2012-06-29

Ajete Beqiraj nga Strellci i Deçanit , me vargjet e saja është e praruar nga vetë Hyji







Autorja

Valdete Antoni: ...Një vajzë e vogël që quhet Ajetë, ecën nëpër rrugën e fshatit ku ka lindur. Herë herë rruga e detyron që të ecën drejt, herë-herë rrëzohet sepse pengohet në gurë. Mirëpo, kupton që hollësia dhe brishtësia e trupit të saj, është në kërkim të një fuqie që e lidh me tokën, me atë çka ndjen, me zërat e atyre që janë lindur, janë rritur dhe me ato këngëtime, që duket se burojnë së thelli. Por askush s'e di se ajo ikën...Herë-herë ka frikë nga hija e vet, nga zhurmat, nga vetëtimat, nga shushuritja e pemëve, megjithatë vrapon e vrapon...
Ky është një përfytyrim që më është ngjallur duke përshkuar rreshtat dhe fjalët e tua, përmes rrëfimeve të dy librave në prozë dhe dy vëllimeve me poezi. Janë kthjelluar mjaft situata të jetës që kalon një vajzë me një shpirt të pastër, pavarësisht që ngjarjet më pas janë pengime të mëdha të jetës. Janë dëshmi të një shpirti delikat dhe të ngjarjeve mjaft të trishtueshme. Një besnikëri e pafund. Një besnikëri tejet e fuqishme dhe cuditërisht, e ruajtur për vite me radhë. Duke iu lexuar aty, unë kam dëshirë që në këtë udhëtim për tek vetja ta ndjejnë portretin tuaj edhe dëgjuesit tanë sonte.
Ajete Sh. Beqiraj: Po, Valdete, unë po iu shpie nëpër jetën time. Vi nga një fshat I vogël I Kosovës. Strellc I Poshtëm quhet, të cilin e dua shumë! Një fshat shpirtmadh, me një traditë të vjetër, me një traditë të pasur e sidomos me një natyrë të mrekullueshme. Ka peisazhe pikërisht çfarë I duhen një poeti, i cili synon të krijojë apo të pasqyrojë shpirtin e vet.
Rruga e shtepisë sime
 Unë në fakt jam rritur atje dhe kam marrë diçka nga natyra e Strellcit, nga peisazhet e bukura, nga çiltërsia e tij. Vi nga një  familje fisnike fshatare. Jemi gjashtë fëmijë. Kemi pasë një babë, mjerisht-jo intelektual, sepse rrethanat ia imponuan të mbetet I tillë. Por, ai lexonte dhe e kuptonte jetën më mirë se ndoshta, të them, një doktor shkence.
Valdete Antoni: Dhe, poezinë e parë ta rrëfeu babai?
Ajete Sh. Beqiraj: Jo. Duket se shkrimet I kam më shumë nga nëna! Sepse, ajo kur u martua, edhe atëbotë e shprehte dashurinë përmes vargut. Mirëpo, që nga fëmijëria e deri sa pati jetë baba im, unë më tepër kam qënë e lidhur me babanë. E kam dashur shumë! Privilegjet  dashurinë e mbështetjen që I kisha unë, nuk i pati asnjeri fëmijë. Prandaj, kur iku nga jeta më është shkëputur një copë e shpirtit, më është thyer një krahë dhe kam pas vështirësi edhe të ngritem dhe të vazhdoj pas tij. Megjithatë, jeta të mësoka t'I duash edhe  rënjet e tua dhe të ngritesh, serish...
Valdete Antoni: Ajete, kush të ka thirrur për herë të parë me këtë emër?
Prinderit e mi 
Ajete Sh. Beqiraj: Po, është një rrëfim I cuditshëm, egjithatë, unë do t'ua besoj juve. Fëmija I parë prindërve të mi, kishte emrin Ajete.Por,  motra pas pak ka vdekur  një ). Pas saj më ka lind një vëlla tjetër, edhe një motër tjetër por, nëna ime s'ka pas fuqi që t´i emërojë me emrin e saj. Halla ime, me t'I lindur vajzë ia ka vënë këtë emër. Por, gjyshja nga babai, kur jam lindur unë ka thënë: "Emri ka qënë imi dhe unë kurrë s'do t'ia lë vajzës së bijës sime, por do ta gëzojë vajza e birit tim".
Valdete Antoni: Po si të thoshte mëma. I ngjaje motrës?
Ajete Sh. Beqiraj: Jo. Ajo ka qënë shumë e bukur! Nëna thotë, fëmijë më të bukur nuk kam pasë as nuk kam pa. Dhe sigurisht, fëmijët që I merr Zoti e kanë një bukuri më në vete!
Valdete Antoni: Po vetja si të është dukur kur ke qënë e vogël?
Ajete Sh. Beqiraj: S'e di! Gjithnjë kam pas bindjen se isha e shëmtuar. Ai kompleks më ka përcjell deri  atëherë kur jam vetdijësuar aq sa të njoh vlerën e vërtet të cdo gjëje që m'ka rrethuar.
Valdete Antoni: Më sa kam kuptuar unë nga ajo që kam lexuar, ka qenë një dorë magjike e një qënieje tjetër që t'ka vënë në këtë lëvizje bukurinë dhe të ka bërë që ta shikosh veten në një pasqyrë të besueshme.
