Kryeministri Edi Rama ishte dje në shoqërinë e Kryetarit të Bashkisë Veliaj në një familje që kishte humbur shtëpinë e vjetër nga tërmeti 5,8 ballësh i 21 Shtatorit 2019.
Mirëbërësi është një nga përfituesit më të mëdhenj të tenderave shtetërorë, një nga ndërtuesit më të përmendur të rrugëve apo veprave të tjera publike. I mirënjohur në mes të tjerash edhe për tenderin e fundit të Unazës së re prej rreth 15 milion milionë Euro. Salillari gjithashtu është përfituesi i koncesionit të Rrugës së Kombit bashkë me Kastratin, shkruan dosje.al.
Pas tërmetit të fundit firma Salillari dhuroi 1 milion Euro si kontribut për të dëmtuarit. Ajo që bie në sy në këtë video është prezenca e Salillarit sa herë ka nevojë Kryeministri të bëjë bamirësi.
Në një shkrim të para ca kohëve, Andi Bushati përmend rastin e familjes Koci nga Marikaj e cila jetonte në varfëri ekstreme siç shfaqet edhe në videon më poshtë.
Por ndërhyrja e Kryeministrit sapo merr vesh varfërinë është e menjëhershme. Salillari si fillim e punëson të zotin e shtëpisë e më pas i ndërton edhe shtëpinë dykatëshe… Po si arriti Kryeministri të bindte Salillarin të shpenzonte paratë nga biznesi i tij për të skamnorin e Marikajt? Po për këtë të Petrelës? Çdo njeri me logjikë normale do të mendojë se janë pikërisht përfitimet e Salillarit nëpër tendera që krijojnë edhe këto marrëveshje të dyshimta.