Visar Zhiti, lindur më 2 dhjetor 1952 në Durrës është shkrimtar shqiptar,është bir i aktorit dhe poetit Hekuran Zhiti (1911-1989). Visar Zhiti u rrit në Lushnjë, ku ai përfundoi shkollën e mesme në vitin 1970. Pas përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër (sot Universiteti Luigj Gurakuqi), ai filloi karrierën e tij të mësimdhënies në qytetin malor verior të Kukësit, duke demonstruar një interes në fillim në vjersha, disa nga të cilat u botuan në revistat letrare.
Në 1973, ai përgatiti për botim një përmbledhje, "Rapsodia e jetës së trëdafilave". Ishte koha e Plenumit të 4-t të KQ të Partisë së Punës (Partia Komuniste)në të cilin diktatori komunist Enver Hoxha filloi një fushatë të egër kundër të rinjve që pëlqenin kulturën perëndimore. Babai i Zhitit kishte patur më parë një konflikt me autoritetet, dhe poeti i ri papritmas u bë një nga viktimat politike të diktaturës për të frikësur intelektualët shqiptarë. Dorëshkrimi i përmbledhjes së tij të përmendur më sipër, që kishte qenë dorëzuar për botim në shtëpinë botuese Naim Frashëri, u konsiderua si një krijim me gabime të rënda ideologjike dhe që nxinte realitetin socialist. Ai u arrestua më datë 8 nëntor, 1979 në Kukës. Mbasi u dënua në një gjyq qesharak në prill të vitit 1980 me trembëdhjetë vjet burg, ai u dërgua në burgun e Tiranës dhe më vonë transferohet në burgun famëkeq të Spaçit. Shumë nga të burgosurit që ishin me të në burg vdiqën nga keqtrajtimet, torturat dhe kequshqyerja ose pësuan çrregullime mendore.
Ai u lirua nga burgu në fillim të vitit 1987 dhe u "lejua" nga pushteti komunist për të punuar në një fabrikë të prodhimit të tullave në Lushnjë. Mbas rënies së diktaturës komuniste në vitin 1991, ai arriti të shkojë në Itali ku punuoi në Milano deri në 1992. Përmes një burse studimi nga Fondacioni Heinrich Boll, Zhiti shkoi në Gjermani në vitin 1993 dhe vitin e ardhshëm shkoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pas kthimit të tij në Shqipëri, ai punoi si gazetar dhe u emërua kreu i ndërmarrjes botuese e cila kishte planifikuar të botonte librin e tij të parë. Ai ka qenë i punësuar më vonë nga shërbimet administrative të parlamentit të ri shqiptar dhe në 1996 u zgjodh vetë në parlament. Mbas Realiteteve të zymta të politikës shqiptare, ai u tërhoq nga politika. Në vitin 1997 ai u emërua atashe kulturor në ambasadën shqiptare në Romë, ku ai qëndroi deri në vitin 1999.
Veprimtaria Krijuese
Libri i tij i parë me poezi, "Kujtesa e ajrit" u botua në Tiranë në vitin 1993, i cili përfshnte disa poezi nga burgu. "Hedh njė kafkë te këmbët tuaja" u botua vitin e ardhshëm. Ky vëllim përmbante të gjitha 100 poezitë të krijuara në burg në mes 1979 dhe 1987, të cilat kishin mbijetuar vetëm në kujtesën e tij. Vëllime të shumta pasuan, dhe ai është i njohur tani si një prej poetëve të mëdhenj shqiptare të shekullit të 20-të. Ai ka shkruar edhe shumë tregime të shkurtëra, të mbledhura në dy vëllime, dhe ka përkthyer në gjuhën shqipe vepra nga Garcia Lorka dhe poeti italian Mario Luzi. Kujtimet e tij nga burgu, "Rrugët e ferrit: burgologji" u botuan në Tiranë në vitin 2001. Në vitin 1991 atij iu dha çmimi italian për poezi "Leopardi d'oro" (Leopardi i artë), dhe në 1997 ai mori çmimin prestigjioz "Ada Negri".
Libra me poezi:
Kujtesa e ajrit (Tiranë: Lidhja e shkrimtarëve, 1993)
Koha e krisur (1993)
Hedh njė kafkë te këmbët tuaja (Tiranë: Shtëpia Botuese Naim Frashëri, 1994)
Mbjellja e vetëtimave (Shkup: Flaka e vëllazërimit, 1994)
Koha e krisur (1993)
Dyert e gjalla (Tiranë: Eurorilindja, 1995)
Kohë e vrarë në sy (Prishtinë: Rilindja, 1997)
Si shkohet në Kosovë (Tiranë: Toena, 2000)
Rruget e ferrit: burgologji(2001)
Ka shkruajtur edhe Pazari I Kepucarit. Përkthyer në Gjuhën Agleze:
Condemned Apple (Molla e dënuar): Poezi të zgjedhura, përkthyer nga Robert Elsie (Los Angeles: Green Integer, 2005).