Ajete Sh. Beqiraj: Kjo mund të jetë e vërtet! Dhe, kur them kështu mendoj se deri në një moshë të caktuar isha një fëmijë rrebele, e cila kalonte kohën mureve e pemëve, pa bërë asnjëherë çfarë bënin qupat. Aq më pak i jam dhënë librit. Asnjëherë nuk jam ulur të lexoj sic bënin të tjerat. Dhe, mbase kjo 'dorë magjike' më preku në një formë tjetër, kur në moshën 16 vjeçare krejt papritur, fillova të shkruaj. "Ylli që ndriçon...", ishte vargu im I parë dhe I vetëm që më kujtohet. Atëbotë mendoja se I kisha lexuar diku. Mirëpo, koha e dëshmoi se mua po më frymëzonte dicka.Që atëherë kam filluar të shkruaj romanin e parë, sepse dëshira që të jesh e lirë dhe provinca janë dy gjëra që gjithnjë janë në përplasje me njëra-tjetrën. Pikërisht duke jetuar në një provincë si fëmijë I dy prindërve jo të pasur...
Valdete Antoni: Dhe, me dëshirën e jashtzakonshme për të qënë vetvetja. Me një temperament shumë të vecantë...
Ajete Sh. Beqiraj:...Pastaj, mentaliteti që të detyronte të ndrydhje vetveten, kanë ndikuar në mua. Prandaj, atë Ajeten që nuk kam mundur ta kem në jetë, jam munduar ta kem në vepër. Romani im I parë(ishte një tërësi e vetme, më vonë u bënë dy pjesë), i shkruar në moshën 17 vjeç, 99 për qind, mos të them 99.9, është imagjinatë e pastër. Sepse, ato që s'kam mundur tí kem në botën reale i kam krijuar në botën time. Me kohë, të gjitha më kanë ardhë, por atëbotë unë nuk I kisha! Nga ana tjetër, forma e familjes të cilën e kam ndërtuar...Unë, në një familje të tillë jam rritur, në atë frymë, të ndershme, plot dashuri, plot afërsi, mirëkuptim njerëzor. Ajo ka qënë familja ime!
Valdete Antoni: Pra, ti parandjeve dhe e pe tek vetja gjithë atë që mund të të ndodhte më pas?
Ajete Sh. Beqiraj: Unë këtë nuk e di! Por, është një fakt se gjërat e bukura që I kam shkruar m'I ka sjell jeta. Atë lirinë, atë të qenit vetvetja, realizimin e shumë dëshirave të cilat I kam shkruar në letër e megjithatë më janë dukur të pakapshme!
Valdete Antoni: Pra, në moshën 17 vjeçare t'I shkrove romanin e parë?
Ajete Sh. Beqiraj: Po. Është e vërtet!
Valdete Antoni: Ndërsa, unë do të ndalem që disa radhë t'ua jap edhe dëgjuesve.
"...Perdja e natës po ngrihej e agimi po rrëshqiste I larë në vesën e fshatit.
Kokrrat e rrumbullakta të vesës ishin derdhur nëpër fusha si margaritarë. Kënga e bilbilave po hapte kurorat e luleve e kori I shpendëve zgjonte ëmbël fshatarët nga gjumi I  natës. Edhe dielli shkëlqeu mbi majat e pishave dhe, duke depërtuar nëpër degë, I fali shkëlqimin e artë panoramës së bukur të fshatit. Një rreze u shkëput nga tufa dhe , duke u përvjedhur nëpër dritaren e hapur, u shkri në nurin e bukuroshes së fjetur. Ajo hapi qepallat e gjata dhe shikimin e freskët hodhi përjashta, duke përzier një psherëtimë të përgjumur me gugatjen e pëllumbave në parmakë..."
Valdete Antoni: Dhe, si titullohet ky roman?
Ajete Sh. Beqiraj: Është pikërisht siç ishte dhe poezia e parë: "Ylli I Fatit...i pushonte në dorë".
Valdete Antoni: Të kujtohet pse u nxite që ta shkruaje fillimisht?                                         
Ajete Sh. Beqiraj: Nuk e di!... Ishte natë vere. Ajo erë e ngrohtë e muzgut në fshat, ajo aromë e pastër, tarracë e drunjtë... Kushedi Shtepia ime ç'më frymëzoi?
    Valdete Antoni: Në poezitë e tua ka mjaft dhimbje...Dhimbje, dhimbje dhe përhershmërisht një gjëndje pritjeje! Gjithmonë ke një besim se dicka do të ndodh. Se do të meritosh atë që ke tek vetja. Se do të të kthej Zoti pikërisht atë që është nisur për ty...
Ajete Sh. Beqiraj: Valdete. Cdo sukses sikur është I destinuar të paguhet me një humbje në jetë! Kjo si duket ka ndodhur edhe me mua. Në një anë kam fituar-në tjetrën kam humbur, si cdo njeri që ka ato rënjet dhe ngritjet e veta. Është një etapë e dhimbshme e jetës sime, e cila mjerisht u përmbyll edhe me vdekjen e babait tim!...Ato poezi janë pasqyra e vërtet e shpirtit tim, e jetës sime... Këtë do të doja ta dinë edhe ata që i lexojnë, ndonëse ata që e kuptojnë vargun e dine se cdo poet kapet për diçka që të krijojë. Sidoqoftë, unë besoj se një njeri njerëzor, një njeri me ndjenja të çiltëra, mbase do të përplaset në jetë, por në fund, fitorja është e tij. Unë besoj fort dhe nuk dyshoj, sepse Zoti I do të mirët. Dhe, nëse asgjë tjetër nuk kam, Zoti më fali një shpirt të çiltër dhe kjo më mjafton!






