NGA REXHEP SHAHU-TIRANË
Nuk dua festë në ditëlindjen time
Nuk dua asgjë, as ta dijë e përmendë kush ditëlindjen time s’dua
As dhuratë nga askush, se askush s’e di se çfarë dua unë vertet.
Dua heshtje, heshtje, heshtje, teksa fëmijët mbyllin ditën e tyre
Pa menduar plakjen time të pashmangshme, të frikshme, të përditshme.
Asgjë s’dua, veç ti të jesh me mua, diku në mal mes freskut të lisave krenarë
A në një dhomë, ah sa e kemi ëndërruar me ty, buzë detit
Dhe më jep një gotë verë të kuqe të shoh përthyerjen e flakës së një qiriu
Që digjet në sytë tanë, si unë gjer më sot në heshtje të plumbtë
Heshtje që më thotë se duhet të jem më i matur në jetë e i pangutur
E gjërat në jetën e mbetur duhen vlerësuar më shumë
Për shkak të rëndësisië që kanë e që s’u kam kushtuar vemendje.
Të bënim festë me zhurmë e gëzime hipokrite për ditëlindjen time
Do duhej të fikja dhjetra qirinj nën duartrokitje e qeshje të paduhura
Se nuk duartrokitet jeta që iku e motet e dështuara që çova dëm
Nuk u gëzohem dot dështimeve të mia as sosjes së jetës time
As vitet që humba pa ty nuk duartrokiten se humbja s’duartrokitet kurrë.
Ndaj, lermë ta shoh si përthyhet flaka e qiririt në gotën me verë të kuqe
Dhe në sytë e tu që më shohin ëmbëlsisht pafund në këtë qetësi.
Më ler të heshtem në ty që je gjithë bota e jeta që dua,
Dhe lere detin të flasë e ta dëgjojmë teksa shihemi sy më sy, jo për të vajtuar
Motet e mia që ikën pa u nginjur e mbushur dot kurrë me ty,
Joooo! Por lere të flasë e ta dëgjojmë se flet më mirë nga ne të dy
Dhe na fton në valsin e tij magjik mbi valë të dalim të përqafuar në breg
Dorë për dore të ecim zbathur nëpër valën që ikën dhe vjen e të vallëzojmë
Nëpër valën që puth rërën që ikën e ikën poshtë këmbëve tona
Për të na thënë se ashtu ikën dhe ikin vitet e mia dhe s’i mbajtëm dot
Edhe pse dorë për dore kemi ndënjur siç po rrimë tani
Duke u mbajtur fort në njëri-tjetrin
Për të kuptuar e besuar se si na ikën toka nën këmbë, si na ikën jeta
E çuar dëm e që s’kthehet kurrë më për ne sado vaj e lutje të derdhim
Ne të dy dhe gjithë dashnorët e botës zemër coptuar.
Pasi të bëhemi esull në breg dhe njerëzorë sa njerëzit me mend,
Pasi t’i thërras e të flas me sirenat në sy tënd që t’i dëgjosh edhe ti,
E të të thonë se të kanë motër por të kanë lënë në tokë për mua,
Më prij për në dhomën ku kemi lënë qiririn të digjet, të digjemi në flakën e tij
Të sosim gotat e lëna përgjysmë duke pirë në buzët e njëri-tjetrit.
Unë nuk dua tavolinë të shtruar feste, urime gëzimi e cakërrime gotash
Në ditëlindjen time,
Sepse nuk dua të festoj humbjet e mia, vitet e çuara dëm
Nuk dua t’i shes mend zotit e as të festoj plakjen.
Nuk dua sepse kështu çoj dëm orët e lumtura që do të rrija veç me ty
Dhe trishtohem për këtë shkak, trishtohem pa fund…