2012-06-27

Shqipja me alfabet grek e me alfabete të tjera





Në shekullin e tetëmbëdhjetë dhe në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë, prapëseprapë gjejmë një numër dokumentesh në gjuhën shqipe, të shkruara e të ruajtura në alfabetin grek, që dëshmojnë se interesimi për të shkruar shqipen kurrsesi nuk qe shuar në këtë kulturë të përzier. Këto vepra, nga të cilat pak janë botuar, përfshijnë përkthime nga letërsia fetare ortodokse, fjalorë dhe shënime për gramatikën e gjuhës shqipe. Edhe pse ato nuk janë letërsi artistike si e tillë, në rrethana të tjera, ato mund të kishin hedhur themelet e një tradite të re letrare në Shqipëri (1).

Alfabeti grek ka qenë krijim i grekëve të lashtë, i ndikuar në një periudhë fillestare të historisë së tyre nga fenikasit, dhe u formësua për t'iu përshtatur sistemit tingullor të gjuhës së tyre. Ai vazhdoi të përdorej për greqishten e re ndonëse shumë nga shkronjat e këtij alfabeti ishin bërë të tepërta në rrafsh sinkronik si pasojë e ndryshimeve fonologjike në shekuj. Kur përshtatej për gjuhën shqipe, ky sistem shkrimi nuk kishte shkronja të tepërta, por vetëm ato të gabuarat. Për shembull në shkrimin grek është e pamundur të bëhet dallim midis s dhe sh ose z dhe zh, ose të shprehen bashkëtingëlloret c, xh, gj, q të shqipes, ose zanorja asnjanëse ë. Por, natyrisht, me vullnet bëhet gjithçka, dhe vërtet shumë dijetarë ortodoksë te shekullit të tetëmbëdhjetë u përpoqën të përdorin alfabetin grek si të vetmin mjet të mundshëm që kishin për të shkruar shqipen. Dokumenti më i vjetër i shqipes me alfabet grek është Ungjilli i Pashkëve ose Perikopeja e përmendur më sipër, pa dyshim i shekullit të pesëmbëdhjetë ose fillimit të shekullit të gjashtëmbëdhjetë, pesëmbëdhjetë radhë të përkthyera nga Ungjilli i Shën Mateut (27: 62-66).

Ai u zbulua nga historiani grek Spiridon Lampros (1851-1919) më 1906 në një dorëshkrim grek (2) që ruhej në Bibliotekën Ambrosiane të Milanos. Kjo vepër është një farë përjashtimi nga tradita ortodokse së pari, sepse duket se është dyqind vjet më e hershme se tekstet e tjera me rëndësi të shqipes me shkrim grek dhe, së dyti, sepse është gjetur në Italinë e veriut. Sidoqoftë, duhet të presim plot dy shekuj për rizbulimin e shkrimit grek. Nga viti 1731 vjen një gravurë e Virgjëreshës Mari që u vendos në Arkivin e Institutit të Shkencave, paraardhësi i Akademisë së Shkencave në Tiranë. Në këtë gravurë (3), e cila doli nga Manastiri i Shën Mërisë së Ardenicës midis qiparisash në një majë kodre afër Lushnjës, i restauruar kohët e fundit, është teksti 'Virgjëreshë dhe Nënë e Zotit lutu për ne mëkatarët' në tri gjuhë: greqisht, shqip dhe arumanisht, si edhe një tekst pakëz më i ndryshëm latinisht Regina Mater et Virgo auxiliare Servis suis. Teksti në shqipe me alfabet grek thotë Virgjin ë Mame eperndis uro prë nee faj torëte dhe i vishet një Nektar Tërpo (greq. Nektarios Terpos), klerik pa dyshim me prejardhje arumune nga Voskopoja. Tërpoja ishte kryemurg në Ardenicë dhe autor i një vepre fetare greqisht të titulluar Bibliarion kalumenon pistis, shtypur në Venedik më 1732 dhe 1750, e cila, ndonëse pa tekstin shqip të sipërpërmendur, përmban të njëjtën gravurë.

Kultura ortodokse në Shqipërinë e shekullit të tetëmbëdhjetë lidhet ngushtë me lulëzimin e qytetit të Voskopojës (4), tani një fshat prej pesëqind banorësh midis malesh njëzetepesë kilometra në perëndim të Korçës. Në shekullin e tetëmbëdhjetë, Voskopoja, e njohur në greqishte me emrin Moschopolis dhe në arumunishte Moscopole, u rrit jashtëzakonisht për nga madhësia dhe thonë se u bë një nga qytetet më të mëdha të Ballkanit si dhe qendër e lulëzuar e tregtisë dhe kulturës qytetare. Në kulmin e vet, para se të plaçkitej për herë të parë më 1769, thuhet se ka pasur një popullsi me afro 20,000-50,000 banorë, më të madhe se Athina, Sofje apo Beogradi asokohe, me 24 kisha, një spital, një jetimore, një

__________________________________________________ _________________

1 kr. Elsie 1991a.

