Dr. Myzafere Mustafa, Instituti Albanologjik, Prishtinë
Përmbajtje e shkurtër:
Përralla me botën e saj të pasur, në strukturën e saj thellësore reflekton edhe kuptime që determinojnë botëkuptimet e njeriut në relacion me natyrën dhe me kozmosin. Pjesë e natyrës konsiderohen ndihmësit, këshillëdhënësit dhe kundërshtarët. Si ndihmës këshillëdhënës dhe kundërshtarë në përrallë veprojnë qeniet natyrore, qeniet dhe fuqitë mbinatyrore. Tri kategoritë e përrallës heroi, ndihmësi, kundërshtari mund të zëvendësohen me kategoritë njeriu, natyra, fuqitë mbinatyrore. Përralla ka diskursin e saj specifik me një strukturë simbolike, e cila strukturë mund të interpretohet vetëm përbrenda saj, meqë ajo përmban në vete të vërtetën e brendshme thellësore.
Përralla refleksion i botëkuptimeve njerëzore
Përralla dhe shtresat e saj kuptimore përveç interpretimit në rrafshin letrar artistik, psikologjik etj., mund të interpretohet edhe në rrafshin mitologjik, si zhanër që reflekton njohuritë dhe botëkuptimet njerëzore për natyrën, kozmogoninë dhe kosmologjinë, ku disa nga figurat e përrallës sidomos ndihmësit dhe këshillëdhënësit konsiderohen pjesë e natyrës që bashkëveprojnë me heroin. Këtë qasje e dëshmon përbërja e përrallës, ku heroi në një sërë krijimesh bashkëvepron me qenie të ndryshme të natyrës si: insekte, shpezë, kafshë, qenie mitologjike, apo dukuri të natyrës dhe përbërës të kozmosit. Gjatë aksionit apo veprimit, heroi i përrallës ballafaqohet dhe bashkëvepron me insekte si: thneglat, bletët; me shpendët e ndryshme si: pëllumbi, shqiponja etj.; me krijesa të natyrës që i kundërvihen atij si: kuçedra, llamja, dragoi etj.; apo trupat qiellorë dhe dukuritë natyrore si: dielli, hëna, era etj. Hetohet sidomos roli i gjarprit i kuçedrës, dragoit në funksion të personazhit bashkëveprues apo në funksion të ndihmësit apo kundërshtarit. Të gjitha këto krijesa në përrallë mund t’i konsiderojmë si premisa të botëkuptimeve të lashta lidhur me natyrën, kosmologjinë apo kosmogoninë. “Lidhja e njeriut me natyrën nuk është vetëm fizike dhe materiale e biologjike, por edhe psikologjike, morale, shpirtërore… Lidhja shpirtërore e njeriut me natyrën vjen duke u rikthyer përmes praktikave sociale, kulturore, shkencore… Format e reprezentimit social të natyrës tek popujt dhe kulturat e ndryshme paraqesin bazë të fortë identitare për ata popuj dhe ato kultura. Sistemi kulturor, sistemi i simboleve dhe i besimeve, mitologjia etj., tek të gjithë popujt, përveç funksionit komunikativ integrativ në shoqëri ka pasur edhe funksionin e ruajtjes ose të rikrijimit të baraspeshës në natyrë. Edhe ndër shqiptarë ka shumë elemente kulturore arkaike, kulte e besime, mite apo legjenda … të cilat mund të nxjerrin në shesh funksionin e baraspeshës ndërmjet njeriut dhe natyrës, ndërmjet shoqërisë dhe mjedisit.”[1]
Në përrallë heroi veprimin e kryen jashtë shtëpisë së vet, shtëpia shënjon hapësirën e mbyllur të mbrojtur, ku nuk mund të hyjnë forcat e huaja kundërshtare. Që të zhvillohet veprimi heroi duhet të dalë nga hapësira e mbyllur, për t’u ballafaquar me figurat e tjera dhe për të zhvilluar aktivitetin. Këto figura jetojnë zakonisht jashtë në natyrë të hapur, jashtë hapësirës ku jeton heroi i mbrojtur. Në rastet kur figurat antagoniste jetojnë në hapësirë të mbyllur, kjo hapësirë konsiderohet si e huaj dhe rrezikshme për heroin.[2]
Forcat apo figurat me të cilat ndeshet heroi dhe të cilat e nxisin dhe e mundësojnë veprimin e mëtutjeshëm të tij dhe zhvillimin e ndodhisë, herë shfaqen si bashkëveprues, pra si ndihmës apo aleatë e herë si kundërshtarë. Pozita dhe funksioni i tyre varet nga strukturimi i segmenteve të veprimit. Duke qenë se këto forca jetojnë në natyrë, vetë ekzistimi dhe qenia e tyre mund të identifikohen dhe të emërtohen si pjesë e natyrës.
