2012-06-27

Ndihmesa e shkrimtarëve dhe studiuesve arbëreshë që shkruan italisht






Fillimi i shekullit të nëntëmbëdhjetë shënoi kështu daljen e një numri të mirë poetësh e autorësh arbëreshë që provuan të shkruanin shqip. Por, çka është më e rëndësishme për zgjimin e kulturës së tyre, kishte një grup tjetër shkrimtarësh e studiuesish arbëreshë që shkruanin italisht. Të nxitur në fillim nga lëvizja e romantizmit evropian, e cila zgjoi jo vetëm interesimin për dijen, por edhe respektin e dashurinë e fortë për folklorin, këto figura filluan të hetojnë rrënjët dhe traditat e tyre shqiptare duke e drejtuar vëmendjen e energjinë në zhvillimin e kulturës së vet arbëreshe dhe në veçanti, në studimin e letërsisë gojore. Nga ana e tij, ky studim jo vetëm i dha shtytje krijimtarisë së mëtejshme në gjuhën shqipe, të zgjuar nga veprimtaria e Jeronim De Radës, por edhe i bëri arbëreshët t'i kushtojnë vëmendje përherë e më shumë atdheut të largët në Ballkan dhe vëllezërve të tyre shqiptarë që hiqnin e vuanin barrën përherë e më të padurueshme të sundimit turk.

Engjëll Mashi (107) (ital. Angelo Masci, 1758- 1821), ishte një studiues arbëresh nga Shën Sofia në krahinën e Kozencës, ku edhe studioi pranë të sipërpërmendurit Stefan Bafa (vd. 1808). Ai kreu detyra zyrtare të rëndësishme në Mbretërinë e Dy Sicilive. Mashi është autor i një vepre në italishte me titull Discorso sull'origine, costumi e stato attuale della nazione albanese, Napoli 1807 (Fjalë për prejardhjen, zakonet dhe gjendjen e tanishme të kombit shqiptar), që u botua menjëherë pas daljes në frëngjishte të studimit të Konrad Malt-Brën (Conrad Malte-Brun, 1775-1826) Essai sur l'origine, les moeurs et l'état actuel de la nation albanaise (108) (Ese për prejardhjen, zakonet dhe gjendjen e tanishme të kombit shqiptar). Historiani Xhovani Skiroi (ital. Giovanni Schirò) nga Hora e Arbëreshëvet studioi e analizoi lidhjet midis Shqipërisë dhe Italisë së jugut në punimin e tij Rapporti tra l'Epiro e il Regno delle Due Sicilie, 1834 (Marrëdhëniet midis Epirit dhe Mbretërisë së Dy Sicilive)109. Një tjetër studiues i shquar ishte Zef Krispi (ital. Giuseppe Crispi, 1781-1859), nga Pallaci i Sicilisë. Ai ishte prift, profesor i letërsisë greke në Universitetin e Palermos dhe rektor i seminarit grek atje. Mbahet mend për punimin e tij Memoria sulla lingua albanese, Palermo 1831 (Shënime mbi gjuhën shqipe), ku orvatej të provonte prejardhjen pellazgjike të popullit shqiptar, një teori kjo e përhapur asokohe, që as vitet e fundit nuk është lënë përfundimisht. Ai është edhe autor i një përmbledhjeje këngësh popullore arbëreshe të Sicilisë, shoqëruar nga përkthime në italishte, të titulluar Canti degli Albanesi di Sicilia (Këngë të shqiptarëve të Sicilisë), botuar në Canti popolari siciliani, Katania 1857 (Këngë popullore siciliane), të Leonardo Vigos dhe i Memorie storiche di alcune costumanze appartenenti alle colonie greco-albanesi di Sicilia, Palermo 1853


__________________________________________________ _________________


107 kr. Shuteriqi 1976, f. 160-161, Kastrati 1987a, dhe Emmanuele 1988, f. 71.

108 kr. Malte-Brun 1807-1809, vëll. 3, f. 145-234.

