të njoh dhe kam zbuluar tek ti një person tjetër, një femër të mirë e të admirueshme.
-Këtë e thoni ju, kurse vetëm unë dhe shpirti im e di se kujt i ruhem...,-dhe papritmas asaj i mbeti fjala në fyt si një halë mbytëse që i ka ngecur kryq e nuk e lë të marrë frymë.
Ndërkohë një djalë mjekrosh iu afrua tavolinës së tyre dhe pati guximin t’i drejtohej Aldos dhe Arlindit.
-Ju, dy zotërinj të vërtetë e ulni kaq shumë veten, sa dilni publikisht me një prostitutë të Bar “Angeli-t”?
Ata të dy u ngritën në këmbë si me sustë. Aldo e ndali Arlindin se mos reflektonte ashpër dhe iu përgjigj atij njeriu të papërgjegjshëm, i cili futi hundët aty ku nuk duhej.
-Guxo ta thuash edhe njëherë...e di se ç’do të bëj? Nuk e merr dot me mend...
Në çast një nga ruajtësit e qetësisë në restaurant, sikur mbiu nga toka, i cili sa hap e mbyll sytë iu afrua tavolinës dhe i kërkoi atij të largohej. Porse ai vazhdoi pa ia vënë veshin rojes. Atëherë ai e kapi nga krahu dhe e hoqi zvarrë me forcë.
-Zotërinj çdo gjë në rregull?- pyeti pronari që përmes një buzëqeshjeje ndjese, u përkul me nderim para tyre dhe u largua.
-Në rregull, në rregull. Veçse askush nuk ka të drejtë të prekë privatësinë apo dinjitetin e tjetrit. Gjithsesi ju faleminderit, - ajo vuri re një acarim nervoz të të dy shoqëruesve të saj. I erdhi keq për ta, sepse i vetmi shkak ishte ajo.
-Diçkaje të tillë ia kisha frikën...Nuk dua që për shkakun tim të preket e përflitet dinjiteti juaj...Mos harroni se Ju jeni person publik, z. Aldo. Dhe Arlindi që ende është i ri në vendin tuaj, nuk e meriton një fyerje të tillë. Nuk duhet t’ia lejoni vetes që t’u nëpërkëmbet personaliteti, as nga unë dhe as nga dikush tjetër. Duke më shoqëruar në vende të tilla publike, veç shqetësimeve, mos prisni asgjë të mirë nga prania ime.
-Unë dëshiroj vetëm të të shoqëroj, asgjë tjetër nuk kërkoj. Nuk besoj se të kushton shumë një gjë e tillë, edhe nga Arlindi besoj, i cili është treguar shumë dashamirës.
-Ju jam mirënjohëse për gjestin tuaj bujar e gjithçka po bëni. Ju jeni njerëz të mirë, i nderuar, ndaj nuk dua ta përdhos emrin tuaj siç ndodhi sot.
-Nuk e kuptoj përse duhet t’i mbash të gjitha fajet ti? Nuk ishe ti që shkove tek ai, por ishte ai që erdhi dhe të sulmoi e të dhunoi psikologjikisht. Besomë se ai nuk të bëri asgjë. Vetëm tregoi shkallën e kulturës së tij dhe fyeu veten. Në fund të fundit atë e përzunë nga bar-restauranti me forcë. Kurse ne po vazhdojmë në qetësi.
-Sa herë do të më mbroni zotërinj?
-Sa herë të jetë nevoja, aq herë e derisa njerëzit të mësohen që duhet të shohin punët e tyre.
-Nuk mund të bëheni dot përherë peshqir për gojët e liga. Njerëzit që s’kanë punë, merren me fjalë. Hanë bukën e tyre dhe bëjnë llogarinë e botës.
-Këta njerëz janë cinik e të paskrupullt, të cilëve u mungojnë elementët e edukatës.
-Bota është e trazuar, ndaj në vendin tim thuhet se pyll pa derra nuk ka.
-Gjithsesi do të këshilloja që mikut dhe të mençurit mos nguro t’ia hapësh zemrën. Nëse më trajton sadopak mik, fol me mua…
-Natyrisht, do të jem e privilegjuar të flas veçanërisht me ju, zoti Aldo. Arlindi thirri djalin, i cili, tejet i ngazëllyer, po i fliste me këmbë e me duar.
-A nuk e mbyllim mbrëmjen? Jonidi më duket i lodhur…
Pasi i sollën faturën, Aldo futi liretat brenda një dosjeje dhe u larguan.
Tek e vështronte vjedhurazi, vuri re se ajo ndihej e qetë përkrahë tij.“Si fillim jo keq!”- mendoi ai i kënaqur, megjithëse nuk i shqitej nga sytë dhe mendja shikimi i saj drejtuar Arlindit. Fërkoi ballin me dorë, sikur donte të largonte mendimet që e shqetësonin.