2 Codex 133, f. 63. kr. Martini-Bassi Catalogus Codicum Graecorum, si dhe Lampros 1906 dhe Borgia 1930.

3 kr. Shuteriqi 1976, f. 107, dhe Hetzer 1982b, f. 140-141.

4 Për historinë e Voskopojës është shkruar shumë, kryesisht në greqishte dhe gjermanishte. kr. Skenderês 1928, Michalopoulos 1941, Martinianos 1957, Adhami 1972, 1989, Geôrgiadês 1975, Peyfuss 1976, 1986 dhe 1989, Gkatsopulos 1979, dhe Hetzer 1981a, f. 20-25.
__________________________________________________ _________________

bibliotekë, të vetmen shtypshkronjë (5) greke në Ballkan, e cila pati botuar të paktën nëntëmbëdhjetë vepra fetare, si dhe të ashtuquajturën 'Akademia e Re'. Akademia e Re ose Hellênikon Frontistêrion ishte një qendër e dijes e themeluar më 1744, e ngjashme me akademitë që dihet se kanë qenë në Bukuresht, Jash, Konstantinopojë, Mecovë, Janinë, në Malin Atos dhe Patmos. Shumë dijetarë grekë me emër vinin në Voskopojë për t'u dhënë mësim arumunëve, që përbënin shumicën e popullsisë, shqiptarëve dhe grekëve. Akademia e Re nuk ishte institucion vetëm teologjik. Ajo gëzonte emër të mirë për mësimdhënien e greqishtes së vjetër, filozofisë, matematikës dhe fizikës, dhe nxori shumë shkrimtarë e dijetarë të njohur. Midis viteve 1769 dhe 1789 Voskopoja u plaçkit disa herë dhe erdhi duke e humbur gjallërinë dhe rëndësinë si qendër tregtare në rrugët midis Konstantinopojës dhe Venedikut. Ajo në fund u shkatërrua më 1916 gjatë Luftës së Parë Botërore dhe, me përjashtim të katër a pesë kishave të bukura ortodokse, ndërtesat historike që patën mbetur, u rrafshuan tragjikisht gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Dorëshkrimi Elbasanas i Ungjijve (6), i quajtur edhe Anonimi i Elbasanit, është një vepër që përmban përkthime pjesësh të katër ungjijve në gjuhën shqipe. Nuk është shkruar me shkrim grek, por me një alfabet të veçantë prej dyzet shkronjash, me sa duket më i vjetri shembull i një alfabeti origjinal shqip që njihet. Kjo vepër prej gjashtëdhjetë faqesh u gjet fillimisht në manastirin e Shën Gjon Vladimirit, të themeluar më 1381 nga Karl Topia. Ajo u shpëtua prej studiuesit elbasanas Lef Nosi (1873-1945) nga manastiri, i cili u dogj më 14 mars 1944 dhe, pas ekzekutimit të Nosit në vitin 1945, përfundoi në Tiranë. Autori i dorëshkrimit është pa dyshim Grigori i Voskopojës (vd. 1772), i njohur në shqipe edhe si Grigor Voskopojari ose Grigori i Durrësit, kurse në greqishte si Grêgorios ho Dyrrakhiu. Grigori ka qenë mësues dhe klerik ortodoks në Voskopojë dhe përmendet si autor i disa hagjiografive të botuara atje në greqisht. Nga fundi i jetës ai u zgjodh kryepeshkop i Durrësit (1768) dhe vdiq më 1772, ka të ngjarë në manastirin e Shën Gjon Vladimirit në Shijon të Elbasanit, që, me sa duket, ka qenë selia e kryepeshkopatës asokohe. Dihet se Grigor Voskopojari bëri përkthime të Dhjatës së Vjetër e të Re në një alfabet të shpikur prej tij dhe mund të themi me siguri se Dorëshkrimi Elbasanas i Ungjijve është pjesë e veprës së tij. Megjithatë, Dhimitër Shuteriqi beson se autori i tekstit është një Papa Totasi, prift ortodoks nga ana e Shpatit, emri i të cilit mund të dalë me një shkrim tjetër në faqen e brendshme të dorëshkrimit. Por nuk ka kurrfarë dëshmie konkrete për qenien e një prifti apo shkrimtari të tillë.

