Vetëm në vitet 1950 arbëreshët zunë të ndiejnë nevojën për një rizgjim apo ringjallje të veprimtarive kulturore. Tani ishin jashtë kohe e pa vend lirikat idilike e sentimentale të jetës fshatare dhe romantika nacionaliste që kishte frymëzuar brezat e kaluar. Si tribunë e parë për krijimtari letrare në këtë periudhë shërbeu revista Shêjzat, e përkohëshme kulturore, shoqnore e artistike / Le Pleiadi, revista culturale, sociale ed artistica, e themeluar në Romë më 1957 nga Ernest Koliqi (1903-1975). Ky organ letrar që jetoi shtatëmbëdhjetë vjet deri me vdekjen e Koliqit, dha shtytje jo vetëm për rishikimin e veçorive të kulturës arbëreshe, të letërsisë gojore në veçanti, por edhe për një vetëdije të letërsisë shqiptare në përgjithësi. Përveç kësaj, ajo shërbeu për të bërë të njohur një 'shêjz' të tërë të re poetësh e shkrimtarësh të rinj të talentuar. Më 1963 u themelua revista Zgjimi/Risveglio, edhe kjo kushtuar ringjalljes së kulturës arbëreshe. Më pas, organe të tjera kulturore e letrare qenë: Katundi ynë në Çift, Zjarri në Shën Mitër, Zëri i Arbëreshëvet në Ejaninë, Lidhja në Kozencë, Basilicata Comunità Arbëreshe (Bashkësia arbëreshe e Basilikatës) në Barile dhe Il mondo albanese (Bota shqiptare) në Horën e Arbëreshëvet.
Me këto mundësi modeste botimi që u krijuan, është rritur një brez i ri shkrimtarësh, shumica poetë, të cilët po dëshmojnë se letrat arbëreshe bashkëkohore janë ndarë përfundimisht me traditat e ngushta letrare të së kaluarës. Letërsia e sotme arbëreshe është fuqizuar dhe ka hyrë në shtratin e kulturës bashkëkohëse perëndimore. Ajo e ka kapërcyer mjaft karakterin provincial tipik për shumë letërsi të vogla e kryesisht fshatare, por njëkohësisht ka humbur mjaft nga trashëgimia e saj, duke zënë strehë në një nga banesat e përbashkëta të fshatit global botëror.
Poeti, prozatori dhe studiuesi Françesk Solano (17) (ital. Francesco Solano, l.1914), që në veprat letrare përdor pseudonimin shqip Dushko Vetmo, ka lindur më 18 nëntor 1914 në Frasnitë (ital. Frascineto) në krahinën e Kozencës, në një familje me prejardhje nga Çamëria. Më 1934 mërgoi në Argjentinë, si shumë kalabrezë, dhe studioi për teologji dhe gjuhë të huaja në kolegjin Klaiplos në Buenos Aires, ku dhe u shugurua prift e ku më pas dha mësim gjuhë dhe letërsi semitike. Pas njëzet vjetësh në Argjentinë, Uruguaj dhe Kili, u kthye në Itali dhe ishte pedagog i gjuhës shqipe, e veçanërisht i dialektologjisë arbëreshe, në Universitetin e Kozencës
__________________________________________________ _________________
16 kr. për shembull Razi Brahimi në Shuteriqi (red.) 1983, f. 325, dhe Xhiku 1989, f. 143-146.
17 kr. Zllatku 1976, f. 77-85, dhe Quaderni del Dipartimento di Linguistica 3, 1986, f. 11-24.