*****
Loja e mëkatit

fragmenti i II-të nga romani

Arlindi dëgjonte britmat e hakërruara të trafikantëve dhe sodiste gjithë vëmendje atë perëndim magjepsës për ta ruajtur sa më gjatë në kujtesë..., pasi për çdo herë atij i ishte dukur si zbulimi i ri i një misteri. I pëlqenin perëndimet fantastike të qytetit të lindjes buzë Adriatikut të kaltër dhe Jonit shkëmbor në ngjyrë blu. Përherë i ishin dukur të jashtëzakonshme dhe përsëri i çuditur pyeste veten se, përse nuk i ngjanin njëri -tjetrit. Çdo perëndim kishte identitetin e vet. I mrekulluar nga peizazhi që dukej si një bukuri magjiplote, qëndronin dhjetëra sy të ngrirë, të menduar, në ankth e hakërrimë, të cilët, të trembur shihnin të nesërmen e pasigurtë. Duhej dora e poetit, i cili nga dritaret e shpirtit të shihte perëndimin e ndaluar nga brigjet e moshuara dhe humnerat e kohës. Vetëm një artist mund ta përshkruante e ta paraqiste origjinal aktin e dhembjes së pakrahasuar e të madhërishme të çastit të nisjes së anijeve të tejmbushura me emigrantë. Një arratisje e tillë masive do të rrëqethte edhe inkuizitorët të cilëve s’u dridhej asnjë qerpik pendimi gjatë ekzekutimit në gijotinë. Mes një psherëtime të thellë për ato që ia kishin ndaluar t’i shijonte, ai vazhdoi të vërente detin, bashkëkohësin e lundrimeve të përjetshme, që ka qenë urëlidhëse ndërkontinentale, pse jo edhe rrugëkalime emocionesh që kushedi sa zemra robërohen. Dikujt i fal shëndet dhe lumturi, kurse tjetrit i dhuron dhembje pafund.
Meqë nuk i përket si pronë një shteti të vetëm, ajo masë ujore është e paanshme. Qysh nga kohët parahistorike dimë se ai përherë ka shërbyer dhe shërben si një pikëtakimi gjuhësh, zakonesh dhe kulturash. Ndaj vijnë e ulen në sofrën e tij bujare njerëz të racave e ngjyrave të ndryshme nga të gjitha anët e botës. Tretur shikimin mbi masën ujore të pafund, syri kap një sipërfaqe të qelqtë ngjyrëargjendi , që ka si kufi horizonti Gadishullin Karaburun, Ishullin Sazan dhe Triportin. Këto tri pjesë të një trupi, që duken si kollonat e portave të shpirtit të vendit tim, të ardhura nga periudhat e akujve(glaçiale), duket sikur mbrojnë të pacënuar kaltërsinë dhe qetësinë e tij nga çdo stuhi e uragan. Papritur tej mbi horizontin blu u dukën paksa kryeneçe disa re avulli të kuqrremta si metali i shkrirë në fonderi. Si të përmallura, u përkulën e ndërkohë sikur donin të përqafoheshin me kaltërsinë për t’i dhënë ditës bekimin dhe lamtumirën. Mos vallë edhe deti është i ndjeshëm si njeriu në jetëpërpjekjen që i ofron xhungla e mbijetesës? Nëse nuk ia njeh ligjet asaj, ai ngelet pa shpresë për të nesërmen. Është kjo arsyeja që deti tërbohet, ngulçon e ulërinë…mbi shkëmb e mbi breg, ku shfreh gjithë dufin dhe tërë mllefin e tij tok me zemërimin. Mjerë ai që shkon kundër rrymës detare, se tërbimi i tij e merr me vete.
Ndoshta të gjithë ata fatkeq që ndodheshin në ato dy gomone, që po rrezikonin për një jetë si Evropa, mendonin kështu. Natyrisht secili pyeste vetëdijen sipas arsyes, mënyrës dhe këndvështrimit të tij. Për fat të keq shumë njerëz i rrëmbeu turma, pa e ditur se çfarë kërkonin nga jeta. Por jo të gjithë e dijnë se, kush shkon pas turmës, rrezikon që ajo ta marrë me vete dhe s’është çudi që të përfundojë në humnerat e mëkatit, nga ku nuk del dot kurrë.
