2012-06-27
Faik bej Konica, Fan Noli dhe të tjerë me banim në Amerikë
Në vitet e para të shekullit të njëzetë emigrimi në shkallë të gjerë i shqiptarëve kishte zbuluar një destinacion tjetër përveç Egjiptit dhe Rumanisë: Amerikën e Veriut. Është e vështirë të datohet se kur zbritën shqiptarët e parë në Amerikë, përderisa kombësia e tyre atëherë nuk njihej. Kur mbërrinin atje, ata regjistroheshin si qytetarë të Perandorisë Osmane, d.m.th. turq, ose shqiptarët ortodoksë të jugut si grekë. Në fakt, shumica e mërgimtarëve shqiptarë vërtet ishin të krishterë ortodoksë nga jugu, sidomos nga krahina e Korçës, të cilët merrnin rrugën e mundimshme në fillim me tokë drejt Selanikut, Pireut apo Stambollit e pastaj me anije për në Nju Jork dhe Boston. Ndryshe nga grupet e tjera etnike, vala e parë e mërgimtarëve shqiptarë nuk kishin ndër mend aspak të qëndronin në Amerikë. Me gratë dhe fëmijët në vendlindje, ata shpresonin thjesht të gjenin punë për njëfarë kohe sa për të ushqyer e mbajtur familjet në shtëpi e pastaj të ktheheshin një ditë në Shqipërinë e lirë.
Mërgimtarët më të parë shqiptarë, shumica e të cilëve kishin zbritur në Nju Jork, i tërhoqi rajoni Nju England (New England). Përveç zonës së Bostonit, ngulime shqiptare për t'u përmendur në këtë periudhë ishin ato në Uuster (Worcester), Natik (Natick) dhe Sauthbrixh (Southbridge) në Masaçusets; Brixhport (Bridgeport), Uoterberi (Waterbury) dhe Hartford (Hartford) në Konetikët; Poutakit (Pawtucket) në Roud Ajlend; Mançester (Manchester) dhe Konkord (Concord) në Nju Hemshër, dhe Bideford-Sako (Biddeford-Saco) në Mein. Mërgimtarë të tjerë u ngulën natyrisht në Nju Jork (sidomos në Bronks), Xhejmstaun (Jamestown) dhe Roçester (Rochester) të shtetit Nju Jork, në Filadelfi (Philadelphia) dhe Pitsburg (Pittsburgh) të Pensilvanisë, si dhe deri në Detroit, Çikago dhe Sejnt Luis (Saint Louis). Sa kohë që nuk e quanin veten banorë të përhershëm, shqiptarët nuk kishin ndonjë arsye të veçantë për të shkuar nga perëndimi, e si rezultat harta e ngulimeve të tyre në Shtetet e Bashkuara sot është në thelb po ajo që ishte në fillim të shekullit (93).
Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në nëntor 1912 e sidomos pas vitit 1920, mendohet se rreth 10000 shqiptaro-amerikanë u kthyen në atdhe për të ndihmuar në ndërtimin e një vendi të ri. Me ndihmën amerikane u ngrit administrata shtetërore dhe u hapën shkolla, si Shkolla Teknike Amerikane në Tiranë, Shkolla shqiptaro-amerikane bujqësore dhe ekonomike në Kavajë si dhe Instituti Kyrias ose Qiriazi për vajza në Tiranë. Por, për fshatarin e zakonshëm shqiptar, pavarësia nuk solli ndonjë përmirësim të madh as në nivelin e jetesës e as në liritë politike, e si pasojë mërgimi vazhdoi pa ndërprerje deri në Luftën e Dytë Botërore. Mërgimtarët e kësaj vale të dytë, përsëri shumica nga jugu, veçse tani më shumë myslimanë, morën familjet me vete kësaj radhe me synimin për t'u ngulur atje njëherë e përgjithmonë. Sot numri i shqiptaro-amerikanëve vlerësohet nga 70000 deri në 220000.
__________________________________________________ _________________
93 Për historinë e bashkësisë shqiptare në Amerikë, kr. The Albanian Struggle... 1939, Demo 1960, Noli 1960, Pipa & Prifti 1980 dhe Nagi 1989.
__________________________________________________ _________________
Shoqëritë dhe institucionet e para kulturore të bashkësisë shqiptaro-amerikane lindën në fillim të shekullit të njëzetë. Ndër to qenë shoqata Malli i mëmëdheut në Buffalo, Nju Jork, (1906) e themeluar nga Petro Nini Luarasi (1865-1911), Koha e lirisë në Nju Jork (1906), Besa- Besën në Boston (1907), Lidhja në Sent Luis (1907), dhe shoqatat Katundi (1908) e Panariti në Boston, këto dy të fundit me emrat e fshatrave nga vinin anëtarët. Më 28 prill 1912, pas disa muaj bisedimesh, këto shoqata u bashkuan për të formuar Federatën Panshqiptare të Amerikës Vatra, me seli në Boston. Me degët e veta në të gjithë vendin federata Vatra shpejt erdhi e u vu, si grup politik lobist, në shërbim të pavarësisë së Shqipërisë e më pas si zë i interesave të Shqipërisë jashtë saj. Ajo ushtroi mjaft ndikim edhe brenda vetë Shqipërisë. Gazeta e parë në gjuhën shqipe Kombi ishte themeluar në Boston më 15 qershor 1906. Kjo e përjavshme, e drejtuar nga Sotir Peci (1873-1932), jetoi tre vjet dhe u zëvendësua më 1909 nga Dielli i Bostonit, i themeluar nga shoqëria Besa-Besën, një organ që nga 2 mai 1912 erdhi "nën kontrollin moral të Federatës së Shqiptarëve të Amerikës Vatra". Ndër figurat kryesore që dhanë ndihmesë për të forcuar bashkësinë e shqiptarëve në Amerikën e Veriut në ato vite të para ishin Faik bej Konica (1875-1942), Fan Noli (1882-1965), Sotir Peci (1873-1932), Kristo A. Dako (1878-1941) dhe Kostantin A. Çekrezi (1892-1959).
