2019-12-27

Anila Dedaj : Havzi Nela, poeti martir në 5548 vargje


Rezultate imazhesh për Anila Dedaj

Anila Dedaj

Botohet 30 vite pas ekzekutimit të Havzi Nelës, vepra e tij e plotë poetike. “Shtatë fletore” përmban poezi, të cilat ai i shkroi gjatë 21 viteve burg e internim, si dëshmi e rebelimit, kurajës, dëshpërimit, shpresës e bindjes së tij, se tiranisë një ditë do t’i vinte fundi


Në oborrin e shtëpisë së familjes Nela, ku nëna qante birin, të cilit i ishte hequr liria, e vëllezërit të lirë për të vuajtur mendonin Havziun nën hijen e xhelatit që priste fundin e tij, “rriteshin” nën rrënjët e një molle vargjet e poetit martir. “Këput e ra si lis i rrëzuem/ Në çeli, në terr i ndry/Trup e shpirt i sakatuem/ Mendja derdhet në liri!”. 5548 vargje, të cilat mësuesi “i dashtun” do t’i përpunonte, përmes përsëritjesh të panumërta gjatë 21 viteve të kaluara në burgje e internime gjejnë dritën në 30-vjetorin e ekzekutimit të tij.



 “Ma mirë le t’i mbylli sytë/Ma mirë zemra le të pushojë/ Ma mirë mos me pa më dritë/Kur harbuti t’më mundojë!”. “Shtatë fletoret” e Havzi Nelës të përgatitura nga Rexhep Shahu, ku shpaloset vepra e tij e plotë poetike, vijnë si përmbushje e amanetit të poetit. Vargje që na njohin me rebelimin, forcën, kurajën, mallin, dëshpërimin, shpresën e bindjen e tij se regjimit totalitar do t’i vinte fundi, e ai, ndoshta do të qe i lirë që të rishikonte poezitë e tij. “Due që ta shpëtoj si material, se do përpiqem, po mendoj me i nxjerrë jashtë se u lodha së mbajtuni në mendje. Gjithashtu titulli dhe ndarja në pjesë ashtë jo ashtu si i mendoj unë të bëhen. Këtë punë ja la të ardhmes po qe se dalë vetë i gjallë prej këtu”. Por rrebeshi i zemërimit të diktaturës na paskësh qenë kaq i fortë sa edhe në grahmat e fundit të atij sistemi, për të tmerruar njerëzit, e mbushur atë vakum të thellë të padijes e informimit me frikë, do të shënjonte të ekzekutuarin e fundit me varje në litar në shesh në gjithë Europën. “Vajtojnë nanat, vajtojnë gratë/ E sa nuset u kthyen n’gjini!/ Të tjerat presin me djepat thatë/ U qanë zemra për nji fëmijë”. Ishte 10 gusht i vitit 1988, e ndoshta Havziu kishte dhjetëra vargje të tjerë në mendje… Ngjarja ndodhi në Kukës, në sheshin e agjencisë së udhëtarëve. Mizoria vijoi edhe pas vdekjes së poetit, për të vrarë shpresat e atyre që ëndërronin fundin e tiranisë. Po dëshira e Nelës, misionarit të lirisë do të përmbushej plotësisht më pak se dy vjet nga akti barbar që i mori jetën. “Le ta dijë gjithë bota mbarë/Se ky vorr ka njerëz të gjallë/Janë të gjallë nuk vdesin kurrë/Dhe n’u bafshin dhe e gurë!”

Shkrimtarët për Havzi Nelën

Për të kujtuar poetin Havzi Nela, “Shekulli” ju sjell disa nga dedikimet e njerëzve të letrave shkëputur nga libri “Shpirti i lirë i Lumës”, i cili njësoj si “Shtatë fletoret” është përgatitur nga Rexhep Shahu.

