Gruaja e ish-ushtarit të UÇK-së rrëfen dhunimin seksual që e pësoi gjatë luftës

Gruaja e ish-ushtarit të UÇK-së rrëfen dhunimin seksual që e pësoi gjatë luftës
TV “Abc News” ka siguruar dëshminë tronditëse të një gruaje të dhunuar seksualisht, nga forcat serbe gjatë pushtimit të Kosovës në vitin 1999.

Gruaja dëshmon se janë përdhunuar për pesë ditë me radhë, pasi janë kapur robër nga forcat serbe në Kosovë.

Më tronditës është fakti se, gruaja tregon se janë dhunuar seksualisht nga serbët, në sy të burrave dhe fëmijëve, që ishin të pranishëm aty, ndërkohë që thekson se disa prej kriminelëve që i dhunuan, ishin persona që jetonin në të njëjtin fshat me ta.


“Jemi dhunuar për pesë ditë. Aty kishte gra, fëmijë pleq dhe na dhunonin edhe në sy të fëmijëve. Ata që ishin nga zona jonë mbanin maska në fytyrë“, tregon gruaja në intervistën për emisionin “Ballkan” .

Intervista e plotë:

Viktima e dhunimit: Ka qenë 27 mars 1999, kur na mori policia serbe. Na kanë mbajtur si robër për 5 ditë. Aty ka qenë një numër i madh grash, burrash pleq e fëmijë. Aty serbët nuk kanë kursyer asgjë. Kanë kryer çdo lloj dhune mbi ne. Na kanë dhunuar në sy të fëmijëve, në sy të prindërve. Nuk kursyen asnjë, as vajzat e reja, as gratë dhe as të moshuarat. Na dhunuan e na plaçkitën, na morën gjithçka.


Abc News: A ju kanë dhunuar seksualisht?

Viktima e dhunimit: Po…

Abc News:: Policët serbë?


Viktima e dhunimit: Po policët serbë dhe ata që kanë qenë më të njohur kanë patur maska në fytyrë. Ne i kemi njohur se kanë qenë të rrethit tonë aty, të rritur në Kosovë, ata kanë qenë me maska.

Abc News: Kjo ka ndodhur vazhdimisht gjatë gjithë atyre 5 ditëve?

Viktima e dhunimit: Po, ka ndodhur vazhdimisht.

Abc News: Ka ndodhur edhe në sy të fëmijëve?

Viktima e dhunimit: Po ka ndodhur edhe në sy të fëmijëve, në sy të prindërve por edhe në sy të burrave të grave.

Abc News: Pastaj ju kanë liruar?

Viktima e dhunimit: Pastaj na kanë liruar, por sepse tha dikush që të liroheshim. Ne në fakt na kishin marrë për të na ekzekutuar të gjithëve. I ndanë burrat prej grave. Aty u zhdukën 60 burra dhe nuk dihet asgjë për fatin e tyre, ndërsa ne na dëbuan në Shqipëri. Në fakt ishim duke menduar se po na çonin në varreza masive sepse nuk i kemi njohur ato rrugë, por kur kemi parë flamurin shqiptar, aty kemi kuptuar se po shkonim në Shqipëri.

Abc News: Pastaj kaluat kufirin?

Viktima e dhunimit: Po pastaj kaluam kufirin ndërsa gjatë gjithë rrugës u keqtrajtuam.

Abc News: A ke folur me dikë nga familja për këtë që ju ka ndodhur?

Viktima e dhunimit: PO , kam folur me burrin.

Abc News: Të ka mbështetur?


Viktima e dhunimit: Po më mbështeti.

Abc News: Burri nuk ka qenë me ty kur ju morën serbët?

Viktima e dhunimit: JO nuk ishte me mua. Ai ishte ushtar, e dinte se çfarë kishte ndodhur aty pasi kishte 3 vëllezërit dhe babain e tij aty.

Abc News: Besoj se ju shihni lajme, e shihni çfarë thotë Vuçiq edhe në Beograd? Po e mohojnë që kanë ndodhur krime lufte në Kosovë. Po mohojnë Reçakun dhe të tjerat.

Viktima e dhunimit: Vuçiq e ka të lehtë ta thotë i ulur në karrige. Ato gjëra nuk i mohon dot askush. Masakrat i kanë parë të gjithë, OSBE, e të tjerë, si duan ti mohojnë?

Abc News: Nëse ju që e keni vuajtur vetë dhunën seksuale gjatë luftës, nëse do e kishit Vuçiqin përballë çfarë do t’i thoshit?

