Trevat shqiptare tanimë të
pushtuara nga grekët
Në vitin 1944 rreth 28 mijë çamë u dëbuan nga shtëpitë e tyre në drejtim të Shqipërisë, ndërsa rreth 7 mijë drejt Turqisë. Militarët grekë vranë rreth 300 civilë të pafajshëm, që nuk pranuan të merrnin rrugën drejt Shqipërisë dhe të linin tokën e të parëve, dogjën dhjetëra fshatra e prona. Qindra familje u ndanë, mijëra pronarë u shpronësuan brenda natës. Asnjë çam nuk ka arritur t’i rifitojë pronat e humbura. Si të mos mjaftonin këto, policia greke nuk lejon hyrjen në Greqi të atyre që kanë në pasaportën vendlindjen në Çamëri. Sot, edhe pse kanë kaluar rreth 68 vjet, çështja çame ende mbetet e pazgjidhur.
Kur isha fëmijë, diku rreth moshës 6-7-vjeçare, dëgjova për herë të parë fjalën “çam”. Në pallatin ku banoja kishte disa familje çame. E folmja e tyre ishte disi ndryshe me atë që përdornim ne. Në fillim mendova se çamët mund të ishin të ndonjë kombësie të huaj, por që banonin në Shqipëri. I shihja me habi, pasi në atë lloj izolimi që jetonim asokohe, më dukej jashtë mendsh që dikush të zgjidhte të jetonte si ne. Im atë më shpjegoi se çamët ishin shqiptarë si ne, si kosovarët, si shqiptarët e Malit të Zi, Maqedonisë etj., por historia ishte treguar shumë e padrejtë me ta. Vite më pas, kur u rrita mjaftueshëm sa për të kuptuar historinë, mësova se prapa dëbimit masiv të çamëve si etni, fshiheshin interesa të lidhura me përfitimin e tokave, pronave e pasurive të begata të Çamërisë.
Dëshirojmë që udhëtimin tonë të revistës “Shenja” nëpër trevat shqiptare për këtë vit, që posa ka trokitur, ta nisim me Çamërinë. Do të vizitojmë historinë e çamëve, pasuritë natyrore, folklorin, personazhet e gastronominë e veçantë të këtyre shqiptarëve. E zgjodhëm jo më kot këtë destinacion, pasi çështja çame është një nga pikat më nevralgjike të kombit shqiptar dhe se protestat e këtij komuniteti janë më të forta se asnjëherë tjetër.
Ku shtrihet Çamëria
Çamëria shtrihet në jugun e Shqipërisë, në veri të territoreve të sotme greke. Më së shumti emërtohet me këtë emër territori ndërmjet Thesprotisë dhe Prevezës, në brigjet joniane të Epirit. Emri Çamëri mendohet se ka lidhje me lumin Thyamis, i cili shqipërohet çam. Një hipotezë tjetër e ngritur lidhet me etimologjinë me emrin e Thesprotisë nën ndikimin osman. Zyrtarisht, territoret çame përfshinin trevat Thesprotia, duke u shtrirë në veri në Gjirin e Ambrakisë, dhe në lindje në malet e Pindit. Lumi Thyamis ishte kufiri verior i kësaj krahine. Mendohet se Çamëria është tkurrur në hartën e shtrirjes së vendbanimeve. Në ditët tona, territoret e dikurshme çame janë pjesë e Sarandës dhe Delvinës dhe kufizohen me Llogoranë dhe malet e Muzinës në veri dhe veri-lindje.
Në kohët moderne Çamëria u reduktua vetëm në territorin dialektologjik të tyre duke u ngushtuar mes lumit Acheron në jug, Butrintit në veri dhe maleve të Pindit në lindje. Aktualisht nën territorin administrative të Shqipërisë gjenden vetëm Konispoli dhe Markati. Të gjitha qytetet dhe fshatrat çame mbetën nën Greqinë. Qytetet më të rëndësishme ishin Janina, Filati, Follorina, Gumenica, Paramithia, Arta etj. Ato janë qytete të zhvilluara, më së shumti Janina dhe Gumenica. Kjo e fundit shërben si një nga portet më të rëndësishme në bregdetin jonian.