Floripress:Flori Bruqi
------------------------------------------
DËSHMIA SIPËRANE E POETIT
Prof.dr.Agim Vinca,Prishtinë
(Burgologjia e Visar Zhitit në dy libra autobiografikë)
E arrestuan më 8 nëntor 1979, në ditë feste, ditën e themelimit të PKSH-së së famshme, që ndërkohë e kishte ndërruar emrin e saj në PPSH, ndërsa po pinte kafe me një mikun e tij piktor në barin e hotelit të vetëm të qytetit të Kukësit, ku kishte zbritur nga fshati në të cilin punonte mësues, edukonte vogëlushët, bij të fshatarëve të varfër. Papritmas, si në ndonjë film absurd, në jetën e tij u shfaqën operativi i zonës, gazi i degës, prangat… Pasuan shtatë vjet burg (1979-1987), marrjet në pyetje ditën e natën, natën sidomos, vetmia, muret qikllopike të qelisë, vargjet e para të krijuara me mend, si një dorë e zgjatur nga providenca, pastaj dalja në gjyq, salla, publiku, dëshmitarët, kryesisht të rremë, trupi gjykues, një karikaturë, shqiptimi i dënimit me dhjetë vjet burg, vuajtja e dënimit në Spaç, puna e rëndë në minierë, ku kurrë nuk dihej a dilje i gjallë, ajo punë e tmerrshme e sfilitëse në një vend pa ajër, ku poeti i ri shtynte vagonët me qymyrgur dhe imagjinonte vargje, figura, metafora…për jetën, dashurinë, lumturinë, vdekjen, përjetësinë; edhe për marrëzinë e diktatorëve e të diktaturave, të sistemeve politike që cenojnë lirinë e njeriut, që e mbikëqyrin dhe kufizojnë atë në çdo hap, ashtu si Big Bradhëri famoz i Oruellit dhe Cjapi hamshor i Vargas Ljosës dhe sekretari i parë i PPSH-së i Trebeshinës, Arbnorit, Zhitit vetë, edhe i Kadaresë, në periudhën “post”, por jo më parë dhe i sa e sa të tjerëve; edhe Tito e Rankoviqi, ky i dyti sidomos, i Adem Demaçit, Rexhep Qosjes, Ramiz Kelmendit e ndonjë prozatori tjetër këtu në Kosovë, ku poezia, për çudi, ka lënë më shumë dëshmi se proza për kohën kur njerëzit detyroheshin ta varnin veten në litar për pushkën që s’e kishin (aksioni famëkeq i mbledhjes së armëve, 1956) dhe të tjerat që erdhën më pas…
Mësues në një fshat të humbur të Kukësit, jo larg Kosovës, tek e kishte caktuar Partia që t’i shërbente atdheut, djaloshi nga Lushnja e Myzeqesë, i pashëm, inteligjent e përplot ëndrra, pa i mbushur ende 27 vjet, aq sa ishte Migjeni kur vdiq, filloi kalvarin e vuajtjeve: vetmi, hetim, gjyq, policë, burg, punë e detyrueshme në minierë, por edhe qëndresë e miqësi e kalitur në ato kushte, solidaritet, motive që do të bëhen frymëzim i krijimtarisë së tij të frytshme letrare, në poezi e prozë, përfshirë edhe dy librat që po paraqesim sot: Rrugët e ferrit dhe Ferri i çarë.
Fjala është për dy libra të vëllimshëm, që së bashku kanë mbi një mijë faqe tekst, në këtë version të plotësuar nga autori pas botimit të versionit të parë vite më parë.
Vetë autori i quan këto vepra “romane me personazhe reale e ngjarje të vërteta”, ku ai vetë është kryepersonazh, çka do të thotë se ato janë vepra me karakter dokumentar. Por, këto dy vepra të Zhitit janë në të vërtetë vepra me strukturë të përzier, mikste: poezi, prozë, ese, skica, parabola, thënie, memoare, publicistikë, me një fjalë ars combinatoria.
Të shtojmë sakaq se letërsia e kohës sonë, proza sidomos, priret gjithnjë e më shumë kah ky prosede. Dostojevski thoshte: “S’ka gjë më fantastike se realiteti”, kurse Borhesi shton se shkrimtarit i duhet fantazia për ta përdorur citatin e jo për të trilluar situata.
