2012-06-27

Veprat dytësore të shekullit të shtatëmbëdhjetë





Vepra të tjera të letrave shqiptare janë të pakta e të rralla, larg njëra-tjetrës, si palma që shfaqen aty-këtu në horizontin e një shkretëtire letrare. Asnjëra syresh nuk ka ndonjë vlerë të veçantë letrare, edhe pse, në këtë periudhë, çfarëdo shkrimi në gjuhën shqipe mund të marrë rëndësi kulturore, gjuhësore e historike.
Për qenien e një numri veprash në gjuhën shqipe në shekullin e shtatëmbëdhjetë dihet vetëm ngaqë përmenden ose prej autorëve të tyre ose nga studiues të mëvonshëm. Më sipër zumë në gojë, për shembull, dy përkthimet fetare që Frang Bardhi njofton se i ka bërë dhe gramatikën latinisht-shqip të Ndre Bogdanit, ungji i Pjetër Bogdanit.

Një përkthim tjetër fetar në shqipe ishte ai i Neofit Rodinosë (Neofito Rodinò, 1576-1659), misionar qipriot. Rodinoja ka kaluar disa vjet në ngulimet arbëreshe në Italinë jugore, përfshirë Munxifs (ital. Mezzoiuso) në Sicili dhe Barill (ital. Barile) në Potenzë. Nga 1628 deri më 1643 ai jetoi dhe punoi në krahinën e Himarës në Shqipërinë jugore. Bashkë me studentin e tij Dhimitër Delvina (Demetrio Dervino), prift shqiptar, ai përktheu shqip një Doktrinë të Krishterë për përdorim fetar. Origjinali ndoshta ka qenë ai i Jakob Ledesmës(35), i përkthyer më

__________________________________________________ _________________

35 kr. Shuteriqi 1976, f. 74.
__________________________________________________ _________________


parë nga Lekë Matrënga. Në letrën dërguar Propaganda Fides më 28 gusht 1637, Rodinoja shkruante:

"Tra alcuni scolari mei che tengo, vi è un sacerdote detto Demetrio, il quale possede elegantissimamente la lingua albanese per esser della nation, et è catholico vero; perciò mi sono posto a tradur la dottrina christiana, quella che è contenuta in soli duoi fogli, in questa lingua, la qual spero in Iesu Christo sarà di utilità apreso loro. Con altra occasione, e spero presto, la manderò, perchè ancora non è finita, pregando a Vostra Signoria Illustrissima la proponga alla Sagra Congregatione, acciò dii ordine che si stampi."

(Ndër studentët e tjerë që kam është një prift me emrin Dhimitër, që e di gjuhën shqipe në mënyrë shumë të zhdërvjelltë, meqenëse është i atij kombi dhe katolik i vërtetë; për këtë arsye, i hyra përkthimit të Doktrinës së Krishterë, që jepet në këtë gjuhë vetëm në dy vëllime e që besoj në Jezu Krishtin se do t'u vlejë atyre. Do t'ua dërgoj më vonë, shpresoj së shpejti, meqë ende nuk e kam përfunduar, me lutje Shkëlqesive Tuaja që t'ia propozoni Kongregacionit të Shenjtë në mënyrë që të japin urdhrin për ta botuar.)(36)

Por Kongregacioni i Shenjtë i Propaganda Fides, si zakonisht, nuk ishte fort i interesuar për të pasur vepra fetare në gjuhën shqipe, iu përgjigj vetëm se Doktrina e Krishterë ishte përkthyer e botuar tashmë shqip, duke e pasur fjalën sigurisht për botimin e dytë të përkthimit të Pjetër Budit, dhe se nuk ishte nevoja t'i hynte mundimit për ta përkthyer përsëri. Kështu vepra e Neofit Rodinosë mbeti në dorëshkrim dhe humbi. Sikundër kemi vërejtur më sipër, mjaft nga të dhënat tona për Shqipërinë në këtë periudhë dalin prej letrave dhe raporteve dërguar Propaganda Fides nga misionarë dhe kishtarë vendës që shërbenin në Ballkan. Këto raporte shpesh përfshinin jo vetëm çështje të lidhura me kishën, por edhe të dhëna të rëndësishme për zhvillimet politike, si dhe për historinë, gjeografinë dhe zakonet e popullsisë fisnore vendëse.