109 Botuar në periodikun e Palermos 'Giornale di scienze, lettere ed arti di Palermo'.
__________________________________________________ _________________

(Shënime historike për disa zakone në ngulimet greko-shqiptare të Sicilisë). Rafaele Lopez (110) nga Shën Mitër, i cili ka dhënë mësim së bashku me De Radën në kolegjin e Shën Adrianit, ku të dy u arrestuan më 1851 për veprimtari revolucionare, përgatiti një përmbledhje këngësh popullore arbëreshe të përkthyera prej tij në italishte. Edhe një mik i ngushtë i tij, Luigj Petrasi (111) (ital. Luigi Petrassi, vd. rreth v. 1843), me prejardhje nga Qana (ital. Cerzeto), mblodhi këngë popullore kalabreze. Po Petrasi përktheu këngën e parë të Çajlld Haroldit të Lord Bajronit dhe Dei Sepolcri të Ugo Foskolos, që janë përkthimet e para në shqipe të njohura deri tani të poezisë romantike evropiane. Feliçe Stafa (112) (ital. Felice Staffa) nga Fallkunara (ital. Falconara Albanese) në provincën e Kozencës ndoqi studimet në Napoli më 1820-1821 pranë Gabriele Rossettit, baba i para-rafaelitëve anglezë Kristina e Dante Rossetti. Thuhet se ka marrë pjesë në Revolucionin e vitit 1848 dhe është dënuar me tre vjet burg. Një kopje fort e rrallë e një përmbledhjeje 32 faqesh me këngë popullore shqiptare, Canti albanesi, Napoli 1845 (Këngë shqiptare), ruhet në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë.

Gjatë Revolucionit të vitit 1848 në Napoli ishte edhe Engjëll Bazile (113) (ital. Angelo Basile, 1813-1848) nga Pllatani. Nga veprat e tij të shumta, në të gjallë u botua vetëm një dramë në italishte, Ines de Castro, Napoli 1847, kushtuar Jeronim De Radës dhe frymëzuar nga Os Lusiades e poetit kombëtar portugez Luis de Camoes (1524-1580). Përmbledhja e tij me këngë popullore arbëreshe të përkthyera në italisht, Raccolta di canti popolari albanesi (Përmbledhje këngësh popullore shqiptare) u botua nga miku i tij i ngushtë Jeronim De Rada. Një mbledhës tjetër këngësh popullore shqiptare ishte dramaturgu, poeti dhe prozatori arbëresh Emanuel Bidera (114) (ital. Emmanuele Bidera, 1784-1858) nga Pallaci i Sicilisë. Përsiatjet e tij tepër të lirshme për prejardhjen e shqiptarëve si popull u botuan në katërvëllimshin Quaranta secoli racconti su le Due Sicilie, Napoli 1846-1850 (Dyzet shekuj të rrëfyera për Dy Sicilitë). Vëllimi i parë përmban disa poezi popullore arbëreshe. Themelues dhe drejtor i një shkolle të gojëtarisë në Napoli, Bidera shkroi edhe librete operash për kompozitorin Gaetano Donixeti (ital. Gaetano Donizetti, 1797-1848) në të ri të tij. Domenik Mauri (115) (ital. Domenico Mauro, 1812-1873) ishte poet i njohur kalabrez me prejardhje arbëreshe që shkroi vetëm italisht. Lindur më 13 janar 1812 në Shën Mitër, ai qe njëri prej udhëheqësve të kryengritjes së vitit 1848 në Kalabri, dhe pas një periudhe mërgimi në ishujt e Jonit e në Romë u bë një nga një mijë 'këmishëkuqtë' e Xhuzepe Garibaldit, duke i vajtur pas deri në Marsejë. Ai vdiq në Firence më 17 janar 1873. Ndër botimet e tij letrare janë: Versi sciolti in occasione della morte di mio padre in risposta all'amico, Napoli 1835 (Vjersha të zgjedhura me rastin e vdekjes së babait tim, në përgjigje të një miku), Errico, Novella calabrese, Cyrih 1845 (Erriku, tregim kalabrez), Poesie varie, Napoli 1862 (Vjersha të ndryshme), dhe Errico, poemetto in cinque canti, Napoli 1869 (Erriku, poemth në pesë këngë). Vargu i tij në stil bajronian është i frymëzuar e i gjallë, ndonëse vende-vende i mungon disiplina poetike.

