2012-06-27
Koliqi,Kuteli dhe proza e periudhës së pavarësisë
Poezia ka zënë kurdoherë kryet e vendit në letërsinë shqiptare. Një nga mospërputhjet më të dukshme në zhvillimin historik të shkrimit shqip ka qenë ajo midis zhvillimit të vrullshëm të poezisë dhe ecjes jashtëzakonisht të ngadalshme të prozës. Këtë dukuri e vemë re që nga letërsia e vjetër e shekujve të gjashtëmbëdhjetë dhe shtatëmbëdhjetë deri në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë. Edhe pse autorët klasikë të shekullit të shtatëmbëdhjetë, në veçanti Pjetër Budi (1566-1622) dhe Pjetër Bogdani (rreth 1630-1689) hodhën vërtet themelet e prozës shqiptare me përkthime fetare e me proza origjinale me nivel artistik, proza letrare origjinale deri në fillim të shekullit të njëzetë mbeti një dukuri anësore. Romanet e para shqiptare, krijime të gjysmës së dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, ose qenë shkruar në gjuhë të huaja si ai i Sami Frashërit në turqishte TaaÕÕuk-u Tal'at ve Fitnat (Dashuria e Talatit me Fitneten) i botuar më 1872, dhe si ai i Pashko Vasës në frëngjishte Bardha de Témal, scènes de la vie albanaise, Paris1890 (Bardha e Temalit, skena nga jeta shqiptare), ose mbetën të pabotuara, si ai i Françesk Antonio Santorit Sofia Kominiate, me 282 faqe dhe i papërfunduar. Gazetaria e fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë dha mundësi për të hedhur themele të forta për prozën moderne, ndonëse grupi i parë i prozës së vërtetë letrare doli vetëm në fillim të shekullit të njëzetë me veprat e dom Ndoc Nikajt (1864-1951) nga Shkodra. Mjaft nga autorët e Rilindjes, si Mihal Grameno (1871-1931) dhe Mid'hat Frashëri (1880-1949) ishin marrë diçka me prozë, por niveli i kënaqshëm artistik në të vërtetë u arrit vetëm pas shpalljes së pavarësisë, me sprovat e Faik bej Konicës (1875-1942) dhe veprat e Fan Nolit (1882-1965). Për fat të keq, edhe pse Konica dhe Noli ishin shkrimtarë me talent të madh e të fuqishëm, asnjëri prej tyre nuk i kushtoi shumë mund krijimtarisë letrare në prozë.
Në periudhën e pavarësisë u pa një rritje e menjëhershme në vëllimin e në gamën e prozës së shkruar e të botuar në Shqipëri, në të dy dialektet - të gegërishtes e të toskërishtes. Kulmi i kësaj periudhe të letërsisë shqiptare ishte në vitet tridhjetë e në fillim të viteve dyzet, kur intelektualë në Shkodër, Tiranë e gjetkë, pasi ishin njohur me shumë ide e modele të botës së jashtme, nisën të krijojnë në prozë, dramë e natyrisht në poezi, vepra me vlera më të mëdha për Shqipërinë si një vend evropian në zhvillim.
Nga të gjithë prozatorët e periudhës, askush nuk qe më i madh e më i fuqishëm se Ernest Koliqi (37) (1903-1975). Koliqi lindi në Shkodër më 20 maj 1903, kurse shkollën e kreu në kolegjin jezuit Ariçe të qytetit Breshia në Lombardi, ku u njoh me kulturën dhe letërsinë italiane e ku nisi të shkruajë së pari poezi, tregime të shkurtra dhe komedi italisht. Në Bergamo ai me disa bashkënxënës themeluan një gazetë studentore, të përjavshme me emrin Noi, giovanni (Ne,të rinjtë), ku dhe dolën vjershat e tij të para. Me formimin e qeverisë së re regjente të Shqipërisë të kryesuar nga Sulejman pashë Delvina (1884-1932) dhe me kthimin në dukje të stabilitetit në vend me Kongresin e Lushnjës (28-31 janar 1920), Ernesti i ri u kthye në Shkodër për të rizbuluar, madje për të rimësuar, gjuhën amtare dhe kulturën e kohës së fëminisë në një vend sërish të pavarur. Mësuesi i tij, imzot Luigj Bumçi (1872-1945), i cili kishte qenë kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris më 1919, e njohu Ernestin me disa nga përkrahësit kryesorë të një brezi të ri në kulturën shkodrane: Kolë Thaçi (1886-1941), Kolë Kamsi (1886-1960), Lazër Shantoja (1892-1945) dhe Karl Gurakuqi (1895-1971).