Në njërin nga këto raporte, me datën 14 shkurt 1633 dhe me titullin 'Trajtesë e shkurtër për kombin shqiptar e, në veçanti për banorët e malësisë së Dukagjinit', hasim një listë me tridhjetë e dy fjalë shqip(37), për të cilat autori i saj Pjetër Mazreku (Pietro Maserecco, vd. 1634), nga Prizreni, kryepeshkop i Tivarit, orvatet të japë etimologji dhe shpjegime. Shumë prej tyre të kujtojnë imagjinatën naive të Shën Isidorit të Seviljes njëmijë vjet para tij. Pjetër Mazrekut mund t'i njihet kësisoj merita e babait të studimeve etimologjike shqiptare.

Në vitin 1638 u botua në shqipe një vjershë e Zhan Zhak Bushar-it (Jean Jacques Bouchard, 1606-1641?) në një libër me titull Monumentum romanum, Nicolao Claudio Fabricio Perescio, senatori Aquensi doctrinae virtutisque causa factum, Romë 1638, që përmbante tipa vjershash në shumë gjuhë asokohe ekzotike si, fjala vjen, gjuhët hindu dhe japoneze, kushtuar Nikola Klod Fabri de Peires (Nicolas Claude Fabri de Peiresc), mecenat frëng i arteve dhe shkencave nga Aix-en-Provence dhe mik i filozofit Pier Gasendi (Pierre Gassendi, 1592-1655) dhe i astronomit Galileo Galilei (1564-1642). Autori arbëresh i vjershës në shqip, Daniel Korteze (Daniel Cortese), pati lindur në Ungër (ital. Lungro) në Kalabri më 1617 dhe pati ndjekur studimet në Kolegjin Grek të Shën Athanasit në Romë nga viti 1631 deri më 1639, ashtu si dhe Lekë Matrënga një shekull para tij. Vjersha e tij me gjashtë vargje 'Carmen albaniense sev epiroticvm' (Këngë shqiptare apo epirote) është një panegjirikë e

__________________________________________________ _________________

36 kr. Karalevskij 1912, f. 196.

37 kr. Roques 1932a, Zamputi 1964a, 1964b, L. Marlekaj 1995.
__________________________________________________ _________________


thjeshtë e pa ndonjë meritë të vërtetë letrare a gjuhësore(38).

"Scerbese himiri hiscte na ringraziome
Atà ce ben mirè ghidhue cusctii hisctè
Zoti NICOLO ce beri mirè ghidhue
Asctu vete iemi baiture na te
Ringraiziome atà edhue na me
Gliucha dhenè"

(Është shërbim i mirë. Falënderojmë
Ata që të gjithëve u bëjnë të mira. Kështu ishte
Zoti Nikolla, i cili të gjithëve u bënte mirë.
Prandaj vetë jemi të shtrënguar
T'i falenderojmë edhe ne
Në gjuhën tonë.)

Duke gjykuar nga drejtshkrimi, ka të ngjarë që Daniel Korteze të jetë njohur me veprat e Gjon Buzukut, Pjetër Budit dhe Frang Bardhit, ndonëse jo doemos edhe me ato të Lekë Matrëngës. Vjersha e tij e vogël përbën dokumentin e tretë më të vjetër në dialektin tosk (pas Ungjillit të Pashkëve dhe Matrëngës) dhe të parin dokument nga Kalabria.

Një tjetër Doktrinë e Krishterë, që ndoshta mbetet për t'u zbuluar, është ajo e Bernardit të Kuintianos (Bernardus a Quintiano apo Quinzano) ose të Veronës. Është një përkthim në gjuhën shqipe i së ashtuquajturës Doktrinë e Krishterë 'e vogël' e Shën Robert Belarminit (1542-1621), e përkthyer gjithashtu nga Pjetër Budi më 1618. Bernardi(39) ishte një prift françeskan dhe misionar që shërbeu në Shqipëri nga viti 1636 deri më 1649, ku thuhet se e mësoi mirë gjuhën. Doktrina e tij e Krishterë u botua vërtet në Venedik më 1675. Pjetër Bogdani e njihte këtë vepër dhe në një letër dërguar Propaganda Fides nga Shkodra më 3 janar 1676 njoftonte:

