Shkruan: Riza GREIÇEVCI
Letër e hapur Adem Demaçit, kryetar i LSHK-së
SHERRI I EUROVE!
Shkrimtaria është një guvë mbushur rrafsh me gjarpërinj, që secili gjarpër (shkrimtar!) ngre kokën për ta helmuar njëri-tjetrin – Konica
Bacë i nderuar!
Kjo që me ndodhi mua mos i raftë me i ndodhur askujt tjetër,
bile-bile, mos e provoftë Zoti as cërrin e pulës! E kur do të lexosh (mësosh) ndodhinë që me rastisi mua, sy me sekretarin Tuaj të LSHK-së, ndofta, unë kështu mendoj, Ju së paku do ta ngrehni zërin e arsyes, të mirëkuptimit, të mirëbesimit, dhe do të thoni zëshëm të vërtetën ashtu siç e keni thënë njëzet e tetë vjet para gjyqeve sllave: Kjo që paska ndodhur nuk është e mirë. Është e hidhur. Është e nxituar. Është veprim kalamajsh.
Është një shembull jo i mirë dhe jo prodhimtar. Është veprim i punëtorit tuaj numër dy në LSHK, të cilit ia dërgova pesë libra të rinj që i kisha botuar dy-tri ditë me parë, dhe për temë kishin tri epoka të historisë kombëtare: Epokën e Skënderbeut, Epokën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Epokën e UÇK-së, dhe Dy përvjetorë historikë të shqiptarisë: 100 vjet të Pavarësisë së Shqipërisë, dhe 4 vjet të Pavarësisë së Kosovës, por punëtori Juaj, a e di çka me tha, jo me zë të lartë: Ke bërë gabim të pafalshëm që këto vepra i ke botuar me emblemën e shtëpisë botuese të LSHK-së, sepse, më parë do duheshe dorëzuar tek ne, pastaj do duheshe të paguash nga 100 euro për secilën libër, dhe tek atëherë këto botime të konsiderohen të ligjshme për Kryesinë e LSHK-së!
Sherri i eurove – LSHK-ja s’mori fare pjesë në promovimin e pesë veprave letrare...!
Bacë! Kapa kryet me duar! M’u bë se kulmi i asaj ndërtese ku isha me ra në tepe të kresë! U bëra dhe! Gjymtyrët e mia u ligështuan, ju humbi fuqia, dhe kur u çova për t’u larguar nga aty ku isha, mezi me mbanin këmbët. E di se i thashë ish-kolegut tim të punës: Se nuk e kam bërë me dije LSHK-n për botimin e këtyre veprave, nuk e kam bërë, por, ndofta mund të kryhen edhe nesër, apo, ato obligime që paskësha unë si anëtar i vjetër i LSHK-së. Punëtori i LSHK-së nuk foli tjetër. M’u bë se në fytyrën e tij lexoja një ftohtësi e mosinteresim edhe gjithaq i madh për ata libra që ia kisha sjell, dhe ia kisha bërë me dije se do të organizoja një promovim për të shënuar kështu 100 vjet të Flamurit kombëtar, 100 vjet të shtetit shqiptar, 4 vjet të Pavarësisë së Kosovës, 4 vjet të shtetit kosovar! Punëtori i LSHK-së (shoku im i punës mbi 20-vjeçare), me përcolli nga lokalet ku ishim deri në oborr, dhe në fund me tha: Nëse kam kohë të lirë do të vij në ditën e promovimit të pesë veprave tuaja letrare! Më pastaj në adresë të LSHK-së dërgova Ftesën për promovim, kërkova disa herë sqarim a do të vijë LSHK-ja për të promovuar botimet e reja dhe kështu në atë ditë të bëjë aktivitetin e parë për shënimin e 