Pas shkretimeve të Luftës së Parë Botërore Shqipëria kishte nevojë më shumë për dije, dhe për këtë qëllim Koliqi vendosi të hapë një gazetë. Kështu, së bashku me Anton Harapin (1888-1946) dhe Nush Topallin, ai themeloi të përjavshmen opozitare Ora e maleve, numri i parë i së cilës doli në Shkodër më 15 prill 1923. Ora e maleve ishte organ i Partisë Demokratike Katolike, që me mbështetjen e klerit katolik kishte fituar zgjedhjet në Shkodër. Ky periodik, ndonëse jetëshkurtër, u përhap gjerësisht në Shkodër e më tej. Vitin tjetër, pasi kishte fituar një farë përvoje dhe si një poet i ri midis figurave më të njohura politike e letrare të kohës si Gjergj Fishta (1871-1940), Luigj Gurakuqi (1879-1925), Mid'hat Frashëri (1880-1949) dhe Fan Noli (1882-1965), Ernest Koliqi botoi një të quajtur poem dramatik me titull Kushtrimi i Skanderbeut, Tiranë 1924. Ajo përmban një radhë odesh për heroin kombëtar të Shqipërisë e
për figura të tjera të mëdha të së kaluarës, të krijuara sipas traditës së letërsisë së Rilindjes.
Jeta politike dhe ekonomike e Shqipërisë vazhdoi të ishte rrëmujë në fillim të viteve njëzet. Në dhjetor 1924 çifligari konservator Ahmet Zogu (1895-1961) mori fuqinë me një grusht shteti, duke shtrënguar Koliqin dhe shumë intelektualë të tjerë të shquar të emigronin. Koliqi iku në Jugosllavi, ku e internuan në Tuzla, në Bosnjën verilindore. Jetoi gjithsej pesë vjet në mërgim në Jugosllavi, prej tyre tre vjet në Tuzla, ku pjesën më të madhe të kohës e kaloi me krerë të fiseve të malësisë shqiptare të veriut, që edhe ata ishin në mërgim. Prej tyre mësoi mjaft për zakonet e lashta, letërsinë gojore dhe tiparet heroike të mënyrës së tyre të jetesës. Këto vite do të kishin ndikim të thellë në karrierën e mëvonëshme akademike e letrare të tij. Nga viti 1930 deri më 1933 ishte mësues në një shkollë tregtare në Vlorë dhe në gjimnazin e shtetit në Shkodër, derisa u shtrëngua, përsëri për rrethana politike, të largohet në Itali.
Formimi i qëndrueshëm jezuit i dha mundësi që në fillim Ernest Koliqit të shërbejë si ndërmjetës kulturor midis Italisë dhe Shqipërisë. Më pas ai do të luante një rol kyç në paraqitjen e kulturës shqiptare publikut italian duke botuar, përveç shumë e shumë artikujsh studimorë për çështje të historisë e të letërsisë, edhe monografitë: Poesia popolare albanese, Firence 1957 (Poezia popullore shqiptare), Antologia della lirica albanese, Milano 1963 (Antologji e lirikës shqiptare), dhe Saggi di letteratura albanese, Firence 1972 (Sprova për letërsinë shqiptare). Në mesin e viteve tridhjetë ai ishte marrë me transmetimin e kulturës në drejtimin e kundërt. Kishte botuar një antologji mjaft të pasur, në dy vëllime, të poezisë italiane, me titullin Poetët e mëdhej t'Italis, Tiranë 1932, 1936, për ta njohur brezin e ri të intelektualëve shqiptarë, të etur për të zbuluar botën, me letërsinë italiane. Vëllimi i parë përmbante përkthimet e bukura nga Koliqi të klasikëve: Dante Aligieri (1265-1321), Françesko Petrarka (1304-1374), Ludoviko Ariosto
__________________________________________________ _________________
37 kr. Guzzetta 1968, Bartl 1973, Gradilone 1969, 1974, f. 230-272, Shêjzat numër përkujtimor 1976, Plasari 1991c, 1996b, S. Schwartz 1992, S. Çapaliku (red.) 1995, dhe A. Berisha 1995.
