Tema e monumenteve që i ngrenë vetes shqiptarët në Internet, të cilën e preku Parrulla, nuk ka të bëjë vetëm me aspektin etik të mënyrës si e shohim ne veten si komunitet. Në raste të caktuara, informacioni i gënjeshtërt ose shtrembëruar që afishohet online mund të çojë dhe ndoshta ka çuar në dizinformim total të kureshtarëve, ose të gjithë atyre që nuk e shohin me syrin e nevojshëm kritik informacionin që marrin nga Interneti.
Rreziku vjen duke u shtuar me përhapjen e Internetit në trevat e shqiptarëve në Ballkan, ku shkollat gjithnjë e më tepër do t’i nxitin nxënësit e studentët t’i zëvendësojnë bibliotekat, librat e revistat shkencore me materiale të gatshme për përdorim gratis online.
Këtu dua vetëm të tërheq vëmëndjen për gjendjen e mjerueshme të faqeve shqip të enciklopedisë Wikipedia, e cila me të shpejtë po shndërrohet në instrumentin kryesor të referencës për të gjithë përdoruesit e informacionit në botën virtuale. Për nga natyra e vet, Wikipedia është e hapur ndaj përdoruesve dhe i përjashton hierarkitë akademike ose orvatjet për kontroll dhe manipulim të informacionit; mirëpo kjo presupozon edhe një shkallë të vetëdijes qytetare e cila ne, shqiptarëve, po na mungon.
Tema e Wikipedias në shqip është e gjerë e nuk mund të ezaurohet me një trajtim si ky i tanishmi; nga ana tjetër, mjafton një kupë verë për të marrë vesh se ç’ka në fuçi. Prandaj, i ngacmuar edhe nga disa fakte skandaloze që përmendi Parrulla në komentin e vet, shkova t’u hedh një sy xhevahireve të fundit të shqiptarisë të lëshuar zinxhirësh.
Që në fillim vërej se Wikipedia shqip kërkon kandidatura për burokrat, duke specifikuar:
Të nderuar editues dhe pjesmarrës më aktivë e më pak aktivë të Wikipedia-s në gjuhën shqipe meqë zgjedhja e Burokratit të ardhshëm është shumë e rëndësishme dhe jetësore për Wikipedia-n paraqisni medimet tuaja rreth kushteve të cilat duhet të plotësojë një burokrat për të marr pozitën e një Burokrati.
Meqë kandidaturat për burokrat nuk më interesojnë, shkoj të shfletoj disa nga kategoritë nëfaqen hyrëse të shqipes.
Më tërheq vëmendjen kategoria e shoqërisë civile, ku lexoj:
Shoqëria civile është shume aktive kohet e fundit ne Shqiperi. Shoqeria civile shqiptare synon shkatrrimin e korrupsionit dhe permirsimin e nivelit te jeteses te popullsise se shqiperise.
Jua lë lexuesve të gjykojnë se çfarë idiotizmi përmblidhet në këto pak rreshta; por dua vetëm të shtoj se autori, përveçse nuk e ka idenë se për çfarë po flet, nuk di as të shkruajë shqipen, çka është mangësi serioze për këdo që vihet të hartojë faqe të enciklopedisë Wiki në shqipe. E vetmja gjë që mund t’i admirohet këtij enciklopedisti është guximi i çartur.
Kaloj pastaj te Antropologjia, për të lexuar:
Antropologjia apo mësimet mbi njeriun, mbi zhvillimin e vetive trupore dhe shpirtërorë të tij, bëhen në disa fusha si p.sh Atropologjia biologjike ara së gjithashë merret me shoqëritë fisnore, këndëvështrimi gjeografikë i llojeve të njeriut të sotëshëm, (Rasat e njeriut) si dhe zhvilliet individuale të njerut së bashku me zhvillimet trupore të njeriut. Me studimeve si të qenies njerëzore, pozicionimit të tij si i veçantë në kosmos, sjellja e tij ndaj rrethit dhe natyra e dyfisht krijuese dhe trupore bëhen nga fusha e Anatomisë filozofike.
Unë nuk mund ta di se çfarë kërpudhash meksikane ka tymosur autori, teksa e hartonte zërin e mësipërm të enciklopedisë; por ia qaj hallin studentit të shkretë shqiptar, që nesër do të përpiqet të mësojë diçka nga ky fragment monumental i erudicionit shqiptar, për të arritur në përfundimin se kot u ka hyrë studimeve, dhe se do të kish bërë mirë t’i përkushtohej bagëtisë së imët ose opingarisë profesioniste.
