2012-06-27

Girolamo De Rada, 1814-1903

Jeronim De Rada (61) (ital. Girolamo De Rada, 1814-1903), është jo vetëm shkrimtari më i mirënjohur i letërsisë arbëreshe, por edhe figura më e shënuar e lëvizjes kombëtare shqiptare në Italinë e shekullit të nëntëmbëdhjetë.

Bir i një prifti ortodoks në Maq (ital. Macchia Albanese) në malet e krahinës së Kozencës, De Rada lindi më 29 nëntor 1814 dhe ndoqi Kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitër. Tashmë i mbrujtur me dashuri të zjarrtë për prejardhjen e tij shqiptare, që në rini nisi të mbledhë material folklorik. Në tetor 1834, duke përmbushur dëshirën e të atit, u regjistrua në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Napolit, por interesimet e tij kryesore mbetën folklori dhe letërsia. Pikërisht në Napoli më 1836 De Rada nxori botimin e parë të poemës së tij më të mirënjohur shqip 'Këngët e Milosaos', nën titullin italisht Poesie albanesi del secolo XV. Canti di Milosao, figlio del despota di Scutari (Poezi shqiptare të shekullit XV. Këngët e Milosaos, bir i despotit të Shkodrës). Për shkak të një epidemie kolere që pllakosi Napolin u detyrua të braktisë studimet e të kthehet në shtëpi në Kalabri. Vepra e tij e dytë, Canti storici albanesi di Serafina Thopia, moglie del principe Nicola Ducagino, Napoli 1839 (Këngë historike shqiptare të Serafina Topisë, gruaja e princit Nikollë Dukagjini) nuk u la të qarkullojë nga autoritetet Burbone për shkak sikur De Rada kishte lidhje me grupet komplotiste gjatë Risorxhimentos italiane. Kjo vepër u ribotua me titullin Canti di Serafina Thopia, principessa di Zadrina nel secolo XV, Napoli 1843 (Këngët e Serafina Topisë, princeshës së Zadrimës në shekullin e 15-të) dhe më pas në një variant të tretë me titullin Specchio di umano transito, vita di Serafina Thopia, Principessa di Ducagino, Napoli 1897 (Pasqyrë e jetës njerëzore, jeta e Serafina Topisë, princeshë e Dukagjinit). Tragjedia e tij historike italisht I Numidi, Napoli 1846 (Numidët), e ripunuar gjysmë shekulli më vonë me titullin Sofonisba, dramma storico, Napoli 1892 (Sofonisba, dramë historike), nuk pati jehonë të gjerë publike. Në vitin e revolucioneve, 1848, ai themeloi gazetën L'Albanese d'Italia (Shqiptari i Italisë), në të cilën përfshiheshin artikuj në gjuhën shqipe. Kjo gazetë dygjuhëshe, një 'giornale polìtico, morale, letterario', me një tirazh në fund prej 3200 kopjesh, ishte i pari periodik në gjuhën shqipe që është botuar ndokund.

Emri i Jeronim De Radës si katalizator i ndërgjegjes kombëtare shqiptare u bë i njohur e u përhap në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë. Ai mbajti letërkëmbim me figura të tilla udhëheqëse të lëvizjes së Rilindjes si Thimi Mitko (1820-1890), Zef Jubani (1818-1880), Sami Frashëri (1850-1904) dhe Dora d'Istria (1828-1888), si dhe me studiues e shkrimtarë të huaj të interesuar për Shqipërinë, si albanologu francez Ogyst Dozon (Auguste Dozon, 1822-1891), baronesha Jozefin fon Knorr (Josephine von Knorr, 1827-1908) dhe gjuhëtari austriak Gustav Majer (Gustav Meyer, 1850-1900). Ai pati inkurajimin edhe të poetit e politikanit francez Alfons de Lamartin (Alphonse de Lamartine, 1790-1869), që qëndroi për një kohë në Iskia. Poeti provansal Frederik Mistral (Frédéric Mistral, 1830-1914), romani i të cilit në vargje Mirèio (1859) që jo rastësisht ka afërsi me veprën e De Radës, ka shprehur adhurimin e vet për Këngët e Milosaos. Që më 1856, vargje të De Radës ishin përkthyer në gjermanishte nga

