Lidhja Shqiptare e Prizrenit, 1878-1881″ është titulli i librit të sapo botuar nga historiani Kristo Frashëri. Monografia me 700 faqe sjell në vëmendje një nga ngjarjet më të ndritura të historisë së re të Kombit shqiptar, figurat kryesore të saj, rëndësinë që ajo pati dhe mënyrën se si ajo u prit nga fqinjët e më gjerë. Duke e gjykuar ‘Lidhjen’ si një zbatim të programit politik, (por jo vetëm) të ideve të Rilindjes Kombëtare, Frashëri hedh mbi letër dobitë e këtij bashkimi të shqiptarëve. Në të janë pasqyruar trajtimet e historiografisë shqiptare dhe bo-tërore për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit të botuara deri në vitin 1984 dhe e dyta, burimet dokumentare, shqiptare dhe të huaja, të botuara dhe të pabotuara mbi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, të shfrytëzuara nga autori në këtë monografi të cilat njiheshin prej tij deri më 1984. Por, çfarë është ky botim? Për herë të parë, Frashëri e përfundoi së hartuari këtë studim më 1984, e meqenëse mbuloi shumë faqe, fillimisht u mendua nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë të botohej në dy vëllime. “Vëllimi i parë u botua më 1989, ndërsa i dyti parashihej të botohej më 1990. Për shkak të ngjarjeve që ndodhën atë vit në Shqipëri, vëllimi i dytë mbeti pa u botuar”, – shënon vetë autori në hyrje të librit. Siç vëren ai, më 1997 shtëpia botuese “Toena” e botoi monografinë e plotë duke përfshirë edhe vëllimin e dytë të pabotuar më parë, por la jashtë vëllimit hyrjen kritike mbi historiografinë kushtuar Lidhjes së Prizrenit. “Meqenëse nga botimet e mëparshme nuk ka mbetur asnjë vëllim në treg, gjë që tregon interesin e publikut për këtë temë madhore të historisë së Kombit Shqiptar, kjo monografi po ribotohet me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Këtë radhë, monografia mbi Lidhjen e Prizrenit botohet e plotë përfshirë edhe vështrimin kritik në një vëllim të vetëm. Madje, do të pasurohet edhe me ilustrimet më të domosdoshme që përmban albumi mbi ‘Lidhjen Shqiptare të Prizrenit’ botuar nga shtëpia botuese ’8 Nëntori’, Tiranë 1979″, – vëren Kristo Frashëri. Ai shënon se, monografisë i janë bërë shumë pak ndryshime të domosdoshme. Autori i ka lënë ashtu siç i ka dorëshkrimi i vitit 1989, si referencat burimore ashtu edhe listën e bibliografisë, në të cilën natyrisht nuk janë përfshirë punimet e botuara pas vitit 1984. Në trajtimin e kësaj teme, pavarësisht nga koha kur është punuar, autori ka qenë frymëzuar nga kriteret shkencore dhe nga ndërgjegjja patriotike dhe aspak nga diktatet partiake.
Dokumentet
Për të trajtuar Lidhjen e Prizrenit janë marrë parasysh burime historike me rëndësi të veçantë si për shembull dokumente të rrjetit diplomatik dhe konsullor të Fuqive të Mëdha dhe të monarkive ballkanike – raportet e ambasadorëve të tyre të akredituar në kryeqytetet e kancelarive që kishin interesa në Shqipëri, relacionet e konsujve të tyre të shpërndarë në vilajetet perëndimore të Gadishullit Ballkanik dhe udhëzimet që Ministritë e Punëve të Jashtme të fuqive të interesuara u dërgonin përfaqësive të tyre diplomatike ose konsullore në Europën Juglindore. “Pesha e tyre rritet po të kemi parasysh porositë që Vjena, Londra, Parisi, Roma, Petërsburgu, Berlini dhe me tej Beogradi, Athina, Cetina u dërgonin përfaqësive të tyre diplomatike dhe konsullore për të ndjekur me kujdes të veçantë zhvillimin e ngjarjeve politike në Shqipëri, sidomos kur u pa se rezistenca shqiptare filloi të vinte në pikëpyetje zbatimin e vendimeve të padrejta, që Kongresi i Berlinit kishte marrë në favor të Greqisë dhe të Malit të Zi”, – shënon profesori në libër. Theksojmë se, për nga numri i dokumenteve dhe për nga masa e njoftimeve, vendin e parë në këtë fushë burimore e zënë aktet e përfaqësive diplomatike dhe konsullore austro – hungareze të akredituar në Stamboll, Shkodër, Prizren, Janinë, Prevezë, Vlorë, Durrës, Manastir, Selanik, Cetinë, Tivar, Raguzë e gjetkë, të cilat ruhen në Arkivin e Oborrit dhe të Shtetit në Vjenë.
Kundra trillimeve
Ndërsa flet për dokumentet, Frashëri përmend Arkivin e Institutit të Historisë (Tiranë) dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku sipas tij gjendet një fond i pasur i konsujve austro – hungarezë. “Dobia e tyre është e madhe. Në kundërshtim me pohimet e trilluara të disa historianëve jugosllavë, të cilët e kanë akuzuar Lidhjen e Prizrenit sikur është themeluar nga Vjena nëpërmjet konsullit të saj në Shkodër, F. Lippich, aktet diplomatike austro – hungareze dhe në mënyrë të veçantë relacionet e vetë F. Lippich-ut vër-tetojnë të kundërtën: Se Vjena jo vetëm nuk kishte gisht në themelimin e Lidhjes së Prizrenit, por mbajti një qëndrim armiqësor ndaj saj.