__________________________________________________ _________________
(1474-1533), dhe Torkuato Taso (1544-1595), kurse vëllimi i dytë, me një nivel po aq të qëlluar, përmbante përkthime poetësh të shekujve të shtatëmbëdhjetë e tetëmbëdhjetë: Xhuzepe Parini (1729-1799), Vinçenco Monti (1754-1828), Ugo Foskolo (1778-1827) dhe Alesandro Manzoni (1785-1873). Në moshën tridhjetë vjeç Koliqi u regjistrua në Universitetin e Padovës më 1933. Pas pesë vjet studimesh pranë gjuhëtarit Karlo Taliavini (Carlo Tagliavini, 1903-1983) dhe punës si pedagog i gjuhës shqipe në atë universitet, ai mbrojti më 1937 tezën Epica popolare albanese (Epika popullore shqiptare). Edhe pse me punë në Padovë, ai nuk i shkëputi lidhjet me Shqipërinë dhe bashkëpunoi me redaksinë e së përjavshmes së shquar kulturore Illyria, e cila nisi të dalë në Tiranë më 4 mars 1934. Tanimë Koliqi qe një albanolog i njohur, ndoshta specialisti kryesor i studimeve shqiptare në Itali. Më 1939, ndërsa mbi Evropë po mblidheshin retë e luftës, ai u emërua në katedrën e gjuhës e të letërsisë shqipe të Universitetit të Romës, që ishte në zemër të perandorisë së re mesdhetare të Musolinit.
Ndjenjat e forta të afrisë së Koliqit për Italinë dhe kulturën italiane, sidomos për poetë të tillë si Xhozue Karduçi (1835-1907), Xhovani Paskoli (1855-1912) dhe Gabriele d'Anuncio (1863-1938) mund ta kenë shtyrë të pranonte synimet ekspansioniste të Italisë fashiste. Ndonëse të paktë qenë shkrimtarët shqiptarë, si Vangjel Koça (1900-1943) dhe Vasil Alarupi (1908-1977), që u bënë përkrahës të vërtetë të fashizmit, disa të tjerë, megjithëse në përgjithësi kundër ndërhyrjes së huaj në çështjet shqiptare, tek tutela e Italisë shihnin një farë avantazhi. Sidoqoftë, Ernest Koliqi dhe intelektualë të tjerë të kohës qenë të shtrënguar të pajtoheshin në këtë apo atë mënyrë me dilemën politike e kulturore të rritjes së ndikimit të Italisë në Shqipëri, e cila përfundoi të premten e Pashkëve më 1939 me pushtimin dhe aneksimin ushtarak të këtij vendi të vogël të Ballkanit. Po aq nacionalist sa çdo nacionalist tjetër shqiptar, Koliqi, tani éminence grise e vendit, vendosi të shfrytëzojë realitetin me të cilin po përballej e të bëjë ç'është e mundur për të zhvilluar më tej kulturën shqiptare nën sundimin italian. Duke pranuar funksionin e ministrit të arsimit nga viti 1939 deri më 1941, për habinë e shtresave të gjera të popullsisë, ai ndihmoi për shembull për botimin historik të një antologjie të rëndësishme të letërsisë shqiptare në dy vëllime, Shkrimtarët shqiptarë, Tiranë 1941, redaktuar nga Namik Ressuli (1908-1985) dhe Karl Gurakuqi, një botim për të cilin punuan studiuesit më të mirë të kohës, dhe që nuk është kapërcyer edhe sot e kësaj dite. Në korrik 1940 themeloi dhe drejtoi të përmuajshmen letrare e artistike Shkëndija në Tiranë. Nën drejtimin e Koliqit si ministër, shkollat në gjuhën shqipe, që nën sundimin serb kishin qenë nxjerrë jashtë ligjit, u hapën për herë të parë në Kosovë, e cila u ribashkua me Shqipërinë gjatë viteve të Luftës.