Amanet

Cdo ditë me rrezet e diellit ta puth dheun baba
Në heshtje lus qiellin
Me shi t´na vajtojë fatin
Amanet ua lë engjëjve 
Roje të t´bëjnë mbi gur
Me shkrumbin e shpirtit
Ta shkruaj epitafin
Se bota e mashtrimit
Ishte e panjohur për ne
Fushë e tradhtisë
Fushë e pashkelur
Djerrinë
Ti shkove pranë Zotit
Të gjesh të vërtetën
Unë në botën e djallit
Do t´mundohem gjithë jetën
Ta kthej bekimin tënd



Valdete Antoni: Me sa lexova në biografinë tënde të shkurtër, ke punuar edhe në sallon bukurie. A vërtet zbukurojë vasha e nuse, pikërisht duke parë që kishe dëshirë të zbukuroje vetveten?
Ajete Sh. Beqiraj: Është vërtet. Por, kjo është një rrugë të cilën më shumë ma kanë imponuar rrethanat. Sepse, siç e thashë dhe më lart, familjes sime asgjë nuk I mungonte, por me tepricë nuk kishte. Dhe, për botimin e librave duhej shumëcka. Prandaj, duke qënë se deri në promovimin e librit të parë nuk kam deklaruar prirjen për shkrimet, është dashur...
Valdete Antoni: A I përshtatej natyrës tënde?
Ajete Sh. Beqiraj: Deri diku, po! Por, dua të them se më duhej një rrugë e shkurtër që të arris deri tek paraja dhe kështu të botoj librin e parë, sepse në ato rrethana ishte e pamundur. Kështu që, u detyrova që për një kohë ta lë shkollimin anash që t'I përkushtohem zejes, dhe me thonjtë e mi e me ndershmëri, t'I jap dritë vargut tim. Kësaj edhe ia dola. Por, sa është I vlefshëm ta shohë dritën, këtë le ta vlerësojë lexuesi...Po edhe dëgjuesi, në këtë rast!  Me kohë, unë edhe fillova ta dua atë zanat sepse, ai m'i hapi të gjitha dyert. Gjithë cfarë desha në jetë unë edhe mora se paranë kisha në dorë dhe me atë I hapja dyert e mia...
Valdete Antoni: Të ndodhte që t'I thoshe dikujt që ishe e trishtuar kur e zbukuroje edhe ndonjë fjalë të ëmbël kur vinte para pasqyrës aty në sallon?
Ajete Sh. Beqiraj: Po. Dhe cka është më e cuditshme ato shumë herë edhe më janë hapur. Më kanë besuar! Ndoshta, sepse këtu brënda gjithnjë kam pasur një dry që s'më ka lejuar të shpërndaj ato që m'I kanë besuar njerëzit. Gjithnjë më janë hapur gjithnjë dhe kam biseduar me to si një mike e mirë. Jam munduar t'I kuptoj problemet e tyre, ndonëse unë jetoja në një botë krejtësisht tjetër.
Valdete Antoni: Paramendo: është një vajzë ose një grua e ulur në karriken e sallonit dhe po shikohet në pasqyrë. Ti je pas dhe teksa ia rregullon flokët, ndërkohe sheh dy sy të trishtuar. Rikujton një portret të tillë?
    Ajete Sh. Beqiraj: Kam parë...Kam parë mjerisht, edhe me vrragë të cilat më është dashur tua mbulojë me pudër. Sepse, si mbrëmë, burri I dehur e kishte rrahur dhe të nesërmen ajo duhej të shkonte me vjehrrën mysafire, e detyruar të aktronte gruan e lumtur ndonëse përbrënda ishte fare e kundërta. Ato kanë ndikuar shumë në jetën time dhe, në librat e mi nuk është vetëm një femër por janë të gjitha në  një! Jam munduar që nga çdo këndvështrim t'I shoh hallet e femrës. Sidomos në këtë dhjetëvjecarin e fundit, qëkur regjimi serb I detyroi meshkujt të marrin rrugët e botës, shumë  femra e kanë vuajtur. Shumë nuse kanë mbetur me dhjetë vjet me 12 vjet, me fëmijët e vegjël dhe me pleq. Shumë vajza kanë mbetur me lule në dorë nëpër stacionet e Evropës! Sepse, janë fejuar dhe shenja me të cilën do të gjendeshin ishte një lule në dorë. Dhe, nëse djalit nuk I ka pëlqyer, ai e ka lënë aty! Pastaj, të tjera, të cilat kanë shkuar me ëndrrën e madhe të perëndimit dhe atje kanë gjet një ferr të vërtet, një llahtar. Dhe, nuk kanë gjet rrugëdalje tjetër vec largimit,apo shumica prej tyre kanë shkuar deri në vetvrasje. Është një tmerr, por kjo ka ndodh me vajzat tona në Kosovë. Për Shqipëri nuk kam informacion. Më vjen keq që nuk di më shumë! Por, në Kosovë kështu ka ndodh. Sepse, shumica e djemve tanë, thjesht, duke e parë Evropën kanë harruar ku janë lindur, ku janë rritur, kanë harruar traditën...
Valdete Antoni: Po ti a e ke përgatit pajën tënde?
Ajete Sh. Beqiraj: Po...
Valdete Antoni: Janë qendisma vetëm nga dora jote apo edhe të nënës?
Ajete Sh. Beqiraj: Të nënës, të motrave të mia, por kryesisht të miat.
Valdete Antoni: Dhe, sa vite ato presin e presin...Qarqafë, jastekë dhe mbulesa, shami te bukura...
Ajete Sh. Beqiraj: Valdete!
Valdete Antoni: ...A të trishton hapja e asaj arke?
Ajete Sh. Beqiraj: Unë nuk e hap më...Ka vite e vite, që nuk e hap më dot as nuk dua ta shoh më!