Nga të gjithë shkrimtarët dhe publicistët shqiptarë në zgrip të shekullit më i shquar ka qenë sigurisht Faik bej Konica (94) (1875-1942). Ai lindi në prill 1875 në qytetin e vogël Konica në malet e Pindit, jo larg nga kufiri shqiptar i tanishëm. Pasi kreu shkollën fillore turqishte në vendlindje, ai studioi në Kolegjin Jezuit Saverian të Shkodrës, edhe pse vinte nga nga familje myslimane. Atje mori jo vetëm shkollim në gjuhën shqipe, por edhe kontaktin e parë me kulturën e Evropës qendrore e me idetë Perëndimore. Prej andej vajti dhe ndoqi shkollën e mesme perandorake të Gallatës në gjuhën frënge, në Stamboll. Më 1890, pesëmbëdhjetë vjeç, u dërgua për studime në Francë ku bëri shtatë vjet. Pasi ndoqi në fillim shkollat e mesme në Lisjë (Lisieux, 1890) dhe Karkason (Carcassonne, 1892), u regjistrua në Universitetin e Dizhonit, të cilin e kreu më 1895 për filologji romane. Pastaj vajti në Paris, ku për dy vjet studioi frëngjishten mesjetare, latinishten dhe greqishten në Collège de France. Studimet i përfundoi në Universitetin e Harvardit në Shtetet e Bashkuara, ndonëse pak gjëra dihen për këtë periudhë të jetës së tij. Nga shkollimi jashtëzakonisht i larmishëm që mori, ai qe në gjendje të fliste e të shkruante rrjedhshëm shqipen, italishten, frëngjishten, gjermanishten, anglishten dhe turqishten. Qëndrimi në Francë, vend me tradita liberale demokratike të hershme, do të kishte një ndikim të thellë mbi Konicën, i cili arriti të përvetësojë e t'i bëjë të vetat modelet e mendimit Perëndimor si asnjë intelektual shqiptar para tij. Djaloshit Konica i la mbresa të thella sidomos liria e pakufizuar e shtypit frëng në vitet e debatit të hapur e të ashpër për çështjen Drefys (Alfred Dreyfus, 1859-1935). Pikërisht në këto vite atij iu ngjall interesi për gjuhën amtare e për historinë e letërsinë e vendit të vet dhe nisi të shkruajë artikuj për Shqipërinë në një gazetë franceze. Më 1897 u shpërngul në Bruksel, ku në moshën njëzetedyvjeçare më 25 mars 1897 botoi numrin e parë të organit Albania, i cili pas pak do të bëhej organi më i rëndësishëm i shtypit shqiptar në zgrip të shekullit. Më 1902 u shpërngul në Londër dhe vazhdoi ta botojë atje revistën deri më 1909. Në Londër u miqësua me poetin dhe kritikun francez Gijom Apoliner (Guillaume Apollinaire, 1880-1918). Në vjeshtë të vitit 1909 Faik Konica mërgoi në Shtetet e Bashkuara. Ndalesa e parë qe Bostoni, ku së bashku me Fan Nolin, më 1909 themeloi gazetën Dielli, dhe më tej u bë botuesi i saj. Dielli qe organ i Federatës së rëndësishme panshqiptare Vatra të Bostonit, sekretar i përgjithshëm i së cilës Konica u bë më 1912. Ai nxori gjithashtu një organ tjetër jetëshkurtër, të përdyjavshmen Trumbeta e Krujës në Sent Luis, Misuri, që doli vetëm në tre numra më 1911. Më 1912 vajti në Londër në emër të federatës Vatra për të
__________________________________________________ _________________
94kr. Petrotta 1932, f. 302-309, Koliqi 1967, Ressuli 1987, f. 65-81, Hamiti 1991, Karjagdiu 1993, Kastrati 1995, Pirraku 1995, dhe Z. Rrahmani 1996.
__________________________________________________ _________________
mbrojtur interesat e Shqipërisë në Konferencën e Ambasadorëve. Kjo konferencë e mbajtur në vjeshtë të atij viti, do të merrte në shqyrtim çështjen e njohjes së shtetit të sapolindur shqiptar, i cili kishte shpallur pavarësinë nga Perandoria Osmane më 28 nëntor 1912. Më 17 dhjetor 1912 ambasadorët pranuan të njohin autonominë e Shqipërisë, ndonëse fillimisht ajo të vazhdonte nën suzerenitetin e Sulltanit. Në ditët e para të marsit 1913, Konica pasi ishte grindur me Ismail Qemal bej Vlorën dhe pasi në fillim kishte përkrahur qeverinë e Esad pashë Toptanit (1863-1920), foli para treqind delegatëve në Kongresin Shqiptar të Triestes, të mbledhur për të diskutuar për fatin e vendit gjatë anarkisë politike të shpejtuar nga Luftëra Ballkanike. Ai u zhgënjye nga politika e Austro-Hungarisë, të cilën më parë e kishte mbështetur, kur u bë e qartë se Vjena qe e interesuar vetëm për përcaktimin e kufirit verior të Shqipërisë dhe kur qyteti i tij i lindjes Konica iu dha Greqisë. Në prill 1914 Faik Konica u dërgua nga qeveria e dobët e Esad pashë Toptanit për të përfaqësuar Shqipërinë si konsull i përgjithshëm në Uashington. Por pas pak kohe do të kthehej në Evropë dhe me fillimin e Luftës së Parë Botërore do të vendosej në Austri (Vjenë, Feldkirh dhe Baden). Këtu, në atë atmosferë të nderë politike të krijuar nga lufta, u përhapën fjalë se spiunonte për Italinë dhe, kështu, u detyrua të lërë perandorinë austro- hungareze në coptim e sipër e të shkonte në Zvicrën asnjanëse. Në Lozanë u takua me Mid'hat e Mehdi Frashërin, kurse më 2 nëntor 1915 botoi atje një traktat me titullin L'Allemagne et l'Albanie (Gjermania dhe Shqipëria), në të cilin i kundërvihej mbështetjes që Gjermania i kishte dhënë një propozimi për ndarjen e Shqipërisë midis grekëve dhe sllavëve. Në mars 1916 e shohim në Sofje me Dervish Himën, kurse në korrik të atij viti përsëri në Baden të Austrisë. Më pas u shtrëngua të ikë nga Austria përsëri, kësaj radhe në Itali për shkak të kritikave të tij kundër politikës së Austrisë dhe Gjermanisë ndaj Shqipërisë e për shkak se për këtë, autoritetet austriake e trajtonin si të dyshimtë. Më 1921, përsëri në Shtetet e Bashkuara, ai u zgjodh kryetar i federatës Vatra të Bostonit dhe rimori drejtimin e gazetës Dielli, ku tani ai mbante rubrikën e tij Shtylla e Konitzës. Në verën e viti 1926, Faik Konica u emërua ambasador i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara nga diktatori Ahmet Zogu (1895-1961), detyrë që e mbajti deri në pushtimin e vendit nga Italia në pashkët e vitit 1939. Vdiq në Uashington më 15 dhjetor 1942 dhe u varros në varrezat Forest Hills në Boston (95).