Ismail Kadare: Një njollë turpi

Prej Kohësh nuk ka pasur vrasje poetësh në kontinentin europian. E aq më pak prej kohësh nuk ka pasur varje, por Shqipëria nuk bënte pjesë as në Europë as në kontinentin e qytetëruar të popujve. Shqipëria në vitin 1988, në prag të rënies së komunizmit, ishte ende një njollë e zezë në hartën e kontinentit, një njollë e turpit dhe e krimit në shkallë planetare. Rendi komunist i egërsuar nga shenjat e para të lirisë, ashtu si bisha që egërsohet prej sinjaleve të dritës, donte të jepte një mesazh të kundërt me shpresën. Një mesazh frikësimi dhe tmerri. Dhe, për të qenë i besueshëm se ende nuk do të bënte asnjë lëshim, për të bindur të tjerët dhe veten e vet se ende ishte i aftë të vriste, zgjodhi formën më barbare të marrjes së jetës: varjen me litar. Një poet u lëkund në trekëmbësh, në qytetin verior të Kukësit. Kjo tregonte se programi themelor i stalinizmit shqiptar, vazhdonte të mbetej i pandryshuar. Ashtu si në vitet 1945-1947, kur rrëzoi me plumb e me litar elitën kulturore, fetare e politike shqiptare, ashtu si më pas kur rrëzoi mijëra të tjerë, ky program vazhdoi të mbështetej mbi krimin dhe kryesisht mbi krimin. Krimi i jepte kurajë në orët e panikut, krimi i qetësonte në orët e ligështimit. Me krimin ndiheshin trima, si gjithë frikacakët. Poeti Havzi Nela është një kambanë që ende bije për shoqërinë shqiptare. Të mos e dëgjosh këtë kambanë do të thotë të shkelësh me këmbë lirinë e Shqipërisë. Krahas hezitimit për të dënuar krimet e komunizmit, një dukuri tepër e shqetësuar për të mos thënë monstruoze, vazhdon në Shqipëri. Pasioni i habitshëm për t’u dhënë tituj e nderime njerëzve që jo vetëm nuk bënë asgjë për lirinë, por që bënë gjithçka për ta shtypur atë. Shoqëria shqiptare ka nevojë të shkundet e të mbrojë liritë demokratike kundër çdo lloj kërcënimi që i vjen nga çdo lloj drejtimi e i fshehur pas çdo lloj maske. Vetëm kështu ajo do të jetë në gjendje të fitojë drejtpeshimin e munguar. Martirët e kanë qetësinë e tyre atje ku pushojnë. Është shoqëria shqiptare, që nuk e ka. Dhe për këtë duhet të luftojnë të gjithë.


Bashkim Shehu: Kam qenë 10 vjeç kur e kanë vrarë poetin

Si 10-vjeçar nuk di të flas për republikën e litarit në qafën e kundërshtarit të partisë shtet, për republikën e pushkatimeve të kundërshtarëve politikë, për republikën e internim dëbimeve, për republikën e diktaturës së urisë. Por arrij ta kuptoj e besoj se ndërsa Havzi Nela tundej në litar, shqiptarëve u merrej fryma, u ngushtohej laku në fyt, u kërcisnin eshtrat e duarve e të mendjes nga shtrëngimi i prangave të diktaturës komuniste që ishte çmendur e dehur në marrëzi. Sot, unë ndjehem shumë mirënjohës ndaj Havzi Nelës, sepse ai vuri kokën në themelet e lirisë e demokracisë që kemi sot. Besoj se çdo shqiptar që e shijon lirinë i është mirënjohës, sepse është i ekzekutuari i fundit me varje në litar në shesh në gjithë Europën në emër të lirisë. Havzi Nela është mësues i madh i lirisë, do të mbetet në historinë tonë dhe do të lartësohet përditë e më shumë sepse ai na mësoi e do të na e mësojë gjithmonë kundërshtimin, na mësoi të themi jo, na mësoi të guxojmë, të mos i themi të bardhës e zezë e të zezës e bardhë. Na mësoi se liria ka çmim dhe sa më i lartë çmimi i saj aq më sublime e madhështore është ajo.