Arlindi ishte nisur disa herë për të gjetur dhe realizuar ëndrrën mes emigrimit, por... Dëshira e tij ishte të njihte botën perëndimore për të cilën ishte kureshtar. Ndërsa hipte në gomone, përsëri e treti shikimin në sipërfaqen e pamatë të detit dhe ra në heshtje nga e papritura... “Kjo etje për njohje më është rritur për shumë arsye. Mbi të gjitha qëndron niveli i ulët ekonomik. Gjithë jetën kam njohur vetëm varfëri, skamje, mungesën e kushteve jetike e të dëshirave të paarritura për një fëmijëri të brishtë,si dhe një rini të mirërealizuar dhe të lumtur. Ajo që e ngacmon më tepër ndërgjegjen time dhe që tundimi shkon më tej, është edukimi i njëanshëm që kam marrë me ide të majta dhe urrejtje ndaj së djathtës... Eh kam pasur shumë bashkëmoshatarë me prejardhje nga shtresat e mesme si çifligare e tregtare të cilat shiheshin vëngër nga organizmat shtetërore të[ të[ gjitha rangjeve. Edhe pse i kishin shërbyer kombit, ata ishin të përbuzur, të pavlerësuar për punën që bënin. Po e njëjta gjë ndodhte edhe me fëmijët e tyre,të cilët i urrenin, i keqtrajtonin, dhe i anashkalonin për rezultatet në mësime. Vetëm pse ishin fëmijët e fisnikëve apo të intelektualëve me kulturë perëndimore, arroganca dhe shpërfillja ndaj tyre vihej re sidomos nga njerëz të rëndomtë, pa një gram kulture. Kurse mua, si të tjerët edhe ata, më dhimbseshin . Mbi të gjitha më pëlqente të shoqërohesha me djemtë dhe vajzat e tyre, që megjithëse të drojtur, ishin shumë të edukuar dhe të etur për të mësuar deri në detaje çdo lëndë. Mënyra se si visheshin, si silleshin apo si flisnin ,më bënte për vete. Ndoshta nuk kishin se ç’të hanin, por kurrë nuk dëgjova të dilte nga goja e tyre asnjë fjalë pakënaqësie, gjë që vinte në pah trashëgimin kulturore të familjes. Ky mosreagim i tyre ishte si një lloj porosie e mençur: ‘Mos hap gojë kur s’ke gjë për të thënë’ ...Ose ‘Fol dhe vepro aq sa të mos e prishësh masën!’ Kjo i bënte më të dashur e më të respektueshëm për mua. Një mendim i mirë ekzistonte jo vetëm tek unë,por edhe tek shumë mësues, që luftën e klasave e dënonin në heshtje. Më kujtohet mirë se vetëm mendimi që është tejet personal na lejohej, kurse përkrahja e tyre nga ne, në mënyrë të hapur, konsiderohej tradhti ndaj atdheut. Kjo bindje negative e mbarsur me urrejtje klasore ishte krijuar edhe tek ne fëmijët. Këtë peshë të rëndë e kam ndjerë gjithmonë për shkak të humnerës që na ndante me ta. A nuk ishim vëllezër të një race, të një gjuhe e të një gjaku pellazgo-ilir? A nuk trashëgonim të njëjtat tradita? Edhe tani që i kujtoj më vjen për të qarë, sepse gjatë viteve të rritjes, qysh kur nisa të kuptoja e ta njihja botën, kisha dëgjuar mallkim ndaj të përndjekurve si armiq të partisë dhe pushtetit dhe urrejtje ndaj vendeve kapitaliste. Nuk u mjaftonin vrasjet,burgimet dhe internimet, pa kryer asnjë krim. I vetmi krim i tyre ishte se i përkisnin një shtrese shoqërore të kamur dhe e quanin rrezik për përmbysjen e pushtetit. Tani jam mëse i bindur se frika mbante në këmbë diktaturën komuniste. Nëse sistemi ishte vërtet komunizëm, atëherë të gjithë duhej të ishin të barabartë para ligjit, ku secili do të vlerësohej sipas vlerave që jepte dhe t’i jepej vendi i punës sipas shkallës së arsimimit. Por mjerisht...,me apo pa arsim, ata u flakën në rrugën e madhe.Të të lënë në mëshirën e fatit në tokën që të lindi, është mëkat dhenuk ka krim më makabër.
Një edukim hakmarrës na i kishin futur në gjak, në çdo qelizë, në tru e në shpirt, se kombësitë e vendeve kapitaliste jetonin në mjerim dhe na kishin halë në sy. Kishin bindur shurdh-memecët dhe dritëshkurtërit, se shtetet perëndimore kërkonin me çdo kusht që të na pushtonin. Dhe kë se? Kishin zili ne shqiptarët barkëtharë e të pangopur me bukë?! Vetëm një pyetje dua të bëj: ‘Kush dërgonte plaçka dhe para? U dërgonim ne njerëzve që kishin emigruar apo ishin arratisur, apo vinin pako dhe dollarë nga shtetet kapitaliste?’
Edhe pse Zoti na kishte dhuruar gjithë të mirat për të jetuar si princër, ne ishim të pangopur as me babanace, të etur për dije, të verbër para dritës së diellit, fyt, gojë e buzëtharë pranë burimeve kristalore dhe gurrave tona të pashtershme. Jo vetëm unë, por të gjithë ishin të dëshëruar për të njohur nga afër qytetërimin e vërtetë. Nëse diktatura, flama e keqe utopiste e një sistemi të paprovuar, nuk do të na kishte izoluar dhe rrugët drejt perëndimit do të ishin të lira për këdo, ne do të kishim qenë në gjendje të bënim krahasimin mes të mirës dhe së keqes. Kombi nuk do të kishte shteruar kështu e nuk do të ngelej shterp me arratisje të tilla masive të rinisë dhe të inteligjencës të tij. Nëse një kombi i heq trurin dhe palcën e trupit të tij, e lë atë gjysmak, të sëmurë dhe gjithmonë në lëngatë, duke e lënë shterp. Nëse do të gëzonim lirinë e vërtetë, njerëzit do të shkonin jashtë me punë apo me studime, pastaj do të ktheheshin që vlerat t’i jepnin në vendin e tyre...Por për fat deri tani nuk më ishte bërë e mbarë për të emigruar, që të realizoja një ëndërr të tillë,”-mendonte Arlindi tejet i habitur që po nisej në emigracion pa e pasur në plan. Me kohë e kishte mbledhur mendjen top, se ishte pa fat dhe ishte e kotë të provonte... Ndaj as tani që ndodhej në gomone, nuk besonte.
S’ thonë kot se rastësia është mbret i botës. Fëmija që sapo gjeti ndoshta ishte fati i tij.
