2012-06-27

Fillimet e shkrimit shqip





Krahasuar me gjuhët e tjera kombëtare të Evropës, shqipja nuk gëzon traditë letrare të gjatë. Në fakt, shqipja është gjuha kombëtare e fundit në Evropë që është dokumentuar. Kjo rrethanë është sidomos për të ardhur keq jo vetëm nga pikëpamja letrare (ndonëse dihet që kemi disa dokumente të shkruara në latinishte për shqiptarët), por edhe nga ajo gjuhësore, d.m.th. nuk ka gjurmë të rëndësishme të gjuhës shqipe që të datojnë para shekullit të pesëmbëdhjetë. Fillimet e letërsisë shqiptare, ose për të folur më saktë për këtë periudhë - të shkrimit shqip, janë të rralla dhe disi të errëta.

Fillimi i shekullit të pesëmbëdhjetë na vë përpara një tekst kureshtar që mund të përbëjë pikënisjen për shkrimin shqip. Ky është i ashtuquajturi teksti Bellifortis(9), që ruhet në Muzeun Konde (Musée Condé) në Shato dë Shantiji (Château de Chantilly) në veri të Parisit. I datuar 1405, ai përbën një shtojcë prej 29 rreshtash ndaj të ashtuquajturit dorëshkrimi Bellifortis (ms.348/663, fol.153v), një traktat i njohur mesjetar, në pjesën më të madhe në latinishte, mbi armët dhe fortifikimet ushtarake, nga pirotekniku gjerman Konrad Kyezer (Conrad Kyeser, 1366-1405). Kjo shtojcë, që nuk ka lidhje aspak me pjesën tjetër të dorëshkrimit Bellifortis, është një tekst misterioz që merret me ritet e pagëzimit, ku bën pjesë edhe njëfarë ceremonie e pjekurisë seksuale. Tetë rreshtat, ndoshta në shqipen e hershme, janë ndërfutur në tekstin latin. Teksti i përkthyer është:

"Kjo është bukuria e të dymbëdhjetë shenjave të ndritshme. Djali i virgjër duhet

__________________________________________________ _______________

8 kr. Cosenza 1962, Prenushi 1981, f. 131-148, dhe Shuteriqi 1987, f. 40-72.

9 kr. Elsie 1986b, 1997b.
__________________________________________________ _______________


pagëzuar në një ditë me diell në orët e para të mëngjesit, duke e mbajtur atë gjënë e rrumbullakët me dorën e majtë të trupit [të tij] joharmonik. Kurse me dorën e djathtë të ngritur lart ai duhet të mbajë një pishtar, duke shqiptuar dymbëdhjetë herë atë që është perifrazuar. Pas një pauze, vjen ajo që kërkohet, e përshkruar më parë. Vjen e provohet ajo punë e hollë. Ai që e kupton, e di se ç'është kjo punë. Mjafton një shprehje e thjeshtë. I lidhshin e i bashkofshin dymbëdhjetë majat e qiellit me gjithë virtytet që kanë brenda gjërat e paracaktuara

due racha yze inbeme zabel chmielfet dayce dayci dayze yan yon yan.

Thuaji djalit [në] veshin e djathtë "ragam", kurse [në] të majtin "echem" aq herë sa lypset përsëritur, derisa të plotësoni normën e trupit joharmonik. Pastaj, profetët Enoh dhe Elias dhe klerikët e lartë të ftuar do të lidhin bashkë gjërat e paracaktuara.

ragam ragma mathy zagma concuti perbra ista aus auskar auskary ausckarye zyma bomchity wasram electen eleat adolecten zor dorchedine zebestmus lisne zehanar zehanara zensa echem biliat adolecten zeth dorchene zehat stochis lisne zehanar zehanara zehayssa.

Atë gjënë e mprehur e të fortë sipër duhet ta mbështjellësh me dyllë të paprekur dhe po ashtu gishtin e madh të kthetrës së djathtë të djalit. Gjithashtu, ajo gjëja e rrumbullaktë duhet të mbahet si më lart në dorën e djathtë, dhe nëse ngrihet e rëndohet më shumë, mund të mbahet kështu edhe me dorën e majtë. Rrjedhtë e kaloftë ajo vala me të cilën do të plotësosh atë që kërkohet. Për hir të Zotit."

Pjesët e paqarta të tekstit Bellifortis përmbajnë namatisje e formula magjike me përsëritje dhe shndërrime fjalësh, pa dyshim për arsye tabush, dhe kësisoj nuk janë menjëherë të përkthyeshme. Me një shqyrtim më të imtë, për shembull, mund të shihet se dy rreshtat e fundit duket se përsërisin dy rreshtat para tyre. Qoftë edhe në këtë formë të gjymtuar, shumë elemente të tekstit jo rastësisht të kujtojnë shqipen. Mister është në një farë mënyre edhe origjina e tekstit Bellifortis. Si ka përfunduar më i hershmi dokument i shkruar i shqipes, po t'i quajmë kështu, në një dorëshkrim për punimet xhenjere e fortifikuese në ushtri në Château de Chantilly? Dihet se Karli Anzhuin zbriti në Vlorë më 1269 dhe tre vjet më vonë e shpalli veten rex Albaniae. Sundimi anzhuin në Shqipëri zgjati deri në mesin e shekullit të katërmbëdhjetë dhe përfundoi në kthimin e disa viseve të Shqipërisë veriore në katolicizëm. Disa nga këta katolikë, ose të paktën disa klerikë frëngj me një farë njohjeje të shqipes, duhet të kenë ikur nga vendi e të kenë vajtur në Itali dhe Francë kur
u larguan frankët. Prandaj është fort bindëse që folës të shqipes të gjendeshin në Francën e shekullit të katërmbëdhjetë e të pesëmbëdhjetë, ku është ruajtur ky tekst.