__________________________________________________ _________________
derisa doli në pension. Ka qenë aktiv edhe për çështjet kishëtare në Eparkinë e Ungrës. Solanoja është autor veprash në gjini nga më të larmishmet. Në fushën e gjuhësisë dhe filologjisë është shquar me Manuale di lingua albanese, Koriljano Kalabro 1972 (Doracak i gjuhës shqipe), dhe Udhëzues për të biseduar shqip / Guida alla conversazione albanese, Koriljano Kalabro 1974, si dhe me shumë artikuj studimorë e studime dialektologjike. Ai gjithashtu ka redaktuar veprat e poetit, dramaturgut dhe romancierit arbëresh Françesk Anton Santori (1819-1894) dhe tekste të tjera të hershme arbëreshe. Botimi letrar më i parë i Solanos, i rrallë tani, është përmbledhja me vjersha Bubuqe t'egra, Buenos Aires 1946. Vepra të tjera në prozë, poezi e dramaturgji u botuan në Shêjzat në fund të viteve pesëdhjetë e në fillim të viteve gjashtëdhjetë, e më pas në Zjarri. Ndër to janë tregimet Ëndërrimet e Lalë Ndreut, 1958, dhe Te kështjell' i mallkuar, 1959, proza lirike I bir' i njeriut, 1959, dhe pjesët teatrale E po hëna, 1963, dhe Shkretëtira prej guri, 1974. Tregimet e tij u botuan të përmbledhura në Tregimet e lëmit, Shën Mitër 1975. Te praku, Trebizaçe (Trebisacce) 1977, është një përmbledhje me poezi, krijime të Solanos dhe përkthime shqip prej tij nga poezia japoneze. Në veprat e veta Solano është përpjekur të përdorë një gjuhë të kuptueshme jo vetëm për bashkatdhetarët arbëreshë, por edhe për folësit e gjuhës letrare shqipe. Gjuha e tij e pasur dhe e rrjedhshme ka shërbyer si model për shumë shkrimtarë të rinj.
Më popullori e më i respektuari nga poetët arbëreshë pa dyshim është Domenico Bellizzi (18) (1931-1989), që më fort njihet me pseudonimin Vorea Ujko. Ai qe një prift modest nga Frasnita (ital. Frascineto) që dha letërsi të sotme në Fermë (ital. Firmo), ku kujtimi i tij është nderuar mjaft që kur vdiq në një aksident automobilistik në janar 1989. Poezia e Ujkos, shprehje lirike e hollë e qenies arbëreshe, është botuar në shumë revista e antologji si dhe në shtatë përmbledhje, katër në Itali, dy në Shqipëri dhe një në Kosovë. Vorea Ujko është poet i një tradite të begatë, trashëgimtar i denjë i Jeronim De Radës dhe Zef Serembes, të cilët i çmonte shumë. Poezia e tij është e lidhur ngushtë me jetën arbëreshe, është spërkatur e larë me gjakun e shprishur. Njëherazi ajo i kapërcen ndjenjat rrënjëforta të romantikut kombëtar të poezisë shqiptare dhe motivet standarde të lirikës së kurbetit. Por në thellësinë emocionale të vargut të tij, Ujko nuk lë pa vënë në dukje fuqinë e lidhjeve arbëreshe me kulturën e stërgjyshëve ballkanikë, edhe pse kanë kaluar pesëqind vjet në dhé të huaj. Në vjershën Muzikë ai thotë:
"Dëgjoj muzikën e natës
Kur suvala ra,
Çdo ngjyrë u shua
E hëna u përul
Mbrapa lisave.
Këtu unë s'kam shtëpi
Dhe nuk ndihem i huaj.
Në ballë do ta puthja
Vashën që troket në derë
Dhe pyet në gjuhën time
Nëse dëshiroj një kafe.
Ndoshta ajo mendon
Se gjuhën e kam nxënë
Për udhëtim nëpër botë
Dhe nuk e di fshehtësinë
__________________________________________________ _________________
18 kr. F. Arapi 1983, ribotuar në F. Arapi 1987, f. 196-215, Lidhja 21 (1979), f. 650-653, dhe A. Giordano 1992.
__________________________________________________ _________________
Që çelet nga gjaku."