Faik Konica për fat të keq shkroi pak letërsi të mirëfilltë, por si stilist, kritik, publicist dhe figurë politike, pati një ndikim të fuqishëm në shkrimet dhe kulturën shqiptare të atyre viteve. Me shkrimet e shumta të Albania, e botuar frëngjisht dhe shqip nën pseudonimin Thrank Spirobeg, jo vetëm bëri që kultura dhe çështja shqiptare të njihen në Evropë, por edhe hapi rrugën për zhvillimin e mëtejshëm të prozës letrare në dialektin toskë. Nga një pjesë e mirë e opinionit ajo trajtohet si periodiku më i rëndësishëm shqiptar para Luftës së Dytë Botërore. Nga faqet e këtij organi, botimit të të cilit Faik Konica nuk iu nda për dymbëdhjetë vjet, u bënë të njohur për herë të parë për publikun e gjerë shkrimtarë si Thimi Mitko (1820-1890), Kostandin Kristoforidhi (1830-1895), Andon Zako Çajupi (1866-1930) dhe Gjergj Fishta (1871-1940). Albania (96), e financuar deri diku nga autoritetet austro-hungareze nën kujdesin e Kultusprotektorat-it dhe duke marrë shpeshherë anën austriake, përmbante artikuj dhe informacione për një gamë të gjerë fushash: histori, gjuhë, letërsi, folklor, arkeologji, politikë, ekonomi, fe dhe art, dhe si e tillë ajo përbën një enciklopedi të vogël të kulturës shqiptare të kohës. Konica e çmonte këmbimin e lirë të ideve dhe shtyllat e Albania-s i vuri edhe në dispozicion të rivalëve të vet, të cilëve u kundërvihej duke i thumbuar me zgjuarsi. Në fushën e letërsisë ai kritikonte shpërthimet nacionaliste shpesh vulgare për virtytet e larta të shqiptarëve
__________________________________________________ _________________
95 Konica i la amanet Fan Nolit dhe Sejfulla Malëshovës që trupin e tij ta çonin të prehej në Shqipëri. Kjo dëshirë u përmbush vetëm pas shndërrimeve demokratike në Shqipëri.
96 kr. Schmidt-Neke 1980.
dhe bënte thirrje për një qëndrim më realist e më kritik ndaj vendit të vet me të gjitha të metat e tij. I mbrujtur me kulturë perëndimore, ai e ndiente të vështirë të çmonte poetët e hershëm romantikë kombëtarë si Naim Frashëri, idealet dhe shijet e të cilëve kishin mbetur prapa nga koha, dhe për më tepër poezia e tyre, sipas mendimit të tij, ishte e papërpunuar. Me shprehjen e zjarrit patriotik, si mund të krahasoheshin ata me nivelin e lartë letrar e artistik që kishte ndeshur në Francë, me shkrimtarë si Verleni, Bodleri dhe Apolineri? Sarkazma therëse me të cilën ai shprehte intransigjencën e vet kundrejt naivitetit të bashkatdhetarëve e kundrejt shumë tabuve të kulturës dhe historisë shqiptare lëshoi një fllad të freskët në kopshtin e letrave shqiptare. Konica u përpoq për një kulturë më të përpunuar perëndimore në Shqipëri, por ai vlerësonte edhe traditat e vendit. Ai, për shembull, ishte një nga të parët që propagandoi idenë e botimit të teksteve të letërsisë së vjetër shqipe. Në një artikull me titullin Për themelimin e një gjuhës letrarishte shqip, të botuar në numrin e parë të Albania-s, Konica gjithashtu theksonte nevojën e krijimit të një gjuhe letrare të njësuar. Ai sugjeronte zgjidhjen më të kuptueshme, që të dy dialektet kryesore, toskë e gegë, të të shkriheshin e të njësoheshin shkallë-shkallë. Stili i tij i rrjedhshëm, bashkë me atë të Fan Nolit, ndikoi mjaft në përsosjen e prozës në toskërishte, e cila dekada më vonë do të përbënte bazën e gjuhës së sotme letrare. Lidhjet e Konicës me regjimin e Zogut në vitet e mëvonëshme do të sillnin një farë ftohjeje e largimi ndër shumë intelektualë shqiptarë, dhe qe pikërisht kjo rrethanë më fort se gjithçka tjetër që e bëri ndikimin e tij mbi letërsinë dhe kulturën shqiptare të nënçmohet e të mos përfillet nga kritikët e pasluftës në Tiranë. Komentet dhe polemikat e tij sarkastike në Albania e gjetiu, dhe karakteri zemërak e arrogant i tij shpesh e penguan të bëhej i dashur për këdo (97), por spontaneiteti dhe përsosmëria e prozës së tij pranohen e adhurohen nga të gjithë.
Megjithatë, duhet thënë se krijimtaria letrare e paktë dhe karakteri i saj fragmentar ishin ato që i bënë shumë bashkatdhetarë të qaheshin e të ankoheshin për të sa ishte gjallë. Përveç një numri të madh artikujsh e të tjerë për çështje të politikës, gjuhës, letërsisë dhe historisë, shumica e të cilëve dolën në Albania e vogël, shtojcë e përdyjavshme e Albania-s, që u botua me radhë në dialektet toskërisht e gegërisht nga 1899 deri më 1903, Konica ka shkruar edhe një vepër tjetër, që mund të quhet roman, ndonëse nuk arriti ta përfundojë. Është vepra satirike Dr. Gjëlpëra zbulon rënjët e dramës së Mamurrasit, ku ai bën disa vrojtime të këndshme therëse për prapambetjen dhe nivelin e ulët të higjienës së bashkatdhetarëve të tij. Prejardhjen Dr. Gjilpëra e ka nga një ngjarje historike. Më 1924 dy turistë amerikanë u vranë pranë fshatit Mamurras, thuhet se nga njerëz të Ahmet Zogut. Përballë një proteste të qeverisë amerikane, qeveria shqiptare, tani nën kryesinë e Fan Nolit, i nxori të pandehurit në gjyq dhe i dënoi me vdekje më 18 dhjetor 1924. Për qeverinë e Nolit, ndërkaq, Konica kishte mendimin se ishte treguar tepër e butë me vetë Zogun. Ai nisi të botojë Dr. Gjëlpëra në disa numra njëri pas tjetrit në gazetën Dielli të Bostonit më 1924. Kur vitin tjetër Konica u pajtua me përfaqësuesit e Zogut, botimi u ndërpre. I vetmi libër i Konicës i botuar në gjuhën shqipe është një përkthim përrallash arabe nga 'Një mijë e një netët', me titullin Nën hien e hurmave, Boston 1924. Në Dielli nga viti 1929 e këndej botoi edhe përshkrimet e tij të udhëtimit nëpër Shqipëri, një seri shkrimesh nën titullin Shqipëria si m'u-duk, në të cilat ai nuk druhet e nuk kursehet të fshikullojë lloj-lloj tipash e karakteresh që kishte ndeshur atje: burokratë, karrieristë, aristokratë të rënë nga vakti etj. Pjesë të zgjedhura nga vepra e tij iu botuan pas vdekjes në anglishte nga Qerim M. Panariti në vëllimin 175-faqesh Albania, the rock garden of south-eastern Europe and other essays, Boston 1957 (Shqipëria, kopshti shkëmbor i Evropës juglindore dhe shkrime të tjera).
