POEZI ME SILENCIATOR

Profili i një poeti të tërhequr, të interesuar veçse për lexuesin e vërtetë, në kërkim të letërsisë së mirë 
Çdo herë që nis Panairi i Librit ende është ruajtur në kujtesë zhurmnaja e një viti më parë, duke shpresuar që kësaj radhe të mos ndodhë ashtu. Nuk është fjala vetëm për radhët e gjata dhe kaotike të atyre që hyjnë e dalin në Pallatin e Kongreseve, por edhe për atë zhurmën tjetër që ka të bëjë me promovimet e librave, megjithëse dihen prej kohësh marrëdhëniet mes njerëzve të letrave që gjallojnë këtyre anëve, të kapur më së shumti pas interesash të vogla, me logjikën – nëse  mund të quhet e tillë kjo – : “Më përmend që të të përmend; shkruaj për mua që të shkruaj edhe unë për ty; më lavdëro që të të lavdëroj”, gjithmonë në dëm të lexuesit që ende do të gjejë ca letërsi të mirë. Po të shtohet këtu edhe bombardimi me informacion, i cili imponohet thuajse me dhunë prej ekranit, udha e orientimit të lexuesve drejt autorëve të mirë bëhet edhe më e gjatë. E, sa për këta të fundit, kush është jashtë këtij qerthulli, qoftë edhe fizikisht, harrohet apo nuk përmendet.
Kështu duket se ka ngjarë me Arb Elon, i larguar nga Shqipëria në vitet nëntëdhjetë, i cili jeton në Gjermani qysh atëherë. S’duhet harruar që rrugëtimi nuk ka qenë më i thjeshtë edhe për shumë të përdëllyer, që thuajse po na errësojnë shikimin për muaj me radhë, duke u shfaqur pareshtur ndër ekrane, madje gjithnjë e më shumë ngjan gati e vërtetuar se ata janë edhe nga më të bezdisshmit e banorëve të studiove televizive. Parë kështu, lexuesit do të duhej t’i rekomandoheshin e të orientohej edhe kah të papërmendurit, të pareklamuarit, të fshehurit, si të thuash, të nëndheshmit, vepra e të cilëve nuk bërtet: “më bli, më bli!”, botuesit e të cilëve nuk i lodhin ekranet e aq më pak autorët vetë, që ndoshta jetojnë gjëkundi në botë, larg, e të cilëve u intereson vetëm lexuesi, ai lexues që i gjen e i blen fare rastësisht në librari, pa rekomandime dhe pa porosi.
Gjithmonë e më pak e hasim këtë lloj profili të përunjur autori pra anëve tona, kur dihet se ç’ndodh përpara e përgjatë një promovimi të bujshëm libri, kur më të shumtët e pjesëmarrësve të tregojnë nën zë se po shkojnë për të bërë qokën e radhës, po ku sidoqoftë marrin pjesë, venë e venë të njëjtët sërish; në një kohë kur nuk lihet gjë pa thënë për librin nëpër ekrane, gazeta apo blogje qofshin e në kanalet e tjera shoqërore të komunikimit, duke shuar kështu po atë që po mëtohet të ndizet e që quhet rëndom kureshtje e leximit. Kështu i humbet funksioni informues apo kritik medias, integriteti autorit dhe çfarë arrihet, në fund të fundit? Më së shumti, një vrimë në ujë.
Kjo nuk ka ndodhur e nuk ndodh me vëllimet me poezi të Elos: “Mirazh” (2010), “Zero 3D” (2011), “Xixa të zeza” (2013) dhe “End(j)e” (2014), të cilët gjenden në Amazon, porse edhe, me shumë fat, të fshehur në ndonjë raft të librarive të Tiranës, ndërsa në Panairin e Librit gjendej vetëm vëllimi “Mirazh”.