Poeti Karmell Kandreva (ital. Carmelo Candreva, 1931-1982), ka lindur në Shën Japk (ital. San Giacomo di Cerzeto) në krahinën e Kozencës më 4 prill 1931. Edhe ky është poet i një ndjenje të fuqishme identiteti etnik, që i kushtoi energji luftës kundër analfabetizmit dhe nxitjes për të përdorur gjuhën shqipe në bashkësitë arbëreshe, sidomos në sistemin shkollor. Vdiq pas një sëmundjeje të gjatë më 20 qershor 1982. Poezia e Kandrevës, e botuar së pari në tre vëllimet: Shpirti i arbërit rron, Kozencë 1976, Shpirti i arbërit rron. Arbëreshi tregon, II, Kozencë 1977, dhe Shpirti i arbërit rron. Vuan dega e hershme, III, Koriljano Stazione 1979, është ribotuar në Prishtinë dhe në Tiranë. Kandreva ishte poet i krenarisë etnike, po edhe i angazhimit social, që ngriti zërin për të luftuar për të drejtat e pakicave e për drejtësi shoqërore. Pasi kishte jetuar deri në moshën shtatëmbëdhjetë vjeç si bari, pak mundësi pati për shkollim në kohën e fëminisë. Por në malet e Kalabrisë fitoi diçka, fitoi lidhjen e ngushtë me tokën dhe me traditat e popullit të tij tmerrësisht të varfër e analfabet në fshatrat e thella. Njëkohësisht, dhe kjo është kryesorja, fitoi edhe vetëdijen se nuk mjaftonte lidhja me tokën. Personazhi idilik i vendlindjes ishte për të edhe vend i mjerimit dhe i mundimeve.
"Në lugaja të gjera
Mbretëron ulliri me ngjyra argjendi
Dhe me pika të zeza,
Që duken lotët e bujkut
Q'i ka nxijtur buhua e jetës."
Zef Skiro Di Maxhio(ital. Giuseppe Schirò Di Maggio, l.1944) është poet, përkthyes dhe dramaturg i shquar nga Hora e Arbëreshëvet në Sicili. Ka studiuar në Universitetin e Palermos dhe ka jetuar për një farë kohe në Settimo Torinese afër Torinos para se të kthehej në vendlindje për të punuar mësues. Skiro Di Maxhio është forcë aktive në jetën kulturore të bashkësisë arbëreshe në Sicili dhe kryeredaktor i revistës Il mondo albanese (Bota shqiptare). Ai ka shkruar nëntë përmbledhje vjershash shqip, mjaft prej tyre të shoqëruara me përkthim në italisht. Ndër më të fundit prej këtyre librave janë Gjuha e bukës, Prishtinë 1981, Përtej maleve, prapa kodrës, Tiranë 1985, Vjeç të tua 500 anni tuoi, Hora 1988, dhe Laerti i jati, 1989. Toni ironik i Skirò Di Maxhios kur përqesh lexuesin dhe vetveten është mjet për të arritur qëllimin, sepse në analizë të fundit, Zef Skiro Di Maxhio është shkrimtar serioz e i angazhuar, i përkushtuar ndaj prejardhjes etnike dhe gjuhës së tij amtare. Me një farë mungese etike e me një farë qejfi për të mos u marrë seriozisht, Skiro Di Maxhio i ka dhënë frymëmarrje të re një letërsie të trajtuar shpesh vetëm si mjet për misionin e lartë të ruajtjes së trashëgimisë kombëtare. Ai frymëzimin e merr nga mjedisi i fshatit, nga jeta në Horën e tij të Arbëreshëve, si dhe nga fuqia apo dobësia e personazheve fshatarë, që mblidhen për muhabet e këmbejnë thashetheme mbrëmjeve në sheshin e fshatit. Rrëfimin për jetën e vet e nis kështu:
"Zef Skiròi (duke shtuar edhe mbiemrin nga nëna Di Maxhio për t'u dalluar nga pak a shumë i shquari Zef Skiro) ka lindur në Horë të Arbëreshëvet aty nga fundi i gjysmës së parë të shekullit të njëzetë (më saktë, më 11 janar 1944) nën shenjën e Bricjapit. Pra, paraardhës të tij kanë qenë Alfieri, Poe, Niçe, Shpata e shumë të tjerë. Menjëherë pas lindjes, nisi të flasë shqip, 'mua... mua', duke dhënë shenja bindëse për atë që do të bëhej vokacioni i tij gjuhësor." (19)
