JUSUF BYTYÇI
Në komunën e Malishevës, gjatë viteve të pas luftës, tash e 20 vite, qeverisjet komunale, pos mirënjohjeve për ndonjë kontribut eventual, ndanë edhe Çmime tradicionale për çdo vit, shënim të përvjetorit festiv të Çlirimit. Janë ndarë çmime për trimëri e heroizëm, për kontribut në Arsim, dhe Shëndetësi! Ndër laureatë, kishte emra të respektuar, më pak meritorë, por edhe të atillë që kanë befasuar për të keq, të atillë, që madje ishin shquar për aktivitet dëmtues të interesit kombëtar, dhe si aktivistë të Gazimestanit famëkeq 1989!
Dhe çuditërisht, në institucionet qeverisëse, ishin marrë për kuadro edhe vizitorët e Gazimestanit famëkeq. U sistemuan në segmente të rëndësishme apo u avancuan në pozita njerëzit që kishin qenë pjesëmarrës të Gazimestanit, vendit të shenjtë të lavdërimeve Millosheviqiane, në vitin kur Serbia kishte rrënuar-suprimuar me dhunë të drejtat kushtetuese të Kosovës dhe popullit me shumicë absolute shqiptare! Dhe në aktivitete të ndryshme, përvjetorë të të rënëve, ne prapë ndeshemi me fjalime megalomane, lavdërime të tepërta, me vlerësime tepër bajate, vetëlavderime dhe ndarje mirënjohjesh për “merita” e “merita”! Edhe nga mediet, personalizohen meritat e njerëzve politikë, ish-komandantë të luftës, të cilët edhe vetëlavdërohen për “vizionin” e tyre edhe para 30 viteve, kur askush s’i njihte! Por vetëlavdërimi individual pa përmendur as edhe një emër shoku apo veprimtari, si më 30 janar 2020, në rrëfime retrospektivë për masakrën e forcave policore dhe ushtarake të ish-Jugisllavisë më 30 janar 1990 në Malishevë, edhe për ceremoninë e varrimit të martirëve, Ali D. Kryeziu, nga Bubaveci, e Hysni Avdullah Mzreku, nga Malisheva, dukej qartë se s’kishte të bënte me vertetësi! Jo vetëm vetëlavderimet pompoze, por edhe lavdërimet e tepërta, pavarësisht nga meritat, edhe mirënjohjet miqësore e të jaranisë, janë njëjtë, të dëmshme! Janë po aq të dëmshme, sa edhe barazimi i ish-ushtarit, luftëtarit të dalluar në luftë dhe dëshmorit të rënë në beteja, me tucat, dezertorët, matrapazët dhe ata që u vranë në rrethana të çuditshme në zonat e lira dhe për qëllime të caktuara. As presidenti i vendit, nuk ka arsye që t’ju ndajë çmime, dekorata e tituj, atyre që nuk kanë biografi të pastër dhe histori të saktë për kontribut, qoftë para apo pas luftës Çlirimtare! Nuk ka logjikë të barazohen dëshmorët dhe heronjtë, me jo dëshmorë, me jo heronj, dezertorë dhe persona tepër kontraverz! Barazimi i figurave-personaliteteve të shquara, me ata që nuk ishin absolutisht në linjë të drejtë me popullin dhe interesat e shtetit të Kosovës, zbeh thellë edhe çmimet!
Çdo përpjekje për histori falso e gënjeshtrash, do të na dëmtojë si popull, si shoqëri dhe si institucione!