Koliqi gjithashtu ndihmoi për hapjen e një shkolle të mesme në Prishtinë dhe për dërgimin e studentëve nga Kosova me bursë në Itali e Austri. Po ashtu, Koliqi u përpoq të shpëtojë nga duart e nazistëve Norbert Joklin (1877-1942), albanologun e shquar austriak me prejardhje çifute, duke i ofruar punë si mësues në Shqipëri (38). Nga 1942 deri më 1943 Koliqi ishte kryetar i Istitutit të Studimevet Shqiptare të sapoformuar në Tiranë, pararendës i Akademisë së Shkencave. Më 1943, në prag të fundit të perandorisë musoliniane, ai pasoi Terenc Toçin (39) (1880-1945) si kryetar i Këshillit të Lartë Fashist në Tiranë, funksion që natyrisht nuk u pa me sy të mirë nga forcat fitimtare komuniste që 'e çliruan' Tiranën në nëntor 1944. Pas disfatës së fashizmit, Koliqi ia doli të arratiset përsëri në Itali, ku jetoi derisa vdiq më 15 janar 1975. Edhe në këto vite të fundit të jetës së tij, ai ishte mjaft aktiv në fushën e letërsisë dhe të kulturës. Në Romë Ernest Koliqi botoi periodikun e njohur letrar Shêjzat / Le Plèiadi nga 1957 deri më 1973. Shêjzat ishte në atë kohë revista kryesore letrare në gjuhën shqipe. Kjo revistë jo
__________________________________________________ _________________
38 kr. Stadtmüller 1971, f. 55.
39 kr. R. Tocci 1977, 1996.
vetëm që ndiqte zhvillimet letrare bashkëkohëse në botën shqipfolëse, por edhe u bë tribunë e letërsisë arbëreshe dhe vazhdoi të mbrojë trashëgiminë letrare të autorëve të paraluftës, mjaft prej tyre vdekur, e të tjerë në mërgim, të cilët qenë marrë keq nëpër këmbë nga kritikët komunistë në Tiranë. Ernest Koliqi shërbeu si një zë i largët opozitar ndaj shkatërrimit kulturor të Shqipërisë nën sundimin enverist. Për shkak të veprimtarisë së tij dhe të mbështetjes të paktën pasive për sundimin fashist dhe pushtimin italian, Koliqi u godit rëndë nga autoritetet shqiptare të pasluftës, madje edhe më fort se Gjergj Fishta, i cili për fatin e tij të mirë kishte vdekur. Koliqi konsiderohej si ithtari kryesor i letërsisë borgjeze, reaksionare dhe fashiste. Historia e letërsisë shqiptare me frymë partiake e vitit 1983 e zë në gojë vetëm shkarazi si "tradhtarin Koliqi" (40), kurse jo më herët se viti 1990, Ismail Kadare shkroi për të pakëz më ndryshe: "Ndër shkrimtarët reaksionarë veriorë, Ernest Koliqi i drejtimit proevropian (d.m.th. proitalian), ishte shembull tipik se si një talent mund të vritej nga përqafimi i ideve fashiste. Zgjedhja e gabuar e kampit politik, që e çoi dalëngadalë nga simpatia e parë për fashizmin në postin e ministrit të qeverisë kolaboracioniste, ishte fatale për të." (41)
Për herë të parë Ernest Koliqi bëri emër si prozator me përmbledhjen Hija e maleve, Zadar 1929, me dymbëdhjetë tregime për jetën e kohës në Shkodër e në malësinë e Shqipërisë së veriut. Trajtimi pak a shumë realist dhe analiza psikologjike e karaktereve njerëzore nuk u prit edhe aq mirë nga shkrimtarët e njohur të kohës, një pjesë e mirë e të cilëve ende lëngonin nga sentimentalizmi i romantikës kombëtare. Megjithatë, libri u shit dhe u vlerësua mjaft nga masa e lexuesve. Hija e maleve përmban tregime të shkurtra që sillen rreth temës qendrore 'Lindja ndeshet me Perëndimin', ndeshja e zakoneve tradicionale të malësisë si martesat me shkuesi dhe gjakmarrja fisnore me idetë dhe vlerat bashkëkohëse Perëndimore. Ndonëse më pak autobiografike se tregimi i Migjenit Studenti në shtëpi, këto rrëfenja janë pasqyrim i drejtpërdrejtë i mëdyshjes ku ra Koliqi, ashtu si shumica e intelektualëve shkodranë që kishin studiuar jashtë në vitet njëzet e tridhjetë dhe më pas u kthyen në trevën e ashpër të Shqipërisë veriore. Në fillim të tregimit tragjik Gjaku, djaloshi e mësuesi idealist Doda bën pyetjen: "A ka send mâ të mrekullueshëm në kët botë se me i sjellë qytetnimin nji kombi zhytë n'errsin e padijes?", por ai vetë është i shtrënguar nga përkushtimi ndaj familjes të vërë në vend nderin e të hakmerret për vrasjen e të vëllait. Rrëfenja të tjera flasin, për shembull, për një muzikant popullor që shfrytëzon talentin për të bërë për vete një vajzë Shkodre; për një vrasje e gjakmarrje ndër fiset malësore; për kërcimtaren e Dukagjinit të shndërruar nga shpirtrat e malit në një vashë të bukur e nga e cila më pas zhgënjehet i dashuri i saj; për një ndjekje xhandarësh, e ngatërruar me detyrime e fjalë bese sipas kanunit; për magji të mbinatyrshmes mbi një komit; si dhe për Skënderbeun. Shpirtrat e maleve janë gjithmonë në mendjet e fiseve të veriut dhe u japin mjaft tregimeve një frymë të së mbinatyrshmes.