Shkrimtarët dhe studiuesit arbëreshë të gjysmës së dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë


__________________________________________________ _________________

110 kr. Shuteriqi 1976, f. 223.

111 kr. Straticò 1896, f. 276, dhe Shuteriqi 1976, f. 229-230.

112 kr. Shuteriqi 1976, f. 246-247, 1977, f. 219-233.

113 kr. Shuteriqi 1974, f. 120-142, 1976, f. 228, 260, 261.

114 kr. Mann 1955, f. 111, dhe Shuteriqi 1976, f. 253-254.

115 kr. Cingari 1965, dhe Gradilone 1974, f. 282-291.
__________________________________________________ _________________

u nxitën mjaft nga shenjat e qarta që vinin nga Shqipëria për zgjimin politik e kulturor të saj. Përpjekjet e tyre qenë të dyfishta: t'i jepnin përkrahje këtij rizgjimi në atdhe dhe të luftonin për njohjen e kulturës së tyre shqiptare në Italinë e jugut. Letërsia gojore dhe folklori, të hulumtuara për herë të parë mbi një bazë më sistematike e shkencore, përbënin një pikënisje për veprimtarinë e intelektualëve arbëreshë, ndërkaq që problemi qendror politik, që ishte lufta e përpjekjet e mundimshme për pavarësi nga Perandoria Osmane në rënie, do të vihej shumë shpejt në qendër të vëmendjes së tyre. Kësisoj, qëllimi i përbashkët i shqiptarëve në Ballkan e në Itali gjatë gjithë luftës për të mbajtur gjallë kulturën, u bë ideali për një Shqipëri sovrane. Shkrimtarët, studiuesit dhe personalitetet publike arbëreshe u dhanë ndihmë homologëve të tyre shqiptarë aty ku mundën, dhe u forcuan lidhjet midis dy palëve për nxitjen e veprimtarisë kulturore. Shekujve të gjatë të izolimit absolut nga Shqipëria po u vinte fundi për arbëreshët. Ishin ruajtur lidhjet e pashlyeshme të gjakut.

Ndër udhëheqësit kulturorë të arbëreshëve në shekullin e nëntëmbëdhjetë, botimet e të cilëve në gjuhën dhe letërsinë shqipe u dhanë hov jo vetëm shqiptarëve në Itali, por edhe lëvizjes së Rilindjes në atdhe, ishte filologu dhe folkloristi Dhimitër Kamarda (ital. Demetrio Camarda, 1821-1882). Ai lindi në Horën e Arbëreshëvet në Sicili më 23 tetor 1821 dhe studioi për prift në Kolegjin e Propaganda Fides në Romë. Pasi u shugurua në ritin bizantin më 1844, banoi në Napoli e në fshatin e lindjes deri më 1848 kur u dëbua nga Mbretëria e Dy Sicilive prej autoriteteve burbone me akuzën se kishte bashkëpunuar me liberalët. Në fillim vajti në Romë e pastaj në manastirin benediktin të Çezenës. Më 1852 u emërua mësues në shkollën e mesme në Livorno, ku edhe kaloi pjesën tjetër të jetës si famullitar. Vdiq më 13 prill 1882. Kamarda përmendet për veprën e tij Saggio di grammatologia comparata sulla lingua albanese, Livorno 1864 (Sprovë e gramatologjisë krahasuese mbi gjuhën shqipe), një nga të parat vepra të filologjisë diakronike shqiptare, ku u orvat të provonte afërinë e gjuhës shqipe me greqishten, në kundërshtim me gjuhëtarin komparativist gjerman Franc Bop (gjerm. Franz Bopp, 1791-1867), i cili kishte demonstruar prejardhjen e drejtpërdrejtë indo-evropiane të saj më 1854 (116). Kjo vepër u pasua nga Appendice al saggio di grammatologia comparata, Prato 1866 (Shtojcë për sprovën e gramatologjisë krahasuese), një përmbledhje këngësh popullore arbëreshe. Kamarda shkroi edhe një gramatikë të gjuhës shqipe (117) dhe botoi një libër me poezi shqiptare kushtuar Dora d'Istrias, me titullin A Dora d'Istria gli Albanesi, Livorno 1870 (Dora d'Istrias, shqiptarët), që përmbante vjersha nga Preng Doçi, Zef Jubani, Thimi Mitko, Jeronim De Rada, Françesk Anton Santori, Zef Serembe etj.