Si hipën e u rregulluan të gjithë, gomonet u nisën. Kur mbërritën në Kepin e Gjuhëzës, u dha një sinjal dhe i gjithë bregu u ndriçua. Sado larg prej tokës, por aty në mes të detit, mes llahtarit të Mezokanalit që lidh Gjirin e Vlorës me Otranton, ai ndriçim bëri që secili ta ndjejë thellësisht në shpirt praninë e jetës. Ekzistenca e saj perceptohet përmes dritës, uijt dhe ajrit, pa të cilat ajo është inekzistente. Një gjë të tillë e pasqyroi më së miri ndezja e dritave në bregdet, e cila ishte shpresa për ata që shkonin drejt së panjohurës. Me sy të vagëlluar shihte si për herë të fundit bregun e artë të tokës mëmë. Ja, si perla margaritare,duken qyteza e Kaninës së lashtë, Radhima,Tragjasi Dukati e Oriku që ka mahnitur pushtuesit dhe vizitorët, të cilët e kanë quajtur, qyteti i gurtë mbi shkëmb, duke iu dhënë lamtumirën, iu urojnë fat. Ndërsa shihte bregun që sa vinte e bëhej më i largët, më i padukshëm, më pas Arlindi e treti shikimin në ujin e errët që turfullonte si një vullkan..
“Sa të çuditshme janë rrugët që bën jeta. Ajo ecën në çdo lloj terreni, në të gjitha kohët..., ka ndalur vrapin e të së shkuarës, galopon në të tashmen, kurse nesër sikur e udhëheq Mbindërgjegja, do të vazhdojë udhëtimin drejt rrugëve të së ardhmes... Ngjyrat e jetës, si në një tablo të pikturuar, ngelen në trurin e njeriut , qenia e të cilit është e përbërë prej kockash, veshur me inde mishi dhe ushqehen me gjak. Ashtu si jeta në tërësi që nuk mund të ekzistojë pa ujë, pa ajër dhe pa dritë, edhe trupi i njeriut nuk mund të formohet pa tre përbërësit e tij gjak, mish dhe kocka. Porse edhe asnjë trup human nuk mund të marrë formën e tij fizike pa praninë e ajrit, ujit dhe të dritës. Jeta është një provë, që të krijon mundësinë e zgjedhjes dhe të takon ty t’i zgjidhësh të panjohurat apo të fshehtat e saj. Gjithçka që kap syri në përditësi, si: sendet, format, ngjyrat, zërat apo ndryshimet që pësojnë ato dhe që pashmangshmërisht janë pjesë e universales, të gjithë pa përjashtim kanë fytyrën, fizionominë vetjake.
Jo rrallë në mëngjes, kur sapo lind dielli ndeshim një gjethe a një lule të rrëzuar përtokë, e cila na dhimbset. Në atë pamje nuk shohim vetëm një fytyrë, por disa njëherësh. Më parë ndeshim në formën e lules apo të gjethes, ngjyrën e saj, aromën dhe bashkë me to,shqisat kapin bulëzat e ndritshme të vesës që shkëlqejnë si kristale margaritari. Secila nga ngjyrat dhe sendet që vëzhgojmë, ka fytyrën e vet, e cila me kohë transformohet. Kurse nëpër mendje të gëlon mendimi se cili ishte shkaku i rënies së gjethes. Në koren trunore krijohet një përfytyrim tjetër i bazuar në konceptimet rreth stinëve, klimës e më pas faktorëve që ndikojnë në transformimet e përhershme të botës. Në pak sekonda krijohet një lidhje e padukshme apo një vartësi logjike mes fenomeneve natyrorë nga njëra anë dhe vet natyrës nga ana tjetër.
Nën ndikimin e rrjedhjes së vazhdueshme të ujërave, transformohen brigjet e viteve. Në dimra të ngrirë stalagmitesh e mes kallamishtesh të zhuritura nga rrezet përvëluese të dielli gjatë verës së nxehtë, zvetënohen stinët. Kurse mes drithma zemrash të zhubrosura e të mpakura, veniten tingujt dhe bashkë me to, ndryshon edhe jeta. Atë çast ajo i ngjan një gjetheje të zverdhur që gradualisht shndërrohet në kafe dhe pasi ka zenë vend në tokë, kthehet në pleh. Faktikisht nuk u zhduk, vetëm se u transformua nga një gjendje në një tjetër...E tillë është edhe një jetë njeriu, e cila është në udhëtim të përjetshëm, në transformim e sipër, ashtu si jeta e një gjetheje.
Ndërsa vras mendjen kot, shoh detin e errët, e parafytyroj atë të tmerrshëm, mes dallgëve të egra, që ngrihen me furi e përplasen me njëra-tjetrën gjatë çdo stuhie. Ashtu siç shkaktojnë trembje dhe dhembje stuhitë e shpirtit, po ashtu ndodh edhe me stuhitë detare, që shkaktojnë frikë dhe pasiguri. Ashtu si brenda kraharorit të njeriutku fshihen joshjet, ndijimet shpirtërore, klithmat që mbyten e humbasin brenda hapësirës së pashikueshme, të tilla ndjesi ka edhe deti. Paçka se ai s’ka gojë të flasë, por brenda gjoksit të tij gjigant fshihen ndjenja, rënkime, ankime dhe lotë që nuk kanë kufijë ndarës me kripësinë e tij. Aty lindin dhe vdesin dashuri sublime sepse edhe deti dashuron në përjetësi gjallesat e tij, ujin, kripërat dhe brigjet në ndryshim e sipër.