Tregtar flamujsh, Tiranë 1935, përmbledhja e dytë e Koliqit me rrëfenja, paraqet tema të ngjashme me ato të përmbledhjes së parë. Rrëfimi në këtë vëllim me gjashtëmbëdhjetë tregime është më i fuqishëm, kurse depërtimi në psikologjinë e personazheve të kujton nganjëherë autorin sicilian Luixhi Pirandelo (Luigi Pirandello, 1876-1936) me veprën e të cilit Koliqi pa dyshim ka qenë njohur. Tregimet e vëllimit Tregtar flamujsh vlerësohen përgjithësisht si më të mirat e prozës shqiptare në periudhën e paraluftës. Një çerek shekulli më pas Koliqi botoi edhe një roman të shkurtër, Shija e bukës së mbrûme, Romë 1960. Kjo vepër 173 faqesh ringjall temën e mallit për atdheun të mërgimtarëve shqiptarë në Shtetet e Bashkuara. Ky roman, me thekse të dukshme politike, ishte për një kohë të gjatë i panjohur në Shqipëri.
__________________________________________________ _________________
40 kr. Shuteriqi (red.) 1983, f. 460.
41 kr. Kadare, Ardhja e Migjenit... 1991, f. 39.
__________________________________________________ _________________
Krijimtaria letrare e Koliqit nuk është mjaftuar kurrsesi me prozën. Të rrallë janë shkrimtarët shqiptarë që nuk i ka ngacmuar muza poetike. Gjurmat e stinve, Tiranë 1933, është një përmbledhje me vjersha të shkruara nga Koliqi gjatë viteve të mërgimit në Jugosllavi. Me to poeti i kthehet në mënyrë filozofike vendlindjes së vet, Shkodrës, me emocionet e stinëve të ndryshme të natyrës, duke gërshetuar formën e poezisë popullore shqiptare me simbolizmin evropianoperëndimor. Symfonija e shqipevet, Tiranë 1941, është poezi në prozë mbi tema historike e kombëtare, që të kujton veprën e tij të mëparëshme Kushtrimi i Skanderbeut. Për këtë vepër kemi dhe një përkthim në anglisht: Symphony of eagles, Romë 1972. Vëllimi i fundit poetik i Koliqit me titull Kangjelet e Rilindjes, Romë 1959, është shkruar përsëri në dialektin e tij, në gegërishte e përpunuar, dhe është botuar me një përkthim italisht.
Që nga Lufta e Dytë Botërore Ernest Koliqi është gjykuar më fort për veprimtarinë e tij politike sesa për arritjet letrare e kulturore. Ai është një nga shkrimtarët e shumtë të periudhës që duhet rivlerësuar. Kritikët bashkëkohës në Shqipëri, pasi kanë kaluar vetë një gjysme shekulli enverizëm, duhet t'i shohin me shumë ndjeshmëri e mirëkuptim kompromiset që shkrimtarët dhe intelektualët kanë qenë shpesh të detyruar të bëjnë nën regjimet ekstremiste. Si personalitet i letërsisë e i kulturës, Ernest Koliqi ishte dhe mbetet gjigant, sidomos për rolin e tij në zhvillimin e prozës së Shqipërisë së veriut. Krijimtaria letrare në gegërishte arriti një kulm në fillim të viteve dyzetë në çdo pikëpamje, si në stilin e përdorur, në gamën tematike, në përmbajtje, dhe në vëllim. Në këtë aspekt një meritë të madhe ka botuesi, prozatori dhe studiuesi Ernest Koliqi. Dialekti i shqipes së veriut si një mjet letrar i përpunuar e sidomos kultura shkodrane në përgjithësi kishin arritur një epokë të artë modeste, por që do të merrte menjëherë fund me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore.