Kaloj pastaj te një listë shkrimtarësh shqiptarë, ku gjej ndër të tjera artikuj për këta udhërrëfyes të mendjeve e të zemrave të shqiptarëve anembanë botës: Abdulaziz Islami, Arben Orhani, Çerçiz Topulli, Dushko Vetmo, Eliott-Hasan Moglica, Fadil Bekteshi, Fejzi Bojku, Fejzullah Fejzullahu, Flori Bruqi ,Iljaz Prokshi Jeton Kelmendi, Kristaq Turtulli ,
Mirko Gashi , Ndue Ukaj ,Qerim Arifi ,Ragip Sylaj ,Stavri Pone ,Vahit Nasufi,Veli Karahoda , Zejnullah Halili…
Më duket vetja sikur kam hyrë në një univers paralel, e për më tepër pa leje.
Bëhem edhe unë pastaj guximtar si autorët e Wiki-t, dhe hap një nyje, të parën ku më shkon mouse-i, dhe pikërisht të autorit Shpendi Sollaku Noé, ku lexoj me një frymë këtë karakterizim nga “personaliteti i njohur italian” Stelvio Mestrovich:
Shpendi sollaku Noé është një shkrimtar i madh që ka pasur si qëllim daljen e poezisë nga akademitë, nga aristokracitë letrare, nga ambientet mondane. Poet nga nevoja, gazetar për domosdoshmëri historike, profesor e njeri i letrave rritur në underground, ku ka studiuar libra të ndaluara nga regjimi, politikan i lindur, martir i lirisë të shtypur. I paisur me një përgatitje solide kulturale, letrare, filologjike e muzikale, po aq sa edhe shkencore në sensin enciklopedik, poliglot, karaktert i guximshëm, kurioz nga instikti, inteligjenzë akute, mendje shumë të kujdesshme për të ardhmen qoftë letrare, filosofike o qoftë politiko-sociale, Shpendi Sollaku Noé është personalitet shumë kompleks dhe është i paisur me një ngarkesë të ngjeshur humane.
Më tepër nuk thua dot as për Milan Kunderën, edhe të duash. Përkundrazi, faqja që i kushtohet shkrimtarit tjetër Dritero Agolli, edhe ai poet nga nevoja, duket e kopjuar shpejt e lehtë nga ndonjë manual i lashtë i letërsisë së realizmit socialist për shkollat e mesme bujqësore me korrespondencë:
Për nga gjinitë, krijimtaria e Dritero Agollit është e larmishme. Në vjershat dhe poemat e Dritero Agollit gjejnë shprehje mendimet dhe ndjenjat e njeriut të ri, patriotizmi dhe besnikëria ndaj idealeve revolucionare, cilësitë e tij morale në jetë dhe në punë (Devon, Devoll. Poemë malore. Hapat e mia në asfalt etj.).
Vepra e tij poetike më e shquar është Nënë Shqipëri (1975), ku krijohet figura e Atdheut me traditat heroike, me vështirësitë e shumta që ndeshi në rrugën e vet dhe me vendosmërinë për të përballuar çdo pengesë e armik.
Në poemën “Baballarët” theksohet rëndësia e veçantë e vijimësisë së traditave revolucionare në jetën e shoqërisë. Në një sërë vjershash dhe poemash Dritero Agolli pasqyron frymën heroike të periudhës së Luftës ANÇ (Poema e udhës, Poemë për babanë dhe për vete etj.).