Nënë!!!

A ke dëgjuar ndonjëherë
Të vritet zemra
Vetëm pse dashuron
A ke provuar si vetmohet gruaja
Pa u nusëruar mirë...
Zgjodha verbërisht nënë
Me sytë e zemrës...
Dashurova çiltër
Shpresova kurorën
Pse më linde besnike
Mbeta
Pre e dashurisë tradhtare!
Tash jam tretur në natë
Velloja më mbet shkret
Kërpudha myku
Në shtratin e larë me lotë
Fotografitë
M'i ka mbuluar pluhuri
Ai nuk deshi t'i ruaj
As për kujtim
Andaj nënë
Mos m'kërko më ndër nuse
Do të martohem me mortjen
Veshur e tëra me lule
Në varreza do të kurorëzohem
Mos ma dëshiro as jetën
Do të ik atje ku bie aromë parajse
Praruar në dritën hyjnore
Meloditë engjëllore
Të m'a përkundin shpirtin
Do të shkoj nënë
Oh të çmallem
Me babën zemërplasur
Mallkuar çoftë jeta
Në këtë botë mëkatare!!!


28 Tetor 2001

Valdete Antoni: Ke udhëtuar dhe ke jetuar për disa kohë në Gjermani. Po aty ke punuar?
Ajete Sh. Beqiraj: Kam punuar. Kam punuar por më shumë kam krijuar. Librin tim të dytë e kam ristrukturar dhe e kam botuar po nga atje. Kuptohet me komunikim elektronik këtu te Toena, sepse ishte e pamundur në atë kohë meqë leje qendrimi nuk kisha dhe nuk mund të lëvizja shumë. Pastaj, edhe librin e tretë...
Valdete Antoni: Po aty çfarë pune kreve?
Ajete Sh. Beqiraj: Nuk kam qenë edhe e pafat në punë, sepse mjerisht, shqiptarët është dashur të bëjnë lloj-lloj pune për të ekzistuar dhe për të siguruar bukën për familjet në Kosovë. Në Gjermani jetova pesë vjet, por punova vetem dy, sepse kisha dy vëllezërit, kishim nusen dhe ata punonin...
    Valdete Antoni: Dhe studioje?
Ajete Sh. Beqiraj: Jo. Nuk studioja. Pasi jam i jam rikthyer Kosovës u jam përkushtuar studimeve. Dhe kjo vetëm për faktin se hasja në atë : "Ta kam lexuar librin. Ah, sa I mirë ishte! Cka keni studiuar?" Dhe, thashë se ishte koha ta bëja atë që do duhej ta kisha bërë kohë më parë. Kështu, për dy vjet iu përkushtova studimit, e mbyllur pa punuar asnjë gjë nga krijimtaria derisa përfundova Shkollën e Lartë të Gazetarisë “Faik Konica“. Mjerisht,tek tani është shpallur fakultet!
Valdete Antoni: Nuk të pa asnjë fytyrë e vëmendshme gjatë kohës që jetonit në Gjermani?
Ajete Sh. Beqiraj: Sigurisht! Por ata kryesisht ishin grek, italian, gjerman. Ndërsa, unë jam shqiptare dhe dua të kem përkrah vetëm një shqiptar!
Valdete Antoni: Nuk I ndalet sytë asgjëkundi?
Ajete Sh. Beqiraj: Unë në fakt kam ndalur sytë kohë më parë...Dhe, nuk mendoj se ishte e domosdoshme t'I ndal diku tjetër. E edhe po mos ta kisha bërë, unë vetëm shqiptar dua përkrah vetes!
Valdete Antoni: Nuk mundi t'I shemb dashuria këto lloj rregullash?
Ajete Sh. Beqiraj: Jo. Te unë jo! Cdo respekt për të gjithë ata që përcaktohen për të tjerët. Por, unë kam këtë pikëpamje nga kjo anë.
Valdete Antoni: Tani, të mendojmë se je pranë mikrofonit, në atë studion e radios ku punon.  Si do ta nisësh përshëndetjen në këtë mbrëmje?
Ajete Sh. Beqiraj: "Miq të dashur, mirëmbrëma kudo që jeni dhe përshendetje nga valët e ngrohta të Radio-Pejës. Duke shpresuar se pas jush keni një ditë të mirë e të mbarë, ju ftojmë të qëndroni prane nesh, sepse për juve kemi përgatitur dicka shumë të veçante. Por, atë do ta mësoni pas një kënge. Pra, le ta dëgjojmë bashkë në vazhdim!"
Valdete Antoni: Dhe pas këngës, të nderuar dëgjues, do të ndjejmë këngëtimin e Ajetës përmes vargjeve të saj.