Emri që të vjen menjëherë ndërmend, kur kërkon një ekuivalent toskë të Ernest Koliqit në prozën e fundit të viteve tridhjetë dhe fillimin e viteve dyzet, është ai i Mitrush Kutelit (42) (1907-1967), pseudonim i Dhimitër Paskos, i njohur në rumanishte si Dimitrie Pascu. Sikundër Lasgush Poradeci, Kuteli ka lindur në Pogradec, në brigjet e liqenit të Ohrit, më 13 shtator 1907 dhe, po si Lasgushi, ndoqi një shkollë në gjuhë të huaj në Greqi (një kolegj tregtar rumun në Selanik), kurse më pas u shpërngul në Bukuresht, ku studioi ekonomi dhe u diplomua më 1934 me një disertacion për sistemet bankare në Ballkan. Bashkëpunoi për njëfarë kohe si gazetar me gazetën e përjavshme shqiptare Shqipëri' e re, që doli në Konstancë nga 1919 deri më 1936. Në publicistikën e tij, ai përdorte pseudonimin Janus, perëndia dyfytyrëshe romake, që ishte në gjendje të shihte në të njëjtën kohë të kaluarën dhe të ardhmen. Po në Bukuresht Kuteli nisi të botojë përmbledhjet me tregime, për të cilat është i mirënjohur. Libri i tij i parë, Netë shqipëtare, Bukuresht 1938, ishte një bashkim tetë rrëfimesh për jetën fshatare në Pogradec dhe në fshatrat rreth tij. Nga të 1200 kopjet e botimit të parë, rreth 1000 u zhdukën në një zjarr në Konstancë para se të shiteshin, dhe libri u bë gjerësisht i njohur pas botimit të dytë më 1944. Po në Bukuresht Kuteli rregulloi botimin e përmbledhjes poetike befasuese të Lasgush Poradecit Ylli i zemrës më 1937. Kultura rumune, ende nën magjinë e poetit kombëtar Mihai Eminesku (1850-1889), kishte ushtruar ndikimin e vet mbi Mitrush Kutelin, ashtu siç kishte bërë me Asdrenin, Lasgush Poradecin dhe shumë shkrimtarë e intelektualë të tjerë shqiptarë që jetuan atje në dekadat e para të shekullit të njëzetë. (43)
Në vjeshtën e vitit 1942, ndërsa tmerri dhe shkatërrimi i Luftës së Dytë Botërore dita ditës po i afrohej kulmit në Bashkimin Sovjetik e në Ballkan, Kuteli u kthye në Shqipëri, e cila ishte vetë në pragun e shpërbërjes në luftë civile të hapur. Në këto vite të luftës Kuteli do të
__________________________________________________ _________________
42 kr. Jasiqi 1968, Vinca 1974, 1977, f. 7-104, Jorgaqi 1987, f. 89-112, Bashota 1988 dhe Plasari 1995.
43 Mbi lidhjet letrare shqiptaro-rumune, kr. V. Bala 1965.
__________________________________________________ _________________
botonte me shpenzimet e veta shumicën e veprave madhore të tij: Ago Jakupi e të tjera rrëfime,Tiranë 1943, një përmbledhje me shtatë rrëfime për jetën fshatare; Kapllan Aga i Shaban Shpatës. Rrëfime-Rrëfenja, Tiranë 1944, pesë tregime të shkruar midis viteve 1938 e 1944; Këngë e brithma nga qyteti i djegur, Tiranë 1944, përmbledhje me këngë popullore; Shënime letrare, Tiranë 1944; dhe Sulm e lotë, Tiranë 1944, përmbledhje modeste vargjesh atdhetare të shkruara nga Kuteli me një shok të trilluar me emrin Izedin Jashar Kutrulija, që Kuteli gjoja e kishte njohur në Prizren në maj 1943. Po në këtë kohë, ai përgatiti për botim një përmbledhje me vjersha të Fan Nolit (1882-1965) me titullin Mall e brengë, Tiranë 1943, si dhe botoi një numër shkrimesh për sistemin financiar e monetar.