Teksti i kuptueshëm më i lashtë në gjuhën shqipe është një formulë pagëzimi që mban datën 1462 e që thotë: Unte paghesont premenit Atit et birit et spertit senit (Unë të pagëzoj në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit të Shenjtë). Autori i kësaj formule ishte Pal Engjëlli (lat. Paulus Angelus, rreth 1417-1470), argjipeshkëv i Durrësit dhe mik i ngushtë e këshilltar i Skënderbeut. Këtë përkthim në shqipe të formulës së pagëzimit, e cila nevojitej shumë për kthimin në fenë katolike të atyre që nuk flisnin latinisht, Engjëlli e përfshiu në një letër pastorale me rastin e një sinodi të mbajtur në kishën e Trinisë së Shenjtë në Mat më 8 nëntor 1462. Teksti u zbulua në Bibliotekën Laurentiane(10) në Firence nga dijetari rumun Nicolae Iorga

__________________________________________________ _______________

10 Dorëshkrim Ashburnham numër 1167.
__________________________________________________ _______________

(1871-1940) dhe u botua prej tij më 1915(11).

Njëzetenjë vjet më pas, më 1483, ndeshemi me një fjali në gjuhën shqipe (çka është njëherazi edhe mallkimi i parë) në një pjesë teatrale të kohës së Rilindjes evropiane me titullin Epirota(12). Në këtë komedi në stilin e Plautit, të shkruar latinisht nga Thoma Mediusi (ital. Tommaso de Mezzo), bashkëkohës dhe i njohur i Xhovani Piko dela Mirandola (Giovanni Pico della Mirandola, 1463-1494), një këngëtar epirot (d.m.th. shqiptar) me emrin Damasken shan një hanxhi që nuk ia pëlqen këngët, duke e mallkuar në gjuhën e vet me fjalët Dramburi te clofto goglie (T'u dridhtë goja). Ky mallkim është në gjuhën shqipe dhe u ngjan shumë sharjeve që përdoren edhe sot, "T'u mbylltë goja", "T'u thaftë gjuha" etj., d.m.th. "Humbsh zërin për të keqen tënde". Pjesa teatrale u botua në Venedik më 1483, ndërsa kjo frazë njihej se ishte në gjuhën shqipe dhe u botua vetëm më 1972(13).

Një dokument tjetër e më i rëndësishëm i shqipes së hershme është i ashtuquajturi Ungjilli i Pashkëve ose Perikopeja(14), pesëmbëdhjetë rreshta në shkronja greke, të përkthyera nga Ungjilli i Shën Mateut (27: 62-66). Ai u zbulua nga historiani grek Spiridon Lampros (1851-1919) më 1906 në një dorëshkrim greqisht(15) të ruajtur në Bibliotekën Ambroziane në Milano. Teksti, autori i të cilit nuk dihet, është në dialektin toskë, ndonëse jo i përkthyer mirë. Për moshën e tij vlerësimet shkojnë nga shekulli i katërmbëdhjetë në shekullin e tetëmbëdhjetë. Një analizë paleografike e tekstit e përcakton si shkrim të kohës nga shekulli i pesëmbëdhjetë në shekullin e gjashtëmbëdhjetë.

Shekulli i pesëmbëdhjetë mbyllet me një tjetër tekst shqip (1497) që ruhet jashtë, kësaj radhe në Gjermani. Është fjalori shqip i Arnold fon Harfit(16) (Arnold von Harff, rreth 1471-1505), një kalorës gjerman, udhëtar dhe shkrimtar, i lindur në një familje fisnikësh në Rinin e poshtëm (në Harff mbi lumin Erft, në veriperëndim të Këlnit). Në vjeshtën e vitit 1496, fon Harfi u nis për një udhëtim, me sa duket një pelegrinazh në Tokën e Shenjtë, çka e shpuri në Itali, nëpër bregdetin shqiptar, në Greqi, Egjipt, Arabi, Palestinë, Azi të Vogël, dhe pastaj në kthim nëpër Evropën qendrore në Francë e në Spanjë. Ai u kthye në Këln në vjeshtë të vitit 1498 ose 1499 dhe vdiq më 1505. Gjatë udhëtimeve, fon Harfi mblodhi materiale mbi gjuhët që ndeshi në vende të ndryshme. Në një ndalesë në portin e Durrësit në pranverën e vitit 1497, kur po lundronte me anije tregtare me vela nga Venediku në Aleksandri, ai shënoi njëzetegjashtë fjalë, tetë fraza dhe dymbëdhjetë numra në shqipe, të cilat i hodhi bashkë me përkthimin gjermanisht në ditarin e tij të udhëtimit. Përshkrimet e këtij udhëtimi u botuan më 1860(17), dhe konsiderohen si shembujt më të mirë të kësaj gjinie, aq shumë të përhapur në fund të periudhës së mesjetës. Gjatë udhëtimeve fon Harfi tregoi një interesim të vazhdueshëm për gjuhët dhe zakonet e huaja, duke dhënë, përveç materialit në shqipe, edhe fjalorë të shkurtër me fjalë e shprehje në gjuhët kroate, greke, arabe, hebraishte, turke, hungareze, baske dhe bretone. Këto

