2012-06-27
Shkrimtarë minorë të periudhës
Njihen një numër poetësh të tjerë të hershëm myslimanë, veprat e të cilëve kanë ardhur vetëm pjesërisht deri në ditët tona ose nuk kanë ardhur fare. Dervish Hasani nga Krusha e Vogël afër Rahovecit në Kosovë, që ka jetuar aty nga fundi i shekullit të shtatëmbëdhjetë, është autori i poezisë më të vjetër shqipe me shkrim arab të shkruar në Kosovë. Ai qe dervish në teqenë e madhe halvetie në Rahovec, të ngritur nga sheh Sulejman Ejup Dede i Potoçanit në vitet 1680. Nga vargjet e tij mistike pak gjë ka mbetur. Sulejman Temani, poet dhe sheh halveti nga Berati, është gjithashtu autor i disa vjershave me temë fetare. Haxhi Ymer Mustafa Kashari nga Tirana, lindur në fillim të shekullit të tetëmbëdhjetë, ka shkruar vjersha me temë
__________________________________________________ _________________
25 kr. Myderrizi 1955b.
26 kr. Shuteriqi 1976, f. 226-228.
__________________________________________________ _________________
fetare në shqipe dhe turqishte. Vargjet e tij, edhe pse të mbingarkuara me orientalizma, përbëjnë dokumentin më të vjetër të dialektit tiranas. Ka ardhur deri në ditët tona një ilahi me tetëmbëdhjetë vargje nga Mulla Beqiri, myfti i medresesë së Vushtrrisë në Kosovë, që ka jetuar nga mesi i shekullit të tetëmbëdhjetë apo fillimi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, po kështu edhe dy vjersha dashurie nga Omer efendi Sadedini prej Shqipërisë jugore. Nga qendrat kulturore myslimane të lulëzuara të Beratit e Elbasanit kemi informacione mbi disa bashkëkohës të Nezim Frakullës. Ismail pashë Velabishti nga Berati, të cilin e kemi përmendur më sipër si patron të Nezimit e që është vrarë më 3 gusht 1764 në Vlorë, na ka lënë një vjershë me vargje tetërrokëshe të shkruar gjatë kohës që ishte komandant i kalasë në Lepanto, e ku shpreh mallin për atdheun. Nga Elbasani kemi vjershat e Ibrahim Elbasanit dhe Sulejman pashë Vërlacit, i njohur edhe si Sulejman Pashë Elbasani. Nga Shkodra njihet Mulla Salih Pata, i cili shkëlqeu në gjysmën e dytë të shekullit të tetëmbëdhjetë si poet në oborrin e Bushatllinjve.
Ai është autor bejtesh satirike, dy prej të cilave ia kushton Kara Mahmud pashës. Po në oborrin e Bushatllinjve ishte pa dyshim bashkëkohësi i tij Mulla Hysen Dobraçi nga Shkodra, që ndoshta është i njëjtë me një Hysen efendi Shkodra, autori i poezisë kushtuar qëndresës shqiptare kundër sundimit turk. Folkloristi dhe shkrimtari Zef Jubani (1818-1880), i cili ka botuar një pjesë të vargjeve të Dobraçit në librin e tij Raccolta di canti popolari e rapsodie di poemi albanesi, Trieste 1881 (Përmbledhje këngësh popullore e rapsodish shqiptare), e quan atë 'Anakreoni shqiptar'. Vjersha më e mirënjohur e Dobraçit i këndon betejës së Kara Mahmud pashës kundër forcave turke të komanduara nga Ahmed pasha në Berat më 1785. Një autor anonim nga Gjirokastra(27) gjithashtu na ka lënë një vjershë për mësymjen që i bëri qytetit Ali pashë Tepelena (1741-1822) aty nga viti 1793.