E vështroj llahtarin e detit dhe ngazellehem edhe pse nuk e di fundin e këtij udhëtimi. Gjithsesi më pëlqen të meditoj për të...Sa i bukur është deti! Sa madhështor, sa i magjishëm e shpresëdhënës duket mes kaltërsisë dhe valëve lozonjare gjatë ditës me diell, ku ajri flladit joshës e ngazëllenjës ! Sa misterioz, i frikshëm e kanosës, edhe po aq kobndjellës duket natën kjo masë gjigande uji në ngjyrë të errët. Është aq i frikshëm, sa të kall tmerrin e të duket se nga çasti në çast do të gllabërojë vorbulla e errët si gryka e skëterrës, ku askush nuk gjen shpëtim. Nuk di se deri në ç’pikë arrin truri i njeriut që të mos gjykojë më, por kalon në çmenduri dhe hap varrin e tij me duart e veta. E tillë më duket kjo arratisje,” – vazhdonte mendimin djaloshi i mrekulluar, por më tepër i hipnotizuar nga e papritura në kërkim të Nirvanës. Duke ndjekur ëndrrën në atë udhëtim të befasishëm dhe tejet të rrezikshëm, nisi të meditonte...
“Mbrëmë…
erdha të të takoja…,
sytë e tu blu kërkoja,
Ndërsa ti…, për çudi,
i heshtur si heshtja…
ndiqje lojën renacake të diellit …
mendueshëm,
si mërgimtari para arratisë...
Det , o deti im !”
“Po a nuk jemi në një gjendje të tillë të gjithë ne?!”- pyeti djali me zë të lartë duke iu drejtuar errësirës,sepse askush nuk iu përgjigj.
Shpresat e mendimet që i gëlonin për një jetë më të mirë, sikur e bënin atë dhe të tjerët më të guximshëm dhe më të vendosur ,vetëm e vetëm që të harronin rrezikun që u kanosej.
“Shkojmë drejt perëndimit të panjohur si të ndjekur nga kope ujqësh. Asnjë shenjë jete. Asnjë dritë. Vetëm këto dy gomone që çajnë detin paanë. Mes errësirës uji duket si një lubi që do të na gllabërojë të gjithëve. Me sy të shqyer prej tmerrit, shtrëngojmë duart e njëri-tjetrit, pa ditur se cili është. Mjafton një prekje e trupit, apo një gjymtyrë të bashkudhëtarit dhe në qeniet tona përcillet pak besi e siguri. Pa fjalë, pa zë, ashtu në heshtje ne i japim kurajo njëri-tjetrit. Në mendje na gëlon një mendim i përbashkët: ‘do t’ia dalim dot mbanë vallë?’ Nuk di, por kjo, më duket gjëja më pamend që bëjnë njerëzit. Shkojnë drejt së panjohurës për një jetë më të mirë, më të begatë... por sa e sa njerëzve ky det, u ka marrë jetën? Sa shumë fatkeqësi, sa njerëz janë zhdukur pa nam e pa nishan! Sa herë kanë mbërritur në “parajsën e ëndërruar”dhe i kanë rikthyer? Gjithsesi, përsëri ata provojnë... e provojnë të mërgojnë deri sa një ditë, mbërrijmë në tokën e premtuar. Secili kërkon ta prek realitetin e mohuar... Edhe unë, si këta, e kam provuar disa herë. Megjithatë, njerëzit s’ndalen para asgjëje. Pa pyetur për rrezikun dhe vështirësitë, ecin dhe vetëm ecin drejt shpresës. Valët e shkumëzuara, mes tallazesh përcjellin shije kripe në puthjet që na dhuron briza detare e shpirtrat tanë të dehur dhe të mardhur ledhatohen.Tani është errësirë,e megjithatë e shoh, e shijoj…dhe e adhuroj pafundësisht ngjyrën blu të detit pranë të cilit linda ,me të cilin u rrita dhe tani po e braktis...Eh, kështu e paska jeta!”-ecejake mendimesh çapëlonin në trurin e Arlindit, teksa mbante në gjunjë kokën e djalit. Të voglin e kishte zënë gjumi. Dikush i zgjati cepin e një batanieje dhe e mbuloi të gjorin fëmijë. Ishte trimëri për një vocërrak të moshës së tij, të merrte rrugën e hidhur të mërgimit për të gjetur nënën. “S’ke ç’i bën. Këtij fëmije i ka rënë shorti që të ndërmarrë një rrugë pa krye, një udhëtim të vështirë dhe të rrezikshëm. A nuk duhej të ishte nëna, ajo që duhet ta bënte një gjë të tillë?!”- pyeste ndërgjegjen... por mjerisht askush nuk mund t’i jepte një përgjigje për këtë. “Kush e di vallë se çfarë sfide i ka rezervuar fati dhe koha asaj gruaje, kush e di?”- mërmëriti mes një psherëtime sikur e kishte të afërmin e tij, aq iu dhimbs vogëlushi.