__________________________________________________ _________________


61 Literatura për Jeronim De Radën është relativisht e gjërë: kr. Marchianò 1902, Douglas 1930, Gualtieri 1930, Gradilone 1960, f. 11-114, 1983, f. 13-38, Kastrati 1962c, Ruberto 1966, Valentini 1964, Koliqi 1972b, f. 81-116, dhe Qosja 1984, vëll. 2, f. 35-184. Për studime të veçanta mbi stilin poetik të De Radës, kr. Pipa 1969b, 1970, 1973, 1977, 1978b, 1982, Desnickaja 1985a, 1985b, K. Kodra 1988, Altimari 1991b, Hamiti 1993a, Kabashi 1994, dhe Pipa 1994.
__________________________________________________ _________________

Hajnrih Kristof Gotlib Shtir (Heinrich Christoph Gottlieb Stier) (62).
I shkurajuar nga ngjarjet e vitit 1848, Jeronim De Rada e la botimin e L'Albanese d'Italia, iku nga Napoli dhe u kthye në Shën Mitër për të dhënë mësim në shkollë. Atje arriti të përfshijë gjuhën shqipe në programin mësimor, por u pushua nga puna më 1853 për shkak të bindjeve politike liberale. Më 1850 u martua me Madalena Melikion (ital. Maddalena Melicchio) nga Kajverici (ital. Cavallerizzo) me të cilën pati katër fëmijë: Xhuzepe, Mikelanxhelo, Rodrigo, Ettore, të cilët vdiqën të gjithë sa qe gjallë ai vetë. Këto ishin vite të vështira për De Radën, i cili u mbyll edhe më tepër në vetvete për shkak të humbjes më vonë të gruas dhe të vëllezërve, dhe jetoi i vetmuar në fshatin e tij malor të Kalabrisë, me sa dimë pa ndonjë burim të mirë të ardhurash. Në një çast dëshpërimi, asgjëson gjithë atë përmbledhje këngësh popullore që i kishte mbledhur me aq dëshirë të flaktë vit pas viti. Më 1868 arriti të marrë një detyrë si drejtor i shkollës së mesme të Garopolit në Koriliano Kalabro, detyrë që do ta mbante për dhjetë vjet. Pikërisht gjatë kësaj periudhe u shtypën një numër veprash të tjera të tij, pjesa më e madhe në italishte: Principii di estetica, Napoli 1861 (Parime të estetikës), Antichità della nazione albanese e sua affinità con gli Elleni e i Latini, Napoli 1864 (Lashtësia e kombit shqiptar dhe afëria e tij me grekët e latinët), Rapsodie d'un poema albanese raccolte nelle colonie del Napoletano, Firence 1866 (Rapsodi nga një poemë shqiptare të mbledhura në ngulimet e krahinës së Napolit), Scanderbeccu i pafaan (Skënderbeu i pafat) në katër botime, Koriliano Kalabro 1872, 1873, Napoli 1877, 1884, dhe Quanto di libertà ed ottimo vivere sia nello stato rappresentativo, Napoli 1882 (Sa liri e mirëqenie ka në shtetin me përfaqësues).

Më 1883 ai themeloi revistën mujore dygjuhëshe Fiàmuri Arbërit - La bandiera dell'Albania. Ky periodik, i botuar në fillim në Maq e më pas në Kozencë 'nga një komitet fisnikësh nga Shqipëria dhe ngulimet e saj', zgjati deri në nëntor 1887 dhe, me gjithë censurën turke e greke, lexohej gjerësisht edhe nga shqiptarët në Ballkan.