__________________________________________________ _________________
97 Publicisti aristokrat Eqrem bej Vlora (1885-1964) vërente për shembull, "Faik Konica si person nuk durohej dot: zemërak, arrogant, fodull, sarkastik e, për fat të keq, dembel". kr. Vlora 1968, f. 51.
__________________________________________________ _________________
Fan Noli (98) (1882-1965), ose Theofan Stilian Noli, nuk ishte vetëm udhëheqës i spikatur i bashkësisë shqiptaro-amerikane, por edhe figurë e shquar dhe e shumanshme e letërsisë, kulturës, jetës fetare dhe politikës shqiptare. Noli ka lindur në fshatin Qytezë (turq. Ibrik Tepe), në jug të Edrenesë, në Turqinë Evropiane, më 6 janar 1882. I ati, Stilian Noli, një fetar i shquar dhe psalt në korin e kishës e kish ushqyer të birin me dashuri për muzikën dhe traditën bizantine të kësaj kishe. Fan Noli ndoqi shkollën e mesme greke në Edrene, dhe më 1900, pas një qëndrimi të shkurtër në Stamboll, u vendos në Athinë, ku mundi të gjejë punë të rastit e me pagë të ulët si kopist, sufler apo aktor. Me njërën nga shoqëritë teatrore shetitëse që shkonte nëpër ngulimet greqishtfolëse në Mesdheun lindor Noli mbërriti për herë të parë në Egjipt. Duke e lënë shoqërinë teatrore në Aleksandri, gjeti punë nga marsi 1903 deri në mars 1905 si mësues i greqishtes dhe psalt i korit kishtar në Shibin el Khom, kurse nga marsi 1905 deri në prill 1906 në El Faiyum, ku ishte ngulur një koloni e vogël shqiptare. Këtu ai shkroi një numër artikujsh greqisht dhe përktheu greqisht veprën e Sami Frashërit Shqipëria - Ç'ka qënë, ç'është e ç'do të bëhetë?, të cilat u botuan në shtypshkronjën shqipe në Sofje. Në Egjipt Noli u njoh më tej me traditat e muzikës bizantine me ndihmën e murgut Nilos, dhe aq shumë e tërhoqi ajo, saqë vendosi të bëhej edhe vetë prift ortodoks. Ai gjithashtu erdhi e u lidh me udhëheqës të tillë të bashkësisë shqiptare si Spiro Dine (1846?-1922), Jani Vruho (1863-1931) dhe Athanas Tashko (1863-1915), të cilët e nxitën të emigronte në Amerikë, ku mund të zhvillonte më mirë talentin. Djaloshi Noli pranoi.
Në prill 1906, me një biletë avulloreje të klasit të dytë, të paguar nga Spiro Dinia, Fan Noli u nis për në Botën e Re duke kaluar nga Napoli dhe mbërriti në Nju Jork më 10 maj. Pas tre muajsh në Buffalo, ku punoi në një sharrë, Noli vajti në Boston. Atje botuesi Sotir Peci (1873-1932) i dha një punë me pagë minimale si zëvendësredaktor i gazetës së Bostonit Kombi, ku punoi deri në maj 1907 e ku botoi artikuj me pseudonimin Ali Baba Qyteza. Gjatë këtyre muajve të vështirë nga ana financiare, Noli nuk po mësohej dot me Amerikën dhe po mendonte seriozisht të emigronte në Bukuresht. Por pak e nga pak u lidh ngushtë me bashkësinë shqiptare dhe më 6 janar 1907 bashkëthemeloi shoqërinë Besa-Besën në Boston. Në këtë kohë, shqiptarëve ortodoksë të Amerikës po u humbte durimi nga kontrolli grek mbi kishën. Gjendja u bë e nderë dhe arriti kulmin më 1907, kur një prift ortodoks grek nuk pranoi të bëjë meshën në një ceremoni varrimi të një shqiptari në Hudson, Masaçusets, për arsye se i ndjeri, si nacionalist, kishte qenë vetvetiu i shkishëruar. Noli e ndjeu detyrën dhe thirri një mbledhje të shqiptarëve ortodoksë nga mbarë Nju Englandi, ku delegatët morën vendim të themelonin një Kishë Ortodokse Shqiptare Autoqefale, pra autonome, me Nolin si të parë. Më 9 shkurt 1908, në moshën njëzetegjashtë vjeç, Fan Noli u bë dhjak në Bruklin, kurse më 8 mars 1908 Platoni, kryepeshkopi ortodoks rus i Nju Jorkut, e shuguroi prift ortodoks. Vetëm dy javë më pas, më 22 mars 1908, djaloshi Noli mbajti kryelartë liturgji në gjuhën shqipe për herë të parë, në Sallën 'Knights of Honor' në Boston. Ky akt përbënte hapin e parë drejt organizimit dhe njohjes zyrtare të Kishës Ortodokse Shqiptare Autoqefale.
Nga shkurti 1909 deri në korrik 1911 Noli botoi gazetën Dielli, tribunë e bashkësisë shqiptare të Bostonit. Më 10 gusht 1911 u nis për në Evropë ku, për katër muaj kreu shërbesa kishtare në gjuhën shqipe për kolonitë në Kishinjev, Odesë, Bukuresht dhe Sofje. Bashkë me Faik bej Konicën, i cili erdhi në Shtetet e Bashkuara më 1909, ai themeloi më 28 prill 1912 Federatën Panshqiptare Vatra të Amerikës, e cila shumë shpejt do të bëhej organizata më e fuqishme dhe më e rëndësishme e shqiptarëve në Amerikë. Tani, Fan Noli ishte bërë i njohur si udhëheqës i bashkësisë ortodokse shqiptare dhe si shkrimtar e gazetar i afirmuar i lëvizjes kombëtare. Në nëntor 1912 Shqipëria u shpall e pavarur, kurse Noli tridhjetëvjeçar, pasi kishte
__________________________________________________ _________________
98 kr. Kuteli 1945, Noli 1960, Bala 1972, Raifi 1975, 1995, Tako 1975, Arapi 1980, Liço 1982, Pipa 1984, Kodra 1989, Puto 1990 dhe Dodona 1996.