Edhe në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë u krijuan shumë vjersha sipas traditës myslimane me tema fetare e disa historike nga autorë për të cilët kemi shumë pak të dhëna. Elmaz Gjirokastriti (28) ka qenë autori i një vjershe me nëntëdhjetë e dy vargje me titullin turqisht Evvel hastalik (Sëmundja e parë), e cila flet për epideminë që përfshiu krahinën e Gjirokastrës më 1817. Është shkruar më 1820 dhe ruhet në një dorëshkrim të ardhur nga Gjirokastra. Haxhi Etëhem bej Tirana (1783-1846), i njohur edhe si Etëhem bej Mollai, ka qenë autor poezie mistike bektashiane e i një divani shqip, nga të cilat nuk ka mbetur kurrgjë, si dhe i katër divanëve turqisht. Ai ka vdekur në Tiranë dhe është varrosur në xhaminë që edhe sot mban emrin e tij në qendër të kryeqytetit shqiptar. Një poet tjetër me frymëzim bektashian ka qenë Baba Abdullah Melçani (vd. 1852), që ka themeluar teqenë e madhe të Melçanit afër Korçës dhe ka marrë pjesë aktive në lëvizjen kombëtare. Nga vjershat e tij mistike shqip, vetëm njëra kushtuar legjendarit Sari Salltëk Baba (29) ka ardhur deri në ditët tona. Mulla Dervish Peja, i njohur edhe me emrin Dervish efendiu i Pejës, ka qenë një figurë fetare e nderuar në fillimin e shekullit të nëntëmbëdhjetë, i njohur në traditën gojore për urtësinë e shprehur në bejtet dhe thëniet e tij. Ka mbetur vetëm një nga vjershat. Kurse nga vargjet fetare të Ahmet Elbasanit, sheh nga Elbasani, nuk është gjetur asgjë. Hysen Bitri, një poet nga kryeqendra bektashiane e Krujës, ka qenë autori i tri vjershave fetare shqip të shkruara para vrasjes së udhëheqësit shpirtëror Shemsedin Shemimiu (1748-1831) nga Fushë Kruja më 1831. Poeti Asllan bej Puçe (1807-1830) ishte djali i Ago Myhyrdarit, sekretar i Ali pashë Tepelenës. Ai vdiq njëzet e tre vjeç në masakrën e Manastirit më 30 gusht 1830 bashkë me krerët e tjerë shqiptarë. Asgjë nuk ka mbetur nga krijimet e tij. Po nga Shqipëria e jugut ka qenë Abdullah Sulejman Konispoli,
__________________________________________________ _________________
27 kr. Myderrizi 1959.
28 kr. Myderrizi 1957b.
29 Mbi legjendën e Sari Salltëkut, kr. Kaleshi 1971a.
__________________________________________________ _________________
autor i një mevludi në dialektin çam, të shkruar rreth vitit 1831 e që ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, si dhe i vjershave të tjera përfshirë përkthime poezish nga arabishtja dhe turqishtja. Ahmet Tusi, një sheh i sektit rufai, ka lënë disa vargje me tema fetare aty rreth vitit 1836. Pak gjë dihet për Ismail Floqin nga krahina e Korçës, përkthyes i një mevludi (30), dhe për poetin Jonuz efendi Sabriu. Tahir Nasibiu (vd. 1835) ka qenë themeluesi i teqesë bektashiane të Frashërit më 1824-1825. Për të thuhet se ka shkruar poezi shqip, persisht dhe turqisht, por asgjë nuk ka ardhur deri në ditët tona. Poezi me interes historik ruhen nga Mulla Fejzo Abdalli (31) prej Gjirokastre, autor i një vjershe të datuar 1841 [1257 A.H.] për luftën kundër një pashai turk gjatë mbretërimit të Sulltan Mahmudit II (sundoi 1808-1839), dhe nga Demir Vlonjati (vd. 1845), i njohur edhe me emrin Demir aga Vlonjakasi, autor i një vjershe me vargje tetërrokësh me nëntëmbëdhjetë strofa katërshe të datuar 1845 [1261 A.H.], në të cilën ai dënon një masakër të kryer atë vit nga forcat turke dhe vuajtjet që pësoi Shqipëria nga reformat e Tanzimatit.
Një traditë letrare e çuditshme në Orient ka qenë ajo e fjalorëve në vargje. I pari fjalor i tillë shqip-turqisht, sikundër thamë, ka qenë ai i shkruar nga Nezim Frakulla. Në vitin 1835 [1251 A.H.], Shemimi Shkodra apo Shemimiu nga Shkodra përfundoi një fjalor shqip- turqisht (32) me rreth 1000 zëra me titull Nytkë (Ligjërim). Sipas autorit, ishte hartuar për t'u shërbyer nevojave të ushtarëve turq në Shqipëri dhe të shqiptarëve që nuk dinin turqisht. Dialekti i shqipes është ai i Shkodrës i përzier me elemente nga e folmja e Beratit, gjë që na bën të hamendësojmë se autori ka jetuar në Berat për ca kohë. Këtë interes për leksikografinë ndjek në traditën e shekullit të tetëmbëdhjetë Myslim Hoxha nga fshati Levan afër Fierit, i cili ka qenë autor i një përshtatjeje në gjuhën shqipe e Tyfhe-i Shâhidî (Dhuratë e Shahidiut), një fjalor persisht-turqisht i hartuar më 1514 [920 A.H.] nga Ibrâhîm Shâhidî Dede, një dervish mevlevi nga Mughla, që vdiq më 1550 [957 A.H.]. Ai përmbante disa mijëra zëra. Tekstet shqipe në prozë me shkrim arab kanë qenë jashtëzakonisht të rralla. Një i tillë, që mban datën 1840 [1256 A.H.], është përkthim i një teksti fetar nga arabishtja prej Mehmet Iljaz Korçës. Kjo vepër është një dorëshkrim me prejardhje nga Korça dhe u zbulua më 1953, kurse tani ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë.