Më 1892 De Rada u riemërua mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqiptare në kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitër dhe më 1895 organizoi të parin kongres gjuhësor arbëresh në Koriliano Kalabro. Gjithashtu, mori pjesë aktive në Kongresin e dytë gjuhësor arbëresh në Ungër (Lungro) dy vjet më vonë, në të cilin ai bëri thirrje për të ngritur një katedër shumë të nevojshme të studimeve shqiptare në Institutin Oriental në Napoli (63). Në këto vite të fundit të jetës ai botoi një Caratteri e grammatica della lingua albanese, Koriliano Kalabro 1894 (Shkronjat dhe gramatika e gjuhës shqipe) mbi bazën e leksioneve të mbajtura në kolegjin e Shën Adrianit , një Antologia albanese tradotta fedelmente in italiano, Napoli 1896 (Antologji shqipe e përkthyer besnikërisht në gjuhën italiane), ku përfshihen poezi të zgjedhura nga Variboba, Santori, etj. dhe një autobiografi në katër vëllime të titulluar Autobiologia, Kozencë 1898, Napoli 1899. Pak para se të vdiste, botoi edhe një Testamento politico, një përmbledhje kjo e pikëpamjeve të tij politike e kulturore, e botuar në La Nazione Albanese më 30 shtator 1902. I vetmuar e i varfër, gjysmë i verbuar e në prag të urisë, Jeronim De Rada vdiq në vendlindje në malësinë e Kalabrisë më 28 shkurt 1903 - një fund tragjik ky për një figurë të madhe të kulturës shqiptare.

Para se të bëhej entitet politik, Shqipëria ishte bërë realitet poetik në veprat e Jeronim De Radës. Përfytyrimi i një Shqipërie të pavarur tek ai në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, nga një dëshirë e thjeshtë erdhi e u kthye në një objektiv politik realist, për të cilin ai u angazhua në mënyrë të zjarrtë. De Rada qe lajmëtari dhe zëri i parë i dëgjueshëm i lëvizjes romantike në letërsinë

__________________________________________________ _________________

62 kr. Stier 1856.

63 Por në këtë katedër më 1901 nuk u caktua plaku De Rada, por poeti e studiuesi i ri arbëresh Xhuzepe Skirò plaku (1865-1927) nga Hora e Arbëreshëvet.
__________________________________________________ _________________

shqiptare, lëvizje e cila, e frymëzuar nga energjitë e tij të pashtershme në emër të zgjimit kombëtar ndër shqiptarët e Italisë e në Ballkan, do të zhvillohej në një romantizëm kombëtar karakteristik për periudhën e Rilindjes në Shqipëri. Veprimtaria e tij publicistike, letrare e politike ishte mjet jo vetëm për të zhvilluar vetëdijen e bashkësisë arbëreshe në Itali, por edhe për të hedhur themelet e një letërsie kombëtare shqiptare. Më e njohura ndër veprat e tij letrare është Këngët e Milosaos që përmendëm më lart, baladë e gjatë romantike që pasqyron dashurinë e Milosaos, një personazh i trilluar, djalosh fisnik në Shkodrën e shekullit të pesëmbëdhjetë, i cili është kthyer në shtëpi nga Selaniku. Këtu, tek burimi i fshatit, ai takon Rinën, vajzën e bareshës Kollogre, dhe bie në dashuri me të. Të dy të rinjtë e dashuruar u përkasin shtresave shoqërore të ndryshme, gjë që e pengon për një kohë të gjatë bashkimin e tyre, derisa vjen një ditë kur një tërmet shkatërron edhe qytetin edhe krejt fytyrën e dallimeve klasore. Pas martesës jashtë vendit u lind një foshnje. Por periudha e lumturisë martesore nuk zgjat shumë. I biri dhe e shoqja e Milosaos vdesin pas pak kohe, kurse ai vetë, i plagosur në betejë, jep shpirt në një breg lumi pranë Shkodrës. Këngët e Milosaos janë botuar në tri variante të ndryshme më 1836, 1847 dhe 1873. De Rada vazhdimisht e ndryshonte, e përmirësonte dhe e zgjeronte këtë përmbledhje baladash lirike me frymëzim të fuqishëm romantik, duke e kthyer nga një Milosao të mirëfilltë me njëzet këngë, në një variant përfundimtar shumë më të gjatë me tridhjetë e nëntë këngë. Kënga e parë nis kështu:

"Ljis jeta kishë ndërruar,
Uj të ri ndë dejtit
Kaljthëruar te dit e re;
Por llumbardh e Anakreontit
Ronej Temp e moçëme.
Nd'uj një dit vate të malji
E s'u pruar si kish zakon.
Vet çë atë s'e thajti bora,
S'e përgjaku akulli,
Se m'u resht njera çë ra
Tek e bardha shpia ime.
Kur te drita dheu me shpi
U sbuljua je dejti,
Si garea çë delj për sish,
Mua më zëgjoi, tue fjuturuar
Qeljqevet finestërës.
M'u pataksa e ruata jashtin:
Rusht pak skallankur
Dheut ën i kin hje;
Ljulje ljiu të gapura,
nd'era i tundën e përzien
Nd'at ninulj qeshënjën.
Si ato ljulje qielli.
Ti ruaje e së kuljtoje.
Një mbuin njerëzish.
Kallëzoret mbë dhemat
Mbajn kangjelje. Ka i goi
Ahjena ndër time motëra
Kishi arrën e mëma ime
Emërin tim thoj për ndë shpi.