__________________________________________________ _________________
mbaruar Universitetin e Harvardit, u kthye me ngut në Evropë. Në mars 1913, ndër veprimtari të tjera, ai ndoqi Kongresin Shqiptar të Triestes, i organizuar nga shoku dhe rivali i tij Faik Konica. Në korrik 1913 Fan Noli vizitoi Shqipërinë për herë të parë, dhe këtu më 10 mars 1914, kreu të parën shërbesë kishtare ortodokse në gjuhën shqipe në këtë vend, në prani të princit Vilhelm Vid, i cili kishte zbritur në Durrës vetëm tri ditë më parë me një anije austro- hungareze. Në gusht 1914 Noli vajti për herë të parë në Vjenë, por meqë retë e zeza të luftës po bëheshin më të dendura, u kthye në maj 1915 në Shtetet e Bashkuara. Nga 21 dhjetori 1915 e deri më 6 korrik 1916 ai qe përsëri kryeredaktor i Diellit të Bostonit, tani gazetë e përditshme. Në korrik 1917 ai u bë përsëri president i Federatës Vatra e cila, përballë gjendjes së rrëmujëshme dhe zbraztësisë politike në Shqipëri, zuri ta shohë veten si njëfarë qeverie shqiptare në mërgim. Në shtator 1918 Noli themeloi të përmuajshmen në gjuhën angleze The Adriatic Review, e cila u financua nga Federata për të përhapur informacion për Shqipërinë e për të propaganduar çështjen e saj. Këtë organ, për gjashtë muajt e parë e redaktoi Noli dhe më pas, më 1919, Kostandin Çekrezi (1892-1959). Me fondet e Vatrës të mbledhura nën drejtimin e Nolit, delegatët shqiptaro-amerikanë u dërguan në Paris, Londër dhe Uashington për të propaganduar për njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Shqipërisë. Më 24 mars 1918, Noli u emërua administrator i Kishës Ortodokse Shqiptare në Shtetet e Bashkuara, kurse në fillim të korrikut të atij viti ndoqi një konferencë të popujve të shtypur në Mount Vernon, Virxhinia, ku u takua me presidentin Vudro Uillson (Woodrow Wilson, 1856-1924), mbrojtës i të drejtave të pakicave në Evropë. Më 27 korrik 1919 Noli u emërua peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, në këtë kohë përfundimisht një dioqezë e pavarur. Vitin tjetër, me qenë se figura e tij si udhëheqës politik e fetar i bashkësisë shqiptare, dhe talenti i tij si shkrimtar, orator dhe komentator politik ishte rritur mjaft, ishte shumë në vend që ai të zgjidhej kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë. Në këtë aktivitet Noli doli fitimtar me pranimin e Shqipërisë më 17 dhjetor 1920. Me të drejtë Noli e shihte pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve si arritjen më të madhe politike të tij. Antarësia në këtë organizatë i dha Shqipërisë për herë të parë njohje ndërkombëtare dhe, po të kthejmë sytë prapa, ishte pa dyshim më e rëndësishme se shpallja e pavarësisë më 1912 nga Ismail Qemal bej Vlora. Në një koment më 23 korrik 1924, gazeta The Manchester Guardian e cilësonte Nolin si "një burrë që në çdo vend do të ishte i shquar. Diplomat i përkryer, specialist për politikën ndërkombëtare, polemist i zoti, që në fillim ai la mbresa të thella në Gjenevë. Ai i rrëzoi të gjithë kundërshtarët e tij ballkanas me një mënyrë mjeshtërore, por gjithmonë me buzë në gaz. Njeri me kulturë të gjerë, që ka lexuar çdo gjë që ia vlen të lexohet në anglishte dhe frëngjishte". Suksesi i Nolit në Lidhjen e Kombeve e përcaktoi atë një herë e mirë si figurë udhëheqëse në jetën politike shqiptare. Nga Gjeneva u kthye në Shqipëri, dhe nga 1921 deri më 1922 përfaqësoi Federatën Vatra në parlamentin shqiptar. Më 1922 u emërua ministër i jashtëm në qeverinë e Xhafer bej Ypit (1880-1940), por dha dorëheqjen disa muaj më pas. Më 21 nëntor 1923, Noli u shugurua peshkop i Korçës dhe mitropolit i Durrësit. Tani ai qe edhe kreu i Kishës Ortodokse në Shqipëri, edhe udhëheqës i një partie politike liberale, opozita kryesore kundër forcave konservatore të Ahmet Zogut (1895-1961), të cilat mbështeteshin kryesisht nga çifligarët feudalë dhe klasa e mesme. Më 23 shkurt 1924 Zogut iu bë një atentat në parlament, kurse pas dy muajsh, më 22 prill 1924, deputeti dhe personaliteti kombëtar Avni Rustemi (1895-1924) u vra, thuhet se nga forcat zogiste. Në varrimin e Rustemit, Fan Noli mbajti një ligjëratë të zjarrtë që e ndezi aq fort opozitën liberale, saqë Zogu u shtrëngua të arratiset në Jugosllavi në kohën e asaj periudhe që quhet Revolucioni i Qershorit.
Më 17 qershor 1924 Fan Noli u shpall zyrtarisht kryeministër dhe pas pak kohe regjent i Shqipërisë. Gjatë gjashtë muajve, ai drejtoi një qeveri demokratike, e cila u mundua me mish e me shpirt të përballonte problemet politike dhe ato ekonomike të shtetit të ri shqiptar që ishin tej mase të rënduara. Por programi i tij njëzetpikash për modernizimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, përfshirë reformën agrare, doli se qe tepër i nxituar e tepër idealist për një vend të prapambetur e pa tradita parlamentare. Në një letër dërguar një miku anglez, ai do të shënonte më vonë arsyet e dështimit të tij: "Duke ngulur këmbë për reformat agrare, unë ndeza zemërimin e aristokracisë çifligare. Duke mos i kryer ato, humba mbështetjen e masave fshatare". Me rrëzimin e qeverisë së tij nga forcat zogiste në prag të Krishtlindjeve 1924, Noli u largua përgjithmonë nga Shqipëria dhe kaloi disa muaj në Itali me ftesë të Benito Musolinit (1883-1945). Kur Duçja në fund arriti marrëveshje me Zogun për koncesionet e naftës në Shqipëri, Noli dhe ndjekësit e tij e kuptuan se prania e tyre në Itali nuk qe më e dëshirueshme. Më pas Noli kaloi disa vjet në Evropën qendrore, kryesisht në Gjermani dhe Austri. Në nëntor 1927 vizitoi Rusinë si delegat ballkanas në Kongresin e 'Miqve të Bashkimit Sovjetik' në kremtim të dhjetëvjetorit të Revolucionit të Tetorit, kurse më 1930, pasi mori një vizë gjashtëmujore, u kthye në