Fati i individit interes esencial i përrallës
Kafshët, insektet, shpendët etj., që në përrallë mund të shfaqen, herë si kundërshtarë e herë si ndihmës, janë përfytyrim i parimeve të natyrës, si pjesë e natyrës që janë shumë afër qenies njerëzore.
Marrëdhënia heroi : ndihmësi : kundërshtari
Në përrallë shfaqet marrëdhënia e tri kategorive[4] heroi : ndihmësi : kundërshtari.
Secili nga këta pjesëtarë është reprezentues i kategorisë së caktuar përkatëse që së bashku e përbëjnë tërësinë e universit të menduar. Këto kategori janë në mes vete në raporte kundërshtie. Heroi i përrallës gjithnjë është njeri që i takon një mjedisi shoqëror, për dallim nga heroi i mitit i cili ka veçori dhe fuqi mitike. Ndihmësi është qenie e natyrës e cila e posedon dijen dhe fuqinë, që janë të domosdoshme për t’iu kundërvënë kundërshtarit të heroit. Kundërshtari shfaqet si figurë me veçori mbinatyrore, si qenie me veti demoniake, apo si kafshë me veti antropomorfe, ai i takon kategorisë të mbinatyrshmes. Në përrallë tri kategoritë: heroi : ndihmësi : kundërshtari mund të zëvendësohen me kategoritë: njeriu : natyra : fuqitë mbinatyrore.
Opozita heroi: kundërshtari mund të barazohet me opozitën njeriu: fuqitë mbinatyrore.
Në takimin me bashkëveprimtarin heroi nuk e ka fuqinë e veprimit dhe njohuritë për të vepruar i pavarur, por ai ka njohurinë për kodin e dëshiruar të sjelljes shoqërore. Me aplikimin e kodit të sjelljes shoqërore, me shpërnderimin e shërbimeve dhe me marrëveshjen me bashkëveprimtarin do të arrijë ta fitojë ndihmën e tij. Këtij opozicioni i përgjigjet modaliteti me ditë.
Çifti i opozitës bashkëveprimtari : kundërshtari është i barabartë me çiftin e opozitës natyra : fuqitë mbinatyrore
Në sprovën e dytë të heroit, që zakonisht është lufta me kundërshtarin, shfaqet në skenë ndihmësi (bashkëveprimtari), ai posedon njohuritë për kodin e sjelljes jo shoqërore, i cili është jashtë fuqisë njerëzore dhe i cili ndihmon përdorimin e fuqisë për mbizotërimin e kundërshtarit. Këtë opozitë e karakterizon modalitetime mujtë.
Modalitetet me dashtë, me ditë dhe me mujtë kur të vendosen në raporte të ndërsjella të rregulluara japin pasqyrën e rendit shoqëror dhe kulturor dhe mundësojnë mbijetesën dhe ekzistencën e njeriut. Prishja e marrëdhënieve të ndonjërit nga modalitetet kërcënon prishjen e rendit të vendosur. Këto raporte i përgjigjen skemës .