Një gare m'u rodh te kurmi,
Si garea mbrëmjes te shtrati,
Kur vajza e ngrohët
Ndien për të parëzën
Sist çë m'i frihjen."


Takimi i parë i Milosaos me të bijën e bareshës në këngën e dytë bëhet, ashtu siç ndodh shpesh në poezinë popullore shqiptare, te burimi i fshatit. Ai ka shërbyer si i vetmi vendtakimi në shoqërinë tradicionale shqiptare, ku të dy sekset, po t'u ecte, mund të këmbenin dy-tri fjalë para se vashat virgjëresha, me sytë e turpshëm ulur përdhe, të ktheheshin në strehën mbrojtëse të familjes.


"Vreshtat in të verdhullore:
Erth ka malji dheljpëra
Me të ljodhëta të bijlat
Porsa paru in të vjelja;
E te hera çë ndër sheshet
Sqepet djelli, si te bota
Ëma çë këntuan një valle,
Vet Fjokat u m'u hjimisa.
E përveshurëz, e ljart,
Me këshen të pjeksurith
Ndë një jetullëz të bardh,
Ish te kroi një vash. Te balli,
Një këshill i kish hje.
I ljidhur te brezi kaljthër,
Skemantilj' i ngit mbë truall.
Mua sa më ndieti,
Shtuara vasha m'u pruar,
Gjifritur, pjono hje.
Me të trëmbur një gare.
Trimi: 'Vajz, më jep ti një pik uj?'
Vajza: 'Sa të duash, ti, birë zoti.'
'Kuj e bilje je ti, vash?'
'Mos më je ti e dheut guaj?'
Kur jesh djalj e Salloniq
Vajta, vajza nëng ishin
Ndë katund me aqë gadhi.
Ndë çerët e dhezurës,
Vucën ajo ngrënej.
'Jam e bilje Kollogres',
Ngrejti ballët e sbuljuar.
Na vejim asaj udh,
Gjëmbat çë virëshin tek udha
Së gërvishtëtin at kopilje:
Me llort të përgjakura,
Ka ballt u më ja reshta.
Di buz të qeshëme,
Nji herje të bardh,
At mbrëma dukëshim."


Më fort se familjet, janë pushteti i zakoneve shoqërore dhe ndërgjegja klasore ato që i pengojnë të rinjtë të lidhen ashtu si dëshirojnë. Për më tepër e detyrojnë vashën që t'i shmanget të dashurit të saj të mundshëm. Ndodh edhe një ndarje, gjatë së cilës Milosaon e pushton dyshimi e dëshpërimi, të cilat nuk i ndahen deri në bashkimin përfundimtar. Në këtë poemë, të rralla janë rastet kur dashnorët takohen vërtet për të folur me njëri-tjetrin. Në këngën e katërt kemi një skenë prekëse të mbrujtur me motivin erotik, që nuk është karakteristik për poezinë shqiptare:


"Ish e diella menat
E i biri zonjës madhe
Ngjitej tek e bukura
Të m'i ljipën një pik uj,
Se ish et' i djegurith.
Vetëm e çoi ndë vatërët,
Çë këshen më pjeksënej.
Ata duhëshin e s'e thoshin.
Vajza, me buzën mbë gaz:
'Ç'ësht e ikën si ajri?'
'Më presën ndë roljiet.'
'Di moll t'ardhura
Qëndro, u tij t'i ruata.'
Me një dor ngrëjturith
Mbanej mbi veshin e bardh
Ljesht e saj të shpjeksurith;
Kalli jetërën te gjiri
E më goljq mollëzit,
Më ja e vu ndë dorjet,
Ndë çerët e dhezurëz.
Thomnie ju, të dashurit,
Nd'ëmbëlj aqë të puthurit."