Pas vendosjes në Shqipëri, çamët morën nënshtetësinë shqiptare në vitin 1953 dhe u trajtuan si shqiptarë. Çamët më së shumti u vendosën në qytetet e Durrësit, Vlorës dhe Tiranës. Por, pati dhe një pjesë të këtij komuniteti që u vendos në Himarë, në bregdetin e Jonit, në fshatin Borsh dhe sidomos në zonën Sarandës dhe Delvinës.
Tokat dhe pronat e çamëve patën të njëjtin fat. Greqia ishte e interesuar të përvetësonte tokat e begata të etnisë që përzuri dhe të merrte pa të drejtë pronat e tyre. Një ligj i turpshëm i parlamentit grek në vitin 1953 i konsideroi këto toka si të braktisura nga banorët, të cilët ishin larguar nga Greqia pa leje dhe pasaportë. Në vitin 1956 tokat dhe pronat e tjera kaluan nën pronësinë e shtetit grek ndërsa në vitin 1956, zona u popullua me banorë grekë, të cilët përvetësuan gjithçka gjetën. Çështja e kthimit të pronave pronarëve të dikurshëm ka ngjallur prej vitesh mjaft debate. Një komision i krijuar në vitin 1997 mes palës greke dhe asaj shqiptare për të zgjidhur çështjen e pronave, mendohej se mund të bënte të mundur kompensimin e çamëve, por shpresat u vakën që në nisjen e punës, pasi komisioni nuk funksionoi asnjëherë.
Denigrimi për shkaqe fetare
Një arsye e rëndësishme e denigrimit të popullsisë çame nga Greqia është dhe fakti se shumica e tyre i përkasin fesë islame. Sipas burimeve të ndryshime, islamizimi i Çamërisë ka ndodhur në periudhën kur Perandoria Osmane ishte në kulmin e lulëzimit të saj. Në shekullin e 17-të, thuajse të gjitha qytetet dhe fshatrat adoptuan fenë islame. Veç këtij fakti, familjet dhe përfaqësuesit e tyre më elitarë luajtën një rol të rëndësishëm në islamizimin e Çamërisë. Pashallarët dhe bejlerët përhapën islamin në popull, ndërsa në jugun e vendin, në Acheron dhe Prevezë, popullsia qëndroi ortodokse, duke ndjekur ritet fetare të grekëve.
Përfundimi i Luftës Greko-Turke dhe nënshkrimi i Traktatit të Lozanës, vendosi që çamët muslimanë të dërgoheshin në Turqi dhe ortodoksët të silleshin në Greqi. Mijëra çamë u çatdhesuan dhe u dërguan në Stamboll. Ky denigrim u duk se u zbut në periudhën kur kryeministër i Greqisë ishte Teodor Pangalos-i, gjysmëshqiptar e gjysmëgrek, i cili shprehej krenar për origjinën e tij shqiptare. Popullsia muslimane qëndroi në trojet e veta për sa kohë që Pangalos-i qëndroi në pushtet. Periudha e regjimit të Janis Metaksas-it ishte më e vështira në historinë e Çamërisë. Jo vetëm që ata nuk lejoheshin të ushtronin veprimtari fetare, por u ndaluan madje të flisnin dhe gjuhën shqipe.
Aktualisht në trevat çame jeton një pjesë e popullsisë autoktone që kanë përqafuar besimin ortodoks. Ata janë folës të gjuhës shqipe dhe e përcjellin atë brez pas brezi. Thuhet se të vjetrit njohin vetëm gjuhën shqipe dhe nuk janë në gjendje të flasin greqisht. Praktikimi i fesë ortodokse u ka mundësuar atyre qëndrimin në Çamëri.
Kontributi çam në çështjen kombëtare
Patriotët çamë nuk munguan në asnjë rast në dhënien e kontributit të tyre për çështjen kombëtare. Lidhja e Prizrenit mbajtur në vitin 1878 kishte dhe delegatët e saj nga Çamëria, me në krye Abedin Dinon. Madje, me përpjekjet e tij ai arriti të ngrinte dhe një degë të Lidhjes në bregdetin jonian. Ai u vra kur shkonte të merrte pjesë në Lidhjen e Pejës.
Osman Taka ishte një tjetër bashkohës i Dinos, i cili gjithashtu ishte pjesëmarrës në Lidhjen e Prizrenit. Në Çamëri ai themeloi një degë funksionale në Prevezë. Ai u arrestua dhe ekzekutua në Konispol kur u shpërbë Lidhja e Prevezës.