Shtetet e Bashkuara. Përsëri në Boston, Noli themeloi të përjavshmen Republika, që vetë me emrin e saj i bënte një kundërshtim të hapur Ahmet Zogut, i cili më 1 shtator 1928 e kishte shpallur veten Zog I, Mbret i Shqiptarvet. Republika u botua edhe si opozitë ndaj Diellit, që tani e kishte në dorë Faik Konica, i cili ishte pajtuar me mbretin Zog dhe ishte bërë ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Uashington. Pas gjashtë muajsh Noli u shtrëngua të kthehej në Evropë me përfundimin e afatit të vizës, kurse Republikën e tij e mori në dorë Anastas Tashko, deri sa u mbyll më 1932. Me ndihmën e disa ndjekësve të tij ai ia doli të kthehej nga Gjermania në Shtetet e Bashkuara më 1932, kur iu dha edhe lejeqëndrim i përhershëm. U tërhoq nga jeta politike dhe rifilloi detyrën në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare Autoqefale. Në dhjetor 1933, Noli u sëmur rëndë dhe nuk qe në gjendje të përballonte shpenzimet e shërimit, prandaj qe i detyruar të pranonte si dhuratë 3,000 franga ari nga Shqipëria, për ironi pikërisht nga armiku i tij i betuar Ahmet Zogu. Ky gjest, siç edhe e kishte pasur qëllimin, solli njëfarë pajtimi midis Nolit dhe Zogut, dhe i zbuti marrëdhëniet shpesh të ndera me Faik Konicën. Më 1935 iu kthye njërit prej pasioneve të tij më të mëdha, muzikës, dhe në moshën pesëdhjetë e tre vjeç u regjistrua në Konservatorin e Muzikës të Bostonit, ku u diplomua më 1938. Më 12 prill 1937, ëndrra e madhe e Nolit për një kishë kombëtare shqiptare u përmbush kur Patrikana e Stambollit njohu zyrtarisht Kishën Ortodokse Shqiptare Autoqefale. I pakënaqur vetëm me detyrat ekleziastike Noli iu kthye studimeve pasuniversitare në Universitetin e Bostonit, ku mori doktoratën më 1945 me një disertacion për Gjergj Kastriotin -Skënderbeun. Në vitet e para pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore Noli mbajti marrëdhënie deri diku të mira me regjimin e ri komunist në Tiranë dhe ushtroi ndikimin e vet në mënyrë që qeveria amerikane ta njihte. Nami si 'peshkop i kuq' i bëri mjaft armiq ndër qarqet e mërgimtarëve në Amerikë si dhe shkaktoi polarizime mes tyre. Më 1953, në moshën shtatëdhjetë e një vjeç, Fan Nolit iu dhurua një shumë prej 20,000 dollarësh nga Federata Vatra, me të cilën bleu një shtëpi në Fort Llodërdejll (Fort Lauderdale), Florida, ku edhe vdiq më 13 mars 1965 në moshën tetëdhjetë e tre vjeç.
Politika dhe feja nuk qenë të vetmet fusha ku Fan Noli bëri emër. Ai qe edhe dramaturg, poet, historian, muzikolog dhe sidomos përkthyes i shkëlqyer me një ndihmesë të konsiderueshme në zhvillimin e gjuhës letrare shqipe. Vepra e parë letrare e Nolit është drama në tre akte Israilitë dhe Filistinë, Boston 1907. Kjo tragjedi dyzet e tetë faqesh e shkruar më 1902 mbështetet në Librin e Gjyqtarëve 13-16 të Dhiatës së Vjetër, historia e njohur e Samsonit dhe Dalilës. E botuar në një kohë kur dramaturgjia shqiptare ishte në foshnjëri, ajo është një nga të rrallat pjesë teatrore shqiptare të kohës, që nuk vlon nga sentimentalizmi para se të arrijë fundin melodramatik të sipërfaqshëm. Të tilla ishin shijet e kohës, prandaj dhe pjesa e Nolit pak u pëlqye nga lexuesit. Jo vetëm subjekti ishte tepër i largët e filozofik, por edhe gjuha tepër arkaike e dialektore për t'u shijuar nga lexuesi dhe publiku.
Kur u shugurua prift ortodoks dhe mbajti të parën liturgji ortodokse në gjuhën shqipe më 1908, Noli e ndjeu nevojën e teksteve liturgjike shqip dhe prandaj i hyri përkthimit të liturgjive dhe ritualeve ortodokse, të cilat u botuan në dy vëllime: Librë e shërbesave të shënta të kishës orthodoxe, Boston 1909, dhe Libre é te krémtevé të medha te kishes orthodoxe, Boston 1911, me 315 faqe. Pasuan përkthime të tjera fetare, me një gjuhë elegante e solemne që u shkonte për shtat traditave të çmuara bizantine. Këto përkthime ishin arritjet që i sollën Nolit më shumë kënaqësi në jetë. Vepra më popullore e Fan Nolit sot është një studim historik për jetën dhe epokën e heroit kombëtar shqiptar Skënderbeut. Një variant shqip 285 faqesh u botua nën titullin Historia e Skënderbeut (Gjerq Kastriotit), mbretit të Shqipërisë1412-1468, Boston 1921, kurse një variant anglisht, fryt i disertacionit të doktoratës në Universitetin e Bostonit më 1945 mbante titullin George Castrioti Scanderbeg (1405-1468), Nju Jork 1947. Një studim tjetër shkencor, që pasqyron sa fort e tërhiqnin figurat e mëdha të së kaluarës (Jezui, Jul Cesari, Skënderbeu dhe Napoleoni) si dhe sa fort e donte muzikën, është ai me 117 faqe Beethoven and the French revolution, Nju Jork 1947 (Bethoveni dhe Revolucioni Frëng). Noli ka mbetur edhe si poet, ndonëse poezia e tij e fuqishme deklamative është e paktë. Poezia e tij është përmbledhur në një vëllim me titullin e thjeshtë Albumi, Boston 1948, të cilin e botoi me rastin e dyzetvjetorit të qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara. Albumi përmban kryesisht poezi politike, që pasqyrojnë aspirata e frymë kombëtare si dhe ndjenja të zjarrta sociale e politike të viteve njëzet e tridhjetë. Tipike për këtë gjini është vjersha Syrgjyn-Vdekur, elegjia prekëse që e shkroi në Berlin kur vdiq shkrimtari dhe personaliteti politik Luigj Gurakuqi (1879-1925), i vrarë në Bari më 2 mars 1925 nga një agjent i Ahmet Zogut.
"Nëno moj, mbaj zi për vllanë,
Me tre plumba na i ranë,
Na e vran' e na e shanë,
Na i thanë trathëtor.
Se të deshte dhe s'të deshnin,
Se të qante kur të qeshnin,
Se të veshte kur të çveshnin,
Nëno moj, të ra dëshmor.
Nëno moj, vajto, merr malin,
Larot ta përmbysnë djalin,
Që me Ismail Qemalin
Ngriti flamur trimëror.
Nëno moj, ma qaj në Vlorë
Ku të dha liri, kurorë, S
hpirt i bardhë si dëborë,
Ti s'i dhe as varr për hor.