Edhe 'Këngët e Serafina Topisë' na kthejnë prapa te bota romantike e mjegullt e Shqipërisë së mesit të shekullit të pesëmbëdhjetë. Serafina Topia, bija e dukës së Artës, dhe Bozdar Stresa janë nga dy dyer rivale të kohës së Mesjetës, një Romeo e një Zhuljetë shqiptarë, dashuria e të cilëve ka për të mbetur e papërmbushur. Në këtë romancë gotike të mbushur me magji dhe folklor kalabrez-shqiptar, Serafina sakrifikon lumturinë vetjake për interesat e shtetit, dhe martohet me princin Nikollë Dukagjini me qëllim që, në prag të pushtimit turk, Shqipëria e jugut dhe ajo e veriut të bashkohen. Rruga e jetës e të gjithë personazheve të poemës është e mbushur me fatkeqësi, vuajtje e madje vdekje të parakohshme, pasqyrë kjo e jetës së vetë poetit. Ashtu si me 'Këngët e Milosaos', De Rada i ndryshoi e i rishikoi disa herë 'Këngët e Serafina Topisë', e në çdo variant gjejmë të pasqyruar gjendjen e tij vetjake.

Vepra letrare e tretë më e madhe e De Radës në shqipe është Scanderbeccu i pa-faan (Skënderbeu i pafat) (64), që ai e konsideroi si kryeveprën e tij. Përsëri, edhe kjo seri baladash romantike doli në një radhë botimesh të ndryshme që pasqyrojnë gjendjen shpirtërore të poetit në kohë të ndryshme. Në vija të trasha, ajo mbulon historinë e bëmave të para të Skënderbeut nga viti 1418 deri më 1444 dhe ndërthuret me shumë intermezo që kanë pak lidhje me të tërën. Skënderbeu, në të vërtetë, del pak në vepër. Edhe pse përmban shumë fragmente me poezi

__________________________________________________ _________________

64 kr. Camaj 1969a.
__________________________________________________ _________________

emocionuese, Scanderbeccu i pafaan nuk është ajo poemë epike tradicionale që mund të pritej prej një pishtari të parë të lëvizjes kombëtare shqiptare. Ajo kalon sa në një çështje në një tjetër, e kjo vihet re sidomos në botimet e mëvonshme. Forcën e vet letrare De Rada nuk e kishte në saktësinë klasike apo unitetin strukturor të veprës. Në përgjithësi, korpusi i poezisë në gjuhën shqipe të Jeronim De Radës është vështirë të gjykohet e madje të skicohet për shkak të një mungese gjithandej të unitetit tematik në të tri veprat e tij kryesore, si dhe për shkak të prirjes së tij për ndryshime të vazhdueshme e botime të rishikuara, çka pasqyron gjendjen shpirtërore, nevojat emocionale dhe pëlqimet letrare në periudha të ndryshme të jetës së tij të gjatë. Në më të shumtën e rasteve, botimet e rishikuara duket se i kanë ulur vlerat letrare të veprave në fjalë. Ndonëse poezia e De Radës në dukje është ndërtuar mbi tema shqiptare, po t'i hysh më thellë, del e bëhet e qartë se, mbi të gjitha, ajo është për vetë De Radën. Nuk është pa baza që albanologu britanik Stuart Man (Stuart Mann, 1905-1986) e ka cilësuar poezinë e De Radës 'të dobësuar për mungesë subjekti e strukture, për gjuhë të errët, dialog të rëndomtë dhe irrelevancë politike' (65). Ndonëse shkrimtar me vlera kulturore të paçmueshme, De Rada nuk është kurrsesi poeti i poetëve. Nuk kemi përshtypje se ishte në gjendje të krijonte në zhanre poetikë të tjerë përveç baladës romantike. Ka kritikë që kanë shkuar aq larg, sa të mos i japin fare merita si poet e shkrimtar (66). Pavarësisht nga këto, Jeronim De Rada prapëseprapë mbetet një figurë e lartë në historinë e letërsisë shqiptare të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Ai luajti një rol të dukshëm në zgjimin e arbëreshëve nga errësira kulturore e krahinorizmi letrar dhe veproi si katalizator, jehona e të cilit u ndie fort përtej detit në Shqipëri në që ende vuante nën zgjedhën osmane.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...