2012-06-27

Traditat humaniste të Rilindjes evropiane






Shqiptarët u kishin dhënë ndihmesën e tyre modeste letërsisë dhe kulturës perëndimore shumë kohë më parë se ndokujt t'i kishte vajtur mendja që ta përdorte shqipen për të shkruar. Afërsia me Italinë, djepi i qytetërimit evropian, dha mundësi që mjaft prej tyre të përfitonin drejtpërdrejt nga kultura humaniste plot jetë e Rilindjes evropiane dhe të merrnin pjesë në të. Në transmetimin e kësaj kulture ndërmjetës ishte Republika e Shën Markut, Venediku.


Me fillimin e shekullit të pesëmbëdhjetë, fuqia politike e ekonomike plot dinamikë e 'Serenissima-s' e kishte shndërruar Adriatikun në një liqen venedikas dhe kishte përhapur kulturën e idetë e Rilindjes evropiane nëpër bregdetin dalmat e deri në Shqipëri. Ndonëse Shqipëria vetë mbetej një vend malor i ashpër e i thyer, siç kishte qenë gjithmonë, si dhe për shkaqe historike, politike e ekonomike nuk do të zhvillonte një kulturë qytetëse të lulëzuar si ajo në Dubrovnik (Ragusa), Shibenik (Sebenico), Split (Spalato), Trogir (Traù) dhe Zadar (Zara) sipër në veri të bregdetit dalmat, një numër shqiptarësh që jetonin në Itali, do të linin gjurmët e tyre në kulturën latine të Rilindjes evropiane. Shumë nga këto figura qenë pasardhësit e asimiluar të refugjatëve nga Shqipëria veriore katolike, që kishin ikur nga vendi gjatë pushtimit turk e ishin vendosur në fillim në territoret e 'Serenissima-s', pjesa më e madhe në stabilimenti brenda dhe përreth Venedikut. Në historinë e letërsisë shqiptare këto figura përgjithësisht përmenden si "humanistë shqiptarë"(1). Megjithatë, që në fillim, duhet të themi se për arsye historike është mjaft e vështirë të përcaktohet se kush apo çfarë është shqiptare në shekullin e pesëmbëdhjetë e, për rrjedhojë, prejardhja e saktë etnike e këtyre figurave mbetet deri diku e hamendët.


Gjon Gazulli(2) (1400-1465), i njohur në lat. si Johannes Gazulus (Gazoli) dhe në serbo- kroatisht si Ivan Gazuliƒ, ka qenë astronom e matematikan i njohur me prejardhje shqiptare, që studioi në Padovë dhe jetoi në Dubrovnik, ku dha mësime filozofie, matematike e astronomie dhe iu përkushtua shpikjes së instrumenteve astronomike. Astronomi dhe matematikani bashkëkohës gjerman Johanes Myler (Johannes Müller, 1436-1476), i njohur edhe si Regiomontanus, e përmend në veprën e vetë. Gazulli gjithashtu kryesoi një numër misionesh diplomatike në shërbim të Dubrovnikut e Venedikut dhe ishte aleat i heroit kombëtar shqiptar Skënderbeut (1405-1468).

Historiani Marin Barleti(3) (rreth 1450-1512), i njohur në lat. si Marinus Barletius, mendohet të ketë lindur në Shkodër, ku ai përjetoi nga afër rrethimin e dytë të qytetit nga turqit më 1478. Kur Shkodra më në fund ra, Barleti, si shumë bashkatdhetarë, iku në Itali e u vendos në Venedik e më pas në Romë. Atje ra në kontakt me kulturën dhe idetë e Rilindjes italiane, të cilat e frymëzuan për të dokumentuar historinë e turbullt të Shqipërisë gjatë pushtimit turk dhe qëndresën kombëtare të saj nën udhëheqjen e Skënderbeut. Barleti është autor i tri veprave në

__________________________________________________ _______________

1 kr. Prenushi 1981, dhe Pipa 1991b.

2 kr. Prenushi 1981, f. 34-59, dhe Drançolli 1984.

3 kr. Pall 1938, dhe Shuteriqi 1979a, f. 44-85.
__________________________________________________ _______________


gjuhën latine: De obsidione Scodrensi, Venedik 1504 (Rrethimi i Shkodrës); Historia de vita et gestis Scanderbegi, Epirotarum Principis, Romë, rreth 1508-1510 (Historia e jetës dhe bëmave të Skënderbeut, princit të Epirit); dhe Compendium vitarum summorum pontificium et imperatorum romanorum usque ad Marcellum II, Romë 1555 (Përmbledhje e jetës së papëve dhe perandorëve romakë deri te Marceli II).

'Historia e Skënderbeut' e Barletit është lexuar e përkthyer gjerësisht në shekujt e gjashtëmbëdhjetë dhe shtatëmbëdhjetë(4) dhe përbën për ne një burim themelor të dhënash mbi Shqipërinë e shekullit të pesëmbëdhjetë. I ndikuar fort në stil e në mendim nga historianët romakë, sidomos nga Livi (vitet 59 para erës sonë - 17 të erës sonë), Barleti e frymëzoi lexuesin e shekullit të gjashtëmbëdhjetë, pikërisht kur turqit ishin në portat e Vjenës më 1529 dhe që përherë e më shumë po e zinte ankthi i mundësisë së një pushtimi turk të Evropës Perëndimore. Barleti gjithashtu hodhi themelet e asaj çka vetëm mund të quhet kult i Skënderbeut për shqiptarët brenda vendit dhe në diasporë, duke shprehur një nderim të thellë, pothuajse si shenjtor për heroin kombëtar shqiptar, si simbol dhe thelb i qëndresës ndaj sundimit të huaj.

