2020-02-13

Disa vende të NATO-së nuk dëshirojnë të dërgojnë ushtarë në rast të konfliktit me Rusinë




Cilat vende të NATO-s nuk duan të dërgojnë ushtarë në rast të konfliktit me Rusinë dhe cilët janë popujt më rusofilë


Shumica e qytetarëve të vendeve anëtare të NATO-s e shohin aleancën veriatlantike pozitivisht, këtë e tregojnë rezultatet e një ankete të institutit të famshëm amerikan “Pew Research Center” të publikuara sot. Por shumica e qytetarëve nuk duan të dërgojnë ushtarë në rast të konfliktit me Rusinë. Përballë rrezikut shumica shpresojnë se do të ndërhyjë Amerika. Në Gjermani vetëm çdo i treti qytetar është i gatshëm të dërgojë ushtarë, ndërsa në Holandë 64 për qind, në SHBA 60 për qind, në Britaninë e Madhe 55 për qind. Gjermanët dhe bullgarët, sipas anketës, janë më rusofilët brenda NATO-s.

NATO është themeluar më 1949 si aleancë mbrojtëse. Që nga atëherë NATO ka arritur të mbrojë Europën nga rreziku që i kanosej gjatë ekzistencës së Bashkimit Sovjetik.

Në vitin 1995 NATO sulmoi pozicionet e forcave serbe në Bosnjë, më 1999 për 78 ditë me radhë avionë të NATO-s, kryesisht amerikanë, sulmuan Serbinë me qëllim që të ndërpresin përpjekjen për gjenocid të regjimit të Beogradit në Kosovë.

Pas sulmeve të terroristëve islamikë kundër SHBA-ve më 11 shtator 2001, NATO aplikoi nenin 5 të Marrëveshjes së Washingtonit, i cili thotë se nëse një shtet sulmohet, atëherë vendet e tjera anëtare janë të obliguara t’i dalin në ndihmë. Pas aneksimit të Krimesë nga Rusia më 2014 NATO ka dërguar në Poloni dhe në vendet baltike 5000 ushtarë.

Tani instituti i famshëm amerikan “Pew Research Center” ka publikuar rezultatet e një ankete në 16 vende anëtare të NATO-s për të kuptuar disponimin e qytetarëve ndaj aleancës veriatlantike.

Një rezultat është pozitiv: shumica e qytetarëve të vendeve të NATO-s e shohin aleancën pozitivisht. Rezultati tjetër është mjaft shqetësues: shumë qytetarë të vendeve anëtare nuk janë të gatshëm të dërgojnë ushtarë në rast të konfrontimit me Rusinë dhe shpresojnë se këtë punë do ta kryejë Amerika.

Më konkretisht: 53 për qind kanë mendim pozitiv për NATO-n, 27 për qind kanë mendim negativ. Përkrahjen më të madhe NATO e gëzon në Poloni (82 për qind) dhe në Lituani (77 për qind). Në Turqi çdo i pesti ka mendim të mirë për NATO-n, në Greqi çdo i treti. Në Gjermani, siç shkruan “Süddeutsche Zeitung”, NATO-n e vlerësojnë 57 për qind e të anketuarve, ndërsa 33 për qind kanë mendim negativ. Në vitin 2007, sipas “Pew Research Center”, 73 për qind e gjermanëve kanë pasur mendim pozitiv për NATO-n. Përkrahja ndaj NATO-s ka rënë dukshëm me ardhjen e Donald Trumpit në pushtet. Kryetari amerikan disa herë e ka kritikuar Gjermaninë se ndan pak para për buxhetin e NATO-s.

Në pyetjen nëse në rast të një konflikti serioz mes Rusisë dhe një partneri të NATO-s do të ishin të gatshëm që vendi i tyre të ishte aktiv, vetëm në 5 vende ka përgjigje pozitive: Holandë (64 për qind), SHBA (60), Kanada (56, Britani e Madhe (55) dhe Lituani (51). Në Gjermani çdo i treti e përkrahë këtë opsion.

Tre nga pesë gjermanë janë kundër. 60 për qind e qytetarëve të 16 vendeve anëtare të NATO-s janë të bindur se në rast rreziku SHBA-të do të ndërhynin me forcat e tyre ushtarake.

“Pew Research Center” u interesua nëse europianët e anketuar më shumë duan marrëdhënie të ngushta me Amerikën apo me Rusinë. 25 për qind e gjermanëve duan një partneritet të ngushtë me Moskën.

Vetëm bullgarët janë më rusofilë, shkruan “Süddeutsche Zeitung” në numrin e sotëm. 30 për qind duan raporte ngjashëm të mira me Moskën dhe Washingtonin, ndërsa 39 për qind preferojnë SHBA-të.

Bie në sy dallimi i Gjermanisë me shtetet e tjera sa i përket qëndrimit ndaj Amerikës. Në Francë, e cila tradicionalisht konsiderohet si e distancuar apo skeptike ndaj Amerikës, 60 për qind e të anketuarve e preferojnë Amerikën si aleat. Në Spanjë janë 73 për qind.

“Pew Research Center” ka zhvilluar anketën edhe në Suedi, ndonëse ky vend nuk është anëtar i NATO-s. 71 e suedezëve të anketuar duan ta kenë Amerikën aleat kryesor. Në Holandë 82 për qind insistojnë në aleancë me Amerikën, në Britaninë e Madhe 83 për qind.

Kjo përqindje e lartë ka disa arsye: pas rrëzimit të avionit të Malaysia Airlines mbi Ukrainë (me gjasë nga forcat proruse) holandezët e shohin Rusinë me sy shumë kritik. Avioni i Malaysia Airlines po fluturonte nga Amsterdami në Kuala Lumpur, shumë viktima qenë nga Holanda. Britanikët janë kritikë ndaj Rusisë për shkak të dyshimeve se shërbimi sekret rus ka mbytur me helm kritikë të Kremlinit që jetojnë në Britaninë e Madhe. Edhe një rezultat nga Amerika i “Pew Research Center”: 61 për qind e demokratëve mendojnë pozitivisht për NATO-n, te republikanët vetëm 45 për qind.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...