Mitrush Kuteli i dha tonin zhvillimit të tregimit të shkurtër në Shqipërinë e jugut dhe arriti një nivel më të lartë mjeshtërie letrare se shumica e prozatorëve të tjerë sentimentalë të kohës si Milto Sotir Gurra (1884-1972), Foqion Postoli (1889-1927), Haki Stërmilli (1895-1953) apo Kolë Mirdita (1900-1936). Mjaft elemente të rrëfimeve të tij i mori nga folklori toskë, siç i kishte dëgjuar në fëmini dhe i shfrytëzoi për të rikrijuar motive të kthjellëta të jetës së fshatit me një stil narrativ të gjallë. Leksiku dhe sintaksa e Kutelit janë të përpunuara, kurse diksioni është i fuqishëm. Temat e fshatit dhe gërshetimi i humorit fshatarak me ngjarjet tradicionale i bënë rrëfimet e tij të pëlqyeshme nga shtresa të gjera lexuesish gjatë luftës e më pas. Në disa nga tregimet e tij ndjehet atmosfera e prozës ruse të shekullit të nëntëmbëdhjetë, e Nikollaj Gogolit (1809-1852) dhe Ivan Turgenievit (1818-1883), të cilët i kishte lexuar dhe pëlqyer në vitet e rinisë, si dhe e prozatorit rumun Mihai Sadoveanu (1880-1961). Në fund të Luftës së Dytë Botërore Mitrush Kuteli, tani funksionar në Bankën e Shtetit Shqiptar, ishte figurë kryesore në letrat shqiptare. Më 15 shkurt 1944, së bashku me Vedat Kokonën (l.1913), Nexhat Hakiun (1917-1978) dhe Sterjo Spassen (1918-1989), themeloi organin e përmuajshëm Revista letrare, e cila pati ndikim me peshë në kulturën shqiptare gjatë jetës së saj të shkurtër. Ai qe gjithashtu anëtar themelues i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, e ngritur nën drejtimin e Sejfulla Malëshovës (1901-1971) më 7 tetor 1945, dhe anëtar i redaksisë së organit të parë letrar të pasluftës Bota e re.
Kuteli ia doli të mbesë gjallë gjatë kalimit të pushtetit politik në Shqipëri derisa filloi terrori i vërtetë më 1947. Në këto vite Partia Komuniste Shqiptare ra nën dominimin jugosllav dhe Kuteli nuk miratoi bashkimin monetar e doganor të propozuar për t'u bërë midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Si anëtar i një delegacioni zyrtar në Jugosllavi, i pritur ndër të tjerë edhe nga shkrimtari Ivo Andriq (1892-1975), thuhet edhe se ka shprehur qëndrim kritik ndaj ripushtimit serb të Kosovës, qëndrim që ishte pasqyruar edhe më parë në veprën e tij Poem kosovar, të botuar më 1944. Me t'u kthyer në Shqipëri, u arrestua e u dënua me pesëmbëdhjetë vjet burg. Për Kutelin, ashtu si për pjesën më të madhe të shkrimtarëve të fundit të viteve dyzet, jeta ishte kthyer në makth. Dy vitet e para të burgut (prill 1947 - prill 1949) i kaloi në një kamp pune afër Korçës, ku të burgosurit bënin punë të detyruar për të tharë kënetën famëkeqe plot mushkonja të Maliqit. Kushtet e jetës e të punës për të burgosurit qenë të papërfytyrueshme, dhe mes këtij tmerri Kuteli u orvat të vriste veten. Por me heqjen e ndikimit jugosllav në politikën partiake shqiptare, përndjekja e hapët ndaj Kutelit ra dhe ai u lirua. U kthye në Tiranë dhe u lejua të punonte sikundër Lasgush Poradeci dhe një numër intelektualësh të tjerë të dyshimtë, si përkthyes letrar në shtëpinë botuese shtetërore Naim Frashëri. Zhdanovizmi, i cili pati depërtuar dhe zotëronte atë pjesë të mbetur të letërsisë shqiptare në vitet pesëdhjetë, e bëri të përshtatshëm në atë kohë përkthimin e letërsisë ruse, në mënyrë që të shërbente si model për futjen e realizmit socialist në Shqipëri. Kuteli pranoi në heshtje dhe bëri disa përkthime të shquara autorësh sovjetikë të njohur si Maksim Gorki (1868-1936), Aleksej Tolstoi (1882-1945), Konstantin Paustovski (1892-1968), Aleksandër Aleksandroviç Fadjejevi (1901-1956) dhe Nikollaj Ostrovski (1904-1936). Përveç këtyre shkrimtarëve të rekomanduar nga këshilltarët kulturorë e politikë sovjetikë...
Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale
Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...