2012-06-21

Wilhelm Wied: Sa vështirë me u marr vesh me shqiptarët




… Esat Pasha edhe Ismail Qemal begu janë, edhe sot, tuj u hangër ndër vedi me ashprim të madh. Këta bajnë ngatërresa njeni kundër tjetrit në gjithfarë mënyrash e shtin në burg a tresin të gjith ata që vinë prej vendit të njenit në vend të tjetrit, a mundohet s’e cili me kenë njeni ma i fortë se tjetri. Për kët punë çdo mjet asht i mirë për mos me lanë njeni-tjetrin me çue kry e gjith ça bahet në vend të tjetrit se e cili e shikojn si një shigjetë të drejtuese kundra tij. Kështu, mbas mendimit t’em, Ismail Qemal begu, asht përzi në komplot xhonturk sidomos pse princ Ëied don me shkue në Durrës e duket se mbahet me Esa Pashën. Mb’anë tjetër, fjala vjen, kur tash disa dit nji detashment i dërguem prej oficeravet holandez marshonte kahë Elbasani për me shkue në Korçë e me mbrojtë jugun, Esat Pasha i ka telegrafue komisionit të kontrollit që shifte në kët punë nji veprim kërcënues të Ismail Qemal begut kundra tij e që ju dote me marrë kundra masat. Të përziemit e të dyve në nji komplot xhonturk difton që as njenit nuk asht për të ju xanë besë në punë të princit të zgjedhun nga Evropa. Esat Pasha asht ndër të dy aj ma me randësi e aj ma i rrezikshmi. Fuqija e tij e sodit dhe e anëtarëvet të tij asht, si duket, e madhe në Shqipni të mesme e vjen tuj u shtri për dit e ma tepër. Kështu aj ka dërgu xhandarmët e vet përtej Matit e mundohet me vu nën sundim të vet, katundet njeni mbas tjetrit. Malsorët vrapojnë me shumicë prej Lezhe e prej Shkodre në Durrës e kthehen, ndër shpija të veta, me shum dhuntina. Mbas nji të pyetunit që i ka ba Esadit, ky i asht përgjegjë se deri tash ma shumë se 2000 Malsorë kan ardhë tek ai, me shkak që me pa godin e kthjellët të princit të ri. Në jugë i ka dërgue emisarët e vet kundra Elbasanit për me ja grabitë kët qytet qeveris së Vlonës. Asht e vërtetë që deri tash çetat e organizueme prej tij s’kan mujtë me e marrë kët qytet pse detashmenti i xhandarmëris që përmendëme, i cili, dorë për dorë, deri në fillesë të të liruemit të jugut, ka xanë vend aty, kishte me i dalë zot qytetit e, për kët punë, ato kondendohen mu e gjue marrisht shum prej së largut. Me gjith kët grabitësi dinak dëftohet përjashta ndaj komisionit besnik e i shkueshëm. Kështu pa thanë kurrgja e tuj mbajtë gjith botën me fjalë të mira gjithmonë, i shtrohet kinse, vullnetit të komisionit e dëftohet gadi me shërbye Evropën e princin e ri. Në kohë të të marrunit pjesë në komplot zhonrutk, asht gja e sigurtë që aj s’asht dëftue msallë me dy faqe, si Ismail Qemal beu, po me tri. Në sy të botës aj bante gatime për princin Ëied, tinës, për Izet pashën e në zemër të vet, për vedi. Pse asht afër mendësh që, aj vetë gjeneral turk, nuk mujte me njofto, si sovran nji tjetër gjeneral turk. Për kët punë gjith propaganda e tij vetjake dëfton se në qoftë se nji mysliman do të hypte në thron të Shqipnis, aj e kishte shenjue vetvedin për kët vend. Ndoshta mendja e tij asht mbushun krejt se froni i Shqipnis asht i shenjuem për te.
Për zotnim të Ismail Qemal begut mundet të thohet se asht kahë mbaron. Megjithëse me emën aj ashtë edhe në krye të qeveris së përkohëshme, në vështrim të zgjanuem, për të gjithë Shqipnin e në kuptim të ngushtuem për Shqipni të jugut, fuqia e tij asht voglue deri ku s’bahet ma. Kësaj pune i ka ndihmue fort mungesa e nji forcës ekzekutive pse oficerat holandez, tuj përdorue njatë xhandarmëri që vetë Ismail Qemali pat fillue me ngrehë e tuj përdorue edhe paret e kasës qeveritare, kan trajtue nji xhandarmëri që Ismail begu s’mundet me urdhënue si do aj vetë. Më njenën anë xhandarmëria do të shërbejë për nji qëllim të caktuem për me qetësue jugun e mbë tjetrën anë, oficerat hollandez merrshin mbrapa ma fort mësimet e komisionit të kontrollit se të Ismail Qemalit. Pafuqija e tij u pa sidomos në luftim që u ba për Elbasan ku aj donte me përdorue detashmentin e xhandarmëris për me luftue kundra çetavet të Esat Pashës, në kohë që komanda, e marrun vesht me komision të kontrollit, nuk lente që ajo të merrte pjesë veç se për me i dalë zot qytetit, në qoftë se këtij do t’i bishin çetat. N’e bram kur u mur vesht që aj kishte marrë pjesë në komplot zhonturk, autoriteti i tij u rrxue krejt edhe në qytet të Vlonës.