Nëno moj, ç'është përpjekur
Gojëmjalt' e zemërhekur, S
yrgjyngjall' e syrgjynvdekur,
Ky Vigan Liberator."
Po aq e fuqishme është vjersha Anës lumenjve, e cila përbën ndoshta poezinë më bindëse të shkruar ndonjëherë me temën e mërgimit në gjuhën shqipe dhe më tej. Gjatë qëndrimit në Gjermani Noli u shqetësua thellë në shpirt për fatin e atdheut, të cilin ai e shumë bashkëkohës të tij e krahasonin me një vashë të braktisur e të poshtëruar, sikundër kishte bërë Pashko Vasa një gjysëm shekulli më parë në poezinë e tij O moj Shqypni. Vjersha e Nolit e trajton kështu këtë temë:
"Arratisur, syrgjinosur,
Rraskapitur dhe katosur,
Po vajtonj pa funt pa shpresë,
Anës Elbës, anës Spre-së.
Ku e lam' e ku na mbeti
Vaj vatani e mjer mileti,
Anës detit i palarë,
Anës dritës i paparë,
Pranë sofrës i pangrënë,
Pranë dijes i panxënë,
Lakuriq dhe i dregosur,
Trup e shpirt i sakatosur!..."
Në këtë vëllim janë përfshirë edhe vjershat prekëse me frymëzim biblik, si Moisiu në mal dhe Marshi i Krishtit. Megjithatë, ndihmesa kryesore e Fan Nolit për letërsinë shqipe ishte si stilist, çka vihet re sidomos në përkthimet. Ai mund të konsiderohet si njëri nga stilistët më të mëdhenj në dialektin toskë, duke rreshtur përkrah tij edhe Faik bej Konicën. Përvoja e tij si aktor dhe orator, njohja me gjuhët e tjera të mëdha të kulturës botërore, sidomos me greqishten, anglishten dhe frëngjishten, i dhanë mundësi ta zhvillojë shqipen e ta ngrejë në shkallën e një gjuhe të përpunuar, të rrjedhshme e plot elegancë.
Me vlera të mëdha janë sidomos përkthimet që Noli i ka bërë Shekspirit. Otello e përkthyer prej tij u botua më 1916, kurse përkthimet po aq shprehëse të Makbethit, Hamletit, dhe Jul Qesarit u botuan të gjitha në Bruksel më 1926. Po në këtë kohë ai përktheu, nga anglishtja, dy pjesë të dramaturgut norvegjez Henrik Ibsen (1828-1906), një autor tjetër ky ndaj të cilit Noli qe shumë i dhënë: Armiku i popullit, Bruksel 1926 (En Folkefiende 1882), dhe Zonja Ingra e Ostrotit, Bruksel 1926 (Fru Inger til Østeraad 1857). Gjashtë vjet më pas doli përkthimi i fuqishëm shqip i pjesës së parë të Don Quixote të Miguel De Servantesit (1547-1616) nën titullin Sojliu mendjemprehtë don Kishoti i Mançës, Boston 1932/1933. Pjesa e dytë e Don Kishotit u përkthye më vonë nga Petro Zheji (l. 1929) dhe u botua bashkë me përkthimin e Nolit në Tiranë më 1977. Përkthime të tjera të Nolit janë: Kasollja 1921 (La barraca 1898) e romancierit spanjoll Visente Blasko Ibanjez (Vicente Blasco Ibañez, 1867-1928), e sidomos Rubairat, Bruksel 1924 (The Rubáiyát of Omar Khayyám) nga poeti anglez Eduard Ficxherëlld (Edward Fitzgerald, 1809-1883). Përkthimi i Rubairave të poetit të madh dhe matematikanit persian Omar Khajam (vd. 1122), që i botoi me pseudonimin Rushit Bilbil Gramshi e që ua kushtoi poetëve persianë Nizami (1140-1209) dhe Hafiz (1326-1390), është ndër veprat më të përkryera të Nolit. Ajo është një kryevepër krijuese po aq e lartë sa dhe përkthimi në anglisht i Eduard Ficxherëlldit. Për më tepër, ky është i vetmi përkthim letrar i Nolit që nuk është yshtur nga synime didaktike. Nëse krahasojmë përkthimin shqip të Nolit me atë anglisht të Ficxherëlldit, do të vëmë re se teksti në shqip është në shumë anë po aq i madhërishëm sa dhe origjinali (anglisht). Ja tri strofat e para:
"Natën kur flinja, më tha shpirti: 'Pi!
Në gjumë dhe në Varr s'ka lumëri;
__________________Ngrehu! Sa rron, zbras Kupa dhe puth Çupa;
Ke shekuj që të flesh në qetësi.'
Në ëndërr, kur agimi zbardhëllonte,
Një zë që nga Taverna po gjëmonte:
Çohuni, djem, e Verë sillnani,
Se Fati na e thau lëngun sonte.
Dhe posa në Tavernë këndoi gjeli,
Besnikët jashtë thirrë: 'Portat çeli!' E
shkurtër është Jeta, ja, u mplakmë
Dhe mbetmë si kofini pas të vjeli."
Awake! for Morning in the Bowl of Night
Has flung the Stone that puts the Stars to Flight:
And Lo! the Hunter of the East has caught
The Sultan's Turret in a Noose of Light.
Dreaming when Dawn's Left Hand was in the Sky
I heard a Voice within the Tavern cry,
"Awake, my little ones, and fill the Cup
Before Life's Liquor in its Cup be dry."
And, as the Cock crew, those who stood before
The Tavern shouted - "Open then the Door!
You know how little while we have to stay,
And once departed, may return no more."
Noli gjithashtu përktheu poezi të autorëve të ndryshëm evropianë e amerikanë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, ndër ta Johan Volfgang fon Gëte (Johann Wolfgang von Goethe, 1749-1832), Sër Uollter Skot (Sir Walter Scott, 1771-1832), Hajnrih Hajne (Heinrich Heine, 1797-1856), Viktor Hygo (Victor Hugo 1802-1885), Fjodor Tjutçev (1803-1873), Aleksis- Feliks Arver (Alexis-Félix Arvers, 1806-1850), Henri Uodsuorth Longfellou (Henry Wadsworth Longfellow, 1807-1882), Edgar Allen Po (Edgar Allen Poe, 1809-1849), Herman Melvil (Herman Melville, 1819-1891), Sharl Bodler (Charles Baudelaire, 1821-1867), Arman Syli Prydom (Armand Sully-Prudhomme, 1839-1907) dhe Pol Verlen (Paul Verlaine, 1844-1896). Në pjesën dërrmuese të tyre, në sajë ndoshta edhe të veshit të tij prej muzikanti, ia ka dalë mbanë të pasqyrojë stilin, shijet dhe ngjyrimet ritmike të origjinaleve.