Situatat për të cilat flet Visar Zhiti, atij ia ofroi jeta, përvoja e hidhur jetësore, kurse personazhet nuk pati nevojë t’i trillonte: ato i njohu në burgun e Spaçit e të Qafë-Barit, në ferrin nëntërrathësh, sa ferri i Dantes, por që, për shumëçka, ia kalonte të parit.
Visar Zhiti është krijues që u dënua me burg për shkak të poezisë. Kjo dihet tashmë nga të gjithë. Në parathënien e librit Hedh një kafkë te këmbët tuaja (1994) ai shkruan se poezia qe lavirja që e denoncoi dhe e flaku në qeli, por edhe shpëtimtarja që e shpëtoi nga tmerri, ankthi, absurdi dhe vetmia.
Po përse? Ç’faj kishte bërë?
Në kohën kur kërkohej të shkruhej për partinë dhe socializmin, Visar Zhiti shkruante për trëndafilat! Kur duhej të këndonte për fitoret e së resë, të revolucionit, që shembte çdo gjë të vjetër, tempujt, zakonet, moralin, kujtimet, ai këndonte për trëndafilat e jo për minat! Një pararendës i tij, yni, në kapërcyell të viteve ‘50-‘60, duke goditur poezinë e asfiksuar sentimentale, pat shkruar dhe botuar vargjet: “Poet është ai që me dorën e fortë/ Ashtu, siç këput një trëndafil në lëndinë,/ Mund të zbërthejë pranë trëndafilit/ Edhe një minë”.
Poeti, pra, sipas autorit të vargjeve të mësipërme, që në atë kohë i printe procesit të rinovimit të poezisë shqipe të kohës, duhej t’i bënte bashkë minat dhe trëndafilat ose shpatën dhe karanfilat, siç do të shprehej, në një kontekst tjetër, poeti i shquar spanjoll Rafael Alberti, i arratisur në botë nga diktatura e Frankos.
“Poet është ai që /(…) Mund të zbërthejë pranë trëndafilit/ Edhe një minë” – shkruante Ismail Kadareja i ri në vitin 1960.
Në kohën kur po dilte në skenë Visar Zhiti dhe brezi i tij, në vitet ‘70, ishte kapërcyer ky mentalitet. Diktatura ishte forcuar e konsoliduar dhe për shumëçka ishte bërë më e egër, paranojake, madje. Djalosh plot ëndrra e ideale, student letërsie në Shkodër, inteligjent, i pashëm, flokëkaçurrel, si babai i tij dikur, Zhiti i ri kishte dorëzuar për botim në shtëpinë e vetme botuese, që mbante emrin e poetit kombëtar “Naim Frashëri”, librin e tij me poezi Rapsodia e jetës së trëndafilave, në prag të Plenumit IV famëkeq, që u shpalli luftë të egër, të pakompromis, ndikimeve të huaja e liberale në letërsi dhe arte.
Pa kaluar shumë kohë libri i tij me poezi, herë-herë mbase edhe naive, tok me një ditar rinor, do të përfundonin në dosjet e Sigurimit Shtetëror, kurse autori i tyre fatkeq, që e rëndonte, veç të tjerash, edhe biografia e keqe, prapa grilave.
Burgu është burg kudo në botë, por burgjet komuniste ishin një ferr i vërtetë. Kjo është njëra anë e medaljes, ajo e keqja, e errëta. Pse, a thua mund të ketë burgu edhe anë tjetër, të mirë, të shndritshme? Natyrisht që jo. Por nga dy librat e Zhitit del se ato (burgjet shqiptare) ishin edhe shkollë e universitet: aq shumë njerëz të ditur e të talentuar kishte në to sa njeriu thjesht habitet me bisedat që zhvillojnë dhe mendimet që shfaqin ata për probleme shoqërore, politike, filozofike, estetike, letrare, fetare e të tjera, me një fjalë për jetën në përgjithësi. Në to ka spiunë, kriminelë, aventurierë, degjenerikë, por edhe krijues, dijetarë, klerikë, shpikës, novatorë, fantastë, shkencëtarë, ish-politikanë e ish-diplomatë. Ka shumë portrete njerëzish në këta dy libra, banorë të ferrit, sikurse autori i tyre; portrete të gdhendura me mjeshtri si në mermer, herë-herë me pak penelata, por përplot ngrohtësi, çiltërsi, humanitet. Shkrimtari Halil Laze, këngëtari Sherif Merdani, gazetarët Vangjel Nezho e Fadil Kokomani dhe martiri tjetër i kësaj tresheje, Xhelal Koprencka; kleriku Sabri Koçi, poeti Zyhdi Morava, piktori i talentuar me nënë ruse, Valeri; inxhinier Farka, i quajtur Fausti; i biri i ish-ministrit të tregtisë, Lenc Ngjela etj. Tepër e dashur dhe njerëzore figura e Bajos, çamit që i bëhet engjëll roje në burg poetit të padjallëzuar. Me dashuri të rrallë vizaton figurat e familjarëve të vet, veçanërisht të nënës, “perëndeshës së mbrojtjes”, por edhe të babait, Hekuran Zhitit, poet dhe ai, të cilin i biri kur del nga burgu e gjen të verbër . Në libër, në të dy librat, flitet edhe për ata jashtë burgut, sidomos për shkrimtarët si I. Kadare, D. Agolli, F. Arapi, Xh. Spahiu, F. Haliti, F. Reshpja, N. Gjetja, B. Shehu, R. Marku etj. Shfaqen mendime e gjykime me interes për veprën e tyre, për jetën letrare në kryeqytet, për raportin e elitës intelektuale me pushtetarët dhe me kolegët etj.