__________________________________________________ _________________

11 kr. Iorga 1915, f. 194-197.

12 kr. Medius 1516.

13 kr. Braun & Camaj 1972.

14 kr. Borgia 1930.


1906.

15 Codex 133, f. 63. Martini-Bassi Catalogus Codicum Graecorum. kr. Lampros


16 kr. Elsie 1984.

17 kr. Groote 1860.
__________________________________________________ _________________


përbëjnë atë që mund të quhej fjalor xhepi për udhëtarë, që zakonisht përfshijnë terma ushqimorë, shtëpiakë e të udhëtimit, si dhe fraza të nevojshme si: "Mirëmëngjesi", "Sa kushton kjo", apo "Grua, a mund të flemë bashkë sonte?" Kjo pyetje e fundit, për një arsye apo për një tjetër, mungon në fjalorin shqip. Me të mbërritur në Durrës, fon Harfi shkruan:

"Nga Ulqini në Durrës lundruam me një erë shumë të fortë. Ky është një qytet i madh i rrënuar nga turqit, e që tani është nën sundimin e Venedikut. Ky qytet shtrihet në Shqipëri, ku banorët kanë edhe gjuhën e tyre, e cila nuk mund të shkruhet mirë, meqë në këtë vend ata nuk kanë alfabetin e vet. Kam hedhur në letër disa fjalë të kësaj gjuhe shqipe, të cilat po i jap më poshtë me alfabetin tonë:

1. boicke bukë
2. vene verë
3. oie ujë
4. mische mish
5. jat djathë
6. foeije vezë
7. oitter uthull
8. poylle një pulë
9. pyske peshk
10.krup kripë
11.myr mirë
12.kyckge keq
13.megaruneto(18) ha
14.pijneto pi
15.tauernea tavernë
16.geneyrea(19) burrë
17.growaa grua
18.denarye parà
19.sto(20) po
20.jae jo
21.criste zot
22.dreckthe dreq
23.kijrija qiri
24.kale një kalë
25.elbe elb
26.fijetto fle
27.mirenestrasse mirëmëngjes
28.myreprama mirëmbrëma
29.meretzewen(21) mirëdita


__________________________________________________ _________________
18 më saktë 'me ngrënë'.

19 më saktë 'një njeri'.

20 më saktë 'ashtu'.

21 më saktë 'mirë se vjen'.
__________________________________________________ _________________

30. ake ja kasse zet ve(22) çfarë ke që më pëlqen
31. kess felgen gjo kaffs(23) sa bën
32. do daple do ta ble
33. laff ne kammijss(24) laj këmishën time
34. ne kaffs(25) si quhet
35. nea një
36. dua dy
37. trij tre
38. quater katër
39. pessa pesë
40. jast gjashtë
41. statte shtatë
42. tette tetë
43. nante nëntë
44. dieta dhjetë
45. nijtgint njëqind
46. nemijgo njëmijë"


Fon Harfi përdori mbi shqipen drejtshkrimin e tij gjerman, i cili natyrisht nuk mund të mbante parasysh e të respektonte fonemat e shqipes që ndryshojnë nga ato të gjermanishtes. Megjithatë, transkriptimi i shqipes(26) prej tij nuk është më i keq se ai i teksteve të tjerë të periudhës, dhe fjalori i tij i xhepit mund të përdoret nga të huajt deri diku edhe sot.

__________________________________________________ _________________


22 më saktë 'a ke gjëkafshë të re'.

23 më saktë 'qysh vlen kjo kafshë'.

24 më saktë 'laj një këmishë'.

25 ne kaffs është keqkuptuar nga fon Harfi. Fjalë për fjalë, dhe më saktë, ajo do të thotë 'një kafshë' ose 'një gjë'. Për këtë le të mendojmë udhëtarin e Mesjetës që vjen në Shqipëri dhe kërkon përkthimin e pyetjes 'si quhet?', dhe në vend që të marrë përkthimin i jepet një përgjigje për emrin në shqip të sendit që rastësisht ai mund të ketë treguar me gisht. Kështu që fon Harfi ka identifikuar përkthimin e pyetjes që kërkonte me fjalët shqip të përgjigjes.

26 kr. Hetzer 1981c.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...