Një tjetër figurë e kohës, aktiv në Akademinë e Re në Voskopojë, ka qenë Theodor Haxhifilipi (7) (rreth 1730-1805), i njohur me emrin Dhaskal Todhri nga Elbasani. Pasi studioi në Voskopojë, Todhri dha mësim në shkollën greke në vendlindje, në Elbasan, nga vjen dhe emri Dhaskal (mësues). Studiuesi gjerman Johan Georg fon Han (1811-1869), i cili vizitoi Shqipërinë në gjysmën e parë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, e përmend si njeri që ka përkthyer jo vetëm Dhjatën e Vjetër, por edhe Dhjatën e Re dhe vepra të tjera fetare. Për fat të keq, pjesa më e madhe e shkrimeve të tij u dogjën gjatë një epidemie më 1827, kështu që as nuk mund ta pohojmë e as ta mohojmë mëtimin e Hanit për përkthimet nga Bibla. Ndër fragmentet që kanë mbetur gjallë e që mendohet se janë të Todhrit, të ruajtura në Arkivin Qendror të Shtetit në

__________________________________________________ _________________

5 Për shtypshkronjën e Voskopojës, kr. Peyfuss 1989.

6 kr. Shuteriqi 1949 dhe 1976, f. 91-93, Zamputi 1951, Domi 1965, dhe Elsie
1994c, 1995b.

7 kr. Shuteriqi 1954, 1959, 1976, f. 156-159, dhe Hetzer 1982b, f. 148-149, 1987, f. 71-89.
__________________________________________________ _________________


Tiranë dhe në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë në Vjenë (8), janë përkthime shqip të një Libri Ortodoks të Orëve dhe Mesha e Shën Gjon Gojartit. Todhri i ka shkruar veprat e tij me një alfabet të veçantë prej pesëdhjetë e tre shkronjash, mbështetur me sa duket në një shkrim kursiv grek (disa shohin në të ndikime glagolitike), që del se e ka shpikur vetë. Ky i ashtuquajtur alfabet i Todhrit, krejt i ndryshëm nga ai i Dorëshkrimit Elbasanas të Ungjijve dhe i papërdorur për botim, u shti në punë asokohe edhe nga autorë të tjerë në krahinën e Elbasanit dhe vijoi më rrallë, me sa duket, deri nga vitet 1930(9). Nuk dihet me siguri se çfarë ka shkruar vetë Todhri. Të ruajtura në këtë lloj shkrimi janë, për shembull, edhe dy fabula të Ezopit.

Kostandin Berati (rreth 1745 - rreth 1825), i njohur në shqipe edhe si Kostë Berati, mendohet se ka qenë murg ortodoks dhe shkrimtar nga Berati. Ka specialistë që e mohojnë qenien e tij, të paktën si shkrimtar. Për të thuhet se ka pasur në dorë një dorëshkrim nga 1764 deri 1822, që mendohet se është vepra 154-faqëshe që ruhet sot në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë (10). Ky i ashtuquajturi Kodiku i Kostandinit nga Berati, ose shkurt Kodiku i Beratit, është në të vërtetë një dorëshkrim i thjeshtë në letër dhe nuk duhet kujtuar si 'kodik' pergameni i traditës perëndimore. Duket se ka qenë punë e të paktën dy duarve dhe është përfunduar jo më herët se rreth vitit 1798. Përmban lloj-lloj tekstesh të ndryshme në greqishte dhe shqipe11: tekste liturgjie biblike dhe ortodokse në shqip të shkruar në alfabet grek, të gjitha pa dyshim të përkthyera nga greqishtja ose të ndikuara fuqishëm nga modelet greke; një vjershë shqip me dyzet e katër vargje e me tekstin përkatës greqisht, të njohur si Zonja Shën Mëri përpara kryqësë; dy glosarë greqisht-shqip me një numër të përgjithshëm prej 1710 fjalësh; një fragment të shkurtër që përmban një tjetër alfabet origjinal; shënime të ndryshme me karakter fetar; dhe një kronikë ngjarjesh midis viteve 1764 e 1789 të shkruar greqisht. Disa nga këto tekste fetare të këtij dorëshkrimi më vonë qarkulluan për qëllime mësimdhënieje ndër bashkësitë ortodokse të Shqipërisë qendrore e jugore. Nga pikëpamja gjuhësore ky kodik jep të dhëna me vlerë për dialektin e Beratit në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë.