Fondet
Më 1984, Frashëri shkruante se fondi diplomatik rus për vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit njihet fare pak. Historiani vlerëson se është e tepërt të thuhet se konsujt caristë të shpërndarë në Shkodër, Prizren, Janinë, Manastir, me në krye ambasadorin rus N. S. lgnatiev dhe kë-shilltarin I. V. Jastrebov ishin militantë të sllavizmit carist dhe si të tillë ishin të prirur që të denigronin situatën politike shqiptare.
Zilitë e fqinjëve
Fqinjët e Shqipërisë, kanë qenë ata që sipas historisë e kanë rrezikuar më shumë se askush tjetër tërësinë tonë territoriale, duke iu mësyrë për të marrë pjesë prej saj. “Pavarësisht nga qëndrimi ar-miqësor që qeveritë e tre vendeve fqinje të Shqipërisë mbajtën ndaj Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, fondet e tyre diplomatike përbënin një burim të rëndësishëm për historinë e Lidhjes së Prizrenit”, – shkruan Kristo Frashëri. Ai vëren se arsyeja është se Beogradi, Athina dhe Cetina ndiqnin hap pas hapi zhvillimin e situatës politike në Shqipëri. Këtë interesim e dëshmon fakti se qeveria serbe kishte organizuar në trojet shqiptare dy rrjete informacioni, njëri nga Ministria e Punëve të Jashtme nëpërmjet hallkave konsullore, tjetra nga Ministria serbe e Luftës nëpërmjet shërbimit të fshehtë ushtarak. Por, sipas profesorit, në këtë kuadër nuk mbetej më pas as fqinji ynë jugor. Për këtë të fundit, ai shkruan: “Qeveria greke kishte dy sisteme paralele informacioni – rrjetin e rregullt konsullor që kishte marrë përmasa të mëdha dhe rrjetin e rregullt të institucioneve kishtare me në krye prelatët e mitropolive, të cilët punonin si agjentë të fshehtë të Athinës”.
Sa i takon Malit të Zi, ai kishte një sistem informacioni të kufizuar në viset kufitare shqiptare. Nga ana tjetër, Frashëri vëren se me gjithë këtë pasuri informatash politike, as nga arkivat e tri monarkive ballkanike nuk janë botuar deri sot materiale diplomatike që trajtojnë Lidhjen e Prizrenit. “Për ne, përmbajtja e tyre ka mbetur e panjohur, me përjashtim të disa njoftimeve fragmentare nga fondi diplomatik serb që ndeshen në trajtesën e J. Haxhivasiljeviçit dhe nga fondi diplomatik grek që ka shfrytëzuar E. Kofos”, – shkruan historiani.
Autorët serbë
Në kapitullin “Lidhja shqiptare e Prizrenit në historiografi”, Kristo Frashëri nuk lë jashtë vëmendjes as pretendimet e hershme serbe mbi Kosovën. “Ka më tepër se një shekull e gjysmë, – shkruan profesori, – që penat serbe e kanë bërë zakon ta cilësojnë trevën e Kosovës si pronë serbe, duke përdorur dy ‘argumente’, të cilat nuk kanë vlejtur në gjyqin e historisë”. Në këtë pikë, Frashëri gjen gabimet e D. Bogdanoviç, i cili harron se serbët e Rashës e pushtuan Kosovën në shek.XI dhe këtu gjetën shqiptarët, të cilët sipas dijetarit të njohur jugosllav H.Bariçit, janë pasardhës të dardanëve të lashtë dhe banonin në Dardani derisa u dyndën këtu sllavët. Në lidhje më këtë periudhë të historisë sonë, Frashëri del kundër dy autorëve sllavë: D.Bogdanoviç dhe J. Haxhivasiljeviç. “Te vepra e D. Bogdanoviçit nuk mungon ndikimi i J. Haxhivasiljeviçit në një çështje thelbësore. Edhe ai pohon se në kohën e themelimit të Lidhjes së Prizrenit, në gjirin e saj u shfaqën dy rryma: Njëra e udhëhequr nga krerët e Shqipërisë së veriut, e cila kërkonte një autonomi të brendshme, jo për një zhvillim kombëtar, por si mjet për t’u çliruar nga taksat shtetërore; tjetra, rryma radikale e udhëhequr nga intelektualë shqiptarë të Stambollit, e cila kërkonte shkëputjen e Shqipërisë nga sulltani dhe formimin e Shqipërisë së pavarur, të ndarë (siç!) në katër principata (ndoshta ka dashur të thotë: Në katër vilajete) me qendër: Shkodër, Prishtinë, Manastir, Janinë, informacion ky i gabuar mbasi dihet se Lidhja e Prizrenit kërkonte jo ndarjen por bashkimin e tyre”, – vëren Frashëri. Nga ana tjetër, historiani shënon se Bogdanoviç, shkëputet nga vargu i historianëve serbë, të cilët e kanë parë formimin e ‘Lidhjes’ si vepër të Portës së Lartë. Ai shkruan se është e pabesueshme që Porta e Lartë të përkrahë një lëvizje që synonte, pavarësinë ose autonominë e Shqipërisë.
Gazeta Shqiptare