2012-06-27
Luca Matranga, 1567-1619 dhe Doktrina e Krishterë (1592)
Lekë Matrënga (Luca Matranga, 1567-1619) ka qenë një klerik ortodoks i bashkësisë arbëreshe të Sicilisë. Ai ka lindur ose në Horën e Arbëreshëvet (ital. Piana degli Albanesi, që në atë kohë quhej Piana dei Greci) në jug të Palermos ose në Monreale, pinjoll i një familjeje arbëreshe që kishte emigruar në Sicili, ndoshta nga Peloponezi, rreth viteve 1532-1533. Data e saktë e lindjes nuk dihet(11). Për pesë vjet, ka të ngjarë nga 1582 deri më 1587, ai studioi në Kolegjin Grek të Shën Athanasit në Romë, që kishte qenë themeluar më 1577, dhe pastaj u kthye në Sicilinë e tij të lindjes. Është përmendur në 'Kronikën e të gjithë studentëve të Kolegjit Grek që nga themelimi e deri më 1640', ku shkurt thuhet: "Lekë Matrënga nga Monreale e Sicilisë, me kombësi shqiptare, student i rëndomtë, studioi kulturën e lashtë greke e latine, pastaj u largua për arsye sëmundjeje, pasi kishte kaluar pesë vjet në këtë kolegj".
Nga një dëshmi pagëzimi mësojmë se Matrënga u mor me detyra pastorale midis arbëreshëve të Horës së Arbëreshëvet në dhjetor 1601. Dëshmia thotë: "Unë, Don Lekë Matrënga, famullitar në këtë kishë të Shën Gjergjit, pagëzova një foshnjë mashkull më tridhjetë të nëntorit të kaluar, birin e Antoni dhe Venera Zalapit, dhe emri iu vu Andrea. Kumbar ishte Françesko i të nderuarve Josep dhe Beatriçe Guzeta, kurse kumbare ishte Domenika, e bija e të nderuarve Josep e Beatriçe Guzeta, e shoqja e Joan Muzakës nga kjo krahinë e Pianës(12)." Për jetën e Matrëngës nuk dihet gjë tjetër. Vdiq si kryeprift më 6 maj 1619.
Lekë Matrënga ka mbetur si autor i një vepre të titulluar E mbsuame e krështerë(13), Romë 1592 (Doktrina e Krishterë), një katekizëm prej njëzetetetë faqesh i përkthyer nga një vepër latinisht e priftit jezuit spanjoll Jakob Ledesma (1516-1575). Kopja në dorëshkrim e përkthimit, që ka ardhur deri në ditët tona në tri variante të ndryshme(14), i pari nga të cilat është me sa duket me shkrimin e vetë Matrëngës, është kataloguar nën Codex Barberini Latini 3454 në Bibliotekën e Vatikanit. Nga data e shënuar në variantin e parë, mësojmë se Matrënga e ka përfunduar përkthimin e tij më 20 mars 1592 në Piana dei Greci. Varianti i botuar, nga i cili ka shpëtuar vetëm një kopje, u shtyp në Romë nga Gulielm Façoti (Guglielmo Facciotto) 'me lejen
__________________________________________________ _________________
11 La Piana 1912, f. 4, jep vitin 1560, por sot kjo datë merret si tepër e hershme. Shuteriqi 1987, f. 97, ditëlindjen e vendos në vitet 1571-1572.
12 Arkivi i Katedrales në Horën e Arbëreshëve. Regjistri i pagëzimeve, vëll. 3, nr. 835, fletë 85.
13 kr. La Piana 1912, Rrota 1939, Sciambra 1964, dhe F. Sulejmani 1979.
14 kr. Riza 1962, 1965b. Një variant tjetër i dorëshkrimit, i zbuluar nga Skiroi më 1909 dhe i përdorur nga La Piana më 1912, me sa duket është zhdukur.
__________________________________________________ _________________
e eprorëve' dhe u zbulua nga Mario Roku (Mario Roques)(15). Ai është mbështetur në njërin prej varianteve të dorëshkrimit të redaktuar keq dhe përmban shumë gabime. Titulli i plotë i botimit është:
"Embsuame e chraesterae. Baeaera per tae Vrtaenae Atae Ladesmae sciochiaeriet Iesusit. E prierrae laetireiet mbae gluchae tae arbaeresciae paer Lecae Matraengnae. Imbsuam i Cullegit Graec tae Romaesae. Dottrina Christiana. Composta dal Reuerendo P. Dottor Ledesma della Compagnia di Giesù. Tradotta di lingua Italiana nell'Albanese per Luca Matranga alumno del Collegio Greco in Roma"
(Doktrina e krishterë. Bërë nga i urti At Ledesma i Shoqatës së Jesuit. Përkthyer nga italishtja në gjuhën arbëreshe nga Lekë Matrënga, student i Kolegjit Grek të Romës.)
