Ndeshja e parë me ushtritë osmane ndodhi më 20 prill në Slivovë. Edhe pse me municion të pakët, në saje të qëndrueshmërisë së tyre, shqiptarët e ndalën për mjaft orë përparimin e armikut. Por gjendja e tyre u keqësua kur hyri në veprim artileria fushore turke. Duke parë dëmin që po u shkaktonte luftëtarëve një bateri e armikut, komandanti i këtij sektori, Mic Sokoli nga Bujani i Malësisë së Gjakovës, së bashku me disa luftëtarë të tjerë, lanë pozicionet mbrojtëse dhe u hodhën drejt kodrës ku ishte vendosur artileria turke. Qëllimi i tyre ishte të sulmonin dhe të asgjësonin baterinë e armatosur, që po u shkaktonte dëme shqiptarëve. Të gjithë këta luftëtarë trima, së bashku me komandantin e tyre Mic Sokolin, u vranë duke u vënë gjoksin grykave të topave të artilerisë osmane. Luftonte gjoksi i shqiptarit kundër topit të turkut! Heroizmi i Mic Sokolit mbeti në histori e u bë frymëzim për vijimin e luftës për liri. Po aq frymëzoi edhe artistët që e pikturuan, e skalitën e i kënduan trimërisë së pashoqe të prijësit shqiptar e shokëve të tij, që u bënë simbol lirie! Por përballë epërsisë së armikut në numër e në armatime, shqiptarët, me gjithë heroizmin që treguan, u detyruan të tërhiqeshin nga Slivova në Shtimje, ku qëndronin forcat kryesore të Lidhjes së Prizrenit.
Beteja e dytë ndodhi të nesërmen, më 21 prill 1881, në Shtimje. Këtu luftimet qenë më të përgjakshme se në Slivovë. Në luftimet e ashpra, të cilat vazhduan më tepër se 2 orë, morën pjesë edhe vetë anëtarët e shtabit shqiptar, si Sulejman Vokshi, Ali Ibra, Binak Alia, Rustem Sadria e të tjerë. Edhe këtu vullnetarët shqiptarë luftuan me heroizëm të rrallë, por nën breshërinë e dendur të artilerisë së armikut dhe kur municioni i armëve të tyre filloi të shteronte, u detyruan të tërhiqeshin në drejtim të Suharekës.
Në betejat e Slivovës e të Shtimjes të dyja palët patën shumë të vrarë e të plagosur: turqit rreth 800 veta, ndërsa shqiptarët 1 200 veta. Pas Shtimjes forcat e Lidhjes Shqiptare u bënë më 22 prill 1881 tri prita të tjera ushtrive osmane, në Grykën e Carralevës, në fshatin Dule dhe në hyrje të Suharekës, por marshimin e tyre nuk e ndalën dot. Të nesërmen, më 23 prill 1881, pasi theu qëndresën e shqiptarëve, Dervish Pasha, i shoqëruar nga 7 gjeneralë dhe me 24 batalione, hyri në Prizren ku shpalli menjëherë shtetrrethimin dhe bëri arrestime të shumta.
Qëllimi i Portës së Lartë nuk ishte vetëm që të shtypte kryengritjen e armatosur kundërosmane, por të mbyste edhe idenë e autonomisë së Shqipërisë, duke përfshirë këtu edhe kërkesën për formimin e një vilajeti të vetëm shqiptar. Për këtë, pasi shtypi qëndresën në Prizren, Dervish Pasha thirri këtu më 30 prill krerët e dikurshëm të Lidhjes për sanxhakët e Prizrenit, të Prishtinës, të Pejës, të Mitrovicës, të Shkupit, të Dibrës, të Shkodrës, të Manastirit etj., si edhe përfaqësuesit e qarqeve sulltaniste. Ai u kërkoi atyre të nënshkruanin një deklaratë, ku dënohej veprimtaria e Lidhjes Shqiptare dhe sidomos kërkesa e saj për bashkimin e vilajeteve shqiptare, të cilën e quante një akt armiqësor.
Këtu erdhën kryesisht krerët sulltanistë dhe vetëm disa nga drejtuesit e moderuar të Lidhjes, si Ali Pashë Gucia, Iljaz Pashë Dibra, Hasan Pashë Dervalla dhe Esat Pashë Tetova, të cilët e nënshkruan deklaratën e Dervish Pashës. Si rrjedhim, krerët e moderuar, që e dënuan me shkrim idenë e vilajetit autonom, u quajtën nga sulltani të falur, madje disa prej tyre, si Ali Pashë Gucia etj., u emëruan në poste të rëndësishme në administratën e vilajeteve të Kosovës e të Manastirit. E ndërsa krerët tradhtarë do t’i gëzonin për pak kohë postet e larta, heronjtë e betejave të fundit të Lidhjes së Prizrenit do të uleshin në një post të përjetshëm: në kujtesën e popullit të vet!
Radio Vatikani
No comments:
Post a Comment