HEREZITE E SURROIT

Home
Duke lexuar të krijohet ndjesia se ai i njeh vetes rolin e një kronikani të ngjarjeve të përditshme, asish që shpesh mund t’i pikasësh në kronikën e zezë të mediave; por e gjithë kjo ndodh thjesht e vetëm në dukje ngase pas emrave të përveçëm, si Dragoslav Bashiqi, Minirja, Lavdrim Muhaxhiri etj., shpalosen dukuri therëse të gjithë një shoqërie.

Pa kaluar as edhe një vit, Veton Surroi vjen e na ofron një tjetër libër, i cili mbart një titull grotesk e kërshërues “Ambasadori i Melkizedekut”, si dhe një nëntitull mëse kuptimplotë “… dhe shënime të tjera heretike”. Ashtu si edhe paraardhësi më i afërt i tij, “Këmbët e gjarprit”, ky libër është një viviseksion i shoqërisë kosovare; ndonëse autorit të këtyre radhëve do t’ia kishte ënda t’i bënte një lexim paralel dhe të qëmtonte e pahtësonte dukuri e problematika të krejt shqiptarëve, këndej ose përandej kufirit. Për rrjedhojë, prej kësaj prerjeje dhe vështrimit përimtues që autori i bën ADN-së së shqiptarit, ne arrijmë të përftojmë profilin e mendësisë dhe psikës së të ashtuquajturit homo albanicus. Duke qenë se në një pjesë të madhe të herëve mitet e Kosovës janë edhe mitet tona, siç edhe jam shprehur në ndonjë shkrim të mëparshëm, shënimet heretike të Surroit mund e duhet të lexohen duke hequr një paralele edhe me shoqërinë tonë. Ndonëse autori merr e shtjellon ndodhi të politikës aktuale në Kosovë, duke ndërtuar njëkohësisht portrete reale të disa prej figurave të dorës së parë të politikanëve kosovarë, lypset thënë përtej ikonografisë zyrtare dhe buzëqeshjeve mediatike, leximi ynë kishte për të qenë i mangët pa metodën krahasuese me atë pjesë të Shqipërisë tjetër, të ashtuquajtur amë prej bardëve, e cila, edhe tash pas njëqind e ca vjetësh, mëshiron drama, defekte e vese të ngjashme.

Teksa zhvendoset në kohë e hapësirë i prirë prej autorit përmes botës së koklavitur, ngatërrestare e grindavece të politikës, lexuesi nuk e ka të vështirë të kuptojë se Veton Surroi është një vëzhgues i mprehtë e i paanshëm, një mendje e kthjellët dhe një penë e pakorruptueshme, çka bën që në peshoren e tij morale – dhe këtu s’ka sesi të mos më ndërmendet metafora e mrekullueshme e xhamave të thyer të moralit tonë – të ketë një dhe vetëm një masë, si për personazhet vendas, ashtu edhe për ata të huaj, pavarësisht nëse janë të veshur me pushtet, siç ngjet me të parët, ose përfaqësojnë organizma të fuqishëm ndërkombëtarë dhe shtete me emra të bujshëm, siç ndodh me të dytët. Siç e kemi vërejtur edhe në ndonjë rast tjetër, kjo e bën atë detraktor të palodhur dhe ekzorcist të së keqes; detraktor i pasugjestionueshëm prej titujve, ofiqeve dhe medaljeve, ai nuk ngurron të zbresë nga panteoni i lavdisë njerëz që jetojnë si heronj folklorikë baladash, por edhe ekzorcist që s’ka frikë ta anatemojë e çrrënjosë të ligën, madje edhe atëherë kur njerëzit të topitur e të shastisur shohin vetëm engjëj e martirë të shqiptarizmës qark vetes.

Siç shprehet e thotë edhe vetë Surroi diku në hyrje, ky libër më fort sesa përgjigje ngre pyetje, të cilat në thelb shërbejnë për të kuptuar dramën komplekse të një vendi si Kosova dhe të banorëve të saj. Tekefundit, ky rend gjërash është dialektik, domethënë nuk mund të kesh përgjigje për brengat e tua pa shtruar më parë një sërë pyetjesh. Pra, në njëfarë mase dhe mënyre, ngjan më e vështirë dhe kërkon më shumë kurajë të shtrosh pyetjet e duhura, pra, të vësh gishtin në plagë sesa t’u përgjigjesh atyre; me fjalë të tjera është më e rëndësishme të diagnostikosh sesa të ofrosh receta për shkoklitjen e lëmshit politik, social, etnik, ekonomik e kulturor në një vend me probleme të trashëguara prej shekujsh. Në anamnezën që i bën shoqërisë shqiptare, asaj kosovare kryesisht, autori dikton dy defekte të rënda: ato që ai i quan disonancë kognitive dhe amnezi sociale. Teksa tek e para shqiptarët vuajnë nga sindroma e besimit mesianik, domethënë te ndërhyrja nga jashtë e lart për të zgjidhur problemet e tyre, siç ngjau më ’99 me sulmet ajrore të NATO-s, tek e dyta, kujtesa e tyre është dritëshkurtër, çka jo rrallë bën që ta hanë sapunin për djathë ose, për një arsye ose një tjetër, t’i thonë derrit dajë. Të dyja këto janë tipare të një shoqërie të varfër e të shtypur, nga pushtues të huaj ose satrapë vendas, shoqëri e prirur të harrojë e të hedhë pas krahëve gjithçka, madje edhe të keqen, paçka se kësodore rrezikon ta përjetojë rishtazi atë.

Teknika narrative e Surroit është një zhvendosje e vazhdueshme, pa kërcitur, nga një regjistër ligjërimor në një tjetër; autori me zhdërvjelltësi kalon prej publicistikës në politologji, histori e kështu me radhë. Madje tek kjo e fundit shfaqen elementë të një minimalizmi historik, një metodë kjo ku autori niset nga një ngjarje konkrete dhe një personazh konkret dhe, kësisoj, merr e shtjellon dukuri të caktuara historike, sociale etj. Duke lexuar të krijohet ndjesia se ai i njeh vetes rolin e një kronikani të ngjarjeve të përditshme, asish që shpesh mund t’i pikasësh në kronikën e zezë të mediave; por e gjithë kjo ndodh thjesht e vetëm në dukje ngase pas emrave të përveçëm, si Dragoslav Bashiqi, Minirja, Lavdrim Muhaxhiri etj., shpalosen dukuri therëse të gjithë një shoqërie.

Me një stil tërheqës, hera-herës të hidhur, ku ironia dhe grotesku luajnë ping-pong me njëri-tjetrin e shpotisin njerëz e vese, Surroi di të ngacmojë në ato pika ku të tjerët druhen, kanë frikë dhe shpesh pajtohen me atë ndjesi atavike se teshat e pista të shtëpisë nuk duhen larë faqe botës.

Virgjil Muçi

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)