Heroi Lirik  
Arb Elo nuk është parë të flasë për veprën apo veten e tij nëpër ekranet shqiptare, vetëm apo bashkë me botuesin, të japë intervista kudo, kurdo dhe kujtdo e kjo nuk është rastësi, pasi të dalurit në ekran a nëpër gazeta është diçka që bëhet fort thjesht në anët tona; pothuajse të tërë e kanë bërë. Ndoshta pikërisht për këtë protagonizëm të munguar nga njëra anë, aq të vërtetë nga ana tjetër, duhet admiruar së pari njeriu i tërhequr pas poetit, i cili të ngjall mallin e atyre njerëzve të dikurshëm të letrave që po i gjejmë gjithmonë e më pak mes nesh. Nuk i lipset dukja, për ta lënë kështu poezinë e tij ta gjejë vetë udhën e saj drejt lexuesit. Poezia e tij është edhe ajo sqimatare, kërkon një lexues të lëçitur e të kulturuar, i cili do të ishte në gjendje të rrokte deri edhe kuptimet e simbolikën shpesh të thella, të cilat nuk i jepen menjëherë gjithkujt. Është njohës i shqipes së qëruar, di fare mirë ta përdorë dhe të zotërojë atë. Gjuha e tij mpin kur do, ngazëllen, fshikullon, qesëndis, ther, porse edhe zbutet e përkëdhelet e zbukuron shpirt e mendje. Tematika që ai rrok në poezitë e tij është e gjerë; po aq sa i qaset metafizikes, të pandërgjegjshmes dhe errësirës së psikës njerëzore, po aq, me të njëjtin ritëm, di të kthehet te lokalja, te njeriu që gjendet diku në botë, që ikën prej një vendi dhe nuk dihet nëse i ka ikur vetë atij së pari kohë më parë, i cili është robëruar nga materialja, robotizuar nga rutina, është bombarduar pa mëshirë nga media dhe vështirë se e gjen rrugën për te vetja, që përherë e më shumë i duket e huaj. Ja çfarë ngelet pas një “Vizitë imagjinare në çmendinën e Elbasanit” (titulli i poezisë):“…
Të marrët e vërtetë luajnë jashtë me armë,/ para e pushtet, drama pa spektatorë, me role / për të tërë, drama që s’mbarojnë për së gjalli,/ ia marrin dhe ia japin jetën kujt nuk mbrohet dot, / e shesin dhe e blejnë të varfrin, deri Zotin vetë…”(nga vëllimi „End(j)e“).
Sa më tepër të mund të futesh aty dhe të bluash vargjet për jetën në dhé të huaj, ambasadat, punën në të zezë e të përpiqesh të krijosh një profil të tijin, po aq kupton se Elo, uni i tij poetik nuk është një, nuk është një njeri i vetëm, i cili do të mund të konturohej qartë. Uni i tij lirik është i pakohë dhe i huaj në këtë botë.; heroi i tij poetik i ka rrënjët të shkulura dhe, kjo të bëhet e qartë qysh në krye të herës, kjo lloj poezie nuk mund të ishte përpos bashkëkohore, veçse e ditëve tona. Shtëpia e heroit të tij lirik është sa burgu i vetes, aq edhe qela e çmendinës, porse edhe liria e paskaj e qiejve. Uni poetik i shprehur te poezia : “Po të…“ citoj: “…Ti bën ç’je, por s’je ç’bën, / thua ç’je, por nuk je ç’thua, / do çka ç’je, por s’je çka do, / fundja të jesh, veç të jesh, / pa bërë, pa folur e dashur / kjo, po, do t’qe poezia vetë, / vjersha q’është e pashkruar, / se në fillim s’qe fjala or mik, / gjithçka nisi o mik nga falja…” (nga vëllimi „End(j)e”). Ky un poetik zbërthehet më së miri edhe te vëllimi “Zero 3D”.