Viktima e dhunimit: Nëse do e kisha përballë… nuk e di …për të folur diçka jo por mbase do i prisja kokën me brisk.. Edhe pse s’ka qenë personalisht ai vetë por duke e parë që bën gjithë këto manipulime, duke i mohuar të drejtat tona….Ne kemi qenë në vendin tonë, nuk kemi shkuar në Serbi, të shkelim të drejtat e tyre. Ajo që është bërë në Kosovë në asnjë luftë nuk bëhet.

Abc News: Si ka vazhduar jeta juaj pas kësaj?

Viktima e dhunimit: Shumë keq, pas dhunës seksuale mbeta shtatzënë dhe abortova, e abortova në mënyrë private jo te mjekët. Rrezikova jetën me këtë por falë zotit burri më ka mbështetur. Pastaj gjeta një organizatë dhe prej 2002 falë tyre, jam krejt tjetër njeri. Me gjithë rrethanat, thashetheme të njerëzve, të rrethit të afërt.. s’di çfarë të them, shumë e vështirë ka qenë. Po tani jam shumë mirë megjithëse më ka mbetur një lloj traume, sa herë përmendet, sa herë shohim lajmet, që nuk po bëhet asgjë, që kriminelët akoma janë të lirë…ndihemi keq.

Abc News: Ju i keni njohur një pjesë të atyre që ju dhunuan?

Viktima e dhunimit: Po, po i kemi njohur. Shumë njerëz i kanë njohur. Burrat kanë dhënë edhe dëshmi në Hagë, s’kanë marrë parasysh asgjë. Aty kanë qenë edhe burra të zhdukur…

Abc News: Nuk janë gjetur?

Viktima e dhunimit: JO, asnjë nuk është gjetur. Aty flitet edhe për një vajzë që është zhdukur. Ka patur edhe vende të tjera, është gjetur varri masiv afër shkollës aty me vajza. Asgjë nuk është bërë. Kemi bërë denoncime në Eulex dhe prapë se prapë Eulex dëshmitë tona i ka çuar në Serbi. Ne kemi pritur që Eulex të na mbështesë ndërsa ata mbështesin serbët. Këta kanë ardhur tek ne, me rrogat majme dhe përkrahin Serbinë.

ABC News: Krimet e luftës dhe dhunimet në veçanti, bëhen që ta mposhtin njeriun, megjithatë ju e keni vazhduar jetën, e keni gjetur forcën që ta vazhdosh jetën. Keni një familje shumë të bukur që të do dhe të respekton, pavarësisht nga çfarë ka ndodhur, të kanë mbështetur me të gjitha.

Viktima e dhunimit: Po më kanë mbështetur me të gjitha por kam vuajtur me shëndetin. Jam me diabet, me tension por të gjitha i tejkaloj për familjen, kam nipër e mbesa tani që ma mbushin plotë shtëpinë.

Abc News: D.m.th. ata nuk fituan mbi ty…

Viktima e dhunimit: JO, mua jo por shumica e grave shqiptare nuk kanë mundur të fitojnë. Ato akte u bënë për të mposhtur moralin e shqiptarëve e përballë kësaj më përpara do vdekjen. Tani jemi gjallë, mundemi të dëshmojmë. Urojmë të vijë koha që të kapën ata kriminelë, ata janë të lirë, fshihen në Malin e Zi, kanë bërë biznese.

Abc News: A keni një mesazh për gra dhe vajza që kanë përjetuar përvojën tuaj të dhimbshme?

Viktima e dhunimit: Po kam shumë mesazhe, të mos ngurojnë të flasin. Ne jemi shqiptare, jemi nëna, jemi motra bija të dikujt. Edhe familjarët duhet ti përkrahin, nëse nuk kanë mundur ti mbrojnë, atëherë duhet të thonë shyqyr që kanë shpëtuar gjallë. Ka qenë një dobësi shumë e madhe atë kohë, ka patur burra që i kanë lënë gratë dhe u kanë marrë fëmijët, ky ka qenë krim edhe më i madh. Si mund tja marrësh fëmijët një nëne dhe e hedh në rrugë?! Këta burra i kam dënuar. Ata nuk e dinë se në atë vend nuk mundesh të mbrohesh. Si ja merr fëmijët dhe e hedh në rrugë, ata e dinë se këto gra për ata fëmijë mbijetuan për ti mbrojtur. Këta lloj nuk janë burra, janë të dobët. Ka patur edhe vajza që kanë qenë të fejuara dhe kur janë dhunuar nga serbët, janë braktisur nga të fejuarit e tyre, këta lloj janë burreca dhe jo burra!

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)