Më kot kërkoj, në këtë listë, të dhëna për autorë shqiptarë që i kanë dhënë tonin kulturës gjatë këtyre 15 vjetëve të fundit: Pëllumb Kulla, Aurel Plasari, Fatos Lubonja, Zef Pllumi, Pjetër Arbnori, Kiço Blushi… ose edhe ndonjë më të vjetër e të mirënjohur, si Gavril Dara (i riu), Jani Vreto, Ndoc Nikaj, Foqion Postoli, Lasgush Poradeci, Anton Harapi, Vincenc Prenushi, Ali Asllani, Arshi Pipa e kështu me radhë deri te Sterjo Spasse, Shefqet Musaraj, Kapllan Resuli, Fadil Paçrami, Kol Jakova, Anton Pashku, Elena Kadare, Ruzhdi Pulaha, Naum Prifti (me gjithë 11.100 referencat në Google) Miço Kallamata, Gjergj Zheji, Ali Abdihoxha… Shkronja Q ka Qerim Arifin, por jo Qamil Buxhelin; shkronja S ka Skënder Mustafin, por jo Sabri Godon as Spiro Çomorën; ndërsa shkrimtarët shqiptarë që u fillon emri me G (Gani, Guri, Gori, Gavrosh, Galip, Gafurr, Gogo, Gugash, Gavril, Gerta, Grigor, Gramoz, Gonxhe, Gojart, Gazmend, Gëzim, Gent) janë të dënuar të mbeten jashtë liste, pasi kjo rubrikë mungon krejt. Gjysma e faqes kushtuar Gjergj Fishtës merret me çështjen krejt anësore të letrave që ky autor i paska shkruar Mussolini-t, thuase është fjala për ta pranuar apo jo poetin e madh geg në ndonjë celulë të Partisë Komuniste. Letërsia arbëreshe, nga ana e vet, është e përfaqësuar deri edhe nga Dushko Vetmo, por Françesk Anton Santorin nuk e shoh të përmendur gjëkundi… Sa më shumë lexoj, aq më shumë turpërohem!
Përkundrazi, Wiki shqip u hap vend shkrimtarëve më të rinj, si Besnik Mustafaj, për të cilin lexojmë:
Më 1991 i ofrohet nga Fatos Nano posti i ministrit të kulturës qe ai refuzon. Më 1992 i ofrohet posti i ministrit të punëve të jashtme që ai gjithashtu refuzon, por pranon postin e Ambasadorit të Shqipërisë në Francë (nga 1992 deri në 1997). Si ambasador ai arriti firmosjen e traktatit të miqësisë midis Francës dhe Shqipërisë, traktati i parë miqësie i Shqipërisë me një vend perendimor që nga paktet e Tiranës të viteve 1930. Ai gjithashtu qe negociatori i hyrjes së Shqipërisë në Këshillin e Evropës. Më 1997 ai jep dorëheqjen pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste dhe rikthehet në Shqipëri, ku ai do të pranoj postin e drejtorit për marrëdheniet me jashtë të Partisë Demokratike.
Pikërisht të dhëna që i hyjnë në punë kujtdo që dëshiron të mësojë diçka për Besnik Mustafajn shkrimtar (pa përmendur sa ironike tingëllon kjo rezyme rutinash politike, në një kohë që Mustafaj gjithnjë kujdesej të precizonte se e vinte letërsinë mbi politikën)!
Ervin Hatibi […] është një nga poetët e brezit te ri, ose më mirë i brezit rinor të fundkomunizmit. Ismail Kadare ka thene se Hatibi është vazhdimesia dhe e ardhmja e poezise moderne shqiptare, pra nje talent qe e ka treguar veten qe kur ishte vec 15 vjec. Ervin Hatibi ka shkruar shume poezi te “modeleve” te ndyshme, pra mund te gjejme nje potpuri stilesh ne poezine e tij. Dallohet për origjinalitet dhe perdorjen e mrekullueshme te gjuhes shqipe. Poezia e dhene me lart është shkruar nga Hatibi për grupin e muzikes se lehte Ritfolk, te cilet e kane kthyer ate ne kenget e tyre me te preferuara nga publiku shqiptar. Pothuaj gjitha tekstet e kengeve te Ritfolk kane dale nga pena e Ervin Hatibit. Ketu do gjeni nje poezi me tone moderne te ketij poeti te ri. (cit. Alban Tartari)
Çdo gjë e thënë qartë e pastër, vetëm se, natyrisht, nuk ka asnjë poezi “të dhënë më lart”, dhe kush e ka kopjuar tekstin paturpësisht, nuk ka marrë as mundimin ta redaktojë sado pak (nuk di si ka reaguar ndaj kësaj Alban Tartari).
Nuk vazhdoj dot më, por lexuesit që kanë kohë për të vrarë, mund t’i eksplorojnë vetë ligatinat e Wiki-t shqip, për të marrë kontakt të drejtpëdrejtë me inkompetencën tonë si komunitet në fushë të dijes; ose me apoteozën e llucës në kulturën shqiptare. Edhe liri, edhe demokraci, tha; tamam si e kishim ëndërruar.