Rini mynxyrë

Mos më pyetni mua të sfilituren
Përse zemren pa faj burgosa
Ishte e çiltër e kthjellët si vesa
Mbrujtur e gatuar në mirësi
Mos më gjykoni përse në thelb
Çdo hap thika të egra i vura
Me vuajtje të përgjakshme
Shpagova jetën këtë Mëkat të Zi

Mos m'ia përtërini shkrumbin zemrës
Mos m'ua gërrithni plagëve dregzën
Heshtur më përcillni edhe ndër varre
Kur n'qepallë stepur të mbetet shikimi
Trupin në arkivol kur t'ma shtrini
Mos m'vajtoni por lutuni për mua
Ato duar që m'u prenë në jetë
Të më zgjaten drejt amshimit

Trupi i dergjur do të gjej prehjen
Vetëm në varr ku mbretëron heshtja
"Rinia ime ishte Mynxyrë"
Në gur të varrit gdhendni mbishkrim
Kur në Ditën e Madhe të Gjykimit
Zemra në shpirtin tim të ankohet
Aty të gjithë do ta kuptoni
Domethënjen e Amanetit tim

27 Mars 2001


Valdete Antoni: A keni ndonjë peng në këtë mbrëmje?
Ajete Sh. Beqiraj: Mendoj se do t'I mbetem borxh dëgjuesit, do t'iu mbetem borxh ndoshta edhe juve, poqese nuk ua them se kjo është hera e parë që kam pranuar të intervistohem nga dikush. Dhe, për asgjë tjetër veç për faktin se kam menduar se ende nuk kam çfarë t'I them lexuesit. Sepse, mua me habisin njerëzit që bëhen të mëdhenj me një poezi, me një libër? Unë mendoj se krijuesi duhet të krijojë në heshtje dhe jo të imponohet apo të ekspozohet para kohe me vlerat e tija. Vlerat do t'I identifikojë koha, vet koha! Kështu që, sado që kam pasur rastin, unë gjithnjë jam tërhequr e bindur se ende nuk është koha. Duke u nisur nga respekti që ndjej ndaj jush dhe sidomos nga respekti që ndjej ndaj këtij mikrofoni dhe dëgjuesit tuaj, e kam për nder të jem mysafire juaja dhe të bëj prezantimin tim të parë si krijuese para mikrofonit të Radio-Tiranës...
Valdete Antoni: Dhe unë dua t'iu them një të fshehtë: këtu, para mikrofonit është një gur mademi dhe kur ai ndjen zona të tilla ndjeshmërie, fillon e ndrit më shumë. Të jeni e sigurt se tani, siç po e shohim edhe vet, ai shëndrit. Dhe unë jam e bindur se dëgjuesit dhe miqtë e këtij emisioni e kanë ndjerë pasurinë shpirtërore, mendimin tënd dhe dlirësine e një vajze që vjen nga Kosova dhe sjell me vete edhe universalitetin e pasurisë së saj!
Ajete Sh. Beqiraj: Unë ju falenderoj shumë...Faleminderit për respektin! Përshëndetje për të gjithë dëgjuesit dhe respekt në vazhdimësi, sidomos për kolegët e mi, të cilët mjerisht më duhet t'I lë se më duhet të kthehem në Kosovë. Po marr me vete përshtypjet më të mira. Me të  vërtet, është mëkat pse kam shkel Evropën më parë se të shkel Tiranën. Mirëpo, gjithnjë ka mbetur një ëndërr e palosur në gjirin tim. Tash më erdhi rasti në rrethanat më të mira ta shoh Tiranën. Kam njoftë njerëz të mrekullueshëm! Kam marrë përvoja të mira nga këtu dhe dua t'iu them dëgjuesve se janë fatlum pse kanë pranë vetes një staf të tillë, I cili mundohet të japë gjithçka nga vetja vetëm që ata të ndjehen mirë. Do të doja të jem edhe unë pjesë e tij. Mirëpo, mua Kosova më pret... Vendi im më do dhe do të kthehem atje!
Valdete Antoni: Rrugë të mbarë....          
                                                                 
Radio Tirana,12 maj 2004
Autore e emisionit: Valdete Antoni
12 maj 2004, në Shqipëri
Operator zeri: Vjosa Luto
Weblinks:











Zemra e Di


Botuar ne vitin 2000, "Iliriku",Prishtine.





Kuptime shenjtëruese e hyjnizuese për tri besnikëri apo tri dashuri I gjejmë pikërisht në vëllimin me poezi me titull "Zemra e di" të poeteshës së re(në moshë) por jo edhe në pjekuri të krijimeve, të z.Ajete Beqirajt. Në këtë mare sacrum(det të shenjtë) të kësaj poetesheje bëhen të pavdekshme deri në hyjnizim dashuria në kuptimin e thellë të një ëndrre të pastërt si burimi malit, për një djalosh, më pastaj ajo e vendlindjes, sepse autoren si duket valët e jetës e hedhin edhe nëpër botë, e në këtë edhe një dashuri skofiare atërore, që zgjohet vetëm nga një zemër e pastër, që di, që ndjen dhe që tkurret për t'et.