Vepra e Matrëngës përmban një hyrje në italishte, një vjershë me tetë vargje që përbën llojin e parë të vargut të shkruar në shqip, si dhe vetë katekizmën, e cila është një udhëzim fetar për doktrinat kishtare në formën e pyetje-përgjigjeve. Në hyrje, duke ia kushtuar veprën kardinalit Ludovico II de Torres, argjipeshkëv i Monreales, Matrënga shpjegon se përkthimi ishte bërë për t'u përdorur nga arbëreshët që nuk e kuptonin variantin italisht të katekizmës në qarkullim, duke theksuar se ai do t'u vlente "qindra familjeve në Kalabri e në Pulje" me prejardhje shqiptare.
Ndonëse e shkurtër në krahasim me vepra të tjera të letërsisë së hershme shqiptare, vetëm me 28 faqe, Doktrina e Krishterë e Matrëngës është me rëndësi historike e letrare jo vetëm si botimi i dytë më i vjetër i letërsisë shqiptare, por edhe si vepra e parë nga një arbëresh dhe e para vepër e shkruar në toskërishte. Të gjithë autorët e tjerë të hershëm shqiptarë, Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Frang Bardhi dhe Pjetër Bogdani, kanë shkruar në dialektin e tyre të gegërishtes. Me sa duket, Matrënga në Sicilinë e vendlindjes nuk do ta ketë njohur Mesharin e Buzukut të botuar tridhjeteshtatë vjet më parë. Ai nuk u ndikua fare nga drejtshkrimi i këtij të fundit. U mjaftua me shkronjat e alfabetit latin, ndërkohë që shkrimtarët shqiptarë veriorë në Ballkan përdornin veç tyre edhe disa shkronja cirilike. Matrënga përdori ae për zanoren e pazëshme që tani shkruhet ë, italishten sc(i) për sh dhe ishte i pari që përdori th për frikativen dentale. Shqipja e tij(16) ka një ngjyrim të fortë me leksik të greqishtes, jo vetëm sepse greqishtja ishte gjuha e kishës ortodokse, por edhe sepse pikërisht nga Greqia kishin ikur arbëreshët e Sicilisë gjashtëdhjetë vjet më parë. Në atë eksod duhet të kenë marrë pjesë gjyshërit e tij, në mos edhe prindërit. Ky shtresim nga leksiku i greqishtes në dialektet arbëreshe ka ardhur duke u dobësuar ashtu si ka ndodhur me leksikun turqisht në shqipen e Ballkanit, i cili pak nga pak ka dalë jashtë përdorimit.
Vepra e Matrëngës përmban një leksik të përgjithshëm prej 450
fjalësh. Vjersha e parë që i takoi të botohet në gjuhën shqipe, përbëhet nga tetë vargje në njëmbëdhjetërrokësh me rimë të këmbyer. Ajo përmban një ide prekëse dhe titullohet thjesht 'Canzona spirituale' (Këngë e përshpirtshme):
"Cghíthaeue u thaerés cúx dó ndaegliésae,
Tae mírae tae chraextée búra e gráa,
Mbae fiálaet tae tinaezót tae xíchi méxae,
Sé síxtae gneríj néx cciae mcátae scáa,
__________________________________________________ _________________
15 kr. Roques 1932b, f. 19.
16 kr. Ashta 1957, 1965.
__________________________________________________ _________________
Elúm cúx e cuitón sé cáa tae vdésae,
E mentae báxcae mbae taenaezónae i cáa,
Sé chríxti ndae parráisit i baen piésae,
E baen paer bijr tae tij e paer vaeláa."
(Gjithëve u thërres, kush do ndëljesë,
Të mirë të krështee burra e graa,
Mbë fjalët të tinëzot të shihi meshë,
Se s'ishtë njeri nesh që mkatë s'kaa;
E lum kush e kujton se kaa të vdesë,
E mentë bashkë mbë tënëzonë i kaa;
Se Krishti ndë parrajsit i bën pjesë,
E bën për bir të ti e për vëllaa.)
Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale
Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...