Dora d'Istria (118) (1828-1888), pseudonimi i Helena Gjikës, ka qenë një figurë interesante e kulturës shqiptare dhe evropiane të mesit të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Kjo shkrimtare rumune me prejardhje shqiptare pati lindur në Bukuresht në familjen aristokrate Gjika të ardhur nga Maqedonia. I ungji, Grigore IV, ishte vojvodë në Vllahi. Që në moshë të re Dora d'Istria udhëtoi me prindët dhe vizitoi oborret e Vjenës, Drezdenit dhe Berlinit, dhe kudo
u adhurua për talentin dhe bukurinë. Më 1849 martesa me princin Aleksandër Masalski e shpuri në Rusi, ku kaloi gati gjashtë vjet. Pas ndarjes me të më 1855, u shpërngul e vajti në Zvicër, ku u bë e para grua që ngjiti Malin Jungfrau, kurse më 1860 bëri një udhëtim në Greqi. Pjesën tjetër të jetës e kaloi kryesisht në Itali. Përkushtimi i parreshtur i Dora d'Istrias ndaj aspiratave të pakicave kombëtare në Perandorinë Austro-Hungareze, ndaj barazisë së gruas e ndaj arsimit për popullin e bëri të mirënjohur në mbarë Evropën. Edhe pse disa e kanë konsideruar amatore

__________________________________________________ _________________

116 kr. Bopp 1855.

117 kr. Camarda 1962.

118 kr. Bala 1967 dhe Goçi 1989.

në shkrimet e para, nuk ka kurrfarë dyshimi se studimi i saj La nationalité albanaise d'après les chants populaires (Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore), botuar më 1866 në revistën letrare të Parisit Revue des deux mondes, luajti rol në lëvizjen kombëtare shqiptare të periudhës së Rilindjes. Ishte Dhimitër Kamarda ai që këtë studim e përktheu në gjuhën shqipe me titullin Fylétia e arbenoré prèj kanekate laoshima, Livorno 1867, dhe botoi për nder të saj atë antologji poetike që e përmendëm më lart. Për historinë e familjes së vet Dora d'Istria botoi edhe një vepër 455 faqesh me titull Gli Albanesi in Rumenia. Storia dei principi Ghica nei secoli XVII, XVIII e XIX, Firenze 1873 (Shqiptarët në Rumani. Historia e princëve Gjika në shekujt e 17-të, 18-të dhe 19-të).

Vëllai më i vogël i Dhimitër Kamardës, Zef Kamarda (ital. Giuseppe Camarda, 1831-1878), përktheu Ungjillin e Shën Mateut në dialektin e Horës së Arbëreshëvet, variant ky i rishikuar nga Dhimitër Kamarda e i botuar në Londër më 1868 nga princi Louis-Lucien Bonaparte (119) (1813-1891). Zef Kamarda ishte edhe autor i disa poezive fetare, i një përralle e i një përmbledhjeje me këngë popullore arbëreshe.

