LETER ANONIME


Znj. Kumbaro,

Ministre e Kulturës së Shqipërisë.


LEKA BUNGO

Bulevardi “Gjergj Fishta”

Pallati “Bora”

Apt. 24

Tiranë

Për mua dhe kolegët e moshës sime DYERT e Teatrove dhe Televizioneve janë mbyllur “me të drejtë”. Megjithëse: “NDRYSHE NGA BOKSI, NË ART KA EDHE TË RINJ TË VJETËR SIÇ KA TË VJETËR TË RINJ”. Në kushte të tilla e vetmja zgjidhje mbetet vetëpunësimi. Kështu që këtej e tutje vendosa të kontribuoj në një fushë të veçantë të krijimtarisë, e cila nuk është lëvruar vitet e fundit.

LETRA E PARË

Znj. Kumbaro. Rreth dy vjet më parë, me propozimin tuaj dhe vendimin e Këshillit të Ministrave, Teatri Kombëtar i Komedisë u shndërrua në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Aso kohe, shumë kujt iu duk i çuditshëm një ndryshim i tillë. Atyre s’u shkonte ndër mend që kjo ishte një “HILE” e vockël qeveritare për të shkarkuar Drejtorin dhe për të emëruar me çdo kusht z. Kiço Londo, i cili kishte kohë pa u bërë drejtor.

NË VEND TË HYRJES

Shumë vite më parë, një makinë “misterioze” pa targa qëndronte vazhdimisht anës së trotuarit, përballë ndërtesës së ambasadës jugosllave në Tiranë. Ajo priste gjersa një nga makinat e trupit diplomatik dilte nga ambientet e brendshme të ambasadës, i qepej nga pas dhe i shqitej vetëm atëherë kur ajo kthehej përsëri në parkingun e ambasadës. Aso kohe njerëzit thoshin se makina “misterioze” që nuk e merrte asnjëherë mundimin për të mos rënë në sy, ishte makinë e sigurimit të shtetit.

Megjithatë, unë nuk jam pajtuar asnjëherë me një hamendje të tillë. Perkundrazi. Kam qenë dhe jam i bindur sot e kësaj dite se makina që i qepej ditë e natë veturës së ambasadës jugosllave ishte thjesht KOINCIDENCË. Kjo m’u kujtua pak ditë më parë, kur ca kolegë ngulnin këmbë se z. Londo emërohet drejtor teatri sa herë vjen në pushtet Partia Socialiste. Natyrisht kundërshtova sepse isha i bindur që edhe kjo ashtu si Gazi i sigurimit të shtetit është thjesht KOINCIDENCË.

Me fjalë të tjera, znj. Kumbaro, mbajta anën tuaj ngaqë jam i mendjes se kur propozuat emrin e tij në krye të Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, jeni nisur nga personaliteti i tij artistik dhe as që ju ka shkuar ndër mend se cilës Parti i përkiste.

***

Znj. Ministre. Nëpërmjet kësaj letre nuk kam aspak ndër mend t’ju shqetësoj për problemet e Teatrit. Thjesht do të desha t’ju bëja TRI pyetje që kanë të bëjnë vetëm me EMRIN e tij.

PYETJA E PARË

A ekziston në botë ndonjë teatër, i cili quhet “KOMBËTAR”, ndërkohë që në repertorin e tij nuk ka asnjë vepër KOMBËTARE? Shumë drejtues teatrosh apo regjisorë, jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytetet e tjera ku ende “gjallojnë” mbetje të teatrit profesionist, i janë vërsulur dramaturgjisë së huaj, madje në shumë raste kryeveprave të dramaturgjisë botërore, pa llogaritur kanë apo nuk kanë “TAKAT” të maten me to.

Drejtorët preferojnë veprat e autorëve të mëdhenj, sepse janë të bindur në suksesin e tyre, ndërsa “regjisorët” e kanë më të lehtë punën ngaqë “KONSULTOHEN” me kasetat e regjistruara të veprave që do të vënë në skenë. Sipas tyre, kjo ndodh sepse dramaturgjia shqiptare është në KRIZË. Pas këtij konstatimi të dhimbshëm dhe të vërtetë, nuk mund të mos shtrohet pyetja: LEKA BUNGO Si do të dalë nga kriza dramaturgjia shqiptare?