Një erë e pabesë si vetë deti, e ngadalësoi udhëtimin e atyre njerëzve që kërkonin shpëtim, kërkonin vetëm të jetonin si njerëz. Gjithsesi në të aguar që nga larg ata dalluan dritat e një qyteti. Dëgjoheshin drithërima dhe kërcitje dhëmbësh. Askush s’e dinte nëse i kishin nga të ftohtit dhe lagështia e natës apo prej frikës. Deri atë çast i kishin shpëtuar paq mbytjes, ku do të kishin shërbyer si ushqim për peshqit. Tani të gjithë ishin në ankth e të rrëqethur dhe me sy të shqyer prej tmerit, prisnin të panjohurën. Me shikimin drejt qiellit luteshin: ” Zot, kujto edhe për ne. Së paku falna jetën , se boll jemi rropatur, jemi rraskapitur... Jemi të velur nga jeta plot dhembje dhe vuajtje.” U afroheshin brigjeve, por askush nuk gëzohej para kohe. Kujt vallë i pëlqente t’i ngrinte buzëqeshja më pas? Rreziku ishte ende i pranishëm dhe i dyfishtë. Nga njëra anë na kanoste uji dhe nga ana tjetër ishte frika se mund të binin në kurthin e rojes bregdetare fqinje.
Tek po kalonin prej gomones në një varkë italiane, ç’ ka dëshmonte se gjithçka ishte studiuar dhe përgatitur me vëmëndje e me kujdes nga të dyja palët, njohu të moshuarin që e kishte marrë në makinë. Atë çast kuptoi dhe mësoi të vërtetën se trafikimi i qenieve njerëzore ishte i organizuar.
-Zotëri, vetëm mali me malin s’takohen. Kisha të drejtë kur të thashë se s’ndiheshe mirë, ë ?!
-Se mos tani nuk jam… Mos të dukem gjë, se e kam hedhur kapelen mbi sy?! Ah, more bir! Mallkuar qofshin shkaktarët që na detyrojnë të marrim rrugët e botës! Një Zot e di se ku do të degdisemi?! Mirë unë...po ti?!- pyeti i moshuari
-Ashtu papritur dhe pakujtuar....Fati, fati më solli edhe mua...
-Kot nuk thonë se, ç’ e sjellë rasti nuk e sjell viti, Arlind. Tani ti e nise këtë rrugë të panjohur...Të vaftë mbarë, o bir!
-Mendoj se deri tani kemi qenë me fat. Më tej askush nga ne nuk e di se ç’do të bëhet.
Është e natyrshme se njeriu kalon çaste ankthi kur shkel në një terren të panjohur. Papritur gjendet si peshku pa ujë. Normale që ndihet kështu i pasigurt sepse, papritur përballet me shumë të panjohura; ka shkelur në një vend të huaj, ku s’ di as gjuhën, pa të afërm, pa punë dhe pa strehë. Kurse atje, në mes të detit, udhëtimi me gomone, arratisja në grup fshehurazi, e bënin gjendjen shpirtërore të secilit tejet tronditëse. Edhe në kushte të tilla, nuk je më i qetë se në det. Në mes të ujit ke frikën e mbytjes, kurse në tokë të huaj, pyet veten pareshtur : “Ç’ do të bëhet me mua paskëtaj?!” Në raste të tilla duhet kurajo. Frika për jetën apo për të mos rënë në duar të policisë kufitare të shtetit fqinjë, është e domosdoshme që këto ndjesi pasigurie të mos shndërrohen në makth. Ndoshta si Arlindi mendonin dhe kishin të njëjtat ndjesi frike edhe bashkudhëtarët e tij. Veçse me një ndryshim. Ndoshta secili prej tyre e kishte gjetur një mënyrë zgjidhjeje, kurse ai...

***
Sakaq u gjendën në tokë të huaj. Pas pesë minutash nuk dukej këmbë njeriu rretherrotull. Vështroi përreth, por nuk i zuri syri asnjë hije pa le më njerëz. Sikur i kishte përpirë dheu. “Doemos që s’mund të qëndronin bashkë, sepse bëheshin preh e karabinierve. Pastaj, besoj se secilin e ka pritur dikush...”-mendonte ai duke qëndruar në mes të rrugës i hallakatur.
-Fëmijën do ta shoqëroj unë... – u bë i gjallë “kujdestari” që si padashur e kishte harruar në bunker.
-Ku do të shkoni? –pyeti befas Arlindi.
-Në Rimini. Atje punon dhe jeton e ëma e vogëlushit.
-Nuk të besoj më. Ndaj do ta shoqëroj unë djalin.
-Është e drejta jote, - mërmëriti tjetri nëpër dhëmbë.
-Si mund të të besoj, kur...?! Nuk dimë si do të veprojmë. Ngelëm vetëm ne të tre këtu. Ka rrezik të biem në sy të karabinierëve.
-Dikush që jeton këtu do të vijë të na marrë.
Nuk vonoi dhe u duk një burrë i veshur me kostum pune që mbajnë mirëmbajtësit e hekurudhës. Kishte katër vjet mërguar dhe ishte rregulluar aty me gjithë familjen.
-Unë jam Arbri që do t’ju shoqëroj. Sot jeni të ftuarit e mi.
Pa e zgjatur i përshëndeti dhe i mori në makinë . Jo vetëm që i mirëpriti, por i mori në shtëpinë e tij, ku jetonte me gruan dhe me vajzën e tij të vogël tre vjeçare. Çifti i ri i priti sikur të ishin të afërmit e familjes së tyre.
-Shtëpia jonë është ca e vogël, por do bëjmë si do të bëjmë...,- sqaroi si i zënë në faj i zoti i shtëpisë.