__________________________________________________ _________________
19 Schirò Di Maggio, Më para se të ngriset / Prima che si faccia buio, 1977, f.3.
__________________________________________________ _________________
Ironia shakatare e gjallë e Skiro Di Maxhios del në krye e bie në sy menjëherë në pjesët e tij, shumica komedi me tri akte, disa prej të cilave janë vënë në skenë në Horë të Arbëreshëvet e në Shqipëri. Ato janë shkruar me një përzierje interesante gjuhësh, gjë që e huton dhe e zbavit spektatorin arbëresh. Në këta vitet e fundit ai ka shkruar këto: Mushti 1860, 1984, Orëmira, 1988, dhe Për tokën fisnike të Horës,1989. Ka përkthyer edhe veprën e Leopardit Paralipomeni della batracomiomachia, në shqip me titullin Lufta e mivet me brethqit,1975. Aktualisht janë edhe një numër i mirë poetësh, shkrimtarësh dhe studiuesish të tjerë nga bashkësitë arbëreshe në Kalabri e Sicili, që po japin ndihmesë për të ruajtur ritmin e zhvillimit të kulturës arbëreshe e për të siguruar rrugën e saj të mëtejshme në të ardhmen. Poeti dhe etnografi Lluka Perone (ital. Luca Perrone, 1920-1984) nga Ejanina ishte mësues i gjuhës e i letërsisë frënge derisa vdiq më 1984. Është autor i disa përmbledhjeve me vjersha, ndër to: Lule shkëmbi, Spixana 1968, Hjea e ariut, Kastrovilari 1969, dhe Vjershe lirije, Kastrovilari 1971, si dhe i një libri të vëllimshëm dygjuhësh me titull Novellistica italo-albanese, Firence 1967.
Malli për atdheun e humbur është temë qendrore në poezinë e Xhuzepe Del Gaudios (ital. Giuseppe Del Gaudio, l. 1921), nga Shën Kolli (ital. San Nicola dell'Alto) në krahinën kalabreze të Katanxaros. Një vëllim poetik, në traditën lirike të Zef Serembes, është botuar në Tiranë me titullin Zemër arbëreshe, Tiranë 1984. Del Gaudio tani banon në Melissa. Poeti Kozmo Roko (ital. Cosmo Rocco, l. 1925) nga Strigari (ital. San Cosmo Albanese) në krahinën e Kozencës, ka punuar zanatçi dhe ka qenë veprimtar në organizimin e grupeve folklorike. Pietro Napolitano (l. 1931) nga Ferma ka botuar disa vëllime me vjersha shqip dhe italisht, ndër to Nderim Fermës, Koriljano Kalabro 1976. Ai është mësues në fshatin Saracena midis Kastrovilarit dhe Ungrës. Poezia e Zef Skiro Di Modikës (ital. Giuseppe Schirò Di Modica, l. 1942) nga Hora e Arbëreshëvet është botuar në një numër organesh letrare në Itali të jugut e në Shqipëri. Ai ka nxjerrë edhe disa përmbledhje me vjersha, ndër to përmenden: Motive në dy gjuhë dhe Segmenti. Poeti Vinçenco Belmonte (ital. Vincenzo Belmonte, l. 1945) nga Strigari ka studiuar për filozofi dhe letërsi në Universitetin e Romës, kurse tani është mësues filozofie në Koriljano Kalabro. Përmbledhja e parë poetike e tij Vento di Ponente (Erë e perëndimit) doli më 1973. Matilda Ferraro (l. 1950) ka lindur në Shën Koll në krahinën e Katanxaros, sikundër edhe Zef Del Gaudio. Ajo ka studiuar në Universitetin e Barit dhe tani punon mësuese në fshatin Melissa. Një vëllim me lirika të saj është botuar në Shqipëri: Emocione, Tiranë 1990. Dy studiues nga katedra e gjuhësisë e Universitetit