“Largësia ideale” e poezisë së Parid Teferiçit



A mundet që copëzat e një jete të thyer t’i mbledhim si copat e një peshku të kuq prej qelqi Kavaje?! A mund t’i pështyjmë ciflat tej, pa na u gjakosur buzët? Poezia mund ta ketë një përgjigje për shpirtin.

Mes mijëra titujsh bombastikë, me seks e konspiracione, mes kopertinash joshëse me çifte, por edhe emrave të mëdhenj të letërsisë botërore, në Panairin e Librit, që u mbyll një javë më parë, në stendën e shtëpisë botuese “Ombra GVG” qëndronte gati i tërhequr, si ai djali mbi kamerdare që sheh bregun për së largëti, në sinkron me modestinë e autorit, edhe vëllimi me poezi i Parid Teferiçit. “Largësia ideale”, një libër prej as 100 faqesh, me një bukuri të përkorë estetike, me një pikturë të Orion Shimës në kopertinë, që e dallon lehtësisht mes kolanës së “bashkëkohorëve”. Shumë pak njerëz e dinin botimin e këtij libri. Vetëm miqtë e ngushtë të autorit. Parid Teferiçi as e shkoi nëpër mend që të organizonte ndonjë promovim në kuadër të panairit. Fundja, kush lexon sot poezi?!

E aq më pak t’i kishte shkuar nëpër mend se do të shpallej pikërisht ai “Autori i vitit”. Ndërsa qarkullonin emra të tjerë, që shitën mijëra kopje, madje mund të vije edhe bast për këtë gjë, juria kishte renditur ndër pretendentët edhe dy poetë, Ilirjan Zhupën, që kthehej pas kaq vitesh me një vëllim poetik, dhe Parid Teferiçin me “Largësia ideale”. Kur zgjodhi të shkruante poezi moderne, ose më saktë, kur kjo e fundit e zgjodhi atë, Teferiçi bëri pakt edhe me vetminë.

“Jo rrallë ndihem dinozaur”, shkruan ai në një prej poezive. E duket se kjo vetmi poetike ka “tronditur” jurinë e këtij edicioni, që do ta shpallte Teferiçin si autorin e vitit, duke i shtuar një tjetër natë pa gjumë, me dilemën nëse vërtet e meritonte. “Për prurje të qenësishme të një ligjërimi modern, me një strukturë dinamike e poetike, me pikëprerje origjinale edhe në artet e tjera”. Ky ishte motivacioni nga ana e jurisë. Në të njëjtën ditë poeti do të vlerësohej edhe nga Qendra PEN Albania. Po kësaj here si përkthyes.

“Largësia ideale” është përmbledhja e 60 poezive dhe prozave poetike. Një gërmim në shpirtin e kohës, honin e së cilës më pas është e vështirë ta mbyllin gjithë fjalët e botës, fëmijëria që lë shenjë përjetë- sisht, antipoetikja dhe antiromantikja e ditëve që jetojmë, vijat paralele që nuk bëhen asnjëherë trekëndësh, një muze kombëtar, ku fshihen të gjitha “kodet” e një kombi…

Nis me “Peshkun e kuq”, simbolika e një të shkuare të pasuksesshme, i një pluskimi në boshllëk, i ëndrrave të brishta, te të cilat besoje e më pas je i detyruar t’i mbledhësh me fshesë, te të gjitha kundërshtitë dhe absurditetet e jetës, heshtja e vdekjes që thyen më shumë se çdo zhurmë tjetër, deri te shpresa që “na lë e fundit, sepse është e të njëjtit brumë me fundin”. Por të gjitha thyerjet, brishtësitë, trishtimin Teferiçi i vesh me një tis ironie, me të cilën godet të parin veten, duke “e shpëtuar” poezinë e tij nga zymtë- sia dhe fataliteti.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)