5.5 Përfundime
Bejtexhinjtë shqiptarë, në përgjithësi, nuk qenë poetë të nivelit të klasikëve persianë e arabë, aftësia e lartë letrare artistike e të cilëve vinte pas një mijëvjeçari qytetërimi oriental të zhvilluar. Megjithatë, ata qenë rapsodë me talent e me forcë krijuese që shkruan një letërsi të re shqiptare të mbështetur në traditat islamike të Orientit, por edhe një gjuhë letrare të re, sado ende të papërpunuar. Letërsia shqiptare u shkrua me shkrim arab për më se dy shekuj. Ajo lulëzoi gjatë gjithë shekullit të tetëmbëdhjetë dhe gjysmës së parë të shekullit të nëntëmbëdhjetë derisa dalëngadalë u zëvendësua nga letërsia e romantizmit e periudhës së Rilindjes Kombëtare, e shkruar kryesisht me alfabetin latin. Në fazat e para, poezia e bejtexhinjve, ashtu si një pjesë e mirë e vjershërimit
__________________________________________________ _________________
30 kr. I. Floqi 1938.
31 kr. Myderrizi 1957b.
32 kr. Myderrizi 1951b dhe Rossi 1951.
__________________________________________________ _________________
divan osman, ishte kryesisht letërsi e dijeve dhe e mjeshtërive. Si e tillë, ajo mbeti mjet i drejtuar ndaj interesave të një pakice elitë, qoftë shoqërore, klerikale apo politike. Me kalimin e kohës, ajo e humbi aftësinë për të shprehur ëndrrat dhe aspiratat e popullit shqiptar. Venitja e traditës myslimane në letërsinë shqiptare erdhi krahas kalbëzimit të Perandorisë Osmane dhe lindjes së lëvizjes kombëtare shqiptare gjatë së cilës shqiptarët zunë t'i kthejnë shpinën gjithshkaje që ishte osmane dhe orientale. Turqishtja ishte gjuha e pushtuesit, kurse shkrimi arab erdhi e po shihej nga shumë si tipar i invadimit kulturor të huaj ndaj një populli që dalëngadalë po zgjohej e po luftonte për vetëvendosje. Vetëm një alfabet perëndimor, ide perëndimore e, si pasojë, edhe një letërsi më fort e orientuar nga Evropa mund ta ndihmonte Shqipërinë për t'i bërë ballë asimilimit kulturor nga ana e turqve. Si rrjedhim, letërsia e bejtexhinjve mori qëndrim të kundërt dhe shfaqi në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë një orientim edhe më të madh fetar, sidomos në traditat kulturore bektashiane. Madje kjo letërsi erdhi e hyri edhe në shekullin e njëzetë. Tradita myslimane vazhdoi sidomos në Kosovë, ku deri në vitin 1947 shkruheshin ende vargje me shkrim arab.
Nga të gjitha periudhat e shkrimeve letrare shqiptare, ajo e bejtexhinjve mbetet ndoshta më pak e njohura, si nga studiuesit ashtu edhe nga lexuesit shqiptarë. Dorëshkrimet, sikundër u tha më sipër, në pjesën më të madhe kanë humbur ose nuk gjenden më, dhe ka një mungesë të dukshme specialistësh të kualifikuar, të aftë për t'u marrë me atë që mund të gjendet. Sot nuk ka fare specialistë shqiptarë me njohje të mjaftueshme të osmanishtes e të shkrimit arab, kurse shumë të paktë janë orientalistët e huaj me njohje të mjaftueshme të shqipes, që mund ta trajtojnë me kritere shkencore këtë letërsi. Ajo nuk pati gëzuar ndonjë interesim të veçantë të kritikëve dhe lexuesve në Shqipërinë socialiste për shkak të përqëndrimit kryesisht në tema fetare, autorësisë elitare, konvencioneve klasike e formës së huaj (gjuha e pushtuesit). Për lexuesin e sotëm gjuha e asaj letërsie, përzierje e shqipes, turqishtes dhe persishtes, është tejet e mbingarkuar dhe e mërzitshme, për të mos thënë më tepër. E, megjithatë, letërsia myslimane e shekujve të tetëmbëdhjetë e nëntëmbëdhjetë është pjesë përbërëse e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë, element që mbetet për t'u vlerësuar siç duhet e madje, në një masë të madhe edhe për t'u zbuluar.
Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale
Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...