Është për të ardhur keq që Fan Noli dhe Faik Konica, këta dy stilistë më të mëdhenj të gjuhës moderne shqipe, të dy banues jo në Shqipëri por në Shtetet e Bashkuara, t'i kenë kushtuar kaq pak energji krijimtarisë letrare. Por e tillë qe koha. Për arsye historike e politike, kulti i frymës kombëtare ka pasur përherë përparësi ndër shqiptarët ndaj kultit të së madhërishmes estetike. Ndonëse shkroi relativisht pak letërsi të mirëfilltë, Noli prapëseprapë mbetet gjigand i letërsisë. Ai dha ndihmesë të madhe që gjuha shqipe të arrinte potencialin e vet të plotë letrar e krijues. Kështu, ishte krijuar një gjuhë letrare moderne, një gjuhë që ende priste dhe kërkonte letërsinë e vet.
Një tjetër shqiptar i shquar me banim në Shtetet e Bashkuara ishte publicisti dhe personaliteti politik Sotir Peci (1873-1932), që e hasim edhe të shkruar Sotir Pettsy, nga fshati Dardhë i Korçës. Para se të mërgonte në Amerikë më 1906 Peci kishte studiuar për fizikë dhe matematikë në Universitetin e Athinës. Me të mbërritur në Botën e Re, themeloi në Boston gazetën e përjavshme shqip Kombi, e cila u shpall si e para dhe e vetmja gazetë shqiptare në Amerikë dhe organ i interesave shqiptarë. Numri i parë i kësaj së përjavshmeje politike, kulturore e letrare të botuar shqip, herë pas here me artikuj anglisht, frëngjisht dhe italisht, doli më 15 qershor 1906. Ndër bashkëpunëtorët e afërt të Pecit në redaksinë e gazetës ishte Fan Noli, i cili kishte ardhur në Nju Jork më 10 maj 1906. Pas pak kohe Peci e la Nolin të merrej me gazetën, e cila vazhdoi të dalë deri më 1909, kurse vetë u kthye në Shqipëri, ku mendoi se mund të ndihmonte më shumë për çështjen kombëtare. Ai përfaqësoi bashkësinë shqiptaro-amerikane në Kongresin e Manastirit më 1908 dhe, pas pavarësisë, punoi si mësues në Elbasan e në Korçë. Në Kongresin e Lushnjës më 1920, i cili hodhi themelet e një pavarësie të vërtetë të Shqipërisë, Peci u emërua ministër i arsimit, kurse pas një viti u zgjodh deputet i Korçës në parlament. Nga 24 dhjetor 1921 deri 31 janar 1925 ishte edhe anëtar i Këshillit të Lartë. Përveç veprimtarisë botuese, Peci është autor i një gramatike të shqipes (1912) dhe i disa teksteve shkollore. Vdiq më 8 prill 1932.
Nga anëtarët e tjerë të shquar të bashkësisë shqiptaro-amerikane në zgrip të shekullit, mund të përmendim gazetarin dhe veprimtarin Kristo Anastas Dako (angl. Christo Anastas Dako, 1878-1941). Për herë të parë në lëvizjen kombëtare Kristo Dakoja mori pjesë si student në Bukuresht, ku për veprimtarinë e kryer atje u burgos për një farë kohe. U martua me Sevasti Qiriazin (1871-1949), një figurë e shquar e arsimit për vajza, dhe mërgoi në Shtetet e Bashkuara më 1907. Atje rivalizoi me Nolin për drejtimin e bashkësisë shqiptare në Masaçusets, kurse më 1913 u bë president i Federatës Vatra dhe redaktor i organit kryesor të saj, së përjavshmes Dielli në Boston. Ai ishte gjithashtu redaktor i periodikut jetëshkurtër Biblioteka zëri i Shqipërisë i botuar më 1915 në Sofje dhe më 1916 në Sauthbrixh (Southbridge), Masaçusets. Veç këtyre, Dakoja ishte edhe autor tekstesh shkollore dhe veprash historike-politike si studimi Cilët janë Shqipëtarët, Manastir 1911; Albania, the master key to the Near East, Boston 1919 (Shqipëria, çelësi kryesor për Lindjen e Afërt); studimi i shkurtër historik Liga e Prizrenit, Bukuresht 1922; e më pas Shënime historike nga jeta dhe veprat e Nalt Madhërisë së tij Zogu i parë Mbreti i Shqiptarvet, Tiranë 1937, përkthyer anglisht nga vetë autori nën titullin Zogu, the first king of the Albanians. A sketch of his life and times, Tiranë 1937. Është e tepërt të themi se kjo e fundit bëri që të mos e kujtonin fort me dëshirë në Shqipërinë komuniste të pasluftës.
Aktiv në Shtetet e Bashkuara ka qenë edhe publicisti dhe shkrimtari i shquar Kostandin Anastas Çekrezi (99) (angl. Constantine Anastasi Chekrezi, 1892-1959). Ka lindur në fshatin Ziçisht të Korçës dhe, pasi humbi vendin e punës si përkthyes i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit nga shpërthimi i Luftës së Parë Botërore, mërgoi në Shtetet e Bashkuara duke kaluar nga Italia. Në Boston u ngarkua për një farë kohe me gazetën Dielli derisa e mori Fan Noli. Sikundër Konica, Çekrezi studioi dhe u diplomua në Universitetin e Harvardit. Po në Boston ai botoi periodikun Illyria, që zgjati vetëm gjashtë muaj, nga marsi në nëntor 1916, kurse në fillim të vitit 1919 u bë redaktor i së përmuajshmes së Nolit The Adriatic review. Çekrezi punoi si komisioner i lartë i Shqipërisë në Uashington dhe ishte autor i një numri librash shqip dhe anglisht, sidomos i disa veprave të vëllimshme për historinë e Shqipërisë, të cilat, për horizontin që hapnin, ishin mjaft të spikatura për kohën. Ndër këta libra janë: Albania past and present, Nju Jork 1919 (Shqipëria në të kaluarën e në të tashmen); Kendime për rjeshten e funtme te shkollave filltare, Boston 1921; Histori e Shqipërisë, Boston 1921; Histori e vjetër që në kohërat e Pellazgëve gjer në rrënien e Perandorisë romane, Boston 1921; Histori e re e Evropës, Boston 1921; Historia mesjetare e Evropës që në rënien e Romës gjer në rënien e Kostantinopojës (478-1453), Boston 1921; dhe i pari fjalor anglisht-shqip, Chekrezi's English- Albanian dictionary, Fjalor inglisht-shqip i Çekrezit, Boston 1923.
__________________________________________________ _________________
99 kr. Koliqi 1959b.
Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)
Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës. Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...