Një variant kalabrez i Ungjillit të Shën Mateut, edhe ky i rishikuar nga Dhimitër Kamarda e i botuar në Londër më 1869 nga princi Louis-Lucien Bonaparte, u përkthye nga një studiues tjetër i shquar arbëresh, Vinçenc Dorsa (ital. Vincenzo Dorsa, 1823-1885). Lindur në Frasnitë në provincën e Kozencës më 26 shkurt 1823, Dorsa ndoqi studimet në kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitër e më pas në kolegjin e Propaganda Fides në Romë. Për shumë vjet qe mësues i greqishtes dhe latinishtes në shkollën e mesme të Telesios në Kozencë. Vepra me të cilën u shqua është Su gli Albanesi, ricerche e pensieri, Napoli 1847 (Mbi shqiptarët, hulumtime e mendime), kushtuar alla mia nazione divisa e dispersa ma una (kombit tim, të ndarë e të shprishur, por një i vetëm), që synonte, siç e thotë vetë Dorsa në parathënie, "të tërheqë vëmendjen e opinionit publik ndaj të drejtave të një kombi të shquar por të panjohur".

E ndarë në njëzet krerë, vepra përmban të dhëna të bollshme, të para në dritën e mesit të shekullit të nëntëmbëdhjetë, për prejardhjen dhe historinë e shqiptarëve deri në kohën e Skënderbeut, për ngulimet shqiptare në Italinë e jugut dhe për poezinë popullore, zakonet dhe letërsinë. Më pas Dorsa botoi Studi etimologici della lingua albanese, Kozencë 1862 (Studime etimologjike për gjuhën shqipe) dhe La tradizione greco-latina nei dialetti della Calabria citeriore, Kozencë 1876, 1884 (Tradita greko-latine në dialektet e Kalabrisë së Epërme). Të pabotuara kanë mbetur vepra e tij Discorso in lingua albanese, një traktat fetar i shkruar shqip gjatë studimeve në Romë më 1842 (120), dhe dorëshkrimi për afro gjashtëdhjetepesë këngë popullore arbëreshe nga Kozenca, me titullin Canti popolari albanesi (121) (Këngë popullore shqiptare), të cilat i shërbyen Jeronim De Radës në përmbledhjen që ky hartoi me material folklorik arbëresh.

Anton Argondica (ital. Antonio Argondizza, 1839-1918) ishte folklorist, poet dhe botues nga Mbuzati (ital. San Giorgio Albanese) në krahinën e Kozencës. Studimet i përfundoi në kolegjin e Shën Adrianit, ku edhe qe mësues më vonë. Argondica bashkëpunoi me një varg periodikësh me artikuj mbi folklorin dhe gjuhën shqipe. Më 1890 vizitoi Spanjën, Francën dhe Shtetet e Bashkuara, ku themeloi gazetën L'Emigrato italiano. Më pas vizitoi Shqipërinë.

__________________________________________________ _________________

119 Koleksioni Shqiptar në Kopenhagë ruan një numër tekstesh e dokumentesh të Dhimitër dhe Zef Kamardës, ndër to një dorëshkrim të përkthimit origjinal nga Zef Kamarda të Shën Mateut, të bërë me alfabetin grek. kr. Gangale 1973, f. 62 (IV 6).

120 kr. Shuteriqi 1976, f. 228.

121 kr. Shuteriqi 1976, f. 270, dhe Gangale 1973, f. 32 (II 28).
__________________________________________________ _________________

Argondica ka mbetur kryesisht si botues i Ili i Arbrešvet (122) (Ylli i Arbëreshëve), revistë e themeluar më 1896 me porosi të kongresit të parë albanologjik në Koriliano Kalabro të kryesuar nga Jeronim De Rada më 1895. Kjo ishte një revistë me peshë në botën letrare arbëreshe, por, ashtu si shumë organe shqiptare shtypi të shekullit të nëntëmbëdhjetë, nuk e pati jetën të gjatë dhe u zëvendësua një vit më pas nga La Nazione albanese e Anselm Lorekios. Përveç shkrimeve në italishte për folklorin dhe gjuhën, dhe përveç një vepre mbi Collegio italo-greco di S. Adriano, Koriliano Kalabro 1884 (Kolegji italo-grek i Shën Adrianit), Argondica ishte edhe autori i disa vjershave shqip. Ato nuk kanë ndonjë nivel të dukshëm, vetëm mund të përmenden për interesa gjuhësore (123).