Kur Zemra e Di, edhe metafora e saj e di se ka për detyrë të qëmtojë varg të ri, të lirë, të figurshëm dhe të prirur nga butësia njërëzore. E shtyë nga forca e brendshme për të thënë atë që di zemra, autorja Ajete Beqiraj ka hapur një prolog dhe brenda një universi poetik ka futur gjithë ëndërrimet e saja për të thënë gjëra të pathëna apo motivet jetësore për t'I shprehur në një mënyrë tjetër, vazhdimisht dhe në një rrjedhë të pasosur për t'I shkrirë në kredon krijuese. Që nga hapja e gjer në mbyllje të librit sikur ndodh një tërmet shkundullues në shpirtin e saj, sepse ajo brënda është vetëvetja e autores, ku shpreh individualitetin njerëzor e qytetar në trajtën e vet, që deri në këtë process e con gjëndja e trazuar shpirtrore.
Kujtimet e përfytyrimet e saj lidhur me vende, situata e njerëz të dashur, marrin një trajtë të gjallë dhe u blatohen këtyre ndjenjave në mënyrë origjinale, me një zë të vetin e tingëllimë të përpiktë, më përjetim personal po edhe universal.

Meritë e A-Jetës është se ajo di të mbrujë poezinë apo ëndrrën e vet me jetën e psikologjinë në kohë dhe në hapësirë të caktuar. Te kjo vërtetësi e con frymëzimi, lënda shpirtërore e cila pa u thënë kështu nuk bën se E di Zemra ose Zemra e Di, që është e shqetësuar, sic është e shqetësuar poezia e saj që mëton të jetë larg cdo imitimi formal. Kriteret e përzgjedhjes për botim të poezive qenë në shije të autores po dhe të redaktorit e të recenzuesit, që iu nënshtruan asaj që na e preku shpirtin, asaj që na u imponua me vlerat që bart.

ZEJNULLAH HALILI





Plagë e gjallë

Plagë mbi plagë
Baba I mbolla shtatit
Vec të shpërlaj shpirtin
Nga bloza e mëkatit
E përulur e përplasur
Lus vdekjen t'më rrëmbej
Me një varr aty pranë teje
Rininë time dua ta shkëmbej

Se drita e jetës
Më është fikur në sy
E gjithë bota ime
Është kthyer në skëterrë
Dritë e shenjt e Zotit
Kot ma ndricon rrugën
Asnjë hap më tutje
S'kam fuqi ta hedh

Dua të lirohem
Barrës së rëndë të jetës
Këtë zemër të përgjakur
Përjetë ta palos në dhe,
Dyert e shpëtimit
Shpirtit le t'mi happen
Trupit tim të dergjur
Pranë teje le t'm,I gjejnë strehë



Tetor '97

Nëse unë vdes


Mallkimi im me shekuj
Do t'rëndojë mbi atë shtëpi
Vajet e mia të gjata
Do të shembin muret,
Tjegullat si gjaku im
Do t'përplasen përtpokë
Si lotët e syve të mi
Do të rrokullisen gurët


Pesha e tij Shkëmb
Do të mbyll atë derë
Hija ime do të bredh
Edhe mbi atë gërmadhë,
Ofshamat do të mbysin këngën
Tupana dasmeje
As vaj fëmije kurrë
S'do të degjohen në atë prag


Do të vijë koha kur do t'kuptosh
Vdekja s'është dënim për të gjithë
Rëndë e egër godet jeta
Mëshiron më pak se vrasësi,
Në gjirin e varrit
Prore është shpëtimi
Kur troket ora e mallkuar
Të paguajmë borxhin-t'lajmë mëkatin

Download PDF: Zemra e di

YLLI i FATIT i pushonte në dorë
***

Në qiellin e kthjellët yjet vezullonin, titëronin si të përgjumur. Edhe deti pushonte e bënte gjumë.

Agimi me kaltërsinë e tij, dalngadalë po dëbonte natën që kishte lodhur sytë e saj të pagjumë dhe atje ku deti e qielli përqafohen, dielli kishte nxjerrë syrin e tij të zjarrtë. Qielli kishte gdhirë I buzëqeshur dhe me qiltërsinë e tij sikur mundohej të shpëlante një zemër nga vuajtja. Nga larg shihet nje copë deti, si një ishull I kaltër e në zemrën e saj përtërintë mallin që digjte, ende pa u larguar. Orët iknin. Koha rrëshqiste nën këmbët e saj. Castet që e afronin orës së ndarjes, e torturonin. Rrjedha e jetës do të ecte e qetë si gjer atëherë. Por, ajo e tëra do të mbetej vetëm tentim për një dashuri, por kurrë kurorëzim I saj. Si do të mund të largohej nga ai vend, në të cilin pa anën më të bukur të jetës? Si do të mund të largohej nga ajo buzëqeshje që I ofronte lumturi? Si do të gjënte fuqinë për të braktisur atë që e bëri të ndjehej si femër, që ishte e dashuruar dhe dashuronte?!...Dy lotë të valë iu shkëputën nga qepallat dhe I rrëshqitën në krahëror. Një fllad mëngjesi edhe mes dhëmbjes përkundte dashurinë e me puhinë që ia fshinte lotet, sikur I përshpëriste: "Mos...Mos u jep!...Ndoshta, ti do të jesh dashuria fatlume!"