100-vjetorit të shtetit shqiptar, të Flamurit të kombit, për të shënuar edhe 4-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, por dy-tri ditë para promovimit, nënadresën time elektronike me erdhi një njoftim nga LSHK-ja: Duhet për t’i bërë Ftesë Kryesisë së LSHK për promovimin. E drejta, u gëzova, duke shpresuar se, megjithatë, promovimin e pesë veprave të mia do ta udhëhiqnin ata të LSHK-së. Por, nuk doli ashtu siç shpresova unë. Njëzet minuta e pritëm stafin e Kryesisë së LSHK-së për këtë promovim, por nuk erdhi. E drejta, në promovim morën pjesë,si shokë e si dashamirë të artit letrar disa nga anëtarët e Kryesisë, por njëri prej tyre me tha shkurt e shqip: me vjen keq, por mua askush nga Kryesia e LSHK-së, as nga Baca nuk me ka autorizuar për të udhëhequr këtë promovim! Disa kolegë e mysafirë me kërkonin mua sqarim pse LSHK-ja nuk erdhi sot këtu? Pse? Ç’t’u thosha? T’u tregoja se injorimi i botimit të pesë veprave te reja të anëtarit të LSHK-së, Riza Greiçevci, u bë për motive të ulëta primitive, për urrejtje e xhelozi të sëmurë të kohës së shpellave? T’u thosha se një LSHK e Republikës së Kosovës, e shtetit të lirë të Kosovës, me njeriun Mendelë në ballë (s’e besoj se baca ka ditur gjë për botimin apo promovimin e pesë veprave të mia!) një LSHK e cila kërkon dhe merr para nga Qeveria dhe institucionet e shtetit të Kosovës,
( para nga taksapaguesit me emrin:popull!) Për sherr të 100 eurove për një libër, injoron, anashkalon, fyen, shokun, kolegun, anëtarin e vjetër të LSHK-së, përpiqet të hedh baltë në punën e veprimtarisë letrare të shkrimtarit, Përpiqet të minimizojë e mbulojë 60 vepra letrare të shkrimtarit Riza Greiçevci, prej tyre 30 me motive nga lufta dhe heroizmi e fitorja e UÇK-së. Bacë i nderuar, të gjitha u qofshin falë, edhe shkrimtari ditë falë (por jo edhe të harrojë!)
Ndodhen, kaluan, shkuan, ani, ndashtë, por jo kurrë nuk ia falë LSHK-së, stafit të saj, apo ati dikushit që e bëri këtë regji të turpshme dhe aspak kolegjiale dhe njerëzore, që për sherr të atyre pak eurove që do duheshe të paguaja për LSHK-n, të mos përfillet një aktivitet modest letrar në shenjë të 100-vjetorit të Shqipërisë, të shtetit shqiptar, 4 vjet të Pavarësisë së Kosovës! E drejta, tri-katër ditë pa filluar Manifestimi ndërkombëtar letrar “Drini poetik” në Prizren, në adresë elektronike të LSHK-së dërgova prapë një Kërkesë, që bile dy tre minuta t’u jepet hapësirë kohore prezantimit të pesë veprave të mia letrare, në vazhdën e aktivitetit të LSHK-së për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, por, as ky propozim imi nuk kaloi, a nga Kryesia e LSHK-së, a nga vendimi pesëcepësh i atij që në LSHK vranë e kthjell, bën krejt çka ai të dojë!
Baca Adem, a jeni Ju vërtet ballinë e LSHK-së, apo dikush tjetër? Kush është ai? A ka emër e mbiemër?
Baca Adem Demaçi!
