2012-06-27
FILLIMET E LETËRSISË NË SHQIPËRI. SHEKUJT XVI E XVII
Nga shekulli i pesëmbëdhjetë e këndej, Shqipëria u nda në tri sfera kulturore e gjuhësore të dallueshme nga njëra-tjetra: sfera e turqve myslimanë, ajo e grekëve ortodoksë dhe ajo e 'latinëve' katolikë. Ndonëse fiset malësore vendëse kishin kulturën e vet popullore dhe një letërsi gojore të pasur, ato nuk kishin alfabet dhe, si pasojë, as kurrfarë traditash të shkruara në gjuhën shqipe. Kështu, ato nuk patën mundësi për arsimim të rregullt e kulturë intelektuale, që do t'i kishte dhënë shtytje krijimit të një letërsie të shkruar.
Këto elemente do të silleshin nga tri kulturat fqinje që e kishin ndarë vendin.
Kur Perandoria Osmane ishte në kulmin e fuqisë, forcat turke që pushtuan Shqipërinë, sollën me vete një kulturë të re myslimane që do të mbijetonte këtu deri në shekullin e njëzetë. Gjuhët e kulturës dhe të dijes në Shqipërinë myslimane gjatë kësaj periudhe qenë turqishtja, persishtja dhe arabishtja. Arsimimi në gjuhën turke jepte mundësi jo vetëm për karierë fetare, por edhe për karierë politike apo ushtarake në shërbim të Portës së Lartë. Gjuha shqipe qe e pamjaftueshme për realizimin e plotë intelektual në këtë perandori përherë në zgjerim me tradita të pasura kulturore turke e persiane; ajo nuk u zbulua si mjet i krijimtarisë letrare islame veçse në mesin e shekullit të tetëmbëdhjetë.
Pjesa më e madhe e viseve të Shqipërisë që, me gjithë pushtimet turke, kishin mundur t'i bëjnë ballë kulturës së re e përherë kërcënuese islame, i mbetën besnike kishës ortodokse dhe traditave të ngurtësuara të Bizantit. Por edhe shqiptarët ortodoksë nuk qenë në gjendje të përdornin gjuhën e vet për qëllime arsimore e kulturore, përderisa gjuhët tradicionale të kishës ortodokse, pra edhe të vetmet gjuhë të mundshme për t'u shkruar, ishin greqishtja në jug të vendit dhe sllavishtja kishtare në veri.
Fuqia e tretë kulturore në këtë vend, ajo e kishës katolike të Romës, nuk i kishte më të pakta synimet për t'i asimiluar shqiptarët e për t'i përfshirë në grigjën e latinishtes e të italishtes. Megjithatë, në disa raste të rralla në shekullin e shtatëmbëdhjetë, ajo lejoi gjuhën vendëse të kalonte, ka të ngjarë si reagim ndaj reformizmit protestant në Evropën veriore. Në ato vende, njëfarë përdorimi më liberal i gjuhëve kombëtare e lokale shpuri në një lidhje më të ngushtë me kishën, meqë njerëzit e thjeshtë kishin mundësi kësisoj të kuptonin se ç'bëhej e, gjithashtu, në krijimin e shumë letërsive në gjuhën vendëse. Edhe brenda kishës katolike, gjithashtu po ndiehej ndikimi i frymës së humanizmit dhe i respektit për pasionin intelektual, të cilët ishin arritje të Rilindjes italiane.
Letërsia e hershme shqiptare, ajo e shekujve të gjashtëmbëdhjetë e të shtatëmbëdhjetë, ishte në thelb letërsi fetare.
Në fillim ajo përbëhej nga përkthime tekstesh kishtare nga latinishtja e italishtja në shërbim të Kundërreformës, kurse më vonë nga vepra origjinale të hartuara me një gjuhë vendëse të re, ende e papërshtatur për abstraksione filozofike e teologjike.
Karakterin fetar të kësaj letërsie e përcaktuan dy faktorë. Së pari, publikun lexues të asaj kohe në Shqipërinë 'latine' e përbënte tërësisht kleri i shkolluar në pjesën më të madhe në Itali.
Së dyti, kisha kishte në të vërtetë monopolin e botimeve në Shqipëri si edhe gjetiu, gjë që u linte pak hapësirë krijimeve të tjera që nuk ishin tekste fetare. Autorët e hershëm shqiptarë mund të kenë shkruar apo përkthyer edhe tekste laike, por vepra të tilla nuk e kanë parë dritën e botimit. Në Shqipëri botimi i shkrimeve kurrë nuk ka qenë punë e lehtë. Të vetmet shtypshkronja të asaj periudhe mund të gjendeshin në Itali dhe në bregun dalmat të Republikës së Shën Markut. Përveç kësaj, çdo vepër, qoftë fetare apo laike, duhet të kalonte nëpër një censurë të rreptë para se të merrte 'vulën' e kishës. Në atë kohë të paqëndrueshme të Kundërreformës pikëpamjet dhe mendimet se ç'ishte e parrezikshme për t'u botuar ndryshonin me shpejtësi, çka bënte që shumë vepra të botuara të hiqeshin më pas nga qarkullimi.
Letërsia fetare, për një numër arsyesh, ishte një shteg i përkryer për përmbushjen e aspiratave të kësaj klase intelektualësh shqiptarë. Nga njëra anë, një literaturë e tillë ndihmonte për përhapjen e doktrinës se kishës katolike, kurse, më anë tjetër, çante rrugën për zhvillimin e një kulture dhe letërsie me tipare dalluese kombëtare shqiptare. Botimet e para fetare në gjuhën shqipe përbënin gjithashtu një akt kundërshtimi ndaj pranisë depërtuese të një kulture myslimane turke në këtë vend.
Sikundër ka ndodhur shpesh në historinë e letërsisë shqiptare, të shkruarit në gjuhën shqipe përfaqësonte një simbol të qendresës ndaj fuqive të huaja që sundonin në Shqipëri ose mbizotëronin në kulturën e saj.
Përveç mungesës së mjeteve botuese, shkrimtarët e parë që guxuan të shpreheshin në gjuhën shqipe, u ndodhën edhe para pengesash të tjera. Vetë krijimi i një alfabeti të përshtatshëm për sistemin tingullor të shqipes, problem ky që nuk u zgjidh plotësisht para fillimit të shekullit të njëzetë, kërkonte në fillim frymë të fortë iniciative e energji të mëdha. Së dyti, përshtatja e një gjuhe fisnore për një sistem më të përpunuar e më intelektual komunikimi nxirrte probleme të atilla, që mund të zgjidheshin, në analizë të fundit, vetëm nga dijetarë me formim arsimor të qëndrueshëm. Jo vetëm sistemi i shkrimit, por edhe idetë u sollën nga jashtë e u gatuan për t'iu përshtatur nevojave, aspiratave dhe ëndrrave të popullit shqiptar.
__________________
Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale
Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...