"Gjatë kohës që kalova në Venedik verën e shkuar sigurova dhe me shpenzimet e mia rishtypa Doktrinën e Krishterë të vogël në gjuhën shqipe e në italishte të përkthyer me saktësi nga Reverendi At Bernardi i Veronës, dhe meqë i mora të gjitha kopjet me vete për t'ua shpërndarë klerikëve anembanë Shqipërisë, e gjykova të nevojshme t'i dërgoj një kopje Kongregacionit të Shenjtë nëqoftëse ata dëshirojnë ta ribotojnë në Propaganda Fide për t'u dhënë mundësi brezave të ardhshëm, ngaqë është mjaft e frytshme.(40)"

Një vepër tjetër që me siguri do të ishte me interes për leksikografët, është një Dictionarium epiroticum, një fjalor shqip i hartuar para vitit 1678 nga një Leo i Çitadelës (Leo da Cittadella), një misionar italian që shërbeu në dioqezën e Shkodrës më 1671. Vdiq më 1678. Si e ku, mbetet e panjohur.

__________________________________________________ _________________

38 kr. Shuteriqi 1958, 1973, f. 72-73.

39 kr. Roques 1936b, f. 33-34, Shuteriqi 1976, f. 79.

40 kr. Arkivi i Propaganda Fides, S. R. C. Albania II, f. 137. Nëse Doktrina e Krishterë e Bernardit të Kuintianos ruhet ende në bibliotekën e Propaganda Fides, kjo është e vështirë të thuhet, përderisa ende nuk ka kurrfarë katalogu të hollësishëm të materialeve të këtij arkivi historik që mund të kenë vlera albanologjike. kr. Kowalsky & Metzler 1983.
__________________________________________________ _________________


Arkivi i Propaganda Fides përmban gjithashtu një letër të shkruar shqip, me datën 30 mars 1689(41). Ajo u drejtohet autoriteteve kishtare nga pleqësia e Gashit në Shqipërinë verilindore, për t'u tërhequr vëmendjen lidhur me gjendjen e tyre, sidomos për faktin se për katër vjet me radhë kishin pritur t'u vinin priftërinjtë e premtuar nga Kongregacioni i Shenjtë. Arsyeja e përfshirjes së tekstit shqip të letrës, të hartuar për ta së bashku me variantin italisht nga famullitari dalmat i Pultit Xhorxhio Toliç (Giorgio Tolich), ishte pa dyshim që të theksonin vështirësitë gjuhësore me të cilat po ballafaqohej kisha në Shqipëri. Kuptimplotë është fakti se Toliçi përdor drejtshkrimin e Budit dhe Bogdanit, tregues ky se veprat e këtyre dy shkrimtarëve njiheshin prej tij.

Një vepër e shënuar e leksikografisë shqiptare, e hartuar para vitit 1694, është fjalori shqip-italisht, italisht-shqip(42) i murgut sicilian Nilo Katalano (Nilo Catalano, 1637-1694). Katalano ka lindur afër Mesinës në Sicili dhe ka shërbyer si misionar në krahinën e Himarës në bregdetin e Shqipërisë jugore, ashtu si dhe bashkatdhetari i tij Neofit Rodino. U emërua kryepeshkop i Durrësit dhe famullitar apostolik i Himarës më 1693 dhe vdiq një vit më pas më
3 qershor. Dihet gjithashtu se u ka dhënë mësim të gjuhës shqipe arbëreshëve të Munxifsit (ital. Mezzoiuso). Dorëshkrimi i veprës së tij Vocabolario albanese-italiano et italiano-albanese (Fjalor shqip-italisht dhe italisht-shqip) u bë i ditur nga Xhuzepe Krispi (Giuseppe Crispi, 1781-1859)(43) se ndodhej në Bibliotekën e Seminarit Shqiptar në Palermo më 1831. Më vonë ai ra në duart e studiuesit dhe shkrimtarit arbëresh Xhuzepe Skirò plaku (Giuseppe Schirò senior, 1865-1927)(44), i cili thotë se fjalori është në dialektin verior gegë (që nuk flitet as në Sicili e as në Himarë) dhe shpreh pikëpamjen se për këtë arsye ai mund të jetë një kompilim i fjalorit të Frang Bardhit dhe i veprave të Pjetër Budit e të Pjetër Bogdanit(45). Fjalori shoqërohet me shënime gramatikore për gjuhën shqipe dhe me dy faqe me shkrim grek. Ai përmbante në fillim edhe një përmbledhje këngësh popullore arbëreshe të shkruara me alfabetin grek, përfshirë 'Këngën e Pal Golemit', që Skiroi e botoi më 1923(46). Nëse këto këngë janë ende në këtë dorëshkrim, ato do të përbënin përmbledhjen më të vjetër të këngëve popullore arbëreshe, duke ia kaluar me mbi dyzet vjet më herët përmbledhjes që mendohet se e ka bërë Nikollë Filja (Nicolo Figlia, 1682?-1769).
Të pesë shkrimtarët kryesorë shqiptarë të shekujve të gjashtëmbëdhjetë dhe