Faqe të tëra të këtyre veprave, skena e dialogë, t’i kujtojnë filmat horror. I tillë është rrëfimi tronditës për thyerjen e qëllimshme të gjymtyrëve të trupit nga ana e të burgosurve për t’i shpëtuar torturës së punës sfilitëse në kampet e burgut.
Zhiti end pëlhurën e quajtur tekst letrar me aftësinë e njeriut që i vë në veprim të gjitha shqisat: sheh, dëgjon, ndien, prek, vëren, regjistron, gjykon, duke i lidhur ngjarjet, pamjet, faktet, hollësitë me perin e trillit artistik. Ngjarje të vërteta, personazhe reale, vëzhgim i hollë, fantazi trallisëse. Ky është prosedeu i tij krijues. Po a s’kanë bërë kështu, më në fund, edhe Balzaku e Dostojevski, Andre Zhidi e Oskar Uajldi, për të mos u shtyrë më tej në kohë, gjer te Rableja e Servantesi? Dhe a s’bëjnë kështu, në kohën tonë, kush më shumë e kush më pak, edhe Ismail Kadareja e Rexhep Qosja (mjaftojnë të kujtojmë romanet e tyre të viteve të fundit: Darka e gabuar dhe E penguara të të parit dhe Një dashuri e shtatë faje dhe Bijtë e askujt të të dytit, që mbështeten fuqimisht mbi ngjarje reale dhe prototipa, që, shumë herë, nuk është vështirë të identifikohen nga bashkëkohësit). Edhe Adem Demaçi e Fatos Lubonja ecin në këtë linjë, pa harruar kolosët e realizmit magjik hispanoamerikan: Sabato e Markesi, Asturiasi e Mario Vargas Ljosa? Mjafton të lexohet romani i jashtëzakonshëm i këtij të fundit, Festa e cjapit, i përkthyer edhe në gjuhën shqipe, për të parë se si shkruhet për diktaturat e diktatorët, se si zhvishen ato deri në palcë, por edhe për të parë, kuptuar e kujtuar se jo vetëm ne shqiptarët dhe në këtë rast e kam fjalën për vëllezërit tanë të Shqipërisë shtetërore, kemi parë, kaluar e përjetuar një diktaturë, e cila duke na ndenjur si fantomë mbi krye, por mbase edhe si njëfarë alibie, ka rrezik të na rrezikojë edhe të ardhmen, ashtu siç po na e rrezikon!
Bota ka njohur shumë diktatura dhe vazhdon të njohë, madje, edhe në ditët e sotme.
Prej këtyre dy librave të Visar Zhitit mësojmë si ta njohim më mirë të kaluarën tonë dhe si ta trasojmë rrugën drejt të ardhmes. Këta dy libra mund t’u shërbejnë si nxitje dhe si model ish-të burgosurve politikë të Kosovës, sidomos kur qëllon të jenë shkrimtarë, për të lënë dëshmi autentike, por edhe artistike, për tmerrin që kanë përjetuar ata në burgjet jugosllave; për torturat e tmerrshme të UDB-së, për gjyqet shumë herë butaforike, për regjimin e rreptë të burgjeve të Jugosllavisë liberale, ku, siç dëshmon shkrimtari i njohur kroat Vlado Gotovac, mund të shkruaje vetëm në nevojtore!