"YLLI I FATIT I pushonte në dorë"
(Novelë-Pjesa e parë,vazhdon me pjesen e dyte, "Syte e Fatit te Mire")
Biblioteka "SHKËNDIJA"
Redaktor:Jonuz FETAHAJ
Recenzent: Hajro ULQINAKU
Lektor: Rrahman PAQARRIZI
Prishtinë, prill 1995
Download PDF: YLLI I FATIT i pushonte në dorë

Sytë e fatit të mirë


Në horizontin letrar të viteve ’90-të, në prozën femërore fillojnë të shfaqen krijues, emra të rinj dhe shpresa të reja që vinë nga diaspora, si I themi në mënyrë përmbledhëse të gjithë shqiptarëve të shpërndarë në të katër anët e këtij dheu.

Njëra prej tyre është edhe Ajete Beqiraj, e cila jeton në Gjermani.

Po të bëjmë një rrugë të gjatë historike letrare, të pashkëputur nga ngjarjet e mëdha të popullit tonë, tragjeditë dhe shpresat, mund të kujtojmë me këtë rast penën e dhuruar nga vajzat shqiptare Dora D’ Istrias, duke shprehur kështu dëshirën e tyre për të hyrë në botën e madhe të letrave të zërit femëror shqiptar.

Rilindja Kombtare Shqiptare, e cila po vazhdon deri në ditët kur nga dheu që u takon shqiptarëve mes kësaj botë të madhe po vahdojnë të ikin dhe të braktisin trojet e tyre qindra e mijëra njerëz për të mos folur për masakrimet e vendbanimeve prej të cilave vjen edhe autorja, ndjehet edhe në dritën që vjen prej një shpirti femëror, I cili tradicionalisht ka qënë vetëm se I ndrydhur. Por, ka ditur të frymëzojë me nina-nanën dhe me djepin në krah. Ajo është e vetmja grua e botës ndoshta, që e ka kënduar nina-nanën në këtë eksod pa fund.

Duke lexuar librin e A-Jetës, befasohesh nga tema e zgjedhur, ai idil I bukur që rrjedh nga kujtimi për atdheun, ajo botë romantike dhe e idealizuar, jashtë halleve dhe derteve, por që tregon nje shprishje dhe ndeshje shpirtërore brënda botës tradicionale, e cila hyn në qytetërimin e sotëm përmes të rinjve.

Brenda këtij imazhi fshihet sigurisht ajo marrëdhënie e martesave ose dashurive që lindin në mënyrën më komplekse, duke pasur brenda edhe ndjenjën e fajit, në një rrugë realiste kompromisesh midis të kaluarës dhe të sotmes.

Ajo që të bën të jesh më I interesuar për këtë liër të shkruar me një mundim gjuhësor, vecanërisht për sintaksën, si mund të jetë për cdo njeri të shkëputur nga burimi I parë I gjuhës shqipe, është përshkrimi I detajuar I marrdhënieve familjare dhe shoqërore në detaje të imta, krijimi I një jete e cila është brënda zemrës së autores. Në këtë rast unë kujtoj shkrimtaren e madhe Ketrin Mensfild, jo për paralelizëm, por për t’ju kujtuar lexuesve se botimet e saj të mbushura plot jetë nuk kanë qënë asnjëherë paralele me tragjeditë e viteve kur janë shkruar tregimet më të bukura për botën shpirtërore të njeriut.
Kështu ndodh edhe me këtë libër dhe kjo e papritur njerëzore krijon vlerën më të mirë.

Natasha LAKO







***


Dita ishte plot rreze; sytë e tij plot shpresa!


Dëshpërimi I tij ishte si një erë e cila për një cast përfshin e bën rëmujë cdo gjë por, pas pak ikën dhe cdo gjë shkon në vendin e vet. Vetëm tani kur ecte përkrah saj e kuptonte se sa të zbrazta kishin qënë vitet e ikura. Se sa e zbrazët kishte qënë gjithë rinia e tij! Dikur, në moshën tetëmbëdhjetë vjecare, ecte në të njëjtën rrugë dhe nuk e dinte se c’drejtim do të merrte jeta e tij. Sikur fati t’ia kishte pëshpëritur atë që do t’I ndodhte, nuk do të kishtë besuar. Por fati thur vet rrugët e njerëzve të cilët ecin në të verbërisht. Në jetën e tij shumëcka kishte ikur e vajtur. Por, vetëm fuqia e fatit kishte mundur të bënte atë kthesë në rrugën e tij. Këtë e dëshmonte gjetja e serishme në vendin e vjetër, pas një shtegtimi të gjatë. Ndërsa ura që e lidhte me flokëverdhën e dikurshme, nuk ishte vetëm dashuria por ishte dikush që kishte mbështetur letrën në atë lojë për nëntë vjet të gjata.

Degët e derdhura të shelgjeve ua ledhatonin flokët. Ajo fliste, me zërin që tingëllonte si një këngë e bukur bilbili e cdo fjalë që nxirrte, e shoqëronte me gjeste plot gjallëri. E ai e dëgjonte heshtur, ndërsa zëri I saj e kthente prapa me vite, duke I sjell serish para syve vogëlushen flokëverdhë. E dëgjonte dhe përpiqej të mësonte cdo detaj të jetës, në vitet që I kishte qëndruar larg: për fëmijërinë jo të largët, për rininë e saj e cila mund të numërohej me orë, duke u munduar të depërtojë në mendimet më të fshehta, në dëshirat e strukura në zemër, që brënda ditës t’ia bënte realitet. Me gishtërinjë ia lëmonte fytyrën e njomë e flokët e gjata. E mbështeste në krahëror ngadalë, sikur frigohej se do ta lëndonte. Ishte aq e re…Aq e njomë e trupi I saj I derdhej ndër duar. E ledhatonte si një foshnjë, që fati e kishte hedhur në duart e tij ta rriste e ta mbronte gjithë jetën. Si një xhevahir që vetëm ai kishte të drejt ta prekte. Si një gonxhe, e cila ende pa hapur petalet vetëm atij po ia falte aromën!



