Reshat Kripa: Edhe një herë mbi dosjet e komunizmit


RESHAT KRIPA
Këto ditë ka dalë përsëri në skenën e politikës shqiptare çështja e dosjeve. Shkak për këtë u bë zgjedhja e Presidentit të Republikës. Çuditërisht, kjo çështje del në skenë sa herë vendi ndodhet para fenomeneve të mëdha , sikurse është edhe ky i tanishmi. Kalon kjo çështje dhe më në fund, si zakonisht, zhurma e madhe shkrihet si një flluskë sapuni. Por çudia më e madhe është se, kur në vend nuk ka një ligj të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe nga organet që kanë kompetencën për ta çvlerësuar, si ka mundësi që politikanë, analistë, gazetarë dhe ku e di unë se çfarë monstra të tjera deklarojnë se ky apo ai individ paska pasur një dosje të hapur në ish-Sigurimin e Shtetit totalitar. Madje qarkullojnë edhe lloj-lloj pseudonimesh të ndryshëm për këta persona. Gama e këtyre “të njollosurve” është mjaft e madhe. Ajo përfshin një pjesë të mirë të deputetëve, qeveritarëve, opozitarëve, analistëve, gazetarëve, drejtuesve të partive politike dhe shoqatave “jo qeveritare” dhe plot të tjerëve. A është e drejtë një gjë e tillë? Kush ua jep këtë të drejtë akuzuesve?
Personalisht nuk jam në gjendje të konfirmoj nëse këto akuza kanë ndonjë të vërtetë brenda vetes së tyre apo jo, pasi nuk kam në duar dokumenta që ta vërtetojnë apo hedhin poshtë një gjë të tillë. Por zhurma e madhe e bërë rreth tyre më bën edhe mua të dyzuar. Edhe unë filloj të dyshoj për njerin apo tjerin se paska qenë spiun i ish- Sigurimit të Shtetit, çfardo posti apo detyre që gëzoka ky person. Në fakt, një gjë e tillë më hidhëron. Po të jetë e vërtetë kjo, atëherë çfarë shteti demokratik po ndërtokemi kur në krye të organeve drejtuese apo të opozitës paskemi njerëz që me ndërgjegje i paskan shërbyer organit më të zi të kombit shqiptar. Sikur një gjë e tillë të jetë e vërtetë, atëherë do të thotë se këtë vend e paska mbuluar kolera më e tmerrshme që mund të ketë njohur një komb.
Tani le t’i hymë më thellë kësaj çështje dhe le ta analizojmë. Dihet nga të gjithë që njëra nga metodat e përdorura nga ish-Sigurimi i Shtetit për të mbajtur me çdo kusht pushtetin totalitar, ishte rekrutimi i agjentëve që do të viheshin në shërbim të tij. Këta agjentë i duheshin për t’i vënë njëri kundër tjetrit, babai kundër djalit , vëllai kundër vëllait, shoku kundër shokut. Spiunllëku ishte bërë mënyrë jetese. Madje disave ai u ishte kthyer si ushqimi që hanin përditë. Pa të nuk mund të jetonin. Ata mbajnë në ndërgjegjen e tyre ndëshkimin e padrejtë për sa e sa viktima të tyre.
Kishte edhe një kategori tjetër nënshkruesish të deklaratës së bashkëpunimit me organet e Sigurimit të Shtetit. Kësaj kategorie i përkasin ata që, të ndodhur nën një presion të fortë fizik apo psikologjik, u detyruan të nënshkruajnë. Të mos harrojmë, metodat e diktaturës ishin nga më të tmerrshmet, që nga torturat e pakrahasueshme fizike dhe deri tek tentativat për përdhunimin e familjarëve në sy të tyre.
Një kategori tjetër e atyre që duhet të mbajnë përgjegjësinë për të ashtuquajturat dosje janë edhe përfaqësuesit e komiteteve të partisë, organeve të Ministrisë së Brendëshme, prokurorive dhe gjykatave politike, komisioneve të ngritura qëllimisht për dëbim-internimet dhe deri tek zbatuesit e thjeshtë të ish-Sigurimit të Shtetit që janë promotorët e këtij fenomeni.
Unë mendoj se të tre këtyre kategorive duhet t’iu ndalohet pjesmarrja në organet drejtuese të shtetit shqiptar. Këtu kam parasysh si shumicën ashtu edhe pakicën. Madje duhet të jenë vetë ata që nuk duhet të pranojnë çdo lloj oferte që u vjen si nga e djathta ashtu edhe nga e majta, për poste apo detyra të tjera të larta. Le të merren me çfarë të duan. Shoqëria kapitaliste ka mundësi të panumërta për të jetuar. Le të merren me aktivitet privat të çdo lloji dhe të mos
tentojnë të futen në politikë me qëllim përfitimi. Dikush mund të më thotë se kjo është një shkelje e të drejtave të njeriut, pasi sipas Kushtetutës së Shqipërisë, kushdo ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet. Keni të drejtë. Hapini dosjet dhe në rast se masa e gjërë e zgjedhësve i pranon me njollat e së kaluarës mbi shpinë, atëherë le ta gëzojnë detyrën që u është besuar! Në të kundërt le të heqin dorë!