Me rëndësi letrare në Kodikun e Beratit është Zonja Shën Mëri përpara kryqësë, që përmendëm më sipër, shkruar në të ashtuquajturin varg 'politik' grek (stihos politikos) prej pesëmbëdhjetë rrokjesh. Ai është një përshkrim i çiltër dhe jo pa emocione i tmerrit që ndiente Shën Mëria kur pa të birin të gozhduar në kryq. Si burim është origjinali greqisht nga Akakios Diakrusis prej Qefalonie, botuar më 1730. Poema nis kështu (e transkriptuar këtu në drejtshkrimin shqip):

"Zonj'e Shën Mëri ardhurë,
e mbretëresh'e engjëjet,
e kur e pa mbërthyerë,
e qante ngashëryerë,
Judha i mallëkuarë,
e erdhë e të rrëmbyenë,
të shpunë të të gjykonjënë,
qiturë shahit jallanxhi,

e ndenj përpara kryqsë
zonjë e gjithë dynjasë
shpëtimn'e njerëzisë
me mallëngjim thërriste:
që kallëzoi çifutë
si ujqër të pandieshm
ndë avlli të Pillatit
që të të turpërojnë

__________________________________________________ _________________

8 Ser. Nova 3351.

9 kr. Shuteriqi 1976, f. 159.

10 An. S/22F.

11 kr. Ressuli 1938, Shuteriqi 1976, f. 121-122, dhe Hetzer 1981b, 1981-82, 1982a, 1982b, 1986, 1989.
__________________________________________________ _________________


të ndyninë e të pshtyninë,
me të math zë thërrisinë,
Vallë ç'u pate bër' o bir,
që mbë kryq të mbërthyenë,
o biri im i dashuri,
qysh i duron mundimetë,

e të rrah e të shanë
atij Pillatit: vra-e!
a ç'të lig u punove
e vdekë që të dhanë
e djali im i ëmbli
rrahur'e përçmuarë."


Një Kostandin Cepi (12) (greq. Tzepês), shkrimtar ortodoks nga fshati malor i Vithkuqit, njëzet e gjashtë kilometra në jugperëndim të Korçës në Shqipërinë juglindore, kishte bërë rreth vitit 1822 një kopje të pjesëve të Kodikut të Beratit. Për Cepin thuhet se ka pasur një farë funksioni në bashkësinë ortodokse të krahinës së Korçës. Në veçanti, ai përmendet në një mbishkrim greqisht në hyrje të kishës së Shën Mihalit në Vithkuq (shek. 17-18), i cili thotë: "Unë, Kostandin Cepi, mësues (dhaskal), erdha nga Berati dhe e gjeta këtë vend të rrënuar, me shtëpi të braktisura e gërmadha ...". Dorëshkrimi i Cepit, një kopje e të cilit ruhet sot në Tiranë, përbëhet nga 174 faqe tekstesh fetare, nga të cilat 22 janë në gjuhën shqipe.

Bindja përherë e më e fortë se tekstet liturgjike mund të shkruheshin shqip me anë të alfabetit grek, bëri në të vërtetë që të zgjohej interesimi i dijetarëve dhe klerikëve ortodoksë të Shqipërisë jugore për mundësinë e përkthimeve të Biblës. Ky interesim vazhdoi edhe më tej e sidomos në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë nëpërmjet veprimtarive të Shoqërisë Biblike Britanike dhe Botërore (British and Foreign Bible Society) me seli në Londër.
Nënvizuam më sipër përkthimet e hershme të Biblës në Dorëshkrimin Elbasanas të Ungjijve dhe pohimin e studiuesit Johan Georg fon Han se Todhër Haxhifilipi kishte përkthyer Dhjatën e Vjetër e të Re në shqipe në gjysmën e dytë të shekullit të tetëmbëdhjetë. Në vijim të veprave të Grigor Voskopojarit dhe Todhër Haxhifilipit, i pari përkthim serioz i Biblës që ka ardhur deri në ditët tona e që është botuar me shkrim grek u ndërmor nga Vangjel Meksi (vd. rreth 1823), i njohur në greqishte me emrin Evangelos Meksikos, nga Labova afër Gjirokastrës. Me ndihmën e një letre rekomandimi të Ali pashë Tepelenës (1741-1822) më 1803 u dërgua në Itali për të studiuar mjekësi. Pasi kreu studimet në Napoli, ai u kthye në Janinë dhe shërbeu në oborrin e Ali pashës. Meksi bëri udhëtime nëpër Evropë dhe dihet se ka qenë në Stamboll e në Selanik. Vdiq beqar aty rreth të gjashtëdhjetave në Tripolis, Greqi. Meksi përfundoi një përkthim të Dhjatës së Re në dialektin e tij lab për Shoqërisë Biblike Britanike e Botërore më 1821, por nuk jetoi për ta parë të botuar. Robert Pinkerton, përfaqësuesi i Shoqërisë në Stamboll, njoftonte më 1819 se Meksi kishte hartuar shqip edhe një gramatikë të gjuhës shqipe. Përpos kësaj, thuhet se ka përkthyer edhe një trajtesë fetare të abatit Klod Flëri (Abbé Claude Fleuri, 1640-1723). Ndërkaq, me sa duket, asnjë nga këto nuk ka ardhur deri në ditët tona. Do të ishte Grigor Gjirokastriti (13) (vd. 1829), i njohur në greqishte Grêgorios Argyrokastritês, peshkop i Eubesë dhe nga viti 1827 kryepeshkop i Athinës, që redaktoi dhe botoi përkthimin e Meksit të Ungjillit të Shën Mateut (Shoqata Biblike Joniane, Korfuz 1824) në një variant dygjuhësh shqip/greqisht dhe, tre vjet më pas, me një drejtshkrim të përmirësuar gjerësisht, gjithë Dhjatën e Re (Shoqata Biblike Joniane, Korfuz 1827), përsëri në variant dygjuhësh.