"Sytë e fatit të mirë"novelë,
(pjesa e dyte, vazhdim i „Ylli i Fatit i pushonte ne dore“)
BOTIMET TOENA
mars 1998
Redaktore: Rina Cela
Recenzente: Natasha Lako
Përkujdesja grafike: Irena Toçi
Botues: Fatmir Toçi
ISBN 99927-1-145-5
Copyright: Autorja

Download PDF: Sytë e fatit të mirë





Tretur në natë

ese e vogël


Të kërkosh të rrëfesh dhembjen tënde, gëzimet e tua, fatin vetë në tempullin e poezisë është një besim i vërtetë dhe sinqeritet ndaj njerëzve përtej tempullit. Poezia kështu shndërrohet në një forcë hyjnore ku vetmija jote copëzohet nëpër të gjithë si kristale drite dhe prej andej të rikthehen vezullime ndjenjash e persiatje nga më të bukurat.Emocione të tilla po ndillja,teksa po lexoja poezitë e reja të Ajete Sh. Beqirajt,poete kosovare.

Duket sikur s'ka rëndësi se ku jeton poeti, por unë do të këmbëngulja se ka rëndësi për poezinë.Kosova është truall i poezisë dhe me të drejtë Poeti i Detit Tonë i quan kuajt e Kosovës si vëllezër të Pegasit.

Kuajt e Kosovës janë koha dhe kënga të ngarkuara me ëndrrat dhe mundin, ndërsa shtegtojnë karvan drejt ardhmërisë që lëkundet si një pllajë ku po mugëllon drita.
Poetja Ajete Sh.Beqiraj është një nga kalorëset e bukura, e kapur pas jeleve gjithë hënë të vargjeve dhe trokon, trokon dhe pelerinën ja përhap era nën yje mbi barin plot vesë,lotë dhe përshkënditje gjaku.Me vete ka marrë si pajime brengat për të mbërritur atje ku pret fëmijëria ose sinqeriteti që megjithëse shpesh i mashtruar dhe i zhgënjyer, është njerëzor dhe si i tillë, duhet pranuar, edhe duhet dashur.

Duhet të mësohemi të duam edhe humbjet tona,që ndonjëherë na bëjnë më të pasur.Për të më besuar,mund të lexoni poezite e A-Jete-s, që pranon të tretet në natën e të gjithëve për të qenë pjesë e dashurisë së të gjithëve. Dhe kështu poezia arrin të bëhet lumturi në muzg,në cilindo lloj muzgu. Kurse zemra e kalit me flatra qenka varkë mbi dallgët e ndjenjave që u ngjajnë vargjeve...që do të lexoni.

VISAR ZHITI



Muri i shenjt

Kur fati dikur na pat buzëqeshur
Me thonjtw e duarve qendisa diellin
Mes botërave që ndanin oqeanet
Shtriva krahët t'u bëra urë
Me gërsheta gardh kurore thura
Rriskun e jetës gurw kalaje bëra
Në themele palosa ëndërrat
Foshnjen tonë flijova në mur

Kur të hapen portat e rruzullimit
Vetëm një dritë botën praron
Gjurmët e mëkateve ndaj shpirtit tim
Do t'i shohësh në Librin e Shenjtë
Do të rrëfehet Syri i Drejtësisë
Që gjithë jetën me mua ka qarë
Në ballë mallkimin do të të vulos
Zoti i Madh që vran e kthjell


Vajtim ne nate


Xixllonja qe vini
Bashkë me pranverën
Ua kam lakmi dritën në natë
Do të doja edhe unë
Të kem një fanar
T'më bëj dritë njëherë
Në këtë rrugë të gjatë


Ju flutura të bukura
Që hareshëm sjellni verën
Ndaloni njëherë
Edhe në kopshtin tim
Fluturoni përreth
Trëndafiles së vyshkur
Ndoshta do t'ngreh kokën
Në ju do të gjej shpëtim


Qyqe moj e zeza
Netwve kur të fluturosh
Në dritaren time
Ndalo njëherë shtegtimin
Nën llambën e ndezur
Do t'më shohësh Qyqe
Tek vajtoj si ti
E vetmuar mjerimin


Njëditëzaj

Ahu i zemrës sime
Do t'i mbërthej gjymtyrët
Bryma e acarit orëzi
Do të t'a ngrij shikimin
Me blozë mbuluar
Do të kujtosh
Brishtësinë e trupit tim
Të burgosur në vetmi
Do të kërkosh faljen e Atij
Që nën hijen i blirit I dergjen eshtrat me mote




Botoi dhe shtypi: "VATRA", Shkup, me 2002

Redaktor: Visar ZHITI
Recenzent: Ali PODRIMJA
Ilustrimet & kopertina: Ajete Sh. BEQIRAJ
Botues: Halil ZENDELI

Download PDF: Tretur në natë




Përgatiti  për Floripress:Flori Bruqi

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...