Izet Duraku: Havzi Nela, Orfeu i lirisë

Figura e Havzi Nelës bën që të meken e belbëzojnë edhe më fanatikët e djeshëm. Ata nuk kanë guxuar t’i kundërvihen kurrë ballas figurës së tij. Nuk kanë mundur t’i mohojnë guximin, trimërinë, besën, as përkushtimin atdhetar. Nuk është e rastit që për Havzi Nelën nuk kanë ngurruar të shprehen krijues të shumtë. Secili prej tyre ka ndriçuar anë të ndryshme të njeriut që “i jetoi të gjitha stinët e vuajtjes” duke u rebeluar ndaj botës së mbrapshtë dhe armiqësore me të. Havzi Nela nuk e nisi jetën e tij si hero, por u bë hero i vetvetes si triumf i moralit të njerëzishëm në një kohë të pamoralshme dhe vrasëse njëkohësisht. Nuk jam i sigurt nëse Havzi Nela e njihte mirë mitin e lashtë të Orfeut që me këngën e tij qetësonte kafshët më të egra, detyronte pemët të përkulnin degët dhe gurët të lëviznin. Efektin magjik të fyellit dhe të këngës ai pati fatin ta njihte. Para se ta burgosnin Havzi Nela mbahet mend si këngëtar që u ndoq me dashamirësi në Kukës, Shkodër e gjetkë. Në fyellin e tij ndiheshin lartësitë e bjeshkëve, pyje, livadhe, ujëra të kristaltë, fluturime zogjsh e qiej të kthjelltë e të turbullta të fateve tona në rrjedhë të historisë, ku më shumë se hareja e fitoreve shfaqej trishtimi i humbjeve shekullore. Burgu i rrëmbeu këngën, fyellin e tij. Në terrin e netëve Havziut iu desh ta rishpikë edhe njëherë këngën dhe fyellin e tij. Qelitë i burgosën vetëm trupin, ndërsa shpirti i tij, i çliruar nga prangat u shndërrua, siç thotë Kadare në një kambanë që binte dhe ende bie për shoqërinë shqiptare. I sigurt në përtëritjen universale të jetës, Havziu nuk hoqi dorë nga bindja se natës së gjatë të dimrit do t’i vinte fundi. Ai nuk e përjetoi rënien e diktaturës komuniste, por e pa qartë fundin e saj. Gjashtë fletore me vjersha arritën të dalin nga qelitë e Kampit shfarosës të Burrelit. Edhe fletorja e shtatë gjithashtu e shkruar nga vendi internimi i Arrnit, arriti të zhburgoset dhe të muroset për t’u ruajtur në shtëpinë e vjetër të vendlindjes ku e qante nëna për së gjalli e ku jetonin me vështirësi vëllezërit.

Primo Shllaku: Vdekja e hokubetshme e poetit Havzi Nela

Havziu ishte nji njeri i revoltuem, i revoltuem sipas Camu-së, dhe jo simbas kuptimit që i japim na rëndom kësaj fjale. Ai ishte nji njeri që mbas nji maratone burgjesh e gjeti veten tek caqet e vetes. Pra ai mbërriti te caku i vetes dhe nji nga caqet e vetes asht dëshpërimi. Pra ai regjim na çoi dhe ne në dëshpërim, dhe për dëshpërimin ku na çoi ai regjim, flitet fatkeqësisht pak. Havzi Nela asht vërtetimi i ktij dëshpërimi. Cili ishte pra caku i ktij njeriu? Ai nuk po e duronte veten e tij, që po duronte. Nuk e duronte ma që ai të vazhdonte me shpresue e me durue dhe kjo e çoi atë deri tek kontakti miqësor me vdekjen. Pra ai u përball me sfidën ma të vjetër, ma primitive të njerëzimit, kundërvumjes jetë vdekje. E gjithë diktatura ishte e mbështetur tek bindja e saj se na nuk do ta duronim këtë sfidë, por do të duronim diktaturën. Mirëpo në kohën kur dëshpërimi i ktij njeriu kishte prekë caqet e vetvetes dhe vetë diktatura kishte mbërritë tek caqet e vetvetes. Asaj po i mbaronte vojguri në kadnil, po i mbaronte bateria, dhe po e shikonte që kishte mbërrit tek stadi i fundit të saj. Dhe asht krejt e çuditshme se si nji diktaturë që e fillon me krime në kohën e hovit të saj djaloshar, e mbylli po me krime edhe në kohën e dekrepitetit të saj, të këputjes së saj, e plakjes së saj. Kjo tregon pra se ne kishim mbi kokë nji diktaturë të pareduktueshme, e cila nuk njofti kurba, ajo ishte një vishkullimë vdekjesh në veshët e gjithë atyne që i kishin veshët. Dhe ky njeri që shkoi atje ku shkoi, me heshtjen dhe indiferencën tonë.







Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...