Pas tyre, përkthimet e para të Biblës u ndërmorën në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë nga Kostandin Kristoforidhi Nelko (14) (1826-1895), figurë kryesore ndër

__________________________________________________ _________________

12 kr. Shuteriqi 1976, f. 176, dhe Hetzer 1982b, f. 146.

13 kr. Lauriotos 1935.

14 kr. S. Shuteriqi 1911, Dh. Shuteriqi 1950 dhe Qosja 1984, vëll. 2, f. 375-420.
__________________________________________________ _________________

dijetarët shqiptarë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Kristoforidhi, i njohur në greqishte si Kônstantinos Christoforidês, ishte bir i një argjendari nga Elbasani, ku dhe u shkollua. Nga viti 1847 deri më 1850 ai ndoqi shkollën e mesme Zosimea në Janinë dhe bashkëpunoi atje me zëvendëskonsullin austriak Johan Georg fon Han (Johann Georg von Hahn) për veprën monumentale Albanesische Studien, Vjenë & Jena 1854 (Studime shqiptare). Vitet e mëpastajme e shpunë në Athinë, Durrës, ndoshta në Londër, Izmir, Stamboll, Maltë dhe Tunis,ku ai u martua dhe dha mësim në një shkollë greke. Pikërisht në vitet 1860 ai nisi të punojë për Shoqërinë Biblike Britanike e Botërore, për të cilën ai përktheu Dhjatën e Re në variantin gegërisht (1872 me alfabet latin) dhe në variantin toskërisht (1879 me alfabet grek) si dhe disa libra të Dhjatës së Vjetër (15). Këto përkthime ndihmuan për të shërbyer si mbështetje për një gjuhë letrare moderne, në dy variante dialektore, dhe i dhanë atij titullin e 'babait të gjuhës shqipe'. Kristoforidhi gjithashtu shkroi një gramatikë të gjuhës shqipe në greqishte Grammatikêtês albanikês glôssês, Stamboll 1882 (Gramatikë e gjuhës shqipe), dhe hartoi një fjalor shqip- greqisht Lexikon tês albanikês glôssês, Athinë 1904 (Fjalor i gjuhës shqipe). Ky fjalor, si një nga fjalorët më të mirë të shqipes deri vonë, u transliterua e u ribotua nga Aleksandër Xhuvani (Tiranë 1961). Kristoforidhi ka qenë gjithashtu autor veprash për fëmijë, si Historia e shenjtëse shkronjë për dielmt, Stamboll 1870 dhe e rrëfenjës Gjahu i malësorëvet, Stamboll 1884, e vështruar si një nga veprat më të hershme të prozës letrare moderne shqiptare.

Një pjesë e mirë e veprës së Kostandin Kristoforidhit u shkrua e u botua me alfabetin grek dhe duhet parë e lidhur ngushtë me traditën ortodokse bizantine në shkrimin shqip, edhe pse autori vetë punoi me bindje për Shoqërinë Biblike Britanike e Botërore protestante. Në të njëjtën kohë, Kristoforidhi është ndërkaq një figurë e rëndësishme e kulturës rilindëse të zgjimit kombëtar, lëvizje kjo që do ta shpinte Shqipërinë drejt formimit të një shteti të vetin.
Përkthimet e teksteve biblike nga Kristoforidhi përmbyllin listën e përkthimeve të letërsisë fetare në shqipe të kryera me alfabetin grek. Ajo që mbetet në këtë traditë të shkrimit shqip janë një numër fjalorësh me rëndësi dhe disa punime më të vogla për gramatikën.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...