Njeriu,shoqëria : natyra : fuqitë mbinatyrore
Socializimi i natyrës
Ruajtja e rendit shoqëror dhe kulturor dhe mbrojtja e tij nga forcat kërcënuese që janë mbi fuqinë e njeriut arrihet nëpërmjet përvetësimit të disa fuqive natyrore, në kuptimin simbolik duke e socializuar natyrën. Nëse përsëri shikohet opozita ndihmës : kundërshtar
e cila mundëson zgjidhjen në përrallë mund të supozohet se në thelbin e kësaj opozite qëndron parimi logjik se vetëm kategoritë e njëjta mund t’i kundërvihen njëra tjetrës. Kjo do të thotë se edhe forcat mbinatyrore, nga një aspekt më i gjerë i takojnë sferës së natyrës. Nga kjo pason edhe sqarimi i kodit “jo shoqëror” të sjelljes, i cili qëndron në thelbin e proceseve shoqërore dhe të parimeve, e të cilët nuk përfshihen në ndikimet e kulturës dhe të shoqërisë, dhe në këtë aspekt janë jashtë njeriut. Nëse pra ndihmësin (bashkëvepruesin) dhe kundërshtarin i kuptojmë si “natyrë”, atëherë në raport me njeriun ndihmësi shfaqet si “natyrë joantagoniste”, ndërsa kundërshtari si “natyrë antagoniste”. Kështu relacioni njeriu: natyra: fuqitë mbinatyrore
mund të zëvendësohet me relacionin
njeriu:marrëdhënia jo antagoniste me natyrën
njeriu: marrëdhënia antagoniste me natyrën
Në këtë mënyrë mund të thuhet se pjesa nukleare apo qendrore e përrallës është opozita Njeriu : Natyra
Përralla na rrëfen se njeriu posedon dëshirën dhe diturinë me të cilën mund t’i zotërojë fuqitë që e mbizotërojnë atë e që konsiderohen si forca të rrezikshme, këto forca i mbizotëron nëpërmjet të natyrës si mediator. Por për ta zotëruar natyrën ai duhet ta socializojë atë dhe në ligjet natyrore t’i projektojë normat e rendit shoqëror dhe moral. Kjo zgjidhje e cila është brenda fuqisë njerëzore, mund të arrihet me aplikimin e kodit shoqëror të sjelljes. Por duke ditur se në raste të ndryshme ndihmësi vepron në vend të heroit – njeriut, përralla pranon ekzistimin e asaj sfere që është jashtë fuqisë njerëzore dhe i kërcënohet ekzistencës së heroit. Në nivelin latent përralla e pranon pamundësinë e zgjidhjes përfundimtare të zotërimit të opozitës themelore njeriu: natyra, derisa në nivelin manifestiv këtë opozitë e zbut duke ofruar vizionin optimist të natyrës së “socializuar”, përkatësisht të shoqërisë me vlera dhe ligjshmëri të stabilizuara. Për këtë arsye shumë studiues konsiderojnë se përralla reflekton utopinë sociale. Nëse përrallën e konsiderojmë si një vazhdimësi apo formësim të dalë nga miti,[5] ky konstatim shpie intencën e saj kah funksioni shoqëror, përveç funksionit të saj estetik, pedagogjik dhe etik dhe të themi se përralla përmban refleksione të paradigmave shoqërore dhe kulturale, morale, estetike dhe aksiologjike. Megjithatë, nëse do të bënim përpjekje që ndodhitë e përrallës të interpretohen drejtpërsëdrejti nëpërmjet të kontekstit real jetësor, kjo do të na shpinte në thjeshtësim. Diskursi specifik i përrallës ka një strukturë simbolike, e cila strukturë mund të interpretohet vetëm përbrenda saj, ajo përmban në vete të vërtetën e brendshme thellësore. Për përrallën nuk është me rëndësi se sa janë reale ndodhitë që i rrëfen, por cili është realiteti i saj thellësor kuptimor i brendisë së saj, përralla nuk është shprehje e drejtpërdrejtë e realitetit por as edhe negacion i tij, megjithatë lëndën e trajtuar ia nënshtron përpunimit poetik për t’ia kthyer marrësit si metaforë, si projeksion të realitetit që virtualisht ka mundësi të jetë i realizueshëm.
[1] Shemsi Krasniqi, Natyra dhe ahti i saj, Koha ditore, shtojca për kulturë, 31 korrik 2o10, f.25 dhe 27.
[2] Myzafere Mustafa, Përralla shqiptare, poetika dhe mitikja, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2003
[3] Bruno Betelhajm, Značenje bajki, preveo Branko Vukičević, Jugoslavija, Beograd,1979
[4] Claude Bremond, La logique de possibles narratifs, Comunication, 8, 1966
[5] Shih: Eleazar M. Meletinski, Poetika mita, Nolit, Beograd (pa date botimi) f.268 dhe 270
No comments:
Post a Comment