Këtu, në mes nesh, këtu atje, i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha. Këtu askush nuk di të shkruaj, vetëm ata që janë nën dardhë hanë dardha – lëpin një kockë qeni. Këtu kotilla e njeriut me laps në dorë shpall veten zot e përmbi zot, por kur e sheh fytyrën e vet në pasqyrën e kohës, letërsisë (popullit) , tek atëherë bindet se ai ka mbetur (jetuar) më pak se njeri. Këtu, këtu apo atje, brenda një dite, si me magji, tradhtari bëhet patriot (e poet) dhe patrioti bëhet (shpallet) tradhtar. Këtu shohim përpara syve tanë rrenacaket, te paditurit, dështakët, feministët, antivlerat, humbësit tek kapardisën si shpëtimtarë dhe lërues të vetëm të artit letrar, gjithsesi, pastaj, pse jo, edhe patriotë të mëdhenj. Këtu ( në LSHK) është më mirë që njeriu (anëtari) të jetë tradhtar e të shikojë klanet dhe interesat e tij, sepse kështu do të jetë i sigurt që të nesërmen do të proklamohet (shkrimtar) patriot i madh. Këtu, në LSHK-në Tuaj, zoti Demaçi, që sa vite jeni në ballë të saj, vallë, sa orë letrare keni organizuar me anëtarësinë tuaj? Sa tryeza shkencore letrare? Sa herë keni shtruar çështje shumë me rëndësi të jetës sonë letrare, intelektuale, ekonomike, shkencore, hulumtuese? Që gjashtë muaj të këtij viti jubilar (përveç “Drinit poetik”), sa orë letrare keni mbajtur nëpër mese komunash të Kosovës, sa biseda e dialogë keni bërë me qytetarë e me shkollarë si LSHK me nxënës, arsimtarë, me studentë, me bujq, me intelektualë për shtigjet e Pavarësisë së Shqipërisë, pse jo edhe të Kosovës? A ka Kryesia Juaj Plan-program të posaçëm enkas për shënimin me aktivitete letrare e të tjera këtë jubile gjithëkombëtar: 100 vjet Shqipëri! 100 vjet Flamur! 1oo vjet shtate shqiptar! 4 vjet Pavarësi Kosove! Besoj se LSHK-ja meriton dhe duhet të jetë në gatishmëri me punë e aktivitete përkatëse jo vetëm sivjet për këto dy jubile gjithëkombëtar, sepse, vetëm me plan-programe të jetësuara në vepër mund të arsyetojmë edhe ne krijuesit se vërtet jemi ata që themi se jemi,apo se jemi ata që duhet vërtet të jemi.
Bacë, besoni, jam hamendur a të shkruaj apo të mos i tregoj askujt kjo që me ndodhi mua me LSHK-n, por ja që i frymëzuar gjithnjë nga shembulli Juaj se për të arritur deri të e vërteta pa tjetër duhet pasur guxim, sinqeritet dhe të keqen, të hidhurën, padrejtësinë, keq bërjen, mosdijen, primitivizmin, urrejtjen, duhet me u ballafaquar sy me sy e ballë për ballë, prandaj edhe kjo Letër imja për Ju e ka qëllimin e mirë dhe tepër vëllazëror, sepse, në mos asgjë tjetër, kjo Letër publike ma lehtëson dhembjen e shpirtit ndaj
shpirtngushtëve, skuthave, ndaj atyre që ndryshe flasin ndër sy ndryshe veprojnë pas shpine.
Bacë i nderuar!
Sot o nesër, mendoj, nuk na duhen edhe gjithaq njerëzit e mëdhenj, sa na duhen, urgjentisht, punë të mëdha, ndërtime te mëdha te shtetit, sakrifica të mëdha, një det me mend, për më tepër na duhet guxim e trimëri ligj e drejtësi, vullnete te mëdha për sa me shume ara te mbjella me drithë buke, na duhen me shume beteja për një lidhje dashurie e vëllazërie te të gjithë species Arbër. Për me shume se njerëz te mëdhenj, kohe të mëdha, e djeshme e madhe, mendoj na duhet një e sotme e madhe e pasuruar me vepra e pune e suksese e sakrifica te mëdha, nderime për ata qe gjakun e tyre e ndërruan me lirinë tonë, lumturinë e fëmijëve dhe bukurinë e Atdheut tone.
Poshtë madhësia!
Rroftë puna, dashuria, veprat e mëdha te njerëzve te vegjël, e kurrë veprat e vogla të njerëzve te mëdhenj!
Qofshi e vofshi mbarë!