Kanë kaluar gati njëzetedy vjet nga përmbysja e sistemit totaliatr dhe ne jemi ende i vetmi vend i bllokut ish-komunist që nuk kemi të hartuar një ligj të saktë për hapjen e dosjeve. Edhe disa inisiativa gjysmake të marra deri tani kanë përfunduar në koshin e plehrave. Kështu ndodhi me ligjin e lustracionit të miratuar nga Qeveria Demokratike në vitin 1996, ligj që u hodh poshtë sapo socialistët morën poushtetin. Të njejtin fat pësoi dhe ligji i dytë i miratuar nga parlamenti shqiptar me votat e demokratëve që u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese e përbërë në shumicën e saj nga individë që prekeshin direkt nga ky ligj. Unë nuk pretendoj se të dy këto ligje kanë qënë të përsosur. Mendoj se asnjëri prej tyre nuk e zgjidhte plotësisht problemin e dosjeve. Por, sidoqoftë ishte një hap para në rrugën e hapjes së tyre përfundimtare.
Kjo periudhë ka gati tre vjet që ka kaluar dhe nuk shohim ende ndonjë përpjekje nga ana e shumicës që të përpiqet për të bërë një ligj mbi lustracionin, pasi vetëm ajo mund të përpilojë një ligj të tillë. Përse? Unë mendoj se shkaktarët e kësaj pengese janë përfaqësuesit e nostalgjikëve të majtë të së kaluarës që sot kanë zënë poste drejtuese në hierarkinë e djathtë. Janë edhe ata, qofshin të djathtë ose të majtë, qofshin ish-të përndjekur politikë ose jo, që ndërgjegjen tyre e kanë të përlyer me deklaratat e turpshme që mund të kenë nënshkruar në të kaluiarën dhe tani tremben nga zbardhja e së vërtetës. Unë mendoj se duhet të gjejnë forca brenda vetes së tyre për të hedhur poshtë atë të kaluar të hidhur dhe do të shohin se do ta ndjejnë veten shumë më të lehtësuar dhe ndërgjegjen më të qetë. Ju kujtoj se brejtja e ndërgjegjes është sëmundja më e rëndë që mund të zërë një idivid.
Le të hapen pra dosjet! Le të hapen dhe të publikohen të gjitha dosjet e sistemit totalitar. Është e drejta e qytetarëve të mësojnë mbi gjithçka që ka lidhje me ata që do të zgjedhin në të ardhmen. Zgjedhjet e reja janë në prag. Le të hapen dosjet për të mos lejuar që vendet në parlamentin shqiptar dhe administratën shtetërore të zihen nga ish- bashkëpuntorët e Sigurimit të Shtetit. Kështu do të kemi një Parlament të pastër, një Qeveri të pastër, një drejtësi të pastër, një shtet të pastër. Në rast se sot flitet për një shtet të korruptuar, kjo vjen edhe si rezultat se në të bëjnë pjesë edhe të korruptuarit me dosje që sjellin frymën korruptive të sistemit që i degradoi deri në atë gjendje.
Dua të theksoj gjithashtu edhe një çështje tjetër mjaft të rëndësishme. Në rast se miratohet një ligj i tillë, kush do të jenë zbatuesit e tij? Këtë pyetje e bëj pasi kam frikë se ndoshta kjo do të bjerë në duart e mëkatarëve, siç ka ndodhur edhe herë të tjera në raste analoge. Mos një ligj i tillë do të përdoret nga njëra apo tjetra palë për të bërë presione politike mbi individë të ndryshëm? A do të jetë një proces i ndershëm dhe i hapur? Do të presim dhe do të shohim.
Së fundi dua t’i drejtohem Kryetarit të Shërbimit Informativ Shtetëror apo drejtuesve të institucioneve të tjera që kanë në duar dosjet e së kaluarës, ju lutem, hapini dhe bëjini publike dosjet e mia që kushdo të mësojë se si kam vepruar unë në kohën e diktaturës. Dosjen time që kam pasur pranë Arshivës së Ministrisë së Brendëshme tashmë unë e kam marrë. Është dosja me numër 8445. Kushdo mund të lexojë. Ka autorizimin tim. Tani kërkoj edhe hapjen dhe publikimin edhe të dosjeve të tjera. Ftoj të gjithë qytetarët të bëjnë të njëjtën gjë.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)