Asambleja e Prevezës, mbajtur menjëherë pas vendimeve të Kongresit të Berlinit, është një tjetër pikë e rëndësishme e kontributit çam në ruajtjen e kufijve shqiptarë. Delegatët nga Labëria dhe Çamëria, numri i të cilëve arriti në 400 delegatë, synonte të pengonte dhënien e Epirit. Asambleja nuk arriti të përmbushte synimet e veta, pasi Artën dhe gadishullin me këtë emër e mori nën sundim Greqia, ndërsa pjesa tjetër e Çamërisë mbeti nën ndikimin osman, nën Vilajetin e Janinës. Në Kongresin e Vlorës, në vitin 1912, në ditën e Shpalljes së Pavarësisë, Çamëria kishte 6 delegatët e saj, të cilët u shprehën pro pavarësisë.
Muzika, vallja dhe veshja
Çamët janë mjaft të apasionuar pas muzikës, e cila në fakt është disi e ndryshme nga ajo shqiptare. Muzika popullore çame ndahet në kategorinë e polifonisë, isopolifonisë dhe baladave popullore. Ndikimi i përgjithshëm është ai toskë, me përfaqësuesit më të njohur labët. “Kënga e Çelo Mezanit” është më e njohura këngë çame dhe i dedikohet një revolucionari çam. Kjo këngë këndohet ende nga grupi i çamëve të Rrogozhinës, me solist Refat Sulejmani. Me të njëjtat motive shumë këngëtarë çamë këndojnë këngë patriotike, si Enkelejda e Hysni Alushi, të cilët janë përfaqësuesit më të denjë të këngës çame në Shqipëri.
Një valle çame me emrin “Osman Taka” është mjaft e njohur dhe popullore nga ky komunitet. Tematika e saj lidhet me emrin e patriotit Osman Taka. Ai ishte i arrestuar nga osmanët, por duke kërcyer këtë valle, arriti ta mrekullonte komandantin osman dhe në këtë mënyrë të arratisej nga burgu. Në periudhën e totalitarizmit, një grup valltarësh shqiptarë morën pjesë në një konkurs ndërkombëtar vallesh ku merrte pjesë edhe Greqia. Përfaqësuesja greke tentoi të merrte pjesë në konkurs me “Vallen e Osman Takës”, ndonëse ai ishte një çam musliman që nuk kishte asnjë lidhje me Greqinë. Juria asnjanëse ia hoqi të drejtën Greqisë ta përvetësonte këtë valle të bukur dedikuar këtij patrioti.
Një valle tjetër e rëndësishme është edhe “Vallja e Zallongut”, e cila i referohet një ngjarjeje historike të fillimit të shekullit të 19-të në zonën e Sulit.
Lidhur me veshjen e çamëve, vërehet qartë se ka ndikimin e zonës së jugut të Shqipërisë. Veshja e burrave është fustanella, e qëndisur me fije argjendi, jeleku i shkurtër, këmisha e shkurtër me mëngë të gjera, fezi, opingat e lëkurës me xhufkë të kuqe dhe çorapet e bardha deri në gju. Një tjetër ornament është dhe mbajtësja e armës në gjoks, e qëndisur me argjend. Fustanella e çamëve ndryshon nga ajo e burrave të Toskërisë për nga gjatësia.
Gratë çame kanë veshje tipike tumanet. Kështu i quajnë çamet dimitë e gjera të mëndafshit oriental ose të pambukut. Në ditët e zakonshme ato vishnin tumane cope, ndërsa në ditë të veçanta ato të mëndafshta. Pjesa e sipërme e veshjes ishte një këmishë e qëndisur me fije ari ose argjendi dhe, shpesh, shoqërohej me një jelek të shkurtër. Në fund të shekullit të 19-të gratë qytetare çame nisën të vishnin funde ose fustane të gjata, të ngjyrave vishnje dhe lejla të qëndisura me fije ari. Jeleku i zbërthyer dhe këmisha e mëndafshit me mëngë të gjera, ishin pjesë shoqëruese që qëndiseshin me finesë. Në raste të veçanta vishnin dhe një xhaketë treçerekëshe të qëndisur me motive floreale. Brezi i argjendtë ishte pjesa më e bukur e veshjes, por edhe shamia e mëndafshtë e kokës, vathët, unaza, byzylykë e gjerdanët, e plotësonin kuadrin e veshjes tipike të gruas çame.