Ministria e Kulturës subvencionon Festivale Teatrore NDËRKOMBËTARE, organizon Festivale NDËRKOMBËTARE të Filmit dhe nuk i shkon ndër mend të shpallë konkurse të dramës shqipe apo të organizojë Festivale Teatrore me vepra të autorëve shqiptarë?!! Sipas kësaj logjike, dramaturgjia jonë mund të dalë nga kriza vetëm në qofte se teatrot SHQIPTARE vënë në skenë vepra të HUAJA?!!

Si është e mundur që të mos hapet dega e Dramaturgjisë pranë Universitetit të Arteve?! Apo jeni të mendimit se mungesën e saj mund ta plotësojë “Punishtja e dramaturgjisë”, si ajo që u sajua disa muaj më parë në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli” dhe që s’kishte asnjë ndryshim nga kursi i juristëve te plepat e Durrësit.

Znj. Kumbaro.

POLITIKAT E REPERTORIT dhe veçanërisht për Teatrot Kombëtare që marrin oksigjen nga buxheti i shtetit nuk duhet të mbeten vetëm në duart e DREJTORËVE. Ato duhet t’i nënshtrohen gjykimit kolegjial të Regjisorëve, Bordeve, Drejtorëve dhe të koordinohen nga Ministria e Kulturës.

PYETJA E DYTË

Me ç’logjikë mund të quhet “EKSPERIMENTAL” një Teatër ndërkohë kur të gjitha VËNIET E VEPRAVE NË SKENË që nga Greqia e lashtë dhe gjer më sot janë në vetvete EKSPERIMENT? Megjithatë le ta marrim për një çast të mirëqenë emërtimin e përdorur. Cilat janë EKSPERIMENTET e bëra që nga dita e lindjes së këtij teatri? Sipas gjykimit tim, një nga “eksperimentet” më të suksesshme ka qenë shndërrimi i tij nga Teatër Kombëtar për të RRITUR në një Teatër Kombëtar për KALAMAJ.

Në qoftë se sallat e spektakleve për të rritur kanë uri për spektatorë, sepse në të shumtën e herëve mbeten bosh, sallat e shfaqjeve për fëmijë mbushen plot e përplot nga spektatorët me bluza të bardha që vijnë në rresht. Kjo nuk është thjesht hamendje. Mjafton t’u hidhni një sy afisheve të shfaqjeve për kalamaj dhe do të lexoni shënimin: “Të dashur fëmijë, sillini prindët në teatër”. Mirëpo një “eksperiment” i tillë ka ndryshuar profilin dhe platformën filozofike mbi të cilin është ngritur ky teatër. Cili është ai që paska tagër për të bërë “novacione” të tilla?

Një drejtor teatri që fshihet pas një Bordi formal?! Dhe Ministria e Kulturës bën sehir?! Në qoftë se marrëdhëniet e Ministrisë së Kulturës me Teatrot Kombëtare do të jenë kësisoj edhe paskëtaj nuk është çudi që një ditë të bukur Teatri Kombëtar i kukullave të “eksperimentojë” duke vënë në skenë OTELLON, znj. Kumbaro. Një tjetër “EKSPERIMENT” që përpiqet të bëjë “Zhurmë” është edhe vënia në skenë e “Hamletit”, njërës prej kryeveprave të dramaturgjisë botërore. Madje kësaj here “eksperimenti” nuk nis në sallë, as në skenë, por në afishen e shfaqjes. Portreti i aktores që interpreton Hamletin është i varur në mur kokëposhtë!!!

Së largu të krijohet përshtypja se është varur së prapthi gabimisht, por, kur afrohesh, e kupton se i gabuar je ti. Vendosja e portretit kokëposhtë qenkish një këndvështrim “modern”, të cilin e kanë vështirë ta kuptojnë të gjithë! Kjo është cikërrimë në raport me “Eksperimentin” e interpretimit të Hamletit nga një femër. Nuk besoj që Shekspirit t’i ketë shkuar ndonjëherë ndër mend se princi i Danimarkës, djaloshi i dashuruar marrëzisht pas Ofelisë, një ditë të bukur do të shndërrohej në TRANVESTIT.