Një poet latin i Rilindjes evropiane për të cilin është thënë se ka prejardhje arvanitase ishte Mikel Maruli(5) (Michele Marullo Tarchaniotes, 1453-1500), i njohur në latinishte si Michaelis Marullus. Mendohet se ka lindur nga një familje greko-shqiptare me prejardhje nga Moreja pak muaj pas rënies së Konstantinopojës. Familja e tij iku në Raguzë (Dubrovnik), ku që në vogëli, ndjeu së pari ndikimin e qytetërimit të Rilindjes italiane. Më 1470 ai i hyri një karriere ushtarake dhe shërbeu dhjetë vjet si ushtar energjik i fatit në vise të ndryshme të Italisë. Më 1491-1492 ai rivalizoi me Politianin (1454-1494) në Firence dhe më 1495 u martua me poeteshën Alesandra Skala (Alessandra Scala, 1475-1506), ndonëse martesa nuk zgjati shumë. Neaera, së cilës ai i drejtonte vargjet e tij katuliane të dashurisë, duket se ka qenë personifikimi kolektiv i shumë marrëdhënieve pasionante. Maruli është autor i katër librave me epigrame latine, mjaft prej tyre të mbrujtura me një notë melankolie, si dhe i katër librave me 'himne për natyrën', në të cilët ai, me një stil lukrecian, ngre lart forcat mitologjike të natyrës. Maruli, për të cilin Sandro Botiçeli (Sandro Botticelli, 1444-1510) na ka lënë një portret klasik rilindës, u mbyt aksidentalisht në lumin Cecina më 11 prill 1500.

Leonik Tomeu(6) (Leonicus Thomeus, 1456-1531), i njohur në italishte si Niccolò Leonico Tomeo, lindi në Venedik nga një familje prej Durrësi. Ai studioi letërsi klasike dhe filozofi në Firence dhe u bë profesor i filozofisë në Padovë, ku thuhet se i ka dhënë mësim, mes të tjerëve, edhe Kopernikut. Më pas u vendos në Venedik dhe dha mësim në Scuola degli Albanesi (Shkolla e shqiptarëve). Tomeu qe një dijetar i shquar klasik, i çmuar mjaft nga Erazmi, dhe përktheu veprat e Aristotelit e të filozofëve të tjerë të Greqisë së Lashtë.

Një tjetër dijetar latin me prejardhje arvanitase pa dyshim ishte Maksim Greku(7) (rreth1480-1556), i njohur edhe me emrat Michael Trivolis, Maksim Hagioriti, në shqipe Maksim ose Mihal Artioti, dhe në italishte Massimo d'Arta. Ai pati lindur në Artë, një qytet në Epir i populluar mjaft nga shqiptarë, dhe studioi latinisht, greqisht, filozofi dhe teologji në Ferrarë, Firence dhe Padovë. Rreth dhjetë vjet ai jetoi si murg në Malin Atos dhe më 1518 u thirr në

__________________________________________________ _________________

4 Për përkthimet e para kr. Petrovitch 1881/1967.

5 kr. Bruns 1893, Sainati 1919, vëll. 1, ff. 69-161, Zakythenos 1928, Croce 1945, vëll. 2, f. 267-380, Perosa 1951, dhe Prenushi 1981, f. 60-76.

6 kr. Prenushi 1981, f. 117-130.

7 kr. Denissoff 1943, A. I. Ivanov 1969, dhe Prenushi 1981 f. 149-164. Veprat e tij janë botuar në rusisht, kr. Maksim Grek 1894-1897.
__________________________________________________ _________________


oborrin e Vasilit III (sundoi 1505-1533) në Moskë për të përgatitur përkthimet sllave të teksteve liturgjike greke. Maksim Greku luajti një rol të madh në ringjalljen e kishës ortodokse ruse, duke bërë të njohur në Rusi arritjet e filologjisë dhe të studiuesve bizantinë. Ai është autori i më se 150 veprave, ndër to traktate filozofike, teologjike e gramatike, predikime morale dhe përkthime.


Marin Beçikemi(8) (Marinus Becichemus Scodrensis, 1468-1526), i njohur në italishte Marino Becichemi, ishte nga Shkodra dhe qe mësues në Dubrovnik e në Breshie para se të bëhej profesor i retorikës në Universitetin e Padovës. Ai është autor i një numri veprash latinisht, ndër to një panegjirikë që merret me rrethimet e vendlindjes së tij, Shkodrës, më 1474 dhe 1478. 'Humanistët shqiptarë' të përmendur më sipër, shkrimtarë dhe mendimtarë të shekujve të pesëmbëdhjetë dhe gjashtëmbëdhjetë, patën pak rëndësi të drejtpërdrejtë për lindjen e letërsisë shqiptare. Ata ishin produkt i kulturës humaniste të Rilindjes italiane dhe, me talentin e tyre, dhanë ndihmesë në zhvillimin e kësaj ringjalljeje të madhe kulturore, që do të kishte një ndikim të tillë mbi qytetërimin evropian. Duke përdorur latinishten si gjuhë universale të shkollës, shkencës dhe artit, ata nuk patën lidhje të tjera me Shqipërinë përveç atyre të krijuara ndoshta nga rrënjët e tyre etnike. Megjithatë, pikërisht në këtë periudhë energjia krijuese e intelektualëve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit filloi për herë të parë të kanalizohej drejt përdorimit të gjuhës së tyre për të shkruar. Një letërsi e re ishte në prag të agimit të saj.
__________________

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...