__________________________________________________ _________________
41 kr. Bartl & Camaj 1967.

42 kr. Roques 1932b, f. 35-36, Dh. Shuteriqi 1976, f. 88, 1995, Kastrati 1980, f. 4-6.

43 kr. Crispi 1831.

44 Shuteriqi 1976, f. 88, njofton se ky dorëshkrim ndodhet sot në Bibliotekën Mbretërore të Kopenhagës. Por Gangale 1973 nuk e përmend fare në katalogun e tij të Koleksionit Shqiptar (Albansk Samling) të shënuar atje.

45 kr. G. Schirò 1917-1918.

46 kr. G. Schirò 1923, f. 22-25.
__________________________________________________ _________________


shtatëmbëdhjetë: Gjon Buzuku, Lekë Matrënga, Pjetër Budi, Frang Bardhi dhe Pjetër Bogdani, formojnë bërthamën e letërsisë së hershme shqiptare. Ata i dhanë kësaj letërsie frymëmarrjen e parë të talentit krijues dhe farën e imët të zhdërvjelltësisë dhe nivelit artistik. Së bashku me një radhë autorësh dytësorë që u përmendën më sipër si dhe pa dyshim me të tjerë që u kanë humbur analeve të historisë së letërsisë, ata sollën në jetë një letërsi që u zhvillua vrullshëm, por që do të mbytej në djep, si të thuash, nga shtrëngesat e rrjedhës së historisë shqiptare. Ato që mund të kishin qenë rrënjë të forta të një letërsie kombëtare dinamike, si ato që u rritën në rajonet më fatlume të Evropës në shekullin e shtatëmbëdhjetë, u këputën dhunshëm nga pushtimi turk dhe, si pasojë, nga dobësimi dhe rënia e mbrojtësit disi kontradiktor të Shqipërisë, kishës katolike.

Pushtimi turk dhe kolonizimi i vendit, që kishte filluar që më 1385, e ndau Shqipërinë në tri sfera kulture, të gjitha në thelb të pavarura nga njëra-tjetra: kultura kozmopolite e Orientit islamik që përdorte në fillim turqishten, persishten dhe arabishten si mjete shprehjeje, trashëgimia e zgjatur bizantine e Ortodoksisë greke në Shqipërinë jugore dhe kultura në zgjim e arbëreshëve në Italinë e jugut, të ushqyer nga një klimë shoqërore, politike, ekonomike më e favorshme si edhe nga trualli intelektual i qytetërimit italian. Me pushtimin osman të Ballkanit, letërsia e hershme shqiptare menjëherë rrudhet e rrëgjohet dhe me aq mbyllet përfundimisht kreu i parë i shquar i historisë së kësaj letërsie. Deri para se të vinte lëvizja e Rilindjes Kombëtare, në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, letërsia në Shqipëri nuk do të mund të rifitonte atë karakter jetësor që kishte pasur në shekujt e gjashtëmbëdhjetë e të shtatëmbëdhjetë. Letërsisë kombëtare do t'i duhej përsëri të fillonte nga e para.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...