Koronavirusi, sëpata e rëndë e Partisë Komuniste Kineze mbi 400 zyrtarë
Sëpata e rëndë e Partisë Komuniste Kineze ka rënë mbi zyrtarët lokalë të cilët konsiderohen fajtorë për "mangësi serioze" dhe "menaxhim jo të kënaqshëm" përballë krizës së koronavirusit.
Sipas mediave lokale mbi 400 zyrtarë të niveleve të ndryshme janë pushuar nga puna apo janë ndëshkuar me sanksione të rënda.
Të dhënat e fundit të publikuara nga Komisioni Kinez i Shëndetit, flasin për 65 vdekje të reja, të gjitha në Hubei, numri më i lartë i viktimave në 24 orë që nga fillimi i krizës duke e çuar totalin e përgjithshëm të atyre që kanë humbur jetën në 493 teksa edhe infeksionet e reja të regjistruara gjithashtu janë rritur me 3887 njësi nga të cilat 3156 në provincën e Wuhan, për një total prej 24 560, 200 prej tyre jashtë Kinës.
Shkalla e rrezikshmërisë së kësaj epidemie dhe përhapja e saj është tepër e lartë, pasi rreth 4 mijë raste të reja të të prekurve nga virusi në botë janë konfirmuar në 24 orë.
Ndërkaq, autoriteti shëndetësor në provincën Hubei në Kinë bën me dije se 65 njerëz kanë ndërruar jetë nga koronavirusi në krahinë vetëm gjatë kësaj të marte, duke rritur numrin e vdekjeve në provincë në 479 viktima që nga fillimi i shpërthimit i epidemisë.
Tani, koronavirusi është përhapur në të gjithë krahinën, pasi edhe në dy qytete të tjera në Hubei, Huanggang dhe Xiaogan, janë raportuar mbi 1.000 raste dhe një numër vdekjesh.
Të tre qytetet:
Wuhan: 8.351 raste, përfshirë 362 vdekje
Huanggang: 1.645 raste, përfshirë 25 vdekje
Xiaogan: 1,462 raste, përfshirë 18 vdekje
Me përhapjen me ritme të shpejta të epidemisë, ekziston frika në rajon që Huanggang dhe Xiaogan mund të bëhen "Wuhan i ardhshëm" – kjo për shkak të faktit se ata kanë infrastrukturë më të dobët të shëndetit publik sesa Wuhan, i cili është një qendër kryesore urbane.
Rreth 3 mijë e 156 raste të reja të virusit janë konfirmuar në Hubei, provincë ku jetojnë më shumë se 50 milion njerëz. Një gjë e tillë, çon në 16 mijë e 678 numrin e përgjithshëm të rasteve në epiqendrën e shpërthimit. Autoritetet shëndetësore kineze theksojnë se janë gjithsej 12 mijë e 627 pacientë të shtruar në spital në Hubei, 771 prej të cilëve janë në gjendje kritike.
Koronavirusi ndan nënën infermiere nga fëmija, përqafim mes lotësh në distancë
Ky është momenti i dhimbshëm i përqafimit në distancë mes një infermiere që merret me trajtimin e pacientëve të prekur nga koronavirusi në spitalin e Henan dhe vajzës së saj, pasi autoritetet kanë urdhëruar të mos ketë asnjë kontakt fizik mes stafit mjekësorë dhe të tjerëve jashtë spitalit
Në video Shiwen i thotë të ëmës sa shumë i mungon dhe hap krahët për t’i dhënë një përqafim, ndërsa i kërkon që të “kthehet sa më shpejt në shtëpi”.