Janë botuar jo pak libra nga ish-të burgosurit tanë politikë, përfshirë edhe ato të veprimtarit dhe shkrimtarit të shquar Adem Demaçi (në dy-tre romanet e tij të viteve të fundit, “Baca” flet për burgimet e tij dhe përballjen me pushtetin), por, mjerisht, mund të thuhet se ne në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare këndej kufirit nuk kemi libra të tillë, të këtij niveli artistik dhe të kësaj gjerësie observuese, me kaq fate tronditëse njerëzish, pa harruar as gjuhën dhe stilin rrëzëllues të shkrimtarit, një veçori dalluese e të cilit është eksperimenti gjuhësor, loja me fjalë, që ky autor e luan si rrallëkush tjetër, duke aktivizuar jo rrallë kllapat, tri pikat dhe shenjat e tjera grafike. Fjalori, shprehja dhe figuracioni i pasur janë plotësisht në harmoni me përmbajtjen e veprës: rrëfimin për burgjet e regjimit komunist shqiptar, nëpër të cilat kaluan dy-tre breza njerëzorë, duke filluar nga fundi i vitit 1944, kur Shqipëria u çlirua nga pushtimi nazist, e deri në mbarim të vitit 1990, kur ra sistemi komunist.
Dy veprat e tij, që flasin gjerësisht për këtë kalvar, Rrugët e ferrit dhe Ferri i çarë, duke regjistruar pothuajse gjithçka, deri edhe hollësitë më të imëta, Visar Zhiti i quan “burgologji”. Nuk e dimë në e shpiku vetë këtë fjalë, por duhej shpikur dhe vënë në përdorim gjithsesi ajo në letrat shqipe: fjala burgologji. Burgologji dhe ferr! “Burgologjia ime për Spaçin dhe më parë” dhe “Burgologjia ime për Qafë-Barin dhe më pas”, janë nëntitujt e veprave në fjalë.
Visar Zhiti është mjeshtër i fjalës. Dhe kur themi kështu kujtoj se i kemi thënë të gjitha.
Edhe pse natyrë skofiare si njeri, ai e zotëron për mrekulli gjuhën e ironisë. Në tekstin e tij bashkëjetojnë “grotesku dhe meditimi serioz”, patetizmi dhe tmerri, sublimja dhe banaliteti. Siç është vërejtur edhe nga të huajt, kurdo që vepra e tij është përkthyer në gjuhë të tjera, Zhiti është autor që të përvetëson, mbi të gjitha, “me fisnikërinë e ndjenjave dhe me aftësinë e të shprehurit lehtë dhe fuqishëm”.
Si studiues i letërsisë shqipe nuk mund të mos shprehi me këtë rast një mendim timin për specifikat në të cilat u zhvillua kjo letërsi pas Luftës së Dytë Botërore, veçanërisht në Shqipërinë shtetërore.
Fjala është për ekspertizën si fenomen, që nuk njihet në letërsitë e krijuara në kushte pak a shumë normale, madje as në letërsinë shqipe të krijuar në Kosovë, së paku jo në këtë masë. Dorëshkrimit me poezi të Visar Zhitit, për të cilin ai ra në burg, iu bë ekspertiza nga dy njerëz, anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe redaktorë në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, të cilët e vlerësuan si vepër armiqësore. Ekziston dokumenti lidhur me këtë, akt-ekspertiza, e përfshirë në libër, ashtu siç ekziston një dokument i tillë edhe për poezinë Saharaja të poetit nga Librazhdi Vilson Blloshmi, të pushkatuar bashkë me shokun e tij, Genc Leka.
Regjimi diktatorial shqiptar e arrestoi, e burgosi, e dënoi dhe e mbajti në burg Visar Zhitin dhe sa e sa të tjerë, poetë, intelektualë, shkrimtarë, artistë, të dënuar me nenin famëkeq 55 për agjitacion e propagandë, por, duke e dënuar atë dhe të tjerët si ai, e dënoi veten. Çdo dënim i njerëzve të penës, faj i vetëm i të cilëve është mospajtimi me dhunën mbi mendimin e lirë dhe integritetin fizik e moral të njeriut, shndërrohet, herët a vonë, në bumerang. Poeti i talentuar Visar Zhiti, që jo më pak i suksesshëm po tregohet edhe në prozë, po i hakmerret atij regjimi dhe asaj kohe në mënyrën e vet, duke ia bërë autopsinë me penë si ndonjë kirurg i vërtetë kufomës me skalpel, me librat e tij të shumtë dhe posaçërisht me këta dy libra kapitalë, Rrugët e ferrit dhe Ferri i çarë, për të cilët u përpoqëm të themi ndonjë fjalë.
(Fjalë e mbajtur në përurimin e dy librave të Visar Zhitit: Rrugët e ferrit dhe Ferri i çarë, në Panairin e Librit në Prishtinë, më 6 qershor të këtij viti).