të Kalabrisë në Kozencë janë edhe letrarë aktivë: Gustin Jordani (ital. Agostino Giordano, l. 1950) nga Ejanina, i cili përdor pseudonimin Buzëdhelpri, dhe Françesko Altimari (ital. Francesco Altimari, l. 1955) nga Shën Mitri. Të dy kanë shkruar poezi të shquara shqip. Kate Xukaro (ital. Kate Zuccaro, l. 1955), nga Çifti në krahinën e Kozencës ka studiuar për mjekësi në Firence e në Napoli. Ajo respektohet si poeteshë dhe si mbledhëse folklori. Në Kosovë është botuar përmbledhja e saj me vjersha Gabim, Prishtinë 1982. Të tjerë shkrimtarë të sotëm të njohur janë: Paskal Renda nga Hora e Arbëreshëvet; Luis De Rosa (l. 1944) nga Ruri (ital. Ururi) në krahinën e Kampobasos (Molise), autor i librit Lule e gjemba, Romë 1978, që tani jeton në Romë; Karmine Abate (ital. Carmine Abate, l. 1954) nga Karfici (ital. Carfizzi) në Katanzaro, i njohur për romanin Il Ballo tondo, Gjenovë 1991 (përkthim shqip: Shtegtimi i unazës, Tiranë 1993); Françesko Paçe (ital. Francesco Pace) nga Ungra, i cili përdor pseudonimin Leshkuqi; Mario Belici (ital. Mario Belizzi, l. 1957) nga Shën Vasili (ital. San Basile); Anna Ventre (l. 1964) nga Shën Mitri; dhe Enza Skutari nga Shën Kostandini (ital. San Costantino Albanese) në krahinën e Potencës.
Letërsia e sotme arbëreshe mbetet një letërsi e vogël, por me një traditë të gjatë me vlera. Ajo është trashëgimia e një pakice prej rreth 90,000 folësish që mundohen të ruajnë qenësinë e tyre etnike, gjuhësore dhe kulturore. Kjo është një mundim e përpjekje që sa vjen e më tepër duket se nuk do të realizohet tani që dhe shekulli i njëzetë po i mbyll dyert e tij. Ende mungon një shkollim i rregullt në gjuhën shqipe dhe ende mungon një gjuhë letrare arbëreshe e njësuar. Disa autorë shkruajnë në dialektin amtar, ndërsa të tjerëve u pëlqen të përdorin një variant mbikrahinor më të kuptueshëm për bashkësitë e tjera arbëreshe. Përherë e më tepër, shkrimtarët e sotëm arbëreshë po i drejtohen gjuhës letrare shqipe, e cila ka ndihmuar për të fuqizuar lidhjet e ndërsjellta me letërsinë shqiptare në Ballkan. Por pranimi në shkallë të gjerë i gjuhës letrare shqipe si mjet letrar për arbëreshët ka krijuar edhe një gjendje dygjuhësie të ngjashme me atë të gjermanëve të Zvicrës dhe të arabëve, tek të cilët gjuha e folur dhe gjuha e shkruar kanë dallime të mëdha. Kjo mungesë njësimi midis këtyre dy shtresimeve të shprehjes mund të sjellë, me kalimin e kohës, një farë artificialiteti apo shterpësie sidomos në poezi. Nga ana tjetër, duhet vënë në dukje se prodhim letrar arbëresh gjithmonë ka qenë fryt i një pakice intelektuale në gjendje për t'iu përshtatur ndikimeve të jashtme dhe rrethanave gjuhësore të ndryshueshme. Vetë gjuha shqipe nuk do të ketë aspak vështirësi për të mbetur gjallë në Italinë e jugut në këtë periudhë kur po hyjmë në shekullin e njëzetenjëtë. Mbetet për t'u parë nëse e njëjta vlen të thuhet edhe për letërsinë shqiptare në ngulimet arbëreshe.
Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale
Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...