Natyrisht, Shekspiri nuk mund të parashikonte “EKSPERIMENTET” që do të bëheshin pas vdekjes së tij. Bash për këtë, në një intervistë për shtypin, z. Londo përpiqet ta qetësojë dramaturgun e madh: (Si përmend dhjetëra emra aktorësh që kanë interpretuar Hamletin në skena të ndryshme të botës), ai shton: “…Nuk jam i sigurt se përse producentët e tjerë kanë vendosur që Hamleti të jetë femër, por unë mendoj se Hamleti bazohet në dualitetin e shpirtit dhe tregon vazhdimisht paradoksin e të kundërtave.

Hamleti është qenie hermafrodite që i ka të dyja gjinitë, por që në TKE do TË LINDTE GRUA…”. Sipas psikanalizës së mësipërme, Shekspiri paskish pasur dëshirë që princi i Danimarkës të ishte mashkull, por nuk ia ka arritur sepse i ka dalë edhe mashkull, edhe femër. Në të njëjtën intervistë, pasi hodhi ca lopata me baltë mbi ikonat e teatrit shqiptar, z. Londo tha: “…Shekspiri është provuar edhe më parë në teatrin shqiptar. Por le t’i themi gjërat me emrat e tyre.

Janë luajtur veprat e tij, por në shumicën e rasteve shfaqjet nuk kanë asnjë lidhje me to. Ne akoma nuk e dimë se si luhet Shekspiri…”. (Kur thotë NE, ka parasysh Naim Frashërin, Kadri Roshin, Kujtim Spahivoglin. Shënimi im.) “Tekstet e tij të mrekullueshme që të arrihen kërkojnë vendin, metodat, njerëzit, kërkimet dhe edukimin e duhur…”. (…Thënë me fjalë të tjera, kërkojnë Teatrin Kombëtar Eksperimental, metoda moderne të afishimit, regjisorë anonimë, aktorë fillestarë, përveç Xhuvanit, e të tjera…! Shënimi im.) Pavarësisht nga mendime të mësipërme të Drejtorit, Drejtori vendosi që “Hamleti” të vihet në skenën e teatrit të tij!!!

Znj. Ministre, koncepte regjisoriale eksperimentale janë aplikuar edhe në botë, edhe në skenat e teatrit shqiptar, por “EKSPERIMENTE” të tilla me kryeveprat e dramaturgjisë botërore do t’i shkonin më shumë për shtat Peter Brookut, Tyler Perryt, Al Pacinos… dhe jo…! Skena e teatrit është vërtet LABORATOR, por EKSPERIMENTET nuk mund të bëhen nga ata që kanë arritur deri te germa “C” në alfabetin e artit Teatral.

PYETJA E TRETE

A ka të drejtë njeri që t’i heqë emrin një institucioni, emër që është vënë me vendim të Këshillit të Ministrave?

Ka. Në qoftë se keni qenë kohët e fundit, duhet të kini vënë re se emri i Kujtim Spahivoglit, që është njiherit MBIEMRI i këtij Teatri, është shuar!!! (Për ne studentët dhe kolegët e tij, për artdashësit shqiptarë ai ka qenë dhe mbetet një nga personalitetet më të mëdha të skenës shqiptare.)

Emri i tij ka mbetur vetëm në një nga këndet e teatrit, ndërsa në hyrjen kryesore, atje ku hyjnë spektatorët, është shënuar vetëm fjala: “EKSPERIMENTAL”. Në intervista apo artikuj të ndryshëm, emri i tij është katandisur në TKE. Pra, Teatrit i është hequr mbiemri, bash ai që e bën këtë teatër të ndryshojë nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit apo Teatri Kombëtar i Kukullave. Në pamje të parë duket sikur është thjesht lapsus.

Në të vërtetë emri i Kujtim Spahivoglit nuk ndodhet në asnjë nga afishet që varen në muret e teatrit! PSE…?!? Kjo është njëlloj sikur në hyrjen e Ministrisë suaj të varej një tabelë: “Mi.KU.SHQ.”.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)