Kujtesa  
Te vëllimi i parë i autorit “Mirazh”, para se poeti me kohë të bëhet edhe më hermetik e të shtjellojë kryesisht tema metafizike, gjen më tepër se një poezi për emigracionin, dheun e munguar, jetën në tokën e re, e cila që do të ishte larg asaj së premtuarës, së paku asaj së përfytyruarës. “Negativë hijesh”, ndoshta poezia më e mirë e vëllimit të parë me poezi, është një film i shkurtër për kujtesën e errët të para ’90-ës dhe, pasi mbarohet së lexuari, bën që të mos lindë më pyetja: A mund të jetohet vallë në një vend si ky? E çfarë na ofron bota tjetër? “…Liria vesh / këtu tela me gjëmba dhe liria quhet mbase vërtet ashtu, se ferri është lirik, / ku s’është çudi të gjesh autostradave / shqiptare që shesin puthje ala Marylin, / duke u fryrë flluskave që nuk u binden, / mollartave, si njeriu zjarrit, me durim…” (nga “Negativë hijesh”) ose “…Mirësevjen o shqiptar në Perëndim, / botën me drita dhe ujë të ngrohtë rubineti, / gaz kaloriferësh a kampesh përqendrimi, / vajza suflere në recepsione mjekësh, / këtu vendas nuk do të bëhesh dot kurrë…“ (nga poezia „Mirazh“, prej vëllimit me të njëjtin titull). I njëjti motiv gjendet edhe te poezitë: “Shtëpi e rrënuar…”, “Ngushtë”, „Stacion“, etj.
Jo se nuk është shkruar edhe nga të tjerë mbi atë çka ka ndodhur me shqiptarët pas rënies së regjimit, porse kjo gjuhë e hidhur, që ther gjer në palcë, i drejtohet  vërtetësisht kujtesës historike dhe të krijohet përshtypja se vetëm kështu, me një ironi të arrirë e humor të zi, mund të hidhet pas krahëve, të përtypet ajo ç(na)ka ngjarë. Poezia duket në pamje të parë pesimiste, pasi ajo buron pikërisht nga ky realitet, realitet që nuk frymëzon shumë, dhe të krijon bindjen se është po aq e vërtetë. Padyshim, kjo është bindja që të krijohet, Elo i qaset poezisë si një mënyre jetese, si një filozofie më vete, si të gjithë ata që i thonë e i thanë shumë botës me veprën e tyre në gjallje apo të ikur. A të jetë vallë kjo filozofia e tij, me rrënjët thellë diku tjetër, jashtë nesh, përtej nesh, tek e mbinatyrshmja, e përjetshmja ndoshta? “…Gjithë ato çka janë të përkohshme, / kohë, njerëz apo vende, / do të kalojnë të tëra, ashtu siç po kalon tani kjo që po shkruaj / Edhe kjo tundje dore është e atij që po largohet përgjithmonë, / Veçse në kërkim të asaj që nuk zhbëhet po humbas mendjen, / Sa më tepër plakem, aq më tepër bëhem në këtë botë i huaj, /  Ata që do të humbasin jetën, ata do ta fitojnë përsëri thuhet, / Kjo është asgjëja që mendoj, për t’iu përgjigjur pyetjes tënde…” (nga poezia “Asgjë”, vëllimi „Mirazh“).
Erotika  
Një tjetër temë që ndjell është ajo erotike. Mbesin në mendje gra si Maria Z. dhe Lee, që të enden pastaj në kujtesë bukur, dëshirueshëm, epshëm, sikur të vinin nga një realitet tjetër apo që i paskëshin ikur të këtushmit. Në poezitë e dashurisë mund të gjendet pikërisht ajo prehje, jetë, dritë (erotika e vdekjes) që ngjan sikur buron prej tjetërkundit. “Të duash është si të vdesësh“ – do të thoshte, shkruan Arb. Te “Rreshta për Lee” (nga vëllimi “Mirazh”) gjejmë: “…Kërkoj atëherë  / një kraharor të butë ku të vë kokën, mbyll sytë, dëgjoj / rrahjen e një zemre tjetër, që njëlloj si imja tundet, pi, / që u epsh n’degë derisa skuqi lëngun që thithi kokrra, / idenë a shpirtin, kur u deh buza me gjak herën e parë, / E pimë atë dolli me fund, etëm dashje pa shter, pimë / kur boshi na ngërtheu ligsht gjuhën. Nuk e di se pse, / fjala ndoshta, afshi i shuar i kohës që ngrin gurë llave, më mbiu lule. Po kujt tia dhuroj atë? Se ti lule je vetë…”
Ca vite më vonë do të shkruhej për Marien tek “Xixa të Zeza”: “…Mëtoja dyfish kur e dëgjoja: për çka më fliste / e se si do të kish qenë po të ishim vetëm të dy / në një odë të mugët gjumi me shtratin në mes, / me çarçafë të bardhë e në mes atë, të zeshkët / siç e kishte lëkurën dhe flokët e zinj kaçurrelë, / në mes t’asaj bore si pemë e shkulur me fletët e/  lagura e unë zog nëpër të, i vogël, i shkretë; / të dënesja mbytyr këngë përsërie, psherëtima, / të putheshim butë symbyllur e gjatë e prapë, / të lëshohesha krahëve të saj të çarë si heshtja / që pasonte fjalëfundin, që na rëndonte pafajin…”. Për ta mbyllur me shënimet e kursyera rreth erotikës (poezia flet sidoqoftë vetë), nuk po mund të lemë jashtë pesë vargje nga “Fjalë kurmi“ : “Gjuhë të re do të shpik atëherë vetëm për ty, / me fjalë të reja, të virgjëra, të pathëna mot,/ Muzikë me tinguj fëshfëritës, / qerthullima, zukatje, pëshpëshe, / klithma, guduli e afshe, / që t’mos thuash dot as “Mos!”, por veç “O Zot!…“ (nga “Mirazh”).