-Arbër, ne nuk duam as të hamë dhe as të flemë. Vetëm një kafe dhe një gotë ujë do jetë më se e mjaftueshme. Madje është shumë sepse ju nuk jetoni në vendin tuaj. Po të ishit atje, nuk do të kundërshtoja..., pasi do të kishit përgjegjësinë morale si trashëgues të traditës sonë. Sa për djalin, po. Për atë kujdesuni si për vajzën tuaj, se është amanet i botës.
Kur mësuan se djali kishte ardhur për të gjetur nënën, ata të dy, si prindër që ishin, u përlotën dhe u kujdesën për të sikur të ishte djali i tyre.
-Arlind, këtu nuk ngelet njeri pa ngrënë. Pastaj ne shfrytëzojmë ofertat kur ka ulje çmimesh që e mbajmë gjithmonë normale ekonominë e familjes. Sa për shtëpinë ,për të mirët ka një qoshe ku të marrë një sy gjumë, të shlodhet e të mbledhë brinjët.
-Kot ankohesh, se kaq hapësirë nuk e kemi kurrë në apartamentet e pallateve tona të diktaturës.
-Flas në krahasim me familjet italiane, se këto janë shtëpi të Komunës, ku kanë strehuar emigrantët.
-Është e lartë qiraja mujore?
-Qiraja është në vartësi të vendndodhjes së shtëpisë. Në periferi të qytetit, nëpër qyteza janë më të lira. Ato në qendër të qytetit janë më shtrenjtë. Pastaj ndikon edhe cilësia e apartamentit, si dhe sipërfaqja e tij, ose kur ka dy banja dhe garazh. Taksat janë të shumta, kurse uji, gazi dhe energjia paguhen sipas shpenzimeve të familjes.
-E përballoni dot?
-Faktikisht na ndihmon shumë qiraja e shtëpisë ,që është tejet simbolike. Për familjet e tjera këtu jepet asistencë për njerëzit në nevojë. Këto rregulla zbatohen sepse ku ka shtet, ligji funksionon .
-Ju keni dhomën tuaj të gjumit, po kështu edhe vajza, keni gjithë këtë sallon si dhe kthinën që shërben për të gatuar dhe për të ngrënë? Jo ore mik, jo...nuk kërkoj më shumë.
-Ashtu të duket, Arlind. Mua kjo shtëpi më duket parajsë, pasi kam qenë në shtëpi pa qira për shtatë vjet.
-Më vjen keq, o mik! Mos u ktheftë kurrë ajo kohë, ai sistem kolerë që na ndau për së gjalli. Mos e kthe më kokën pas nga e shkuara. Lërja kohës...
-Nuk është aq e thjeshtë. Isha fëmijë kur më burgosën për agjitacion e propagandë. U martova i madh në moshë. Në moshën dyzetëvjeçare u bëra baba. Isha pa arsimim, pa profesionm pa shtëpi dhe pa një dyshkë në kuletë. Kur u martuam jetonim me vëllanë e martuar, me dy fëmijë, si dhe me prindërit në një apartament me një dhomë e një kuzhinë. Ndaj mora rrugën e kurbetit. Nuk kisha zgjidhje tjetër. Ky apartament më duke lule, krahasuar me atë shtëpi. Mos harro se ne shqiptarët kemi sedër, sidomos unë që kam vuajtur, e ndiej si detyrim akoma më tepër. Që të mos jemi të përbuzur nga italianët e të mos na shohin me nënvleftësim apo shtrembër, më vonë edhe ne do t’i rrisim kërkesat e jetës.
-Jeni të dy në punë?
-Unë po, jam me pagë të plotë. Kurse gruaja punon pastruese në dy familje dhe në një farmaci. Nuk jemi keq, jetojmë... Faleminderit,o Zot që shteti italian u kujdes për ne të gjorët! Është ndihmë shumë e madhe,sepse kemi shtëpi, punë dhe kartën e soxhiornos. Mund të hyjmë dhe të dalim në atdhe pa problem.
-Përgëzime dhe ju faleminderit për mikpritjen!
-Rrini si në shtëpinë tuaj. Nuk duhet të viheni në siklet. Me punën që kam ndihmoj shumë klandestinë shqiptarë që zbresin këtu dhe duan të shkojnë në një qytet tjetër. Madje sot u interesova për ju dhe mësova se nesër mbrëma mund të ikni qetësisht. U informova se policia kufitare nuk ka asnjë të dhënë për shkelje të kufirit nga ndonjë anije emigrantësh. Keni qenë me fat. Ndoshta ardhja juaj ka qenë e organizuar mirë nga të dy brigjet. Në kësi rastesh edhe kontrollet nëpër trena janë më të zbutur, më sipërfaqësor. Bëjnë vetëm kontroll biletash.
Arbri gjeti çastin e duhur që ata të udhëtonin pa probleme. Kishte marrë biletat dhe i shoqëroi ata në stacionin e treni , madje qëndroi me ta deri sa u nis treni. U ndanë me ata njerëz të mirë si miq të vjetër.”Botës kurrë nuk i mungojnë njerëzit e mirë. Në raste të tilla dallon mirësia e cilitdo.”- mendonte Arlindi ndërsa udhëtonin me tren nga jugu drejt veriut të Italisë.