Gazetar, jurist dhe njeri i letrave, Pjetër Kjara (ital. Pietro Chiara, 1840-1915), lindi në Pallac në Sicili. Kushëri i Gavril Darës së Riut (1826-1885), Kjara bëri udhëtime në Shqipëri e në Ballkan më 1879 dhe, si shqipfolës që ishte, arriti të depërtojë thellë në gjendjen politike gjatë atyre viteve të ndera e vendimtare të Lidhjes së Prizrenit. Është autor i dy librave italisht për Shqipërinë: L'Albania, Palermo 1869 (Shqipëria), monografi në dymbëdhjetë krerë për gjuhën, letërsinë, historinë dhe politikën shqiptare, dhe L'Epiro, gli Albanesi e la Lega, Palermo 1880 (Epiri, shqiptarët dhe Lidhja), përmbledhje shkrimesh informative të botuara së pari në gazetën e Romës La Riforma, redaktuar në vitet 1871 deri 1874 nga Gavril Dara i Riu. Kjara, që ishte edhe deputet në parlament, botoi artikuj në të përmuajshmen e De Radës Fiàmuri Arbërit, e themeluar më 1883, si dhe shkroi disa poezi lirike modeste (124).

Sikundër e pamë, letërsia arbëreshe lindi dhe lulëzoi në truallin pjellor të qytetërimit italian, për të formuar një degë të letërsisë që nga fillesat e veta dhe nga zhvillimi që mori ishte krejt e pavarur nga ajo e Shqipërisë. Gjatë shekullit të tetëmbëdhjetë dhe fillimit të shekullit nëntëmbëdhjetë, vetëm në Italinë e jugut kushtet politike, sociale e ekonomike, sado të zymta të kenë qenë, po të shihen me syrin e kohëve më të reja, ishin mjaft të qëndrueshme për t'u dhënë mundësi shqiptarëve që të zhvillonin kulturën e tyre modeste të shkrimeve, çka do të hidhte themelet e letërsisë së sotme shqiptare.

Por në shekullin e nëntëmbëdhjetë, edhe Shqipëria më në fund po zgjohej nga pikëpamja politike e kulturore. Në kujtesën kolektive të arbëreshëve, të flakur tej në brigjet e dheut të huaj, të cilin ata do ta shihnin gjithmonë me një farë dyshimi, Shqipëria po dilte nga mjegulla e kujtimeve të hershme e po shfaqej para syve të tyre si një realitet konkret, si një mëmëdhe që lëngonte e luftonte, e që i frymëzonte ata për të ruajtur kulturën e vet të brishtë. I palodhshmi Jeronim De Rada kishte çimentuar lidhjet midis ngulimeve arbëreshe, të shpërndara andej këndej në mbarë vargmalet e veçuara e të thella të Italisë së jugut, dhe mëmëdheut të tyre në Ballkan, që luftonte të ruante njëjtësinë e vet. Që atëherë e më pas gjatë mbarë shekullit të nëntëmbëdhjetë, lidhjet politike, kulturore dhe letrare u zhvilluan e u forcuan, çka u dëshmua e frytshme dhe e dobishme për të dy palët. Letërsia arbëreshe kishte lulëzuar vetë, dhe pa dyshim ishte aq e pjekur në këtë kohë sa për të ecur me këmbët e veta, por lidhjet me gjakun e shprishur, i dhanë mundësi të mbetej pjesë përbërëse e pandashme e kulturës shqiptare. Nga ana tjetër, as letërsia shqiptare vetë nuk mund të përfytyrohet e të merret me mend pa rrënjët arbëreshe.


__________________________________________________ _________________

122 kr. Sammarra 1984.

123 kr. Mbuzati 1959, Gangale 1973, f. 7-8 (II 1), 38 (II 35), dhe Laudone 1983.

124 kr. Gangale 1973 (II 12).

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...