Nuk po duam ndikojmë më tej lexuesin, të bëjmë vetë gabimin që kritikuam në krye të këtij shkrimi e aq më pak po duam të zgjatemi pa nevojë, përpos për dy mesazhe dashamirëse në mbyllje, një për lexuesin e tjetri për autorin: „Arb Elo nuk do e rëndonte bibliotekën tuaj“; ndërsa për poetin: „Vijo të shkruash Arb, shkruaj për ne që nuk po duam t’i humbim kontaktet me poezinë e mirë, për ne që po duam t’i japim ca ngjyrë jetës”.
Në vend të një Post-Scriptum-i:  
Një koment në Amazon për vëllimin “End(j)e”
Libër që lexohet me “End(j)e” e që nuk ka nevojë për fjalë të mëdha si “i arrirë, brilant, libri më i mirë i autorit filan“… megjithatë çka doja të ndaja është përftimi që më la, si një lloj “filozofie në vargje“; poezia e Arb Elos… unikale… e ngjeshur me fjalë e ide, me metafora të fuqishme që përthyhen në mijëra figuracione/ figurina brenda prizmit të Un-it, „…njëshit që është pafund herë shumë zerosh…“, siç shkruan autori, … Uni-versit të secilit, ku pasqyrohet kokëposhtë e shkrihet Un-iversi i Madh… un-iteti Yin-Yang, Yang-Yin, Xhan-Xhin, dyzim në çdo fjalë, në çdo varg, besimi alla Elo… në një Zot … që e(G)kziston dhe është po aq Ati sa edhe Krijesa jonë… po aq “me” sa edhe “pa” formë… kjo masë e riciklueshme… bëhemi-zhbëhemi, thurim-shthurim, mendime, fjalë, ide… i mbajmë mbyllur brenda në kafkë a i lëshojmë si frymën në erë… a ndonjë i hedh në vargje si Arbi, me një gjuhë aq të zhdërvjellët, sa s’të besohet që është shqipja gjuha jote (amtare) kaq e begatë… ndërsa pyetjet konstante që na lëvrojnë në kokë „…Ç’të pruri këtu e ku vete vallë?…“, si edhe binomet fund-fillim, dëshirë-dashuri, vdekje e gjumë, shtjelluar kaq gjerë e gjatë… paqësisht e humbasin kuptimin si një mantra gjatë meditimit… e që ai e bën me zë, për të gjithë ne… aq sa kur lexon të duket sikur ke marre një tyrjelë e po shpon qiejt dhe gati sa s’e prek thelbin e gjësë, së vërtetës që s’është veçse dritëhije… njëherësh e kupton që me duart e tua mund të prekësh „…veç kokën që të rëndon…“, e që „…vjen e t’a thumbon dritëzeza…“…“…do vdesim e kjo është shpresa…“… përveç formës, ritmit, që rrjedh me një kaskadë fjalësh, si lumë, e si rrallëherë “jo shumë e për lumë“…
Dhe pse në dukje cinik, ndien një lloj besimi që triumfon, diçka të mirë, që ekziston, këtej a matanë… kjo s’ka fare rëndësi. Ndaj lexojeni!
Jorida Pasku

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)