Pas disa orësh zbritën në Rimini. Me “kujdestarin” e djalit, thuajse nuk bisedonte fare. Me gjestin që bëri ndaj vogëlushit, e kishte shvlerësuar dhe i kishte vënë kryqin si njeri. Fatmirësisht kur u nis Arlindi nga Shqipëria, kishte një shumë të mirë të hollash me vete. Donte të hapte një biznes për së mbari në qytetin e lindjes. Por fare papritur fati e hodhi në udhëkryqet e jetës. Pasi mbërritën në Rimini, pa humbur kohë nisën të kërkojnë një streh se ku mund të qëndronim. Të qëndruarit jashtë, ishte me rrezik, mund të binin në dorë të policisë italiane dhe...Përsëri ishin me fat. Në ndihmë u erdhi njeriu që priste “shoqëruesin” e djalit. Ishte një i afërm i tij i cili ndodhej aty qysh gjatë ikjes masive. Kishte mërguar qysh në 8 gusht të vitit 1991 me anijen Vlora.
-A nuk do të çojmë djalin më parë?- pyeti gjasma i shqetësuar burri që i kishte dal për “zot” fëmijës.
-Më jep adresën se do të shkoj unë.
-Arlind, ti sa ke ardhur dhe nuk e njeh qytetin. Eja të shkojmë bashkë. Ajo punon në një bar nate, në zonat periferike të Riminit. As unë nuk e di adresën me saktësi. Kam dëgjuar se është larg, diku në anën tjetër të Riminit, -këshilloi i zoti i shtëpisë, Enkeli.
E lanë djalin në shtëpi dhe dolën të dy bashkë pa shumë shpresa. Ecnin me dyshimin se a do ta gjenin vallë atje, në atë orë të vonët të natës? Iu desh shumë kohë që të gjenin Barin me emrin “Angeli”(Anxheli-engjëjt)
-Paska goxha emër! Sikur emri t’u siguronte atyre që punojnë aty, paqen, qetësinë dhe pafajësinë e ëngjëjve, u jepet mundësia e jetës për të cilën kanë ëndërruar shqiptarët e gjorë.
-Në të vërtetë do të ishte gjysma e së keqes, Arlind. Duhet të të kujtoj se të jetuarit në mërgim nuk është përsosmëri. Edhe në varfëri, janë disa kënaqësi që të dhuron vendi yt, nuk t’i jep asnjë vend tjetër në botë. Disa që kanë gjetur veten në një kënd të botës, kurrë nuk besoj ta quajnë “Atdheu ynë”. Megjithëse ai vend u ka siguruar një jetë të mirë e të sigurt, dhe arrijnë ta quajnë “Atdhe i Dytë”, por.... Edhe nëse e thonë, përsëri u sëmbon në zemër. Pasi sa e shprehin, menjëherë memorja e ndërgjegjes i çon larg në kohë dhe hapësirë, se për ta ajo tokë ku jetojnë e punojnë, është një atdhe tjetër...dhe kurrë toka që i lindi. Veçse është bukur kur shqiptarët i konsiderojnë si qytetarë të të gjithë botës.
- Është e vërtetë, Enkel. Por ku i shkonte mendja shqiptarit të izoluar si në një kopsht zoologjik, se një ditë do të jetonte si njeri fal bujarisë së vendeve të huaja? Nuk mund ta mohojmë të vërtetën e hidhur. Sa kemi dalë nga barku i nënës, na kanë trajtuar si kafshët e izoluara, duke na i prerë gjithë të mirat materiale, ditë pas dite, pak e nga pak, vetëm për të eksperimentuar me ne. Ndoshta për të parë se sa kohë do t’i rezistonim urisë dhe a do ta përballonim dot jetën vetëm me ajër, me ujë dhe me dritë?!
-Çuditen bota me ne! Paskemi qenë të fortë! Kush e ka dëgjuar, fillimisht nuk e ka besuar. Ai sistem absurd ishte tragjikomikja e jetës shqiptare plot me paradokse monstruoze. Ndaj njerëzit u sulën drejt kufijëve shtetëror si t’i largoheshin kolerës, pa pyetur për rrezikun. Dukej sikur shkëputën prangat e skllavërisë nga këmbët dhe nga duart.
-Ikja e madhe e fundshekullit të XX-të është dhe do të ngelet një nga tragjeditë më të dhimbshme të historisë sonë. Kjo jo vetëm për viktimat e panumërta por pati pasoja të rënda në problemet sociale, ku ngritën kokë fenomenet negative dhe filloi të bëjë ligjin antivlera, rruga dhe paraja. Mbi të gjitha ikja në masë e inteligjencës varfëroi vlerat e kombit. Kjo është humbje e madhe, sepse vij andej, ku është bërë një katrahurë e vërtetë- përfundoi Arlindi.
Ndërkohë ata kishin mbërritur në vendin e duhur. Përballë tyre vezullonte nga ndriçimi i dritave reklama, e cila dukej që nga larg:“Bar Angeli”.

No comments:

Post a Comment

“Opozita serbe është një mjet në duart e shërbimeve sekrete kriminale dhe të huaja. Këta të rinj pak a shumë po përdoren prej tyre”, tha kryetari i Serbis1% Aleksander Vuçiç

                     Kërko brenda në imazh                              Nga Flori Bruqi p residenti serb Aleksandar Vuçiç ka akuzuar opozitë...