Për të dy sundimtarët kishte ardhë koha për me i largue prej punet: njenin se ishte rrezik se bahet tepër i madh e tjetrin pse kishte qeverue keq. Ismail begu e ka njoftë aj vetë nevojën e këtij rrjedhimi e i ka dëshmue komisionit që ka me hjekë dorë prej sundimit, me vullnet të vetin, në kjoftë se të ndejunit e tij, në kambë që kishte, ka me kenë nji pengim për zhvillim të Shqipnis; por me kusht që komisioni i kontrollit ka me marrë nën sundim të vet të gjith Shqipnin, që do me thanë, në qoftë se edhe tjetri ka me hjekë dorë. Ndër dit e fundit duket që i asht pendue fjalës që ka dhanë, por ma fort s’ka me ba kundërshtime për me e la vendin e vet. Për me mujt me i dhanë vendit organizatën që don Europa, duhet me punue me shum shtrëngim. E mira e vendit lypë që, ndër të dy, Ismail Qemal begu, t’ulin krye i pari. Pse me kët punë i hiqet doret, atij tjetrit, nji shkak me randësi për me mbetun në zyrë të vet; ndryshe s’ka me kenë punë e lehtë me ja mbushë mendjen që të baj edhe aj nji të tillë hap. Por kujtojmë që ka me kenë mjaft i zgjuet për me i marë në sy rrjedhimet e nji kundërshtimit e që ka me lëshue rrugë. Në vend të këtyne dy sundimtarë do të vehen sundimtari të vendit që, mbas vendimeve të Londrës, kan me qëndrue, deri sa të mbërrijnë princi, nën kontroll të komisionit. Në kët mënyrë në kjoftë se të dy sundimtarët do të japin dorëheqjen, as në Shqipni të jugës as në Shqipni të mesme s’ka me kenë asnji fuqi që t’i bajnë kundërshtime fillimit të qeveris së princit. Por atherë kishte me thanë ka ardhë çasti që princi të vinë sa ma shpejt e që t’a marrin aj vetë frenin e qeveris pse sado i njesuem që të jet veprimi i komisionit e sado e fort që të jet fuqia e tij mbi administratë të rregullueme të vendit, mbas të shporrunit të dy sundimtarëvet, për shum kohë s’ka me mujtë me xanë vendin e nji fuqis qeveritare legjitime. Për kët punë i mungon iniciativa e nevojshme që ka nji qëllim të caktuem, sidomos nga kundërshtimet (që udobisht munden me u marrë vesht, por që, në praktikë, shpesh herë e ndalojnë punën) të cilat Ausrto-Hungaria e Italia bajnë kundra çfarëdo të forcuesit të fuqis ndërkombëtare. Të himit e princit ka me mujtë atherë me u ba pa frikë në Durrës mbasi të jenë shporrë të dy armiqt ma të mdhajt që u hashin për të zgjedhun të vendit ku dot zbriste princi. Shkodra e krenët ma të vegjël s’kan në kët punë, nji rëndësi të posaçëme. Në kjoftë se pricni e ka për punë të madhe që një delegatë e popullit shqiptar t’i paraqesin kunorën, ndoshta kishte me kenë më mirë qe komisionit të kontrollit t’i lehet barra me ba të zgjedhunit e delegates e me u përkujdesë për të nisunit e saj tek t’i ket rregullue princi punët e veta me Fuqi të mëdhaja.
Si gja që i prishë pak punët mundet të shikjohet pushtimi i veriut, prej anës së trupave ndërkombëtare dhe e jugut nga ana e Grekvet. Për sa i përket pushtimit të veriut s’kishte me dashtë me e xanë besë pse princi asht, mundemi me thanë, mandatari i fuqive që kan ushtarët e vet në kët anë. Ndryshe janë punët për jug. Këtu në Vlonë, nuk dihet kur kanë me fillue Grekt me dalë prej andej. Por edhe në kjoftë se kjo punë s’ka me mujtë me u ba përpara të mbrijtunit e princit në Shqipni, s’duhet mbas mendimit t’em nën pikëpamje të të qetësuemit të vendit, me e kqyrë për nji fatzezi të madhe. Se pse princi ka me mujt ma mirë se Komisioni Kontrollit e se Komanda e Xhandarmëris me dhanë urdhëna të caktueme për pushtim e për organizatë të dobishme të vendeve të lirueme nga Grekt. Por edhe popullsia e këtyne visevet ka me e ba, ma me shum besim e qetësi, kalimin e vet, në nji shtet të rregulluem që gjindet nën nji autoritet të nji të parit që jep gjith sigurin, se në nji shtet për gjysë anarkik në të cilin të gjith dyert janë të hapuna për çfarëdo ngatërresash që shkaktojnë turbullime.
Nënshkruem: Nadolny
Shkëlqesis së Tij Reichskanzlerit Z. Bethmann Hollweg.
Monarku qe u zgjodh për të drejtuar Shqipërinë në vitet e vështira. Shkrimi është përgatitur nga Hasan Bello dhe ka të bëjë me një tekst të përkthyer nga gjuha gjermane më korrik 1917 dhe gjetur në Bibliotekën e Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër.
Përgatitur nga Ben Andoni

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...