2020-02-13

Boshko Jakshiq:Serbia të pranojë pavarësinë e Kosovës

Boshko Jakshiq: Nuk duhet lejuar rusët në tavolinën e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, sepse Rusia nuk do të zgjidhë asgjë

Boshko Jakshiq: 

Nuk duhet lejuar rusët në tavolinën e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, sepse Rusia nuk do të zgjidhë asgjë

Boshko Jakshiq, njëri prej analistëve politikë më të shquar të Ballkanit, ish-korrespondent në Kajro dhe Romë, i pari komentator që në gazetën “Politika” të Beogradit ka kërkuar Serbia të pranojë pavarësinë e Kosovës, në një intervistë dhënë portalit nga Zagrebi, “Novosti”, jep disa mendime e analiza të vlefshme për gjendjen në Ballkan, raportet mes Kosovës dhe Serbisë, ndikimin rus në Serbi, luhatjen e presidentit serb Aleksandar Vuçiq mes Moskës dhe Perëndimit dhe gjendjen e opozitës në Serbi.

Një përmbledhje e mendimeve të Boshko Jakshiqit në vijim:

1. Aleksandar Vuçiqi dhe partia e tij janë projekt i krijuar me përkrahjen e Perëndimit për t'i dhënë fund muhabetit për Kosovën. Por Perëndimi po e humb durimin me Vuçiqin.

2. Vuçiq ka një personalitet të dyzuar, ai balancon mes BE-së dhe Rusisë dhe shpesh më shumë ia mban anën Rusisë. I frikësohet Vladimir Putinit. Gëzohet si fëmijë kur futet në avionët luftarakë rusë që Kremlini ia ka dhuruar Serbisë.

3. Mesazhi rus ndaj Vuçiqit është ky: nëse nuk je me neve aq sa duam, ne mund ta destabilizojmë pushtetin.

4. Amerikanët janë kërcënuar me sanksione kundër Serbisë nëse ky vend vazhdon të blejë armë ruse.

5. Vuçiqi e ka sjellë Serbinë në pozicionin që të jetë vatra e fundit e fuqishme e ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor. Frika nga Putini i determinon veprimet e Vuçiqit.

6. Vuçiq luan herë andej, herë këndej, në fund atij askush nuk i beson.

7. Sa i përket Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiqit: duhet shumë më tepër presion nga Perëndimi. Serbët dhe shqiptarët kanë provuar gjithçka nëpër histori, por të jetojnë në paqe - këtë nuk e kanë provuar. Serbia duhet të pajtohet me pavarësinë e Kosovës, por duhet të fitojë diçka, për shembull investime në Serbi nga Perëndimi. (Jakshiq nuk përmend prekjen e kufijve. Kurti dhe Vuçiq, thotë Jakshiq, njihen si radikalë, andaj ndoshta e kanë më lehtë të merren vesh).

8. Marrëdhëniet në rajon kurrë nuk kanë qenë më të këqija, ndërsa Serbia është e vetmuar dhe - në një mënyrë - me të gjithë në konflikt.

9. Mirë që po afrohemi ngadalë realitetit sa i përket Kosovës. Para 10 vitesh Kosova ka qenë alfa dhe omega. Tash popullsia në Serbi merret me gjëra më normale - me xhepin e vet dhe përjetimet vlerore, jo me tokën e shenjtë hyjnore.

10. Anketat tregojnë se shumica e popullsisë në Serbi angazhohet për status quo sa i përket Kosovës, po ashtu edhe gjysma e opozitës. Ajo është kundër zgjidhjes vetëm që Vuçiqi të mos gëzojë imazhin e paqebërësit. Kjo është gabim, sepse kjo nuk është as punë personale, as partiake, por çështje shtetërore. Opozita serbe e percepton Kosovën si çip në pokerin politik, me këtë tregon mungesë të sensit për shtet.

11. Amerikanët mund të jenë më efikasë se BE për shkak se kanë më shumë ndikim në Prishtinë, por nëse Donald Trumpi heq dorë nga Ballkani, atëherë do të gjendemi në telashe të mëdha. Me rëndësi është që në formatin e ri të dialogut (mes Kosovës dhe Serbisë) të mos hyjnë rusët, sepse Rusia është garanci që asgjë nuk do të zgjidhet. Kosova është leva më e madhe e ndikimit rus në Serbi.

12. Kur të zgjidhet problemi i Kosovës, rusët nuk mund ta shantazhojnë Serbinë aq lehtë. Nuk bëhen ata merak që Beogradi e Prishtina tepër janë të barrikaduar në pozicionet e tyre. Në këtë situatë irracionale rreth Kosovës, ne dhe shqiptarët jemi pengje të retorikës së liderëve tanë.

13. Fatkeqësisht opozita serbe është shumë e keqe. Serbia nuk meriton një opozitë të tillë, e cila nuk përfaqëson kurrfarë alternative kredibile kundër Vuçiqit. Opozita e tanishme nuk ka aleat nga jashtë. As Amerika, as BE nuk e përkrahin bojkotimin e zgjedhjeve.

14. Gazeta "Informer" është promotor i urrejtjes së brendshme, rajonale dhe globale. Kjo gazetë është absolutisht nën kontrollin e Vuçiqit. Më shumë ka pasur media të lira në kohën e Sllobodan Millosheviiqt se tani në Serbi.

15. Boris Tadiqi, ish-presidenti serb, ka qenë i dëmshëm për politikën. Tadiq ka treguar se është politikisht naiv dhe i papjekur. Demokratët e Tadiqit e kanë prodhuar Vuçiqin dhe partinë e tij SNS. Përçarja e Partisë Radikale ka qenë projekt i Partisë Demokratike, dhe këtu nga jashtë ka ndihmuar BE, për këtë ka qenë e ngarkuar Franca. Realizuesi më i madh i kësaj ka qenë këshilltari për siguri i Tadiqit, Miki Rakiq. Por në laboratorin e tyre ata krijuan një